Sunday, 31 January 2016

MBI PARIMET QË DUHET VËNË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 29 JANAR 2016

Qasja ad-hock dhe pa konsistencë e trajtimeve të problemeve dialoguese të Kosovës ka bërë vendin tonë të duket tërësisht joserioz; përfundimisht të gjithë procesin dialogues për observuesit e jashtëm, rëndom taksapagues e votues të tjerë, të frikshëm deri në palcë.

-1-

“Do të vinë, si tulipanët e bardhe madje”; ishte përgjigja e kryeministrit serb Vuçiç ndaj ndryshim qëndrimit të palës kosovare për mosshkuarje në Bruksel. Ndryshim qëndrimi ishte hedhur poshtë, ndërsa, nga të tanët tek pas tulipanizmit ofendues që morën atje. Thanë se s’kishin thënë asnjëherë që shkuarja e tyre ishte e lidhur me liberalizim. Për secilin me njohuri të pakta rreth relacioneve që Kosova ka ndërtuar në dialog, shkuarja në Bruksel nuk ishte asnjëherë befasuese. Befasuese nuk është as edhe shfrytëzimi i secilës gafë politike të Kosovës nga qeveria serbe. Diçka madje të ngjashme kishte thënë dhe ish-kryeministri serb Daqiq dy vite më parë kur ironizonte me kërcënimet e kosovarëve për mosshkuarje; “pa le të provojnë të mos vijnë” – thoshte atëherë. Befasuese gjithsesi mbetet dhënia e fjalëve - qoftë edhe kalimthi madje – që s’mund t’i mbash dot. Befasuese mbetet mosbrengosja për konsekuenca fare, të brendshme e të jashtme pa dallim, nga devalvimi i qëndrimeve e deri tek tallja  prej “tulipanëve të bardhë”. Pse bëhet kjo është përtej rezonit tim. E panevojshme gjithsesi.

Në vazhdimësi të kësaj, për secilin tjetër me interes për fatin dialogues të vendit të vet, përshtypja e parë që krijohet është jobindshmëria e projektit dialogues në tërësi. Për shkak të ndryshim qëndrimeve të shpeshta, si ato për shembull mbi “ojq-zimin” e asociacionit, e deri tek kushtëzimet e paqëndrueshme sikurse këto të liberalizmit –  pa harruar madje dhe nënshkrimet e parimeve që dalin në shpërputhje kushtetuese – Kosova sikur të jep përshtypjen e papregaditshmërisë. Të jep përshtypjen se Kosova nuk ka platformë të qartë dialoguese; nuk e ka idenë se çfarë bën, pse shkon, për çfarë dialogon, e me çfarë në fund do të përfundojë. Rrjedhimisht nuk ka dhe konsistencë në qëndrimet e veta që duket se janë të aty për atyshme. Kjo qasje ad-hock dhe pa konsistencë e trajtimeve të problemeve dialoguese të Kosovës, ka bërë që i gjithë procesi dialogues për observuesit e jashtëm, rëndom taksapagues e votues të tjerë, të shihet si i frikshëm deri në palcë.

Dhe kujtoj, se është pikërisht një mos hapje e tillë dhe frika e krijuar nga një proces potencialisht i gabueshëm, pse pakënaqësitë rreth procesit dialogues janë shtuar në shumë nivele diskutuese në Kosovë. E dialogu do të duhej të arrinte pikërisht të kundërtën. Nëse asgjë tjetër, përmirësimi i jetës së kosovarëve nëpërmjet procesit dialogues, shqiptarë e serb pa dallim, duhej të sillte entuziazëm – nëse është i mirë e i sigurt për të gjithë natyrisht. Deri më tani, dialogu përbën temën më pak të pëlqyeshme dhe më të frikshme të mundshme në vend.

-2-

Për mënyrën se si zhvillohet, dialogu është bërë si një synim e qëllim në vete, që s’ka nevojë për sqarim e qartësim, e të cilin e ndjekim ne pa pyetur shumë e pa ndonjë një plan. Na thërrasim, shkojmë. Na japin tema, i trajtojmë. Nëse flasim ne e vejmë vija të kuqe, sikurse kushtëzimi i udhëtimit me liberalizim, s’do na merr kush seriozisht; por punë e madhe që s’na merr kush seriozisht. Si e tillë, një qasje si kjo, nuk ka për t’i sjellë Kosovës as respekt brenda ndërmjetësuesve, e as popullaritet brenda qytetarëve taksapagues – do të sjellë, natyrisht, vetëm mundësi ofendimi për palën tjetër siç dhe ndodhi edhe këtë herë.

Dialogu natyrisht se duhet të ndodhë. Por i njëjti duhet ti respektojë disa parime të përgjithshme që kosovarët duhet ti vënë vetes me fillim. Parimi i parë, dhe më i rëndësishmi, mbetet uniteti nacional. Ky unitet bëhet i domosdoshëm sidomos nëse na imponohet trajtimi e shtimi i organizimit të brendshëm të Kosovës – gjithmonë në plotni me përputhshmëritë kushtetuese. Uniteti nacional, për tema të ndërtuara po ashtu me unitet, kërkojnë përfshirjen jo vetëm të qeverisë – si përfaqësues tërësisht legjitim të qytetarëve këndej – por edhe të forcave opozitare, mendimtarëve të pavarur, akademikëve e aktivistëve të tjerë. Pala kosovare do të duhej të insistonte në ndërtim uniteti para vazhdimit të mëtutjeshëm të çfarëdo procesi bisedues. Në fund të ditës, nëse dialogu ndërpritet për shkak të zgjedhjeve në Serbi, pse të mos ndërpritet për shkak të gjetjes së zgjidhjes së unitetit në Kosovë.

Parimi i dytë, është se Kosova duhet t’i vejë vetes një kornizë të vijave të kuqe, e të cilat nuk guxojnë të kalohen asnjëherë. Dhe nuk po flas vetëm për vijat e kuqe të kushtetutshmërisë që nuk ka alternativë, por po flas për kushtëzimet e tjera që si palë kërkuese duhet ti bëjmë. Për shembull, vijë e kuqe mund të jetë mos vazhdimi i proceseve të reja pa përfundimin e atyre paraprakëve. Nëse Serbia vazhdon të mos njeh regjistrimet e veturave kosovare dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë, atëherë mbetet i pakuptimë dialogimi për tema të tjera. Ose, nëse Serbia vazhdon të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, mbetet i pakuptimtë insistimi për dialogim të rehatshëm e jo armiqësor. Mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej fillimisht të vihej një memorandum mirëkuptimi, që krijon pra kushte minimale të trajtimit të problemeve në fjalë.

Parimi i tretë, se Kosova duhet ti krijojë vetes një hartë të qartë ecjeje nga sot e deri në përfundim të procesit dialogues. Në ketë hartë, pala kosovare duhet të përcaktojë edhe rezultatet eventuale që formësohen në fund të gjithë procesit. Për shembull, Kosova duhet të paramendojë se çka përfiton në fund të rrugës. Njohjen nga Serbia? Anëtarësimin në UN? Njohjen nga pesëshja e BE-së? Konfrom rezultateve të pritura, duhet të bëhen edhe kompromiset eventuale. Sepse, po dhamë një kompani telekomi në Veri, e po morëm si kthim – le të themi – njohjen nga Serbia, i themi marrëveshje e mirë. Po dhamë gjithçka, e s’morrëm prapa asgjë, siç dhe po ndodhë tash e sa kohë, i themi proces i kotë, i frikshëm dhe pa rezultate që stabilizojnë Kosovën.

-3-

Natyrisht se nuk pres respekt nga pala tjetër. Pres të kundërtën. Janë të njëjtit që mbajnë takime provokuese e anti Republikane në mes të Republikës; janë të njëjtit që na krahasojnë me ISIS; janë të njëjtit që parandalojnë anëtarësimin tonë në organizata ndërkombëtare; janë të njëjtit që nxisin kryetarë komunash t’i referohen vendit që i paguan si “Kosovë e Metohi”; janë të njëjtit pra që promovojnë mu të kundërtën e dialogimit e afrimit. Dhe sikur kjo të mos mjaftojë, të njëjtit menjëherë pas takimeve na thërrasin si separatistë, gënjeshtarë e çka jo tjetër. Këtu më pas humbet dhe rezoni i dialogut në mes palëve që kanë qëllime të mira. Palët pra, njëra palë më saktësisht, nuk ka qëllime të mira. Ka qëllime të ofendimit e rrënimit të palës tjetër. Natyrisht, se si refleksion i një relacioni të tillë, afrimi i shqiptarëve me serbët në Kosovë bëhet edhe më i largët. Dialogu dhe relacionet brenda e jashta tij paradoksalisht po i ndajnë palët edhe më shumë. Ç’është e vërteta madje, shumë më afër me serbët lokal shqiptarët ishin para procesit dialogues se sa që janë tani.

Pra nuk pres seriozitet e konstruktivitet nga një palë që gjashtëmbëdhjetë vite më parë bënte zëdhënësin e Millosheviqit; e që gjashtëmbëdhjetë vjet më pas nuk ndjehet ende pishman. Ata do të mbesin të tillë. Pres ama, seriozitet e trajtim me kujdes të palës kosovare. Pres që dialogu të shfrytëzohet jo për rahatime të provokuesve të tillë, as për deformime institucionale këndej, hiç se hiç për motivime të radikalistëve nacionalistë herë andej e këndej. Pres që nga një proces dialogues, që për gjithë forcat përcaktuese ndërkombëtare është esencial e për ne i natyrshëm – në fund të ditës po flasim me fqinj – të mbrojmë Republikën. Dhe mbrojtja duhet të vijë jo me ndjekje verbëruese të procesit, as me gafa të çfarëdoshme, por me qartësi e bindje serioze që sjellin edhe respekt edhe produkt të mirë për vendin.



Monday, 25 January 2016

REPUBLIKA E TË PAPREKSHMËVE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 22 JANAR 2016

Kosovarët e ardhshëm kanë për t’u tallur me ne për shumëçka. Kanë për t’u tallur për këto gjërat e vogla që japin pasqyrën përfundimtare të një vendi pa ligj, të padrejtë dhe përfundimisht të pabarabartë.



-1-

Jo rrallëherë e mendoj se sa qesharake e tallëse ka për t’iu dukur Kosova e tanishme gjeneratave të ardhshme. Sa qesharake, për shembull, ka për t’iu dukur fakti se një kryetar komune, i një komune votuese mbi 120%, i dënuar me 12 vite heqje lirie, i mbajtur në burgun e sigurisë më të lartë në vend, vazhdon të ushtrojë detyrën e tij si kryetar komune ende. Dhe nuk ka as komision zgjedhor, as qeveri, as parti e as institucion tjetër ligjor a moral që guxon t’i shpallë zgjedhjet atje.

Përkundrazi. Një rast si ky, bëhet arsye për grevë në dy komuna kosovare; në Skenderaj dhe Vushtrri respektivisht. Në të dyja rastet, administrata lokale zgjedhë injorimin e secilës shkallë institucionale këndej; zgjedh futjen në grevë mospune – të cilën e quajnë solidarizuese – dhe zgjedhë refuzimin e shërbimit ndaj, askujt tjetër, përveç qytetarëve të vet. Në kthim, kërkojnë institucionalizëm – natyrisht institucionalizëm në versionin e vet.

Hiq më pak tallëse s’ka për t’iu dukur as ideja se zgjedhjet lokale nuk janë mbajtur as në Prizren. Ky i Prizrenit madje, kishte nisur fushatën, fituar atë, e mesiguri ka për të mbajtur mandatin deri në fund – për gjithë kohën sa ishte i dënuar me burg.

E në renditjen e aktivizimit të të dënuarve, duhet të gjejë gjithsesi vend dhe pjesëmarrja e ish kryetarit të Kaçanikut, në një ngjarje zyrtare të Republikës së Kosovës në Suedi. Një i dënuar, në arrati, merr pjesë aktivisht në ngjarjet e taksapaguesve që e kanë dënuar atë.

-2-

Kosovarët e ardhshëm kanë për t’u tallur me ne për shumëçka. Kanë për t’u tallur për këto gjërat e vogla që japin pasqyrën përfundimtare të një vendi pa ligj, të padrejtë dhe përfundimisht të pabarabartë.

Ana e tmerrshme e lajmeve si këto është imunizimi i shoqërisë sonë në trajtimin e tyre. Pra, për kosovarët e sotshëm është bërë krejtësisht e zakonshme që një i dënuar të ushtrojë post publik; të paguhet madje majmë e mirë nga taksat e tyre. Kështu ishte dhe rasti me ish ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, që përderisa mbahej në paraburgim për 11 muaj, merrte rrogën e diplomatitit pandërprerë e për aq kohë.

Për kosovarët e sotshëm është bërë tërësisht e zakonshme që një sistem gjyqësor në vend, të dënojë me pagën mujore të babait të tyre, dy djemtë e një deputeti që kishin rrahur një polic; për më tepër me vete mbanin një “Kallashnikov AK-47”. Rasti bëhet edhe më i rëndë kur e kujton se një vit më parë, kur dhe kishte ndodhur rasti, polici i sulmuar ishte degraduar në detyrë për gjoja një shkelje krejtësisht irrelevante gjatë punës së bërë.

Pra pjesë e trajtimeve nuk bëhet vetëm gjyqësia, por bëhen dhe mekanizmat tjerë publik; siç është në këtë rast mekanizmi korrektues i policisë. Në raste të tjera pjesë bëhen dhe mjekët, që shkruajnë raporte false sa për të fortit sa për të zgjatur ndejën në pafundësi tek dhomat VIP të spitaleve; apo bëhen dhe gardianët e burgjeve që ndërrojnë uniformat me të burgosurit – që këta të fundit të hanë një drekë të mirë në një ditë të diellshme në Prishtinë të veshur si polic.

-3-

Pra, në Republikën e të paprekshmëve, ka dy lloj trajtime. Në të parin, bëjnë pjesë ata të zakonshmit – kryesisht qytetarët shumicë që nuk kanë as lidhje e as ndërlidhje me përcaktuesit pushteteve këndej; për ta natyrisht se vlen barazia ndaj ligjit. Dhe në të dytin janë të paprekshmit, pushtetarët, familjarët e tyre dhe rrahagjoksit e tjerë, të cilët janë të barabartë mbi ligjin.

Një trajtim i dyfishtë bëhet për dy arsye. E para, se ka një frikë – në palcë madje – të mbjellur tek trajtuesit e rasteve të tilla; nga prokurorët, tek avokatet e gjykatësit në përfundim. E dyta, dhe më e tmerrshme, se ka një kontroll të mirëthemeluar në sistemin publik këndej; dhe jo vetëm aty.

E është mu kontrolli i sistemit publik që duhet të bëjë brengën më të madhe për kosovarët sot. Sepse frika trajtuese mund dhe të shërohet një ditë. Mund një ditë që këndej të vjen një rend i ri politik që garanton sigurinë e trajtuesve të rasteve. Dhe kështu, as prokurorët, as gjyqtarët, as gardianët e burgut, e as mjekët e QKUK-së, do të ndihen të lirë për të dhënë mendimin drejtë. Kontrolli, në anën tjetër, është vështirë i zhbëshëm. Mbi të gjitha, kontrolli i sistemit gjyqësor nuk jep vetëm pasivitet të tij; për çfarë ne dhe ankohemi më së shumti sot. Ai mund të jep destruktivitet; pra të përdoret për persekutim të të pafajshmëve.

Paramendoni për një moment një inat biznesi, një ballafaqim politik apo në fund të ditës një kujtim krejtësisht provincial; dhe futjen e gjithë mekanizmit gjyqësor, korrektues, policor e inspektues kundër tyre. Paramendoni pafuqinë e të një të pafajshmi përballë të fortëve që kanë një sistem drejtësie në dorë. Rastet e tilla janë të zakonshme. Janë të shpeshta madje. Biznese të shumta që ankohen për padrejtësitë e firmave fituese të lidhura me rrahagjoksë, që nesër bëhen pjesë e trajtimeve javorëshe, të mundimshme të inspektorëve tatimorë, inspektorëve sanitarë, doganierëve e ku me ditë kujt tjetër. Bëhen pjesë e targetimit të gjithë sistemit publik deri sa t’i lodhin, frikësojnë e largojnë përfundimisht nga pretendimet e drejta për pabarazi. Është Republika e të paprekshmëve kjo.




Monday, 18 January 2016

MBI KOHËN E HUMBUR DHE HUMBJEN QË MUND TË VJEN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 JANAR 2016

Kush do ta kishte menduar se në një ditë mesatare kosovare tetë vjet pas pavarësisë – me ose pa të drejtë pak ka rëndësi – njëra palë do shihte tjetrën si regjim të Millosheviqit, e tjetra palë të parën si forca të ISIS-it. Kaq thellë ka arritur çarja kosovare këtë herë, kaq shumë ka përplasje publike në mes tyre.


-1-

Po bëhen tashmë dy vite që kur Kosova ndodhet në emergjencë institucionale. Dy vite të humbura nga përballjet politike-partiake në mes të aleancave e koalicioneve jonatyrale në pozitë e opozitë pa dallim. Dhe dy vite më pas, që nga shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, tek bllokada gjashtë mujore, nga protestat e vitit të shkuar deri tek gazlotsjellësi në Parlament, Kosova nuk është më mirë.

Kosova, ç’është e vërteta nuk është as më ndryshe politikisht. Balancat partiake, sipas të gjitha gjasave, do të mbesin në stade të njëjta kurdo që zgjedhjet e reja do të mbahen këndej. Së paku, pjesa më e madhe e matjeve publike mbajnë renditjen e njëjtë të partive në fjalë. Njëjtësia e këtyre balancave ka për tu siguruar përherë e sa herë ka një polarizim të skajshëm të palëve e të shoqërisë. Sepse në polarizim militantët forcojnë lidhjet me partitë e tyre tradicionale; votuesit e tjerë ndërsa – rëndom përcaktues të fituesit – mbesin indiferentë; të zhgënjyer nga të gjithë. Shoqëria jonë, si asnjëherë më parë, është e polarizuar dhe zhgënjyer me të gjithë.

Ndryshimet e vogla, në rritje apo rënie të secilës palë ndarazi, do të mbesin të parëndësishme për të ndryshuar rrënjësisht përbërjen politike në vend. Çfarë mund të ndryshojë pas zgjedhjeve të ardhshme është vetëm lojaliteti i partive politike (të gjithave pa dallim) ndaj aleancave aktuale që mbajnë. Partitë mund të ndërrojnë – siç kanë ndryshuar më parë – tabore lehtë. Ç’është e vërteta, siç na ka mësuar e shkuara, të njëjtit që sot japin fjalë të mëdha për tjetrin do të thumbohen keq nesër; dhe të njëjtit që thumbohen keq sot, do të bëhen të afërm nesër. Kështu ka qenë gjithherë. Akuzuesit e vrasjeve të djeshme, sot janë mbështetësit më të zëshëm të njëri-tjetrit. Gisht treguesit e korrupsioneve multimilionëshe dje, sot janë bashkëfolës morali republikan këndej. Miqtë e pandarë dje, sot janë bërë armiq; dhe do të bëhen sërish miq natyrisht. Politika kosovare ka dëshmuar kaherë e shpeshherë se nuk ka kurriz.

-2-

Por ardhja e zgjedhjeve të reja mund të vonojë. Deri atëherë, humbjeve të deritanishme mund t’i shtohen humbje të tjera që pak vite më parë kanë qenë larg prej mendve. Kush do ta kishte menduar se në një ditë mesatare kosovare tetë vjet pas pavarësisë – me ose pa të drejtë pak ka rëndësi – njëra palë do shihte tjetrën si regjim të Millosheviqit, e tjetra palë të parën si forca të ISIS-it. Kaq thellë ka arritur çarja kosovare këtë herë, kaq shumë ka përplasje publike në mes tyre.    

Cilësimet e tilla pra, më shumë se gjithçka tjetër, tregojnë për përmasën e përplasjeve partiake këndej. Ajo, në pak kohë, ka kaluar limitet e trajtimit të politik. Është shndërruar në urrejtje. Dhe përderisa militantët e secilës palë provojnë fajësinë e tjetrit, Kosova ecën bindshëm drejt të panjohurës.

Për kohën e dhënë, gjetja e fajtorit mbetet e parëndësishme. Le të themi se, po dhe në qofshin fajtorë të ardhjes në këtë gjendje disa, të njëjtit gëzojnë mbështetje nga përkrahësit e vet, barabartë sa kundërshtuesit e tyre kanë sot. Fajësia pra nuk përcakton fituesin e as mbështetjen këndej. Pse mos ishte më ndryshe në zgjedhjet e kaluara kur fitues i tyre, bindshëm madje, doli të ishte fajtori kryesor për gjithë lëmshin e krijuar nga pas-pavarësia?

Në një rast të tillë, kur mbështetja është blanko dhe mbi të gjitha e madhe (për të mbushur sheshe nga secili pra), vazhdimi i tensionimit e përplasjes mbetet i rrezikshëm. Sepse, me një mbështetje të dhënë, cilado qoftë e sado qoftë ajo, asnjëra palë nuk ka për t’u zmbrapsur më. Zmbrapsja do të shihet si dobësim, si humbje pra. Prandaj dhe sot nuk lëvizë asnjëra palë. Duket sikur frikohen nga ndryshim-qëndrimi eventual. Në një rast hipotetik të vazhdimit të përplasjes për muaj të tërë, njëra palë ka për t’i nxjerrë vazhdueshëm të vetët në rrugë, tjetra do ti përdorë mekanizmat e pushtetit për t’i larguar ata – po u shtjerrshin e u dobësofshin këto mekanizma, në fund ka për t’i nxjerrë të vetët në rrugë njëjtë. Në një lojë pokeri, të dy palët do të shkojnë all-in.

Kujtoni për pak mitingjet pozitë e opozitë në Shqipëri. Një ditë mblidhte në rrugë njëra palë, të tjetrën i mblidhte tjetra. Mitingjet e përkrahjes për palët nuk ishin shndërruar vetëm në barometër numrash të pjesëmarrësve, pro dhe në forcë kërcënuese për tjetrin. Për fatin e mirë të tyre atje, përballjet e tilla e në mes veti nuk shpërthyen e nuk do të shpërthejnë asnjëherë. Kosova mund të mos ketë një fat të tillë.

-3-

Pra e ardhmja e afërt e Kosovës nuk duket e qetë. Përplasjet nuk kanë për të përfunduar natyrshëm pa një intervenim nga jashtë. Se për intervenim të brendshëm, ka kohë që kam humbur shpresë. Disa, madje, koka të presupozuara si të mençura, nxisin për më shumë përballje të dhunshme në secilin prononcim të tyre. Në vend të qetësimit të situatës, ndërhyrjes e gjetjes së zgjidhjes, ata thërrasin për më shumë dhunë.

Intervenimi i jashtëm, sikurse në rastin e Maqedonisë, mund të sigurojë një tranzicion të lehtë për në zgjedhje të reja. Zgjedhjet e reja, siç dhe shkrova më lartë, nuk pres të ndryshojnë diçka në përbërjen politike këndej; pres megjithatë të ndryshojnë fortësinë e argumenteve të palëve që kanë vënë në tryezë.

Natyrisht se peng i zgjidhjes së re të vendit – edhe nwpwrmjet zgjedhjeve – mbetet ambicia e një njeriu për t’u bërë President. Më shumë për imunitet ndaj përndjekjeve speciale se sa për për pushtet, kjo ambicie individuale ka zhvendosur gjithë vendin në ecje për fije peri. Të mbesim të sigurt, se pa një synim të tillë, përplasja e tanishme do të kishte përfunduar kaherë.

Gjithsesi, gjëja e fundit që këtij vendi i duhet është transformimi i një përplasje partiake në një përplasje në shesh. Gjëja e parë që këtij vendi i duhet, gjithsesi, është një konsensus nacional i partive në vend. I të gjithave pa dallim e pa përcaktim fajtori. Ta themi pra, që përcaktuesin e të drejtës e të gabuarës do ta bëjë qytetari i Kosovës në ditën e  votimit – kurdo që të ndodhë ajo. Dhe sa më shumë që një ndërhyrje e jashtme vonohet, aq më shumë rrezikohet koncensusi nacional këndej.



Monday, 11 January 2016

E VËRTETA TË ÇLIRON

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 JANAR 2016

Stupcat” pra, në atë përrallën e mbretit lakuriq, bënin fëmijën e vogël që thotë me zë – këta madje e bënë dhe bukur – atë që secili tjetër e dinte dhe shihte qartë e kaherë.



-1-

Shoqëria kosovare po çlirohet. Po çlirohet nga frika e trajtimit e përballjes me rrahagjoksit; dje çlirimtarë, sot kapës – natyrisht konsideratë për të gjitha përjashtimet. Dhe ky çlirim nuk u vu në pah nga një proces gjyqësor, as nga ndonjë kritikë shkrimi, por nga një skeç humori – nga vet satira. “Stupcat”, një grup i mirënjohur satirik kosovar, kishin prodhuar në natën festive të vitit të ri një pamje sa komike aq edhe tragjike të rrjedhave post-çliruese në vend. Komike për mënyrën e portretizimit të ngjarjeve këndej, tragjike për vërtetësinë e tyre. Në një skenë lufte të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dy ushtarë bënin betejën, dy të tjerët ndërsa bënin planet e uzurpimeve pas përfundimit të luftës. “Stupcat” pra, në atë përrallën e mbretit lakuriq, bënin fëmijën e vogël që thotë me zë – këta madje e bënë dhe bukur – atë që secili tjetër e dinte dhe shihte qartë e kaherë.

Shpërfaqja e anës më të errët të shoqërisë sonë në këto 16 vite liri, pra kapjen nga çliruesit, nxiti një valë debatesh këndej. Në njërin krah u shfaqën gulçuesit e zakonshëm tashmë, të cilët, siç dhe ndodhë zakonisht kur preket në thelb ana e zezë e tyre – e që praktikisht është e gjithë veprimtaria e tyre post-çliruese – i cilësuan portretizimet si tradhti, blasfemi, serbonostaslgji, e çka jo tjetër. Disa madje, dhe këtu fillon trishtimi i trajtimit të lirisë nga ta, filluan linçimin publik ndaj autorëve. Pra liria, sipas tyre, është liri përderisa nuk prekë percepcionin e tyre mbi të drejtën e shprehjes. Për ta, i lirë mund të jesh për aq sa ata të japin të drejtën e shprehjes dhe lirisë. Për ta, dhe rrjedhimisht secilin tjetër, trajtimi i tyre nuk guxon të bëhet asnjëherë sepse ata janë të shenjtë.

Të tjerët gulçues shkumues, analizuan satirën e shfaqur në krahasimin e vërtetësisë së saj; duke aluduar se gjatë luftës nuk është menduar për zaptime. Të tillët pra ngatërronin një simbolikë satire me një “reality shoë” apo film dokumentar ku faktet portretizohen në përpikëri. Skeçi natyrisht ishte simbolikë; e menduar jashtëzakonisht mirë madje, me shije plot, e që përfundimisht nxjerrtë në pah të vërtetën e vetme – se mbreti ishte lakuriq.

Komandantët dhe plot çlirimtare të tjerë – sërish konsideratë shumë për përjashtimet – kishin shfrytëzuar luftën dhe kontributin e tyre për të kapur e përvetësuar për veten, familjen dhe rrethin e tyre, pasuri enorme në Kosovë. Me përvetësimin e pothuajse gjithckaje për veti, të njëjtit kishin kapur dhe humbur edhe ardhmërinë  e një shteti që tetë vite më parë kishte lindur me plot shpresë.

Ky dhe ishte argumenti i anës tjetër të debatuesve. Dhe për rëndësinë më të madhe të përplasjes, këta përbënin shumicën; së paku kështu të jepej përshtypja nga aktiviteti diskutues social. Trajtimi qytetar i skeçit në fjalë, sikur shpërfaqte një shpërthim të grumbulluar kaherë. “Stupcat”, me skeçin e tyre, kishin folur për të gjithë.

-2-

Shoqëria kosovare bën mirë që ngre debat mbi një temë tashmë të diskutuar nëpër vite. Bën mirë që guxon të trajtojë historinë e saj të para gjashtëmbëdhjetë viteve. Bën mirë pra që të flasë për të vërtetën, sepse e vërteta çliron. E çlirimi nga çlirimtarët e transformuar në kapës është domosdoshmëri e prosperitetit tonë.

Kosovarët pra duhen të çlirohen nga mitet fallce. Nga vet ideja e çlirimit madje. Shihni për pak ditën e çlirimit të Prishtinës Vetëm gjashtëmbëdhjetë vite pas saj, ne ende vazhdojmë të sillemi në një refuzim kolektiv; e festojmë ditën e çlirimit një ditë para hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. C’është e vërteta, as Prishtina e as Kosova – dhe për këtë janë mbi 1.7 milionë kosovarë dëshmitarë – nuk është çliruar nga të vetët. As nga lëvizjet pacifiste e as nga lëvizjet militare. Kosova, dhe qytetarët e saj, janë çliruar nga një intervenim –  më i madhi në Evropë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore – të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë; të vet NATO-s pra. Shtatëdhjetë e kusur net bombardimesh, të njëzet e kusur shtetesh me të fuqishme ushtarake, kishin detyruar regjimin e Millosheviqit të nënshkruaj kapitullimin dhe tërheqjen e forcave ushtarake nga Kosova. Pse një njësit militar i kosovarëve ishte futur një natë më parë në një fshat diku në rrethinë të Prishtinës, nuk e bën çlirimin nga ne. Kjo farsë kolektive e jona, e ditur nga të gjithë, është ushqyer megjithatë e vërtetë.

Me të njëjtin recetë është ushqyer edhe eksluziviteti i kontributit shoqëror këndej. Thuajse nuk ka pasur asnjë përpjekje tjetër para luftës e çlirimit. Kjo e pavërtetë e shitur nga vet çlirimtarët e transformuar në kapës, është bërë me të vetmin qëllim të lartësimit sa më të madh të vet tyre. C’është e vërteta, sado që lufta çlirimtare mbetet përpjekja më e rëndësihsme, shumëherë më e rëndësishme se secila përpjekje tjetër pra, ajo megjithatë nuk është e vetme. Paralel me të, e para saj, kishte një makineri të tërë kontribuuesish. Ishin mësuesit e arsimit publik që me nga njëzet marka gjermane në muaj – aq sa të siguronin mbijetesën në varfëri të skajshme për familjet e tyre – mbanin sistemin arsimor këndej për vjet. Ishin qytetarët që kishin lëshuar shtëpitë e tyre për mbajtje mësimi. Apo ishin mjekët e organizatave humanitare që kishin krijuar një sistem paralel të kujdesit shëndetësor. Apo ishin mërgimtarët tanë që me mundin më të madh të mundshëm mbanin me vjet një shoqëri të tërë. Pra çlirimi, si akt përfundimtar, do të kishte qenë i pamundur pa një mbështetje të përvjetshme, të mundimshme – por me plot ideal – të kontribuuesve të tjerë.

Si e vërtetë është ushqyer edhe paprekshëmira e çlirimtarëve. Pra me idenë se ne ju çliruam dhe asgjë tjetër para nesh nuk ka vlerë, të njëjtit kishin blerë një paprekshmëri e tyre. Thuajse kontributi i tyre, individual apo familjar, u jep të drejtë secilit të bëj cfarë të dojë, sa herë të dojë, kur të dojë me fatin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Thuajse jeta e kontributi i secilit është lojë bilancesh – bën një të mirë madhore një herë, je i titulluar për plot të zeza minore përherë.

Natyrisht, në këtë paprekshmëri kishte elemente të mjaftuesdhme të kërcënimit, shatnazhit e cka jo tjetër. Vrasjet e kundërshtarëv politik menjëherë pas luftës, rrahjet e haracvëniet e biznesmenëve kosovarë, uzurpimet e pompave të benzinës, hoteleve nëpër qendra e lokaleve më të shtrenjta gjithandej - disa madje edhe sot mbesin të uzurpuara - ekzistimi i shërbimit kriminal partiak ( i vërtetuar tashmë nëpërmjet disa proceseve gjyqësore të rastit “Bllaca”) i kishin shpërfaqur rrahagjoksit si të “armatosur e rrezikshëm”, gangsterë modernë.


Për motive si këto, ne nuk kemi trajtuar asnjëherë asnjë pasurim të asnjë luftëtari – komandant e kontribuues individual padallim. Në vendin më të korruptuar në Evropë, me pasurimet më të pashpjegueshme në Evropë, ne nuk kemi guxuar të gjykojmë as edhe një rast të vetëm – as edhe një – të komandantëve supermilionerë.

Shihni për pak trendin dhe përmasën e pasurimit të të tillëve për 16 vjet. Sot, elitat financiare në vend nuk janë biznesmenë a ndërmarrës, nuk janë as inovatorë , janë ish-luftëtarë, po thuajse të gjithë komandantët. Privatizues të pothuajse pjesës më të madhe të pasurive shoqërore, kapës të të gjitha pozitave publike, determinues të përfitimeve të tenderëve, njerëz me ndikim në punësim, kontratëdhënie e çka jo tjetër. Dhe për tragjedinë më të madhe të kësaj shoqërie, sot ata na shpërfaqen si alternativë të njëri tjetrit. Disa në pozitë, të tjerët në opozitë. Pa fije marre e me gojën plot, të njëjtit kapës e superpasurues na dalin si zgjidhës të problemeve korruptuese e zaptuese në vend.


-3-

Për ta vënë rekordin drejt. E para, lufta dhe përpjekja për liri e kosovarëve, është produkti më i lartë që kjo shoqëri e ky popull ka krijuar ndonjëherë. Si përpjekje e luftë pra, ajo mbetet e lartësuar. Sado e lartësuar që ajo mund të jetë – si lëvizje historike – ajo mbetet megjithatë tokësore; nuk është hyjnore pra.  Trajtimi për toke pra i saj, është domosdoshmëri.

E dyta, pas përfundimit të luftës, në emër të saj dhe kontributit të saj, në Kosovë ka ndodhur kapja dhe hiper-pasurimi i akterëve më të të rëndësishëm të luftës. Kosova, për ta, është shndërruar në një plaçkë lufte. Megjithatë, është e domosdoshme që pasurimin individual të disave në emër të luftës – qofshin ata dhe figura kryesore të luftës – nuk guxojmë ta asociojmë me vet luftën e përpjekjen për liri. Pra përpjekja për liri nuk guxon as të trajtohet me indiferencë, hiç se hiç me inat e urrejtje, veç sepse disa nga akterët e saj kanë filluar të ndjekin karrierë gangsteri. Në vija të bashkimit të trjatimit të të dyve, shoh shumë debat këndej. Lufta dhe përpjekja jonë shoqërore nuk është pronë e disa individëve.

E treta, madhështia e lirisë, dhe sakrificës së çlirimtarit rrjedhimisht, është mu në dhënien e të drejtës secilit për të menduar e shprehur lirë. Prandaj dhe i thonë liri, prandaj dhe luftëtarët e pahile sot mbesin faqebardhë. Dhe në liri, trajtimi, edhe i luftës, është e duhet të jetë i lirë. Të marrim mësim nga trajtimet komike të praktikisht gjithckaje në Perëndim. Në këtë vijë bën pjesë dhe skeçi i “Stupcave”. Reagimet e gulçuesve janë veçse shenja të mungesës së mendimit liberal këndej; e që në vete përbën një shqetësim natyrisht aq të madh.

E katërta, lirinë dhe kontributin e luftës nuk e ka fëlliqur humori. Ajo është fëlliqur kaherë nga kapësit, hajnat, cubat, kërcënuesit, gangsterët, tenderashët e rrahagjokësit e tjerë që s'kanë lënë të zezë pa i bë këtij vendi në emër të shenjtërisë e lirisë. Hajgarja ndaj tyre sot është përgjigja më e denjë ndaj tragjedisë së shkaktuar për 16 vjet.