“Gjarpri ka këmbë,
por nuk i shihen. Ka dhe besë, por nuk i zihet” – nga populli
-1-
Lexuesit
e kësaj kolumne, ata të pasditës e mbrëmjes të së premtes, veçse do ta kenë të
qartë procesin e zgjedhjes ose jo të Presidentit të ri të Republikës. Deri atëherë,
Parlamenti, mesiguri do ta ketë përcaktuar fatin e vendit; futjen në përballje
e përçarje edhe më të thellë, ose kapërcimin e përplasjes nëpërmjet zgjedhjeve.
Përçarja
e përballja do të vuloset nëpërmjet zgjedhjes së njeriut më përgjegjës për
ngecje e regres të Kosovës për tetë vjet rresht; të Hashim Thaçit pra. Vendosja
e potencialisht përçarësit më të dalluar në skenën tonë politike, në vendit e
presupozuar për unitet, i humbë gjithë respektin institucionit të Presidentit;
aq sa i kishte mbetur pra. Pritjet për gjithëpërfaqësim e ndërmjetësim, do të zëvendësohen
me kapjet e rëndomta partiake që i njëjti ka shtrirë gjithandej. I ka pra për të
zakonshme.
Sepse,
duhet kujtuar – dhe atë shpesh madje – se i njëjti, mbetet përgjegjësi kryesor
i menaxhimit të 9.5 miliardë eurove të buxhetit të vendit për shtatë vjet
qeverisje, dhe ofrimit si kthim të papunësisë, varfërisë, nënzhvillimit e
korrupsionit – në nivelet më të larta regjionale e evropiane madje.
-2-
Është
vetëm falë tij se sot në Kosovë, tetë vjet pas pavarësisë, rreth 55% e
kosovarëve të rinj janë të papunë. Shumica e tyre po i përmbyllin të njëzetat
pa asnjë ditë pune, dhe në rastin më real të mundshëm do të jenë të papunë për
pjesën më të madhe të jetës së tyre.
Është
vetëm falë tij se pse Kosova sot ka sistemin më të sëmurë shëndetësor, e
nivelin më të paditur e të padobishëm edukativ. Sepse kishte vendosur që gjithë
paratë ti ndante për asfalt, pasi kishte injoruar tërësisht shëndetin e
edukimin e kosovarëve. Për të, kualiteti i jetës dhe vet jeta, ishin shumë më
pak të rëndësishme se shpërndarja e 12 milionë eurove për kilometër.
Është
vetëm falë tij se pse në fund të 2014-ës, Kosova kishte shpërthyer me ikje të
banorëve të saj. Disa zgjodhën perëndimin, plot 100 mijë sosh; e të tjerë
zgjidhën luftërat në lindje. Është pra mu për shkak të politikës së tij se pse
Kosova ka ndërtuar një imazh frikësues; të refugjatit top tre në botë; dhe të
terrorizmit (për kokë banori) top dy në Evropë.
Është
vetëm falë tij dhe skemës së ndërtuar nga ai, se pse sistemi i prokurimit
publik cilësohet sot pengesë e liberalizimit të vizave. Pse i njëjti sistem
kishte favorizuar bizneset partiake, dhe për kthim kishte ndërtuar një sistem të
konkurrencës së padrejtë. Mbijetesë bënin vetëm bizneset e miqve, familjarëve e
akrabave të tij dhe rrethit të tij.
Është
vetëm falë tij se pse investimet e jashtme në Kosovë kanë rënë nga 460 milionë
euro sa ishin në vitin 2007, në 176 milionë euro në vitin 2014. Secili
menaxhues minimalisht i denjë i imazhit ekonomik e politik të Kosovës do të
kishte mbajtur – se për rritje s’bëhet fjalë – shumën e investimeve të jashtme
në vend. Është e tmerrshme ideja e gati trefishimit negativ të tyre gjatë kohës
që ai kishte qeverisur me vend.
Është
vetëm falë tij, se pse Kosova në shtatë vjet pas pavarësisë ka pranuar investime
veçse turke. Asete të falura, investime të fryra, promovime “erdoganiane” kanë
karakterizuar gjithë qeverisjen e tij. Në pjesën më të madhe të këtyre
promovimeve argat i bënin një pjesë e njerëzve që sot na shesin moral e përralla
në opozitë. Pasi kishin marrë, vjelë e vjedhë secilën euro të mundshme, u
rikujtuan për shpëlarje në opozitë.
Mbi
të gjitha, është vetëm falë tij se pse Kosova në pesë raste kishte kryetarë
komunash (nga partia e tij pra) që u dënuan e përndjekjen ose për korrupsion
ose për krim. Për më tepër, në të gjitha gjykimet e tjera kriminale, të dënuar
e të ndjekur padalim, janë kryesisht bashkëpunëtorët e tij dhe partisë së tij.
Pretendenti për pozitë unifikuese, unifikimin e vetëm që ka arritur të bëjë
është mbajtja në një parti e kapësve e kriminelëve – tashmë të dënuar e provuar
nga gjyqësia vendore gjithandej.
Në
arenën ndërkombëtarë bëri lëmsh. Përveç se i përmendur për afera të krimit të
organizuar, trafikimit të drogës e armëve, i njëjti dështoj në gjithçka që
preku. Përkundër një përkrahje masive të miqve ndërkombëtare në anëtarësimin
tonë në UNESCO, Thaçi nuk arriti asnjëherë të mobilizojë as ato vende që na
kishin njohur. Të vetmen gjë që mobilizoj ishte fotografimi i tij, herë në
tren, herë nëpër korridore e sallone, por kurrë duke i sjellë vendit një fitore
të denjë.
Në
procesin dialogues u tregua pranues i gjithçkaje të vënë në tavolinë. Për më
tepër, në relacion me kërkesat institucionale të Parlamentit ndaj këtij
dialogu, u tregua refuzues i pashoq. Rezolutat, kërkesat e dëgjimet
parlamentare ishin të parëndësishme për të. Për tu tallur me to i vendoste në
rend të parë diskutues miqtë e “aferës pronto” që arsyetonin, me dije të ulët e
ofenduese intelegjence natyrisht, gjithçka.
Është
vetëm falë tij se sot katër vite pas negoicimit të parë, Kosova ndjehet e lënë
anash në përfitimet europiane. Të vetmen gjë që Kosova sot pret, është atë që
Thaçi kishte premtuar qysh në vitin 2010; liberalizimin e vizave. Atëherë, i njëjti,
kishte premtuar dhe anëtarësimin në NATO për vitin 2014.
Thaçi
pra, përgjatë gjithë kohës që udhëheqi me vend, nuk arriti asnjëherë të kaloj përtej
bindjeve të tija provinciale e përçarëse. Deklaratat e tija ishin nxitëse gjithherë.
Ai do të mbahet në mend si provokues i pa takt, partner i pa besë, kapës i
pangopur – kurrë lider.
-3-
Thaçi
nuk do të bëhej asnjëherë President, sikur për partner të mos kishte një LDK që
ka humbur secilin rezon e secilin identitet të ngritur përgjatë gjithë jetës së
saj. Derexhenë në të cilën ka rënë partia me kontributin më të madh shtet formues
në vend, mbetet për keqardhje. Thaçi pra, mund të bëhet president vetëm falë
etjes së pashpjegueshme e të tmerrshme të partnerit të tij për pushtet.
Nuk
i kuptoj dot, e skam për ti kuptuar asnjëherë, lehtësinë e transformimit që
pjesëtarët e LDK-së i bëjnë vetes dhe integritetit të tyre që kanë ndërtuar me
vjet. Nuk e kuptoj kurrë, e skam për ta kuptuar asnjëherë, se si kanë arritur
të bindin veten, familjet e tyre e miqtë përreth, për ndryshimin e shpejtë të
të gjitha bindjeve e përshtypjeve me të cilat kishin bërë politikë e emër.
Pjesëmarrja e votimi për i tyre, do t’i vë kapak gjithë pakuptimësisë, të cilën
do ta mbajnë me veti përjetësisht.
Mund,
ndoshta, dhe t’i bëjnë vetes arsyetim, se po zgjedhin në mes të anarkisë e një
keqqeverisjeje të domosdoshme. Mund t’i bëjnë rrafsh vetit për gjithçka. Porse,
nuk ka anarki më të madhe e nuk ka dëm më të madh, se sa zgjedhja e kapësit më
të njohur në vend, përçarësit më të dalluar gjithandej, njeriut me mesazhin më
të rëndë në botë, për President të Republikës. Dhe nuk bëhet fjalë këtu për një
individ; bëhet fjalë për fuqizimin e një sistemi kapës që ka zaptuar Republikën
që nga lindja e saj.
Në
rastin më të mirë të mundshëm, këta deputetë do të dëgjonin zërin e elektoratit
të vet, të individëve që u kanë dhënë votë njëmend – pra për largim të Hashim
Thaçit nga politika, jo për fuqizimin e tij. Dhe ky largim do të ishte plotësisht
kushtetues e jo krijues precedenti. E nëse kanë dhe frikë, përjashtimi i tij s’do
të ishte as kompenzues i angazhimit opozitar. Sepse, me refuzimin e tyre,
Kosova do të shkonte në zgjedhje jo për shkak të kundërshtarëve opozitarë – që
në shumë pika e shumë individë s’dallojnë hiç nga partnerët e sotëm të tyre –
por për shkak të një obligimi kushtetues; për shkak të moszgjedhjes së
Presidentit. Shkuarja në zgjedhje, për shkak të deputetëve që nuk duan të
avancojnë një sistem kapës edhe më shumë, u kthen atyre gjithë integritetin e
humbur nga dita e parë e partneritetit e deri më sot.
Për fund fare, s’kam se si të mos shpreh neverinë
për gjithë ata deputetët që në njërën anë thonë se do të marrin pjesë në
seancë, e në anën tjetër promovojnë votë kundër Hashim Thaçit për president; me
plot mburrje madje. Tallje e madhe më bëhet kjo.
Pasi të kenë marrë pjesë në votim, vota e tyre
kundër tij s'ka hiç rëndësi. Bërja e kuorumit nëpërmjet pjesëmarrjes është
praktikisht votë pro zgjedhjes së tij. Ai ka nevojë për prezencën e tyre, jo
për votën e tyre. Është e thjeshtë. Nëse se duan njëmend President, mos ta bëjnë
kuorumin. E nëse e duan President për pesë vjet, të mos na ofendoni
intelegjencën së paku; të mbajenë përgjegjësinë deri në fund. Hyrja e tyre në
sallë, është mbështetje e tij për President; dhe vonim i shtetëndërtimit tonë për
plot pesë vjet.
E premtja duhej të na sillte rilindje.
No comments:
Post a Comment