Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 SHKURT 2016
Zgjedhjet nuk
janë zgjidhje e mirë, por ato bëjnë zgjidhjen më pak të kushtueshme të
mundshme.
-1-
Takimi
i përbashkët i liderëve politik ishte përfundimisht përpjekja më domethënëse që
Kosova kishte parë në shumë kohë. Takimi dhe bisedimi, pa paragjykuar
rezultatin përfundimtar mbetet alternativa e vetme, më e sigurta dhe më pak e
kushtueshme që Kosova ka sot në tavolinë. Secili refuzim për takim është njëkohësisht
edhe kërkim për ballafaqim. E lehtësia e mendjelehtësia me të cilën disa liderë
kosovarë kërkojnë ballafaqim është frikësuese.
Frikësuese
sepse të gjitha thirrjet për përplasje nuk hesapojnë përkrahjen që palët kanë
megjithatë në radhët e veta dhe kaosin që eventualisht një përplasje e tillë
mund të krijoj në vend. Në fund të ditës, në raste si këto nuk flitet për ballafaqim
dy-tre liderësh në mes veti, por ballafaqim përkrahësish të tyre. Ulja për
marrje vesh, qoftë dhe për mosmarrëveshje në fund, është e natyrshme. Është hap
i parë, normal dhe i pritshëm që përplasësit marrin sa herë që kanë një
mospajtim.
Takimi
pra ishte i mirë. Ajo çfarë pasoj pas takimit, ishte e dhimbshme. Gjuha e përdorur
për të përshkruar qëndrimit e tjetrit nuk ishte aspak korrekte, e edhe më pak
dashamirëse për bashkëbisedim të mëtutjeshëm. Duke dëgjuar pjesëmarrësit se si
sulmonin tjetrin, të jepej përshtypja se aty ishin me zor – dhe se – dalja nga
takimi ishte përfundimisht çlirim; nga ku nisej goditja e tjetrit. Një gjuhë e
tillë thumbuese nuk lë vend shumë për afrim të serishëm. Nuk lë vend as për
bashkëbisedim. Është gjuhë tipike elektorale – por këtë herë – e rrezikshme
shumë madje.
-2-
Përtej
interpretimit partiak e militant, Kosova gjendet përballë vendosjes së një precedenti
të rëndësishëm politik. Dhe në këtë vendosje, burojnë edhe dy interpretimet mbi
demokracinë; nga një për secilën palë.
Interpretimi
i parë është ai i opozitës, i cili në thelb e sheh aktivizmin politik jo si cikël
katër vjeçar, por si llogaridhënie e vazhdueshme rrjedhimisht pushtetin si të
ndërprerë lehtësisht. I ushqyer vazhdimisht nga angazhimi i “Lëvizjes Vetëvendosje”,
protesta qytetare është parë gjithherë – këtë herë për shkak të përkrahjes së
AAK-së ka arritur pikun e saj – si formë legjitime e ndërprerjes së pushtetit.
Në
rrethana të dhëna demokratike, një precedent i tillë ka dy anë. Ana e mirë
mbetet e drejta qytetare për të hequr legjitimitetin e pushteteve sa herë që
pushtetet ngatërrojnë me rregullat ligjore apo morale të një vendi. Pra në
rrethana të tilla, ndërprerja si mundësi e mirëqenë, rritë përgjegjshmërinë.
Ana e rëndë mbetet përdorshmëria e ndërprerjes edhe në rrethana tjera. Pra nëse Kosova bën ndërprerjen e pushtetit sot,
atëherë precedenti i tillë mund të përdoret herën tjetër nga një grup tjetër për
një çështje jo domosdo të njëjtë. Mjetet, forma dhe kosto nuk do të merren
parasysh. Parasysh do të merret vetëm qëllimi përfundimtar dhe referimi në
ndërprerjen e tanishme.
Interpretimi
i dytë është ai i pozitës, që në thelb angazhimin e pushtetit e sheh brenda një
cikli të dhënë dhe të pakontestueshëm – të pakontestueshëm gjithsesi nëse
sjellja është konform kornizave kushtetuese (natyrisht këtu dhe qëndron kleçka
e rastit të Kosovës). Sipas këtij interpretimi, pushtetet duhet të kenë të
garantuar kohën e marrë me votë e kundërshtarët e pushtetit duhet të ofrojnë
alternativë kurdo që ndodhë raundi tjetër.
Sërish,
në rrethana të dhëna demokratike, një interpretim i tillë ka dy anë. Ana e mirë
mbetet siguria e dërgimit të një vizioni – çfarëdo qoftë ai (natyrisht gjithmonë
në vijë me kushtetutën) – deri në fund, pavarësisht bindjeve e përkrahjeve të kundërshtarëve.
Këtu, mbështetja shumicë (me perceptim) për një qeveri jo domosdo bën
domosdoshmëri për ndryshim. Edhe në SHBA e në demokracitë më të themeluara në
botë, shumë liderë gjatë mandateve të tyre humbin përkrahjen e shumicës – në
percepcion – por megjithatë nuk sfidohen me ndërprerje mandatesh; shkojnë deri
në fund pra. Ana e rëndë e një interpretimi të tillë mbetet papërgjegjshmëria,
arroganca dhe mbifuqia që pushtetet (sidomos në shoqëri më pak demokratike)
krijojnë për këtë kohë. Thuajse katër vjet janë një dhuratë gjatë të cilave
mund të bësh çfarë të duash.
-3-
Kosova
pra, gjithmonë përtej interpretimeve partiake e militante, duhet të zgjedhë njërin
nga precedentët në fjalë. Zgjedhësit më pas, duhet të jetojnë me zgjedhjen që bëjnë
edhe kur nesër nuk janë në pozitat që sot mbajnë – pozitë e opozitë pa dallim.
Zgjedhja
nuk është fare e lehtë, dhe për të mund të ndërtosh argumente në të dyja anët.
Për shembull, dhe ndër të tjerësh, pro ndërprerjes së mandatit mund të thirresh
mbi baza morale dhe ligjore. Morale mbi jonatyralitetin e koalicionit dhe
mashtrimin e votuesve – diçka që nuk do të ndodhte asnjëherë në asnjë demokraci
të konsoliduar. Ligjore, për interpretimin kushtetues të marrëveshjes së Asociacionit.
Njëtrajtësisht,
kundër ndërprerjes mund të thirresh në dy argumente të njëjta. Morale, që të
mos lejosh dhunën dhe pakicën të vendosë për shumicën – kapadai është lehtë të
bëhesh, por me kapadaizëm s’bën të lejohesh të arrish gjithçka. Dhe ligjore,
siç po ndodh tashmë, të thirresh në vendimin e njëjtë kushtetues e të thuash se
kushtetuta nuk është shkelur sepse akti potencialisht shkelës – themelimi i
Asociacionit – nuk ka ndodhur asnjëherë.
-4-
Dhe
kështu, në përplasje të tilla, vijmë dhe deri tek zgjidhja që unë mendoj se
duhet të ndodhë; sa më shpejtë më mirë. Këtë do ta provoj ta elaboroj në këtë
seksion të fundit.
Nëse
palët mbesin në qëndrimet e njëjta, pra asnjëra nuk pranon ndryshim qëndrimin,
atëherë ka vetëm një rrugë për të përcaktuar se cilin precedent duhet të
zgjedhim tani; dhe ajo rrugë ka emrin e shkruar mbi vete – qytetar dhe votë.
Natyrisht se shkuarja në zgjedhje është në një formë para-zgjedhjeje e
precedentit të ndërprerjes. Çfarë rëndësie më pas ka interpretimi qytetar kur
precedenti është zgjedhur. Por unë besoj, megjithatë, se, një, konfirmi i votës
aktuale (nëse ndodhë) do të zbehte precedentin në fjalë, e do të godiste rëndë
e përfundimisht promovuesit e tij përherë. Dhe dy, se sot, pas gati dy vitesh përpjekjesh
për të ndërtuar një qeveri, Kosova më nuk ka zgjidhje të mira para vetes.
Zgjedhjet nuk janë zgjidhje e mirë, por ato bëjnë zgjidhjen më pak të
kushtueshme të mundshme.
Sepse,
në pozicionin e tanishëm të palëve, ku ballafaqimi veçse po shtohet, ka dy
skenarë të mundshëm – dhe hiç më shumë. I para, që palët të qëndrojnë në
pozicionet e veta dhe të kërkojnë me ngulm dorëzimin – e asgjë tjetër – të palës
tjetër. Kjo distancë e tyre do të rrisë përplasjet edhe më shumë. Pozita do të
përdorë secilin mekanizëm të pushtetit për të dobësuar opozitën; e opozita do të
përdorë secilin mekanizëm të rrugës për të rrënuar pozitën. Në alternativën më
të lehtë, dy-tre vitet e ardhshme kalojnë në tension sikurse ky i fundit.
Kosova natyrisht humbet shumë. Në alternativën më të rëndë, përplasja kalon në
rrugë; në përmasat e parikuperueshmërisë. Atëherë nuk ecim më buzë greminës;
por veçse jemi në të.
Skenari
i dytë, mbetet pranimi i zgjedhjeve si alternativë. Modalitetet e kohës së
organizimit të tyre mbesin pjesë e diskutimeve e takimeve të nisura nga një autoritet
i tretë, siç është Presidentja, dhe garantuar nga bashkëinvestitorët më të mëdhenj
të fatit të Kosovës, njëkohësisht të vetmit që sot kanë autoritet moral mbi palët
në konflikt. Ulja në tavolinë, natyrisht se është hap në këtë drejtim.
No comments:
Post a Comment