Letra nga limbo
KOHA DITORE, 4 MARS 2016
Këtë herë kur
perdet të hapen e aktorët të ngrihen me të vërteta ndaj tjerëve, shumë mite do
të bien. Me ta do të bie dhe paprekshmëria e të fortëve të cilët për plot 17
vjet gjithë kontributin e dhënë e kanë në rikujtimin e një sakrifice të bërë në
luftë.
-1-
Kosova tashmë ka
një President, por nuk e ka një që i përfaqëson njëmend shumicën e qytetarëve të
saj. Nuk i gëzon as votuesit e kundërshtarëve të deri djeshëm të tij, as
votuesit e opozitës, e hiç se hiç votuesit e minoriteteve. Zgjedhja e të riut,
madje, nuk gëzoj as votuesit që i pati në Parlament. Të njëjtit që kishin
thirrur ditë e natë për refuzim votimi, e votuan. E thanë se ishte zgjedhje e
domosdoshme; por nuk ju gëzuan zgjedhjes së tij. Kaq mjafton për të kuptuar
trishtimin në të cilin kanë futur vendin vet votuesit e tij. Për trishtimin që
kanë futur veten do të flasin qytetarët natyrisht.
Por u gëzuan
pjesëtarët e partisë së Presidentit të ri; festuan votuesit e tij; pak më pak
se një e treta e Kosovës. Disa festues madje, u kapën dhe me festë revoleje,
hiq më larg se në zyrat qendrore të partisë së Presidentit të ri; në mes të
Prishtinës; sa për të simbolizuar më së miri ndoshta gjithë rrethin që e karakterizon
atë – plumba e anarki, të gjithë së bashku mbi ligj. Një javë pas ngjarjes së
filmuar, prokuroria e vendit nuk guxoj e vazhdon të mos guxojë të hap rast ende.
Janë bërë të gjithë njëjtë. Të topitur. Të topitur gjithsesi ndaj të fortëve.
Në fund të ditës,
rezultati ishte ky. Një zgjedhje e rezervuar për pozitë uniteti, ju dha dikujt që
ka mbyllur përfundimisht gjasat për unitet në vend. Mos të harrojmë,
Presidentja në ikje mund të mos kishte qenë faktor uniteti në vend; por nuk
ishte as faktor përçarës. I riu, përveç se nuk është unifikues, është përçarës
sa s’bëhet më. Dhe është mu përçarja pse, Kosova është futur në një relacion të
pazgjidhshëm nga tash e tutje. Nëse në vend kishte deri dje në derë tek e cila
një pjesë e partive megjithatë mund të trokisnin, siç edhe kishin trokitur më
parë, tashmë me të riun ajo derë është mbyllur për plot pesë vjet.
-2-
Përderisa Kosova
ishte mbytur në gaz e molotov – dhe dëshpërim natën e zgjedhjes – një ecje tjetër
kosovare kishte bërë nam nëpër botë këtë javë. Filmi “Shok”, i nominuar për
çmimin prestigjioz “Oscar” kishte rikthyer Kosovën në ballinat e medieve më të
famshme ndërkombëtare.
Ky rikthim, përveç
se ishte freski e lajmeve që Kosova së fundi prodhon, e që të jemi të sinqertë
janë lajme të frikshme, përbën gjithashtu edhe diplomacinë më të shëndoshë që
vendi ynë mund të krijojë. Pra, nëpërmjet një ngjarje me vëmendje enrome nëpër
botë, Kosova, artistët kosovarë pra, kishin arritur të poentonin me temën më të
rëndësishme të mundshme – me përpjekjet e kosovarëve për mbijetesë. Ky poentim
bëhet i rëndësishëm veçanërisht në kohën që, për pjesën më të madhe të bashkësisë
ndërkombëtare – kryesisht asaj evropiane – Serbia nuk kërkohet të mbahet përgjegjëse
për të bërat e shtatëmbëdhjetë viteve më parë. Madje, përkundrazi, nëpërmjet një
propagande të sofistikuar e insistuese ani pse me të pavërteta plot, ata kanë
arritur dhe të barazojnë e transformojnë vrasësit në viktimë e viktimat në vrasës.
Filmi “Shok” thyen këtë propagandë në formën më të mirë të mundshme.
Por, përtej shërbimit
nacional që filmi i bën vendit tonë të ri, ai jep edhe një shpresë të re për të
rinjtë e të rejat kosovare që vendin e tyre e kanë parë pak ose fare si vend të
mundësive e sukseseve. Arritjet pra, artisitike, sportive e biznesore, qenkan të
mundshme të lindin edhe në Kosovë. Për këtë kemi filmin “Shok”, kemi Majlindën,
kemi Duan e kemi “Gjirafën” – një biznes vendor që po bën së fundmi nam. Është
e vërtetë gjithsesi, se si në pak vende të tjera, ky vend u jep qytetarëve të
vet një mijë e një probleme, nga mw tw çuditshmet madje; por njëkohësisht, është
po aq e vërtetë se i njëjti mund të prodhojë talentë, kampionë e superbiznesmenë.
Them të shikojmë më shumë nga e dyta, pa harruar domosdoshmërinë e largimit të
të parëve.
-3-
E të parët kanë
punë më të mençura këto ditë. Kanë punë me marrjen rreth ngjarjeve të para 17
viteve. Këtë javë, ish-komandantët e ish-luftëtarët më me nam të UÇK-së,
filluan të akuzojnë njëri tjetrin për vrasje, prita e tradhti – madje duke përfshirë
dhe figurat e e emrat e njerëzve e protagonistëve më me nam në vend.
Një përplasje si
kjo bën vetëm fillimin e shpalosjeve të anëve të zeza nga lufta e fundit. E anë
të zeza natyrisht se ka mjaft. Dhe do të mbetet fakt, i garantuar madje, se sa
më shumë që i afrohemi Gjykatës Speciale, aq më të shpeshta dhe aq më të
trishtueshme kanë për të qenë akuzat, tregimet e në fund dhe faket të ngjarjeve
në fjalë.
Kosova kam përshtypjen se ka kaluar mjaftueshëm vite, plot 17 vjet pra, për të kapërcyer mostrajtimin e këtyre temave. Nëse të njëjtat do të hapeshin, le të themi, dy vite pas përfundimit të luftës, gjërat do të shiheshin me sy më emotiv, më emocional pra, e me plot reagime e kërcënime. Këto të fundit ndonëse nuk i përjashtoj hiç të ndodhin tani, them se i shoh si të izoluara dhe vetëm rreth protagonistëve. Qytetarët ndërsa, tash kur kanë kaluar plot 17 vjet, do të jenë më të hapur e më kritik – më kërkues gjithsesi – në gjetjen e të vërtetave nga lufta e fundit.
Këtë herë kur
perdet të hapen e aktorët të ngrihen me të vërteta ndaj tjerëve, shumë mite do
të bien. Me ta do të bie dhe paprekshmëria e të fortëve të cilët për plot 17
vjet gjithë kontributin e dhënë e kanë në rikujtimin e një sakrifice të bërë në
luftë. Kosova nuk do të bëhet njëmend kurrë përderisa nuk lirohet nga të tillët
që janë në gjendje të flasin pandërprerë për histori, e as edhe një fjalë ta
thonë për të nesërmen.
No comments:
Post a Comment