Letra nga limbo
KOHA DITORE, 5 SHKURT 2016
Kosova natyrisht
se ka pasur mjaftueshëm mjete për të nisur fondin e sigurimeve shëndetësore.
Kosova nuk ka pasur asnjëherë vullnet për të bërë një gjë të tillë. Vetëm njëzet
kilometra më pak rrugë do të bënin fondin në fjalë. Për kaq kemi lënë vetën nën
trajtim mjerues.
-1-
Do
të ketë qenë ndër rastet e rralla, ndoshta edhe të pandodhura ndonjëherë,
relacioni që një sindikatë shëndetësore kishte ndërtuar me kryeprokurorin e
vendit javën që shkoj. Po e ftonin, sindikata pra, kryeprokurorin në paraqitje
sqaruese për ta – fiks në ora dymbëdhjetë i thanë. Konsideratë për përjashtimet,
por një relacion i tillë, ndoshta dhe tregon thjeshtë e nëndije nivelin
perceptues që mjekët kanë rëndom këndej për veten. Shohin veten mbi të gjithë;
pa qoftë dikush edhe kryeprokuror i shtetit. Mund dhe ti kuptoj ndoshta, s’i
mirëkuptoj hiç ama, se trajtimi i përditshëm i hallgjorëve që struken e tkurren
për kujdes mjekimi, u ka dhënë të njëjtëve ndjenjë paprekshmërie. Sjelljet e
tyre pra, sërish konsideratë për përjashtimet, janë gjithçka veçse korrekte në
shumicën e raportimeve të pacientëve kosovarë. Por kjo ka pak rëndësi për
problemin që dua të trajtoj sot.
Rëndësi
ka, gjithsesi, niveli i papërgjegjshmërisë që një repart i tërë provonte të
tregonte ndaj një pale të tretë, tërësisht të pafajshme e të papërfshirë në
incident – pacientëve pra. Si përgjigje ndaj hetimeve të prokurorisë dhe rrjedhës
së një liste me emra mjekësh nga ky proces hetimi, reparti i kardiologjisë
kishte vendosur të futej në grevë dhe të mostrajtonte rastet e pacientëve
kosovarë. Kërkesa ishte, dhe këtu fillon paradoksalizimi, ndërprerja e hetimeve
dhe mosnjollosja e emrave të tyre. Në të kundërtën, ata s’do të punonin fare –
në spitale publike natyrisht, se privatet i mbanin hapur gjithnjë; për shkak të
grevës madje, kishin kohë atje edhe më shumë.
Kauza
e mosnjollosjes për dikë mund të duket e drejtë. Ta themi madje për një moment
se në mesin e mjekëve të repartit në fjalë ka mjaftë të tillë që punën e bëjnë mbarë,
mirë e pa hile. Sigurisht se ka. Por edhe kur ka, e ndaj të tillëve bëhet – le
ta themi për një moment – një e padrejtë, dënimi i një pale krejt tjetër me
mostrjatim mbetet i pakuptimtë dhe përlyes edhe për të mirët.
Bëhet
ashtu, sepse për një moment, pra për një problem hetimi, kardiologët kanë
vendosur të vënë në pazar kërcënimi jetën e kosovarëve me probleme me zemre. Për
ta, rrezikimi i jetëve të njerëzve ishte i vlefshëm mjaftueshëm për kërcënim
ndaj prokurorisë. Punë e madhe se dikush mund të pasonte nga një kërcënim i
tillë. Punë e madhe se refuzohej për mjekim një taksapagues i pagës së të njëjtit
mjekues.
-2-
Më
4 gusht të viti 1981, presidenti amerikan Ronald Reagan, në një paraqitje gjithënacionale
kishte kërcënuar me pushim nga puna të 13000 kontrollorët ajrorë të SHBA-ve nëse
nuk paraqiteshin në punë brenda 48 orëve. Kontrollimi i hapësirës ajrore,
konsiderohej asokohe si akt që nuk ka alternativë; fushë pra në të cilën nuk
mund të bësh grevë. Greva ishte ndërprerë atje menjëherë.
Në
Kosovë, greva ishte ndërprerë gjithashtu shpejtë. Jo sepse pat ndonjë kërcënim,
as ndoshta sepse kishte ndërgjegje mjaftueshëm për hallin e ri në të cilin
ishin futur hallgjorët kosovarë, por sepse greva nuk kishte ndikim në hetimin prokurorial.
Paramendoni konsekuencat e ndërprerjes së hetimeve për shkak të kërcënimit e
shantazhit. Në gjithë ndërprerjen e grevës, them unë, kishte ndikuar edhe një
revoltë e përgjithshme qytetare që shpërfaqej gjithandej – në veçanti nëpër
diskutimet sociale. Ishte mesiguri greva më e papranueshme që kosovarët kishin
parë ndonjëherë.
Për
t’iu kthyer problemit sërish, hetimi prokurial kishte nisur një vit më parë. Një
vit nga sot, mesazhet komunikuese ndër mjekët që referonin me ose pa nevojë
pacientë në spitale private, ishin bërë publike. Një një transkriptë të
publikuar nëpër medie nacionale, komunikimi i mjekëve ishte pak a shumë kështu: Mjeku A: “A ka ndonjë hat-trick sonte a jo?”;
Mjeku B: “Një stentë deri tash; loja vazhdon. Dy të tjerë hala nuk i binda.
Gjithë ditën jam mundu."; Mjeku A: “Mos harro, 500€ për pacient janë
tuajat.” Pra kështu diskutonin në mes veti mjekët kasapo-biznesmenë derisa
dërgonin pacientë hallgjorë për stenta zemre nëpër spitale private. Me apo pa
nevojë për stentë, pak kishte rëndësi për ta. Rëndësi kishte bërja e
hat-trickut atë natë, pra dërgimit të tre fatkeqëve për kasapizëm; dhe kështu
sërish nesër.
Në
vazhdim të hetimeve, mjekët kishin gjetur në njërën nga spitalet private një
listë kontabiliteti; në të cilën shfaqeshin barazimet e mjekëve të kardiologjisë
me spitalin privat. Lista mbante shënime për barazime, nga 80 euro deri në 7
mijë e kusur euro. Kjo kishte shtyrë prokurorinë të zgjerojë hetimet tek emrat
e shpërfaqur aty. Dalja e emrave nga ajo listë, në një proces hetimi gjithsesi,
kishte nxitur reagimin me grevë të kardilogëve kosovarë. Megjithatë, një pjesë
jo e vogël e grevistëve ishin mu në atë listë.
-3-
Listat
korruptive, gjithmonë dhe jo pa qëllim – konsideratë shumë për përjashtimet –
nuk bëjnë problemin e vetëm të shëndetësisë kosovare. Natyrisht se korrupsioni,
mungesa e etikës e keqsjellja në shumë raste bëjnë në thelb kalbjen e kujdesit
shëndetësor këndej. Ato paraqesin një krizë morali që ka kapur vendin tonë; e që
nuk dallon as në edukim, as në gjyqësor, as në polici e hiç se hiç në politikë.
Rasti i kardiologjisë është vetëm një rast që shpërfaqë në formën më gjithëpërfshirëse
njërën anë të problemit – atë të mjekëve në këtë rast.
Ana
tjetër e problemit, mbesin megjithatë paratë – fondet. Kosova ka shpenzuar shumë
më shumë në asfalt, dreka e darka, se ka shpenzuar në shëndetësi.
Infrastruktura e spitaleve publike mbetet e vjetër; aparaturat e reja mbesin të
papërdorura – herë sepse nuk mbajnë specialistë të tyre, herë sepse nuk blejnë
materiale hargjuese për to, e shpeshherë sepse – siç ishte raportuar nëpër
media – prishen qëllimshëm në mënyrë që kosovarët në hall të shpenzojnë nëpër
spitale private.
Kosova
vazhdon në ndërkohë të mbetet i vetmi vend pa një sigurim shëndetësor. Fondi i
sigurimeve shëndetësore, që kërkon jo më shumë se 200 milion euro investim të
parë (vlerësuar kohë më parë nga Banka Botërore) nuk ka qenë asnjëherë
prioritet i qeverive. Themelimi i tij, dhe kontributi vijues i të punësuarve në
të, do të niste një cikël të ri gjenermi mjetesh për kujdes shëndetësor.
Paratë
e fondit do të përdoreshin edhe për paga më të mira për mjekët në fjalë – mjekët
e mirë gjithsesi – por edhe për shërbime falë e me kosto të ulët për
taksapaguesit kosovarë.
Kosova
natyrisht se ka pasur mjaftueshëm mjete për të nisur fondin e sigurimeve
shëndetësore. Kosova nuk ka pasur asnjëherë vullnet për të bërë një gjë të tillë.
Vetëm njëzet kilometra më pak rrugë do të bënin fondin në fjalë. Për kaq kemi
lënë vetën nën trajtim mjerues.
-4-
Kujdesi
shëndetësor pra nuk ka qenë asnjëherë prioritet këndej. Shëndeti i kosovarëve
ka qenë i vënë në rend të dytë; do të duhej të ishte, pa fije dyshimi pra, i
pakonkurrencë në vend të parë. Para rrugëve, drekave e darkave.
Mungesa
e mjeteve, rrjedhimisht, ka nisur një cikël disfunkcional shëndetësie këndej.
Pagat e ulëta të mjekëve në vend, i kanë shtyrë të njëjtit njerëz të shohin
rrugë alternative për punë. Pjesa më e madhe e tyre kanë hapur ordinanca
private – duke zvogëluar domosdo energjinë e potencialin në institucione
publike; të tjerë ndërsa, kanë ikur nga vendi përgjithëherë. Me nivelin e
dijes, shumë nga ta janë sot super të kërkuar nëpër Evropë.
Hallgjorët
në anën tjetër, ata që kanë, kishin zgjedhur spitalet në rajon. Shkupi kishte
qenë përfituesi më i madh i tyre, plot 70 milionë euro në vit shkonin e shkojnë
andej përvjet. Beogradi, Tirana e Stambolli merrnin gjithashtu vëmendjen e
kosovarëve vazhdimisht. Kosovarët pra, nga lindjet deri tek intervenimet
kirurgjike, onkologjike, radiologjike e çka jo tjetër, i bënin të gjitha jashtë.
Ata që nuk kishin ndërsa, e që përbëjnë fatkeqësisht një pjesë të madhe në
vend, bashkëjetonin me këtë cikël jofunksional shëndetësie tash e
gjashtëmbëdhjetë vjet. Shëndetësia kosovare, për tragjedinë më të madhe këndej,
nuk u ofron atyre as shërbime penjsh, gjilpërave e tretësve – se të mos flasim
për shërimet më të shtrenjta e marramendëse.
Ky
cikël disfunksional duhet të ndërpritet shpejtë. Ndërprerja e tij do të bën
rastet e të papërgjegjshmëve minore; do tu jepte një trajtim më korrekt mjekëve
për shërbimin publik; e pacientëve shërbime më të denja e lira. Gjithsesi, nëse
asgjë tjetër, një cikël i tillë do të mbante ato milionat e shpenzuara në
regjion, brenda në Kosovë. Mbajtja e tyre, rrjedhimisht do të niste një cikël të
ri, përmirësimi e kontribuuimi në vend.
No comments:
Post a Comment