Friday, 26 February 2016

RILINDJA QË NA DUHET



“Gjarpri ka këmbë, por nuk i shihen. Ka dhe besë, por nuk i zihet” – nga populli


-1-

Lexuesit e kësaj kolumne, ata të pasditës e mbrëmjes të së premtes, veçse do ta kenë të qartë procesin e zgjedhjes ose jo të Presidentit të ri të Republikës. Deri atëherë, Parlamenti, mesiguri do ta ketë përcaktuar fatin e vendit; futjen në përballje e përçarje edhe më të thellë, ose kapërcimin e përplasjes nëpërmjet zgjedhjeve.

Përçarja e përballja do të vuloset nëpërmjet zgjedhjes së njeriut më përgjegjës për ngecje e regres të Kosovës për tetë vjet rresht; të Hashim Thaçit pra. Vendosja e potencialisht përçarësit më të dalluar në skenën tonë politike, në vendit e presupozuar për unitet, i humbë gjithë respektin institucionit të Presidentit; aq sa i kishte mbetur pra. Pritjet për gjithëpërfaqësim e ndërmjetësim, do të zëvendësohen me kapjet e rëndomta partiake që i njëjti ka shtrirë gjithandej. I ka pra për të zakonshme.

Sepse, duhet kujtuar – dhe atë shpesh madje – se i njëjti, mbetet përgjegjësi kryesor i menaxhimit të 9.5 miliardë eurove të buxhetit të vendit për shtatë vjet qeverisje, dhe ofrimit si kthim të papunësisë, varfërisë, nënzhvillimit e korrupsionit – në nivelet më të larta regjionale e evropiane madje.

-2-

Është vetëm falë tij se sot në Kosovë, tetë vjet pas pavarësisë, rreth 55% e kosovarëve të rinj janë të papunë. Shumica e tyre po i përmbyllin të njëzetat pa asnjë ditë pune, dhe në rastin më real të mundshëm do të jenë të papunë për pjesën më të madhe të jetës së tyre.

Është vetëm falë tij se pse Kosova sot ka sistemin më të sëmurë shëndetësor, e nivelin më të paditur e të padobishëm edukativ. Sepse kishte vendosur që gjithë paratë ti ndante për asfalt, pasi kishte injoruar tërësisht shëndetin e edukimin e kosovarëve. Për të, kualiteti i jetës dhe vet jeta, ishin shumë më pak të rëndësishme se shpërndarja e 12 milionë eurove për kilometër.

Është vetëm falë tij se pse në fund të 2014-ës, Kosova kishte shpërthyer me ikje të banorëve të saj. Disa zgjodhën perëndimin, plot 100 mijë sosh; e të tjerë zgjidhën luftërat në lindje. Është pra mu për shkak të politikës së tij se pse Kosova ka ndërtuar një imazh frikësues; të refugjatit top tre në botë; dhe të terrorizmit (për kokë banori) top dy në Evropë.

Është vetëm falë tij dhe skemës së ndërtuar nga ai, se pse sistemi i prokurimit publik cilësohet sot pengesë e liberalizimit të vizave. Pse i njëjti sistem kishte favorizuar bizneset partiake, dhe për kthim kishte ndërtuar një sistem të konkurrencës së padrejtë. Mbijetesë bënin vetëm bizneset e miqve, familjarëve e akrabave të tij dhe rrethit të tij.

Është vetëm falë tij se pse investimet e jashtme në Kosovë kanë rënë nga 460 milionë euro sa ishin në vitin 2007, në 176 milionë euro në vitin 2014. Secili menaxhues minimalisht i denjë i imazhit ekonomik e politik të Kosovës do të kishte mbajtur – se për rritje s’bëhet fjalë – shumën e investimeve të jashtme në vend. Është e tmerrshme ideja e gati trefishimit negativ të tyre gjatë kohës që ai kishte qeverisur me vend.

Është vetëm falë tij, se pse Kosova në shtatë vjet pas pavarësisë ka pranuar investime veçse turke. Asete të falura, investime të fryra, promovime “erdoganiane” kanë karakterizuar gjithë qeverisjen e tij. Në pjesën më të madhe të këtyre promovimeve argat i bënin një pjesë e njerëzve që sot na shesin moral e përralla në opozitë. Pasi kishin marrë, vjelë e vjedhë secilën euro të mundshme, u rikujtuan për shpëlarje në opozitë.

Mbi të gjitha, është vetëm falë tij se pse Kosova në pesë raste kishte kryetarë komunash (nga partia e tij pra) që u dënuan e përndjekjen ose për korrupsion ose për krim. Për më tepër, në të gjitha gjykimet e tjera kriminale, të dënuar e të ndjekur padalim, janë kryesisht bashkëpunëtorët e tij dhe partisë së tij. Pretendenti për pozitë unifikuese, unifikimin e vetëm që ka arritur të bëjë është mbajtja në një parti e kapësve e kriminelëve – tashmë të dënuar e provuar nga gjyqësia vendore gjithandej.

Në arenën ndërkombëtarë bëri lëmsh. Përveç se i përmendur për afera të krimit të organizuar, trafikimit të drogës e armëve, i njëjti dështoj në gjithçka që preku. Përkundër një përkrahje masive të miqve ndërkombëtare në anëtarësimin tonë në UNESCO, Thaçi nuk arriti asnjëherë të mobilizojë as ato vende që na kishin njohur. Të vetmen gjë që mobilizoj ishte fotografimi i tij, herë në tren, herë nëpër korridore e sallone, por kurrë duke i sjellë vendit një fitore të denjë.

Në procesin dialogues u tregua pranues i gjithçkaje të vënë në tavolinë. Për më tepër, në relacion me kërkesat institucionale të Parlamentit ndaj këtij dialogu, u tregua refuzues i pashoq. Rezolutat, kërkesat e dëgjimet parlamentare ishin të parëndësishme për të. Për tu tallur me to i vendoste në rend të parë diskutues miqtë e “aferës pronto” që arsyetonin, me dije të ulët e ofenduese intelegjence natyrisht, gjithçka.

Është vetëm falë tij se sot katër vite pas negoicimit të parë, Kosova ndjehet e lënë anash në përfitimet europiane. Të vetmen gjë që Kosova sot pret, është atë që Thaçi kishte premtuar qysh në vitin 2010; liberalizimin e vizave. Atëherë, i njëjti, kishte premtuar dhe anëtarësimin në NATO për vitin 2014.

Thaçi pra, përgjatë gjithë kohës që udhëheqi me vend, nuk arriti asnjëherë të kaloj përtej bindjeve të tija provinciale e përçarëse. Deklaratat e tija ishin nxitëse gjithherë. Ai do të mbahet në mend si provokues i pa takt, partner i pa besë, kapës i pangopur – kurrë lider.

-3-

Thaçi nuk do të bëhej asnjëherë President, sikur për partner të mos kishte një LDK që ka humbur secilin rezon e secilin identitet të ngritur përgjatë gjithë jetës së saj. Derexhenë në të cilën ka rënë partia me kontributin më të madh shtet formues në vend, mbetet për keqardhje. Thaçi pra, mund të bëhet president vetëm falë etjes së pashpjegueshme e të tmerrshme të partnerit të tij për pushtet.

Nuk i kuptoj dot, e skam për ti kuptuar asnjëherë, lehtësinë e transformimit që pjesëtarët e LDK-së i bëjnë vetes dhe integritetit të tyre që kanë ndërtuar me vjet. Nuk e kuptoj kurrë, e skam për ta kuptuar asnjëherë, se si kanë arritur të bindin veten, familjet e tyre e miqtë përreth, për ndryshimin e shpejtë të të gjitha bindjeve e përshtypjeve me të cilat kishin bërë politikë e emër. Pjesëmarrja e votimi për i tyre, do t’i vë kapak gjithë pakuptimësisë, të cilën do ta mbajnë me veti përjetësisht.

Mund, ndoshta, dhe t’i bëjnë vetes arsyetim, se po zgjedhin në mes të anarkisë e një keqqeverisjeje të domosdoshme. Mund t’i bëjnë rrafsh vetit për gjithçka. Porse, nuk ka anarki më të madhe e nuk ka dëm më të madh, se sa zgjedhja e kapësit më të njohur në vend, përçarësit më të dalluar gjithandej, njeriut me mesazhin më të rëndë në botë, për President të Republikës. Dhe nuk bëhet fjalë këtu për një individ; bëhet fjalë për fuqizimin e një sistemi kapës që ka zaptuar Republikën që nga lindja e saj.

Në rastin më të mirë të mundshëm, këta deputetë do të dëgjonin zërin e elektoratit të vet, të individëve që u kanë dhënë votë njëmend – pra për largim të Hashim Thaçit nga politika, jo për fuqizimin e tij. Dhe ky largim do të ishte plotësisht kushtetues e jo krijues precedenti. E nëse kanë dhe frikë, përjashtimi i tij s’do të ishte as kompenzues i angazhimit opozitar. Sepse, me refuzimin e tyre, Kosova do të shkonte në zgjedhje jo për shkak të kundërshtarëve opozitarë – që në shumë pika e shumë individë s’dallojnë hiç nga partnerët e sotëm të tyre – por për shkak të një obligimi kushtetues; për shkak të moszgjedhjes së Presidentit. Shkuarja në zgjedhje, për shkak të deputetëve që nuk duan të avancojnë një sistem kapës edhe më shumë, u kthen atyre gjithë integritetin e humbur nga dita e parë e partneritetit e deri më sot.

Për fund fare, s’kam se si të mos shpreh neverinë për gjithë ata deputetët që në njërën anë thonë se do të marrin pjesë në seancë, e në anën tjetër promovojnë votë kundër Hashim Thaçit për president; me plot mburrje madje. Tallje e madhe më bëhet kjo.

Pasi të kenë marrë pjesë në votim, vota e tyre kundër tij s'ka hiç rëndësi. Bërja e kuorumit nëpërmjet pjesëmarrjes është praktikisht votë pro zgjedhjes së tij. Ai ka nevojë për prezencën e tyre, jo për votën e tyre. Është e thjeshtë. Nëse se duan njëmend President, mos ta bëjnë kuorumin. E nëse e duan President për pesë vjet, të mos na ofendoni intelegjencën së paku; të mbajenë përgjegjësinë deri në fund. Hyrja e tyre në sallë, është mbështetje e tij për President; dhe vonim i shtetëndërtimit tonë për plot pesë vjet.

E premtja duhej të na sillte rilindje.


Monday, 22 February 2016

DOMOSDOSHMËRIA E MBROJTJES SË REPUBLIKËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 19 SHKURT 2016

Pra Republika sot rrezikohet nga të dyja palët; rrezikohet edhe prej atyre që kapin, vjedhin e krijojnë ndarje etnike, por edhe prej atyre që serbizojnë ditën e pavarësisë, që ofendojnë identitetin e shtetit e që promovojnë zhbërjen e saj nesër. Dhe kosovarët nuk kanë pse të zgjedhin alternativën më pak të keqe. Janë të dyja të këqija; dhe dy të këqija nuk bëjnë një të mirë.


-1-

“Profestë” ishte termi që më ra në vesh më së shumti nga komentuesit social ditën e shënimit të pavarësisë. Kështu portretizohej dyzimi i përjetimit të ditës, pra diçka në mes të “festës” dhe “protestës”.

Pakkush nga ne do të kishte menduar tetë vjetorin e shënimit të pavarësisë në një polarizim kaq të theksuar shoqëror. Por atëherë, pakkush nga ne do t’i kishte menduar gjithë marritë, hajnitë, kapjet e uzurpimet e Republikës për këto tetë vjet. Gjërat pra, për fatin tonë të keq, nuk kanë ecur mbarë e mirë siç i kishim pritur tetë vite më parë. Nga mosformësimi i plotë i shtetësisë deri tek moskrijimi i mirëqenies minimale në arsim, shëndetësi e gjyqësi – kosovarët mund të gjejnë një mijë e një arsye për dëshpërim.

Këto arsye për dëshpërim, të prodhuara e faturuara ekskluzivisht me pushtetet në vend, fatkeqësisht, janë ndërlidhur me vet shtetin. Kështu, tetë vite më pas, për shkak të kapësve në pushtet e anti-republikanistëve në opozitë, averzioni ndaj pushtetit është shkrirë në averzion ndaj shtetit. Rrjedhimisht, dita e shënimit të pavarësisë së shtetit, ditëlindja e Republikës pra, konsiderohet nga një pjesë e jo e vogël masash si diçka e parëndësishme; shpeshherë e asociuar me kapësit e pushtetit. Sikur i dhurohet një arritje historike, me plot përpjekje dhe e papërsëritshme, një pale tjetër politike e partiake. Në këtë frymë trajtuese bien dhe ato pak arritje të shtetit; nga konsolidimi e anëtarësimi ndërkombëtar, deri tek simbolet përfaqësuese të tij. Duke urryer pushtetet, qytetarët janë shtyrë nga forcat destruktive anti-republikane të urrejnë edhe vet shtetin. E trishtueshme.

-2-

Protesta ishte masive. Masive edhe për nga pjesëmarrja e qytetarëve, por edhe për nga mënyra e zhvillimit të saj. Një grumbull kaq i madh njerëzish, si asnjëherë më parë, ishin mbledhur e shpërndarë tërësisht paqësisht. Organizatorët ishin përkujdesur që me qëllim, në ditën e Republikës, të vendosnin sa më pak simbole të saj; për çfarë mbesin të pakuptimtë e patriotë hipokritë gjithsesi; por le të jetë kjo pjesë e trajtimit qytetar kur të vije koha e zgjedhjeve. Pavarësisht të gjithave, sa më shumë ka paqe e elemente republikane në një mbledhje të tillë, aq më e fortë do të bëhet kauza e ngritur nga organizatorët e saj – diçka madje e vërtetuar edhe nga reagimi faqezi i “qyqanëve” për të cilin do të flas më vonë.

Pra protesta ishte e shkëlqyeshme për nga forma dhe mbarëvajtja e saj. Por çfarë ishte larg të shkëlqyeshmes – saktësisht çka ishte e frikshme dhe e gërditshme – ishte platforma e shtruar aty. Si asnjëherë më parë, kjo paltformë ishte shfaqur para një mase qytetare që po manipulohej lehtë.

Në këtë platformë u dhanë tri elemente të rrezikshme, puro kundër republikane. Pra, paradoksalisht, në ditën e shënimit të Republikës, nën moton për mbrojtjen e Republikës, platforma e shtruar – me grusht lartë – ofronte anti-republikanizëm. Elementi i parë, dhe më i pahijshmi, ishte serbizimi i ditës së pavarësisë. U tha, se kushdo që feston këtë pavarësi – të Ahtisaarit i thanë – është me Zajednicën. Qasja “ja me ne ja kundër nesh” është tipike e regjimeve jodemokratike. Është mendësi e të vegjëlve; dhe të vegjël ishin promovuesit e platformës aty. Të vegjël jo vetëm që ofendonin shënuesit e ditës më të rëndësishme të kosovarëve në histori, por se këtë mendim të tyre e paketonin në ditën e lindjes së kësaj Republike. Arsyetimet e mëpashsme të keqkuptimeve tanimë janë bërë të rëndomta për ta.

Elementi i dytë, ishte ofendimi i simboleve të Republikës; sërish në ditën e Republikës. Pasi kishin shpërndarë me qindra flamuj kombëtar, u thanë “shihni çfarë populli ka zgjedhur për flamur”. Duke quajtur simbolet e shtetit “lara-lara”, të njëjtit ofenduan edhe ata qytetarë që ju kishin bashkangjitur protestës në fjalë me flamuj republikanë. Por këtu ofendimi nuk ndalet pra. Duke sharë e fyer flamurin e shtetit që ju jep paga të njëjtëve politikanë e deputetë, ata fyen edhe sportistët që bëhen sot kampionë nëpër botë e shohin flamurin e shtetit të tyre të mohuar nga brenda e jashtë teksa ngritët lartë; fyen dhe artistët që me filmat e tyre përfaqësojnë Kosovën në “Oscar” , fyejnë dhe gjithë ata ushtarë të Kosovës që me mburrje plot mbajnë të njëjtin simbol në krah. Fyen secilin qytetar që ka zgjedhur të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës.

Ne mund të kemi mospajtime rreth dukjes së një flamuri. Nesër dhe mund ta ndryshojmë atë madje. Do ta bëjmë gjithsesi të gjithën bashkë – siç e bënë banorët e Zelandës së Re ditë më parë. Por ama, përderisa kemi një flamur që është përqafuar nga deputetët e zgjedhur të Kosovës tash e 8 vjet, përderisa i njëjti flamur mbetet i Republikës, dhe mbi të gjitha, përderisa ky flamur është komplementar me flamurin kombëtar – para nuk janë përjashtues të njëri tjetrit, pra plotësues të plotë – i njëjti duhet trajtuar me respekt; përndryshe të parespektuar mbesin ofenduesit hipokritë të tij.

Dhe elementi i tretë, më i theksuari pra, ishte kërkesa për zhbërje të Republikës. Sërish, nën sloganin e mbrojtjes së Republikës, këta hipokritë promovonin shkatërrimin e saj; zhbërjen e saj fillimisht dhe bashkimin me një shtet tjetër më pas. Ky shtrim i platformës është rrëshqitje nga kauza fillestare e protestës, rrjedhimisht manipulim i pastër i masave dhe njerëzve që kishin zgjedhur atë ditë për të protestuar kundër marrëveshjeve në fjalë. Nëse kauza e këtyre akterëve është zhbërja e Republikës, atëherë të kërkojnë protestë për të. Por kalimi nga kundërshtimi i marrëveshjeve me Serbi e Mal të Zi, në një platformë kundër-republikane është tipik mashtrim.

-3-

Përveç se është mashtrim i paketuar nën thirrjet për mbrojtje të Republikës, kjo platformë mbetet edhe e rrezikshme për Republikën, por edhe – po u shtrua si kërkesë – e parealizueshme në paqe. Është e rrezikshme për Republikën për vet faktin sepse kërkon zhbërjen e saj. Me këtë kërkesë, palët kërkojnë edhe ndërprerjen e përpjekjeve shtetformuese e forcuese, edhe ballafaqimin me akterët kryesorë të jashtëm, shtet-ndërtues në Kosovë, me të cilët është lidhur edhe kontrata e pavarësisë së Kosovës dhe kompromiseve në Pakon e Ahtisaarit. Këtu vjen më pas edhe shpjegimi i ballafaqimit të kundërshtuesve të projektit Republikë me gjithë përkrahësit tanë. Sepse, në këta përkrahës, të njëjtit shohin edhe pengesën e jetësimit të projektit të tyre shkatërrues të Republikës. Prandaj këta janë plot vrer e ofendim ndaj ndërkombëtarëve, në veçanti ndaj politikës zyrtare të SHBA-ve. Për dikë që pretendon zhbërjen e Republikës, natyrisht se përkrahësit më të mëdhenj të saj janë armiq.

Është i parealizueshëm në paqe, sepse kushdo që kërkon zhbërje të Republikës e bashkim me një vend tjetër, nuk mund ta bëjë nëpërmjet mënyrës institucionale këtë. Pra, për shkak të natyrës formuese të Kosovës, bashkimi me një shtet tjetër është i ndaluar me Kushtetutë; dhe se secili ndryshim i kësaj ndalese kërkon aprovim të gurpeve tjera etnike në Kosovë – aprovim që natyrisht s’ka për të ardhur asnjëherë. Të vetëdijshëm për këtë, promovuesit e platformës kundër-republikanë, nuk kanë synim transformimin paqësor të zhbërjes së Republikës – sepse nuk e arrijnë dot – por shpresojnë në një transformim radikal e revolucionar, ku populli në rrugë prishë gjithçka të nisur deri më tani, për të krijuar një, siç i thanë ata “Republikë të Tretë”, që ikë pra nga parimet e kufizimet e tanishme kushtetuese.

Nëse ky është qëllimi i tyre, atëherë palët dhe dashamirët e Republikës – këtë që kanë pra – nuk kane vend për ulje e kompromis. Kanë vend për nënshtrim ndaj kërkesave të tyre; ose për ballafaqim. Natyrisht se e shoh absurde marrjen tani me zhbërje të kësaj Republike e nise një të re. Jo sepse është e pamundur, e palejueshme nga secili, por se është edhe e panevojshme dhe e rrezikshme për çfarë kemi arritur deri më tani. Nuk ka Republikë të parë, të dytë e të tretë të Kosovës, ka veç një Republikë; ajo është Republika e Kosovës. Këtë Republikë duhet mbrojtur edhe nga këta promovues të zhbërjes së saj, por edhe nga kapësit, hajnat e zaptuesit që kanë ngufatur atë për tetë vjet rresht.

-4-

E kapësit e ngufatësit prodhuan edhe më shumë skandal. Qytetarët që ishin mbledhur dhe shpërndarë të qetë i quajtën “qyqarë që ikin me bisht nën shalë”. Kështu, pretendenti për pozitën unifikuese të vendit, për President pra, bëhet arroganti më i madh i këtij vendi. Sipas tij dhe mendësisë së tij, protestuesit do të ishin “trima” sikur do të kishin zemër e vërsuleshin objektit të qeverisë; ani pse, sipas tij, aty i priste një përgjigje meritore.

Një deklaratë e tillë skandaloze është tipike jo për një burrështetas serioz e që i afron qytetarët e tij, por të një kapadaiu që kërkon vrasje të brendshme në shtetin e  vet. Si e tillë ajo largon edhe më shumë mundësinë për gjetje zgjidhje në mes palëve tani. Si duket, në fund të ditës, shumë palë këndej nuk duan zgjidhje. Shumë palë këndej, siç dhe shihej nga dëshpërimi i pretendentit për President kur kuptoj paqen në protestë, kërkojnë përplasje. Sepse në përplasje ata rrisin pazarin e vet. Jo përballë kosovarëve, por përballë ndërkombëtarëve dhe hetimeve speciale që i bëhen atyre.

Dhe pikërisht ky grup i njerëzve, i kapësve e kërkuesve të dhunës, bën edhe grupin më të rrezikshëm të Republikës. Përderisa promovuesit e zhbërjes së Republikës, ata që ofendojnë shtetësinë e simbolet tona, janë të rrezikshëm potencialisht nesër, këta kapësit e tanishëm janë rrezikues permanent të Republikës sot.

Është mu për shkak të tyre se konsolidimi i Kosovës ka ngecur pas shpalljes së pavarësisë. Një klasë politike e korruptuar, e paditur dhe kapëse, nuk mund të prodhojë alternativë bindëse për përcaktuesit e fateve në regjion. Në rastin më të mirë, ata mund të shërbejnë si pazargjinj fatesh të tyre. Do të japin gjithçka nga vendi për të ruajtur privilegjet që kanë.

Rrjedhimisht, nga një nismë e mirë pas pavarësisë, procesi ynë shtet formues është shndërruar në pazar tavoline me Serbinë. Nga një fitore e jashtëzakonshme e njohjeve të mëdha e nga një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ecja shtet ndërtuese e Kosovës është bërë temë periferike e fusnotave, barrikadave në veri, kompromiseve për hir të Serbisë e refuzimeve në UNESCO e gjetiu. E gjithë kjo është mu për shkak të klasës kapëse politike që Kosova ka. Kjo klasë pra e ngulfatë konsolidimin e Republikës sonë.

Dhe është mu për shkak të tyre pse Kosova nuk ka as mirëqenie ekonomike e integrim evropian. Këta nuk kanë për të dërguar Kosovën asnjëherë përpara. Nuk ka mirëqenie ekonomike sepse për një gjë të tillë na duhet rend dhe ligj fillimisht. E ndërtimi i rendit e ligjit s’bëhet nga këta sepse po u bë, të parët e trajtuar nga rendi e ligji do të jenë mu këta. Pra kërkimi i rendit e ligjit nga kapësit është njëlloj si kërkimi i ndërtimit të një burgu nga zullumqarët. E përderisa këta s’kanë për të ndërtuar asnjëherë rend e ligj, as procesi integrues evropian s’ka për të ecur mirë kurrë. Prandaj sot Kosova është gjysmake në integrimin e saj dhe sukses potencial më të madhin të saj do ta konsiderojë lëvizjen e lirë – të fundit në regjion. Prandaj dhe Kosova sot është shumë larg fqinjëve në rajon – është larg edhe prej Malit të Zi të vogël që sapo ka marrë ftesë anëtarësimi në NATO. E ne as ushtrinë tonë gati për ta bërë se kemi.

-5-

Pra Republika sot rrezikohet nga të dyja palët; rrezikohet edhe prej atyre që kapin, vjedhin e krijojnë ndarje etnike, por edhe prej atyre që serbizojnë ditën e pavarësisë, që ofendojnë identitetin e shtetit e që promovojnë zhbërjen e saj nesër. Dhe kosovarët nuk kanë pse të zgjedhin alternativën më pak të keqe. Janë të dyja të këqija; dhe dy të këqija nuk bëjnë një të mirë.

Dhe për këtë kosovarët të mos ndihen keq. Më llogari kemi të kërkojmë ndryshimin e ideve që na marrin në qafë, sesa ndryshimin e qafë marrësve. Në fund të ditës, nëse të dy rezultatet janë theqafje, si qytetarë kurrfarë interesi nuk kemi të eksperimentojmë me vizionet e trishta të palëve në fjalë.

Palët normalisht do të duhej të reflektonin kaherë. Humbësit të ndryshonin paltformën, programin e ekipet sa herë që qytetarët i kanë refuzuar ata; dhe këtë refuzim e kanë bërë shpeshherë. Fatkeqësisht, në vend të ndryshimit, ata ende na flasin për programe të njëjta, ide të njëjta dhe vizione të njëjta. E bëjnë këtë dhe na thonë se janë shkollë edukuese e emancipuese e kosovarëve. Ky stil absurd nuk ka vend në politikë. Në vendet demokratike, refuzimi i ofertës nuk përcillet me riciklim të saj, por me ndryshim radikal të zgjidhjeve e ideve – si refleksion i kërkesave pra. Fituesit, në anën tjetër, për aq sa ju zgjatë mund dhe të mos kenë motiv për ndryshim. Ani pse të mbrapshtë ata vazhdojnë të ecin si të parë. Por mos të harrojmë, se kjo ecje e tyre është vetëm falë refuzimit të alternativës që qytetarët kosovarë kanë bërë vazhdimisht. Duke refuzuar alternativën, të njëjtit kanë mundësuar vazhdimin e kapjes.

Përfundimisht, refuzimi i të dyve nuk është neutralitet. Është zgjidhja më e mirë e mundshme në këtë rreth. Duke refuzuar të dytë, ne krijojmë natyrshëm kërkesën për zë e alternativë të re. Të shëndoshë e të qëndrueshme. Qoftë nëpërmjet transformimeve të alternativave aktuale, qoftë nëpërmjet krijimit të tyre të ri.

Monday, 15 February 2016

RRUGËDALJA PARA THEQAFJES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 SHKURT 2016

Zgjedhjet nuk janë zgjidhje e mirë, por ato bëjnë zgjidhjen më pak të kushtueshme të mundshme.


-1-

Takimi i përbashkët i liderëve politik ishte përfundimisht përpjekja më domethënëse që Kosova kishte parë në shumë kohë. Takimi dhe bisedimi, pa paragjykuar rezultatin përfundimtar mbetet alternativa e vetme, më e sigurta dhe më pak e kushtueshme që Kosova ka sot në tavolinë. Secili refuzim për takim është njëkohësisht edhe kërkim për ballafaqim. E lehtësia e mendjelehtësia me të cilën disa liderë kosovarë kërkojnë ballafaqim është frikësuese.

Frikësuese sepse të gjitha thirrjet për përplasje nuk hesapojnë përkrahjen që palët kanë megjithatë në radhët e veta dhe kaosin që eventualisht një përplasje e tillë mund të krijoj në vend. Në fund të ditës, në raste si këto nuk flitet për ballafaqim dy-tre liderësh në mes veti, por ballafaqim përkrahësish të tyre. Ulja për marrje vesh, qoftë dhe për mosmarrëveshje në fund, është e natyrshme. Është hap i parë, normal dhe i pritshëm që përplasësit marrin sa herë që kanë një mospajtim.

Takimi pra ishte i mirë. Ajo çfarë pasoj pas takimit, ishte e dhimbshme. Gjuha e përdorur për të përshkruar qëndrimit e tjetrit nuk ishte aspak korrekte, e edhe më pak dashamirëse për bashkëbisedim të mëtutjeshëm. Duke dëgjuar pjesëmarrësit se si sulmonin tjetrin, të jepej përshtypja se aty ishin me zor – dhe se – dalja nga takimi ishte përfundimisht çlirim; nga ku nisej goditja e tjetrit. Një gjuhë e tillë thumbuese nuk lë vend shumë për afrim të serishëm. Nuk lë vend as për bashkëbisedim. Është gjuhë tipike elektorale – por këtë herë – e rrezikshme shumë madje.

-2-

Përtej interpretimit partiak e militant, Kosova gjendet përballë vendosjes së një precedenti të rëndësishëm politik. Dhe në këtë vendosje, burojnë edhe dy interpretimet mbi demokracinë; nga një për secilën palë.

Interpretimi i parë është ai i opozitës, i cili në thelb e sheh aktivizmin politik jo si cikël katër vjeçar, por si llogaridhënie e vazhdueshme rrjedhimisht pushtetin si të ndërprerë lehtësisht. I ushqyer vazhdimisht nga angazhimi i “Lëvizjes Vetëvendosje”, protesta qytetare është parë gjithherë – këtë herë për shkak të përkrahjes së AAK-së ka arritur pikun e saj – si formë legjitime e ndërprerjes së pushtetit.

Në rrethana të dhëna demokratike, një precedent i tillë ka dy anë. Ana e mirë mbetet e drejta qytetare për të hequr legjitimitetin e pushteteve sa herë që pushtetet ngatërrojnë me rregullat ligjore apo morale të një vendi. Pra në rrethana të tilla, ndërprerja si mundësi e mirëqenë, rritë përgjegjshmërinë. Ana e rëndë mbetet përdorshmëria e ndërprerjes edhe në rrethana tjera. Pra  nëse Kosova bën ndërprerjen e pushtetit sot, atëherë precedenti i tillë mund të përdoret herën tjetër nga një grup tjetër për një çështje jo domosdo të njëjtë. Mjetet, forma dhe kosto nuk do të merren parasysh. Parasysh do të merret vetëm qëllimi përfundimtar dhe referimi në ndërprerjen e tanishme.

Interpretimi i dytë është ai i pozitës, që në thelb angazhimin e pushtetit e sheh brenda një cikli të dhënë dhe të pakontestueshëm – të pakontestueshëm gjithsesi nëse sjellja është konform kornizave kushtetuese (natyrisht këtu dhe qëndron kleçka e rastit të Kosovës). Sipas këtij interpretimi, pushtetet duhet të kenë të garantuar kohën e marrë me votë e kundërshtarët e pushtetit duhet të ofrojnë alternativë kurdo që ndodhë raundi tjetër.

Sërish, në rrethana të dhëna demokratike, një interpretim i tillë ka dy anë. Ana e mirë mbetet siguria e dërgimit të një vizioni – çfarëdo qoftë ai (natyrisht gjithmonë në vijë me kushtetutën) – deri në fund, pavarësisht bindjeve e përkrahjeve të kundërshtarëve. Këtu, mbështetja shumicë (me perceptim) për një qeveri jo domosdo bën domosdoshmëri për ndryshim. Edhe në SHBA e në demokracitë më të themeluara në botë, shumë liderë gjatë mandateve të tyre humbin përkrahjen e shumicës – në percepcion – por megjithatë nuk sfidohen me ndërprerje mandatesh; shkojnë deri në fund pra. Ana e rëndë e një interpretimi të tillë mbetet papërgjegjshmëria, arroganca dhe mbifuqia që pushtetet (sidomos në shoqëri më pak demokratike) krijojnë për këtë kohë. Thuajse katër vjet janë një dhuratë gjatë të cilave mund të bësh çfarë të duash.

-3-

Kosova pra, gjithmonë përtej interpretimeve partiake e militante, duhet të zgjedhë njërin nga precedentët në fjalë. Zgjedhësit më pas, duhet të jetojnë me zgjedhjen që bëjnë edhe kur nesër nuk janë në pozitat që sot mbajnë – pozitë e opozitë pa dallim.

Zgjedhja nuk është fare e lehtë, dhe për të mund të ndërtosh argumente në të dyja anët. Për shembull, dhe ndër të tjerësh, pro ndërprerjes së mandatit mund të thirresh mbi baza morale dhe ligjore. Morale mbi jonatyralitetin e koalicionit dhe mashtrimin e votuesve – diçka që nuk do të ndodhte asnjëherë në asnjë demokraci të konsoliduar. Ligjore, për interpretimin kushtetues të marrëveshjes së Asociacionit.

Njëtrajtësisht, kundër ndërprerjes mund të thirresh në dy argumente të njëjta. Morale, që të mos lejosh dhunën dhe pakicën të vendosë për shumicën – kapadai është lehtë të bëhesh, por me kapadaizëm s’bën të lejohesh të arrish gjithçka. Dhe ligjore, siç po ndodh tashmë, të thirresh në vendimin e njëjtë kushtetues e të thuash se kushtetuta nuk është shkelur sepse akti potencialisht shkelës – themelimi i Asociacionit – nuk ka ndodhur asnjëherë.

-4-

Dhe kështu, në përplasje të tilla, vijmë dhe deri tek zgjidhja që unë mendoj se duhet të ndodhë; sa më shpejtë më mirë. Këtë do ta provoj ta elaboroj në këtë seksion të fundit.

Nëse palët mbesin në qëndrimet e njëjta, pra asnjëra nuk pranon ndryshim qëndrimin, atëherë ka vetëm një rrugë për të përcaktuar se cilin precedent duhet të zgjedhim tani; dhe ajo rrugë ka emrin e shkruar mbi vete – qytetar dhe votë. Natyrisht se shkuarja në zgjedhje është në një formë para-zgjedhjeje e precedentit të ndërprerjes. Çfarë rëndësie më pas ka interpretimi qytetar kur precedenti është zgjedhur. Por unë besoj, megjithatë, se, një, konfirmi i votës aktuale (nëse ndodhë) do të zbehte precedentin në fjalë, e do të godiste rëndë e përfundimisht promovuesit e tij përherë. Dhe dy, se sot, pas gati dy vitesh përpjekjesh për të ndërtuar një qeveri, Kosova më nuk ka zgjidhje të mira para vetes. Zgjedhjet nuk janë zgjidhje e mirë, por ato bëjnë zgjidhjen më pak të kushtueshme të mundshme.

Sepse, në pozicionin e tanishëm të palëve, ku ballafaqimi veçse po shtohet, ka dy skenarë të mundshëm – dhe hiç më shumë. I para, që palët të qëndrojnë në pozicionet e veta dhe të kërkojnë me ngulm dorëzimin – e asgjë tjetër – të palës tjetër. Kjo distancë e tyre do të rrisë përplasjet edhe më shumë. Pozita do të përdorë secilin mekanizëm të pushtetit për të dobësuar opozitën; e opozita do të përdorë secilin mekanizëm të rrugës për të rrënuar pozitën. Në alternativën më të lehtë, dy-tre vitet e ardhshme kalojnë në tension sikurse ky i fundit. Kosova natyrisht humbet shumë. Në alternativën më të rëndë, përplasja kalon në rrugë; në përmasat e parikuperueshmërisë. Atëherë nuk ecim më buzë greminës; por veçse jemi në të.

Skenari i dytë, mbetet pranimi i zgjedhjeve si alternativë. Modalitetet e kohës së organizimit të tyre mbesin pjesë e diskutimeve e takimeve të nisura nga një autoritet i tretë, siç është Presidentja, dhe garantuar nga bashkëinvestitorët më të mëdhenj të fatit të Kosovës, njëkohësisht të vetmit që sot kanë autoritet moral mbi palët në konflikt. Ulja në tavolinë, natyrisht se është hap në këtë drejtim.

Monday, 8 February 2016

SHËRIMI I SHËNDETËSISË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 5 SHKURT 2016

Kosova natyrisht se ka pasur mjaftueshëm mjete për të nisur fondin e sigurimeve shëndetësore. Kosova nuk ka pasur asnjëherë vullnet për të bërë një gjë të tillë. Vetëm njëzet kilometra më pak rrugë do të bënin fondin në fjalë. Për kaq kemi lënë vetën nën trajtim mjerues.

-1-

Do të ketë qenë ndër rastet e rralla, ndoshta edhe të pandodhura ndonjëherë, relacioni që një sindikatë shëndetësore kishte ndërtuar me kryeprokurorin e vendit javën që shkoj. Po e ftonin, sindikata pra, kryeprokurorin në paraqitje sqaruese për ta – fiks në ora dymbëdhjetë i thanë. Konsideratë për përjashtimet, por një relacion i tillë, ndoshta dhe tregon thjeshtë e nëndije nivelin perceptues që mjekët kanë rëndom këndej për veten. Shohin veten mbi të gjithë; pa qoftë dikush edhe kryeprokuror i shtetit. Mund dhe ti kuptoj ndoshta, s’i mirëkuptoj hiç ama, se trajtimi i përditshëm i hallgjorëve që struken e tkurren për kujdes mjekimi, u ka dhënë të njëjtëve ndjenjë paprekshmërie. Sjelljet e tyre pra, sërish konsideratë për përjashtimet, janë gjithçka veçse korrekte në shumicën e raportimeve të pacientëve kosovarë. Por kjo ka pak rëndësi për problemin që dua të trajtoj sot.

Rëndësi ka, gjithsesi, niveli i papërgjegjshmërisë që një repart i tërë provonte të tregonte ndaj një pale të tretë, tërësisht të pafajshme e të papërfshirë në incident – pacientëve pra. Si përgjigje ndaj hetimeve të prokurorisë dhe rrjedhës së një liste me emra mjekësh nga ky proces hetimi, reparti i kardiologjisë kishte vendosur të futej në grevë dhe të mostrajtonte rastet e pacientëve kosovarë. Kërkesa ishte, dhe këtu fillon paradoksalizimi, ndërprerja e hetimeve dhe mosnjollosja e emrave të tyre. Në të kundërtën, ata s’do të punonin fare – në spitale publike natyrisht, se privatet i mbanin hapur gjithnjë; për shkak të grevës madje, kishin kohë atje edhe më shumë.

Kauza e mosnjollosjes për dikë mund të duket e drejtë. Ta themi madje për një moment se në mesin e mjekëve të repartit në fjalë ka mjaftë të tillë që punën e bëjnë mbarë, mirë e pa hile. Sigurisht se ka. Por edhe kur ka, e ndaj të tillëve bëhet – le ta themi për një moment – një e padrejtë, dënimi i një pale krejt tjetër me mostrjatim mbetet i pakuptimtë dhe përlyes edhe për të mirët.

Bëhet ashtu, sepse për një moment, pra për një problem hetimi, kardiologët kanë vendosur të vënë në pazar kërcënimi jetën e kosovarëve me probleme me zemre. Për ta, rrezikimi i jetëve të njerëzve ishte i vlefshëm mjaftueshëm për kërcënim ndaj prokurorisë. Punë e madhe se dikush mund të pasonte nga një kërcënim i tillë. Punë e madhe se refuzohej për mjekim një taksapagues i pagës së të njëjtit mjekues.

-2-

Më 4 gusht të viti 1981, presidenti amerikan Ronald Reagan, në një paraqitje gjithënacionale kishte kërcënuar me pushim nga puna të 13000 kontrollorët ajrorë të SHBA-ve nëse nuk paraqiteshin në punë brenda 48 orëve. Kontrollimi i hapësirës ajrore, konsiderohej asokohe si akt që nuk ka alternativë; fushë pra në të cilën nuk mund të bësh grevë. Greva ishte ndërprerë atje menjëherë.

Në Kosovë, greva ishte ndërprerë gjithashtu shpejtë. Jo sepse pat ndonjë kërcënim, as ndoshta sepse kishte ndërgjegje mjaftueshëm për hallin e ri në të cilin ishin futur hallgjorët kosovarë, por sepse greva nuk kishte ndikim në hetimin prokurorial. Paramendoni konsekuencat e ndërprerjes së hetimeve për shkak të kërcënimit e shantazhit. Në gjithë ndërprerjen e grevës, them unë, kishte ndikuar edhe një revoltë e përgjithshme qytetare që shpërfaqej gjithandej – në veçanti nëpër diskutimet sociale. Ishte mesiguri greva më e papranueshme që kosovarët kishin parë ndonjëherë.

Për t’iu kthyer problemit sërish, hetimi prokurial kishte nisur një vit më parë. Një vit nga sot, mesazhet komunikuese ndër mjekët që referonin me ose pa nevojë pacientë në spitale private, ishin bërë publike. Një një transkriptë të publikuar nëpër medie nacionale, komunikimi i mjekëve ishte pak a shumë kështu:  Mjeku A: “A ka ndonjë hat-trick sonte a jo?”; Mjeku B: “Një stentë deri tash; loja vazhdon. Dy të tjerë hala nuk i binda. Gjithë ditën jam mundu."; Mjeku A: “Mos harro, 500€ për pacient janë tuajat.” Pra kështu diskutonin në mes veti mjekët kasapo-biznesmenë derisa dërgonin pacientë hallgjorë për stenta zemre nëpër spitale private. Me apo pa nevojë për stentë, pak kishte rëndësi për ta. Rëndësi kishte bërja e hat-trickut atë natë, pra dërgimit të tre fatkeqëve për kasapizëm; dhe kështu sërish nesër.

Në vazhdim të hetimeve, mjekët kishin gjetur në njërën nga spitalet private një listë kontabiliteti; në të cilën shfaqeshin barazimet e mjekëve të kardiologjisë me spitalin privat. Lista mbante shënime për barazime, nga 80 euro deri në 7 mijë e kusur euro. Kjo kishte shtyrë prokurorinë të zgjerojë hetimet tek emrat e shpërfaqur aty. Dalja e emrave nga ajo listë, në një proces hetimi gjithsesi, kishte nxitur reagimin me grevë të kardilogëve kosovarë. Megjithatë, një pjesë jo e vogël e grevistëve ishin mu në atë listë.

-3-

Listat korruptive, gjithmonë dhe jo pa qëllim – konsideratë shumë për përjashtimet – nuk bëjnë problemin e vetëm të shëndetësisë kosovare. Natyrisht se korrupsioni, mungesa e etikës e keqsjellja në shumë raste bëjnë në thelb kalbjen e kujdesit shëndetësor këndej. Ato paraqesin një krizë morali që ka kapur vendin tonë; e që nuk dallon as në edukim, as në gjyqësor, as në polici e hiç se hiç në politikë. Rasti i kardiologjisë është vetëm një rast që shpërfaqë në formën më gjithëpërfshirëse njërën anë të problemit – atë të mjekëve në këtë rast.

Ana tjetër e problemit, mbesin megjithatë paratë – fondet. Kosova ka shpenzuar shumë më shumë në asfalt, dreka e darka, se ka shpenzuar në shëndetësi. Infrastruktura e spitaleve publike mbetet e vjetër; aparaturat e reja mbesin të papërdorura – herë sepse nuk mbajnë specialistë të tyre, herë sepse nuk blejnë materiale hargjuese për to, e shpeshherë sepse – siç ishte raportuar nëpër media – prishen qëllimshëm në mënyrë që kosovarët në hall të shpenzojnë nëpër spitale private.

Kosova vazhdon në ndërkohë të mbetet i vetmi vend pa një sigurim shëndetësor. Fondi i sigurimeve shëndetësore, që kërkon jo më shumë se 200 milion euro investim të parë (vlerësuar kohë më parë nga Banka Botërore) nuk ka qenë asnjëherë prioritet i qeverive. Themelimi i tij, dhe kontributi vijues i të punësuarve në të, do të niste një cikël të ri gjenermi mjetesh për kujdes shëndetësor.

Paratë e fondit do të përdoreshin edhe për paga më të mira për mjekët në fjalë – mjekët e mirë gjithsesi – por edhe për shërbime falë e me kosto të ulët për taksapaguesit kosovarë.

Kosova natyrisht se ka pasur mjaftueshëm mjete për të nisur fondin e sigurimeve shëndetësore. Kosova nuk ka pasur asnjëherë vullnet për të bërë një gjë të tillë. Vetëm njëzet kilometra më pak rrugë do të bënin fondin në fjalë. Për kaq kemi lënë vetën nën trajtim mjerues.

-4-

Kujdesi shëndetësor pra nuk ka qenë asnjëherë prioritet këndej. Shëndeti i kosovarëve ka qenë i vënë në rend të dytë; do të duhej të ishte, pa fije dyshimi pra, i pakonkurrencë në vend të parë. Para rrugëve, drekave e darkave.

Mungesa e mjeteve, rrjedhimisht, ka nisur një cikël disfunkcional shëndetësie këndej. Pagat e ulëta të mjekëve në vend, i kanë shtyrë të njëjtit njerëz të shohin rrugë alternative për punë. Pjesa më e madhe e tyre kanë hapur ordinanca private – duke zvogëluar domosdo energjinë e potencialin në institucione publike; të tjerë ndërsa, kanë ikur nga vendi përgjithëherë. Me nivelin e dijes, shumë nga ta janë sot super të kërkuar nëpër Evropë.

Hallgjorët në anën tjetër, ata që kanë, kishin zgjedhur spitalet në rajon. Shkupi kishte qenë përfituesi më i madh i tyre, plot 70 milionë euro në vit shkonin e shkojnë andej përvjet. Beogradi, Tirana e Stambolli merrnin gjithashtu vëmendjen e kosovarëve vazhdimisht. Kosovarët pra, nga lindjet deri tek intervenimet kirurgjike, onkologjike, radiologjike e çka jo tjetër, i bënin të gjitha jashtë. Ata që nuk kishin ndërsa, e që përbëjnë fatkeqësisht një pjesë të madhe në vend, bashkëjetonin me këtë cikël jofunksional shëndetësie tash e gjashtëmbëdhjetë vjet. Shëndetësia kosovare, për tragjedinë më të madhe këndej, nuk u ofron atyre as shërbime penjsh, gjilpërave e tretësve – se të mos flasim për shërimet më të shtrenjta e marramendëse.

Ky cikël disfunksional duhet të ndërpritet shpejtë. Ndërprerja e tij do të bën rastet e të papërgjegjshmëve minore; do tu jepte një trajtim më korrekt mjekëve për shërbimin publik; e pacientëve shërbime më të denja e lira. Gjithsesi, nëse asgjë tjetër, një cikël i tillë do të mbante ato milionat e shpenzuara në regjion, brenda në Kosovë. Mbajtja e tyre, rrjedhimisht do të niste një cikël të ri, përmirësimi e kontribuuimi në vend.