Monday, 25 January 2016

REPUBLIKA E TË PAPREKSHMËVE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 22 JANAR 2016

Kosovarët e ardhshëm kanë për t’u tallur me ne për shumëçka. Kanë për t’u tallur për këto gjërat e vogla që japin pasqyrën përfundimtare të një vendi pa ligj, të padrejtë dhe përfundimisht të pabarabartë.



-1-

Jo rrallëherë e mendoj se sa qesharake e tallëse ka për t’iu dukur Kosova e tanishme gjeneratave të ardhshme. Sa qesharake, për shembull, ka për t’iu dukur fakti se një kryetar komune, i një komune votuese mbi 120%, i dënuar me 12 vite heqje lirie, i mbajtur në burgun e sigurisë më të lartë në vend, vazhdon të ushtrojë detyrën e tij si kryetar komune ende. Dhe nuk ka as komision zgjedhor, as qeveri, as parti e as institucion tjetër ligjor a moral që guxon t’i shpallë zgjedhjet atje.

Përkundrazi. Një rast si ky, bëhet arsye për grevë në dy komuna kosovare; në Skenderaj dhe Vushtrri respektivisht. Në të dyja rastet, administrata lokale zgjedhë injorimin e secilës shkallë institucionale këndej; zgjedh futjen në grevë mospune – të cilën e quajnë solidarizuese – dhe zgjedhë refuzimin e shërbimit ndaj, askujt tjetër, përveç qytetarëve të vet. Në kthim, kërkojnë institucionalizëm – natyrisht institucionalizëm në versionin e vet.

Hiq më pak tallëse s’ka për t’iu dukur as ideja se zgjedhjet lokale nuk janë mbajtur as në Prizren. Ky i Prizrenit madje, kishte nisur fushatën, fituar atë, e mesiguri ka për të mbajtur mandatin deri në fund – për gjithë kohën sa ishte i dënuar me burg.

E në renditjen e aktivizimit të të dënuarve, duhet të gjejë gjithsesi vend dhe pjesëmarrja e ish kryetarit të Kaçanikut, në një ngjarje zyrtare të Republikës së Kosovës në Suedi. Një i dënuar, në arrati, merr pjesë aktivisht në ngjarjet e taksapaguesve që e kanë dënuar atë.

-2-

Kosovarët e ardhshëm kanë për t’u tallur me ne për shumëçka. Kanë për t’u tallur për këto gjërat e vogla që japin pasqyrën përfundimtare të një vendi pa ligj, të padrejtë dhe përfundimisht të pabarabartë.

Ana e tmerrshme e lajmeve si këto është imunizimi i shoqërisë sonë në trajtimin e tyre. Pra, për kosovarët e sotshëm është bërë krejtësisht e zakonshme që një i dënuar të ushtrojë post publik; të paguhet madje majmë e mirë nga taksat e tyre. Kështu ishte dhe rasti me ish ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, që përderisa mbahej në paraburgim për 11 muaj, merrte rrogën e diplomatitit pandërprerë e për aq kohë.

Për kosovarët e sotshëm është bërë tërësisht e zakonshme që një sistem gjyqësor në vend, të dënojë me pagën mujore të babait të tyre, dy djemtë e një deputeti që kishin rrahur një polic; për më tepër me vete mbanin një “Kallashnikov AK-47”. Rasti bëhet edhe më i rëndë kur e kujton se një vit më parë, kur dhe kishte ndodhur rasti, polici i sulmuar ishte degraduar në detyrë për gjoja një shkelje krejtësisht irrelevante gjatë punës së bërë.

Pra pjesë e trajtimeve nuk bëhet vetëm gjyqësia, por bëhen dhe mekanizmat tjerë publik; siç është në këtë rast mekanizmi korrektues i policisë. Në raste të tjera pjesë bëhen dhe mjekët, që shkruajnë raporte false sa për të fortit sa për të zgjatur ndejën në pafundësi tek dhomat VIP të spitaleve; apo bëhen dhe gardianët e burgjeve që ndërrojnë uniformat me të burgosurit – që këta të fundit të hanë një drekë të mirë në një ditë të diellshme në Prishtinë të veshur si polic.

-3-

Pra, në Republikën e të paprekshmëve, ka dy lloj trajtime. Në të parin, bëjnë pjesë ata të zakonshmit – kryesisht qytetarët shumicë që nuk kanë as lidhje e as ndërlidhje me përcaktuesit pushteteve këndej; për ta natyrisht se vlen barazia ndaj ligjit. Dhe në të dytin janë të paprekshmit, pushtetarët, familjarët e tyre dhe rrahagjoksit e tjerë, të cilët janë të barabartë mbi ligjin.

Një trajtim i dyfishtë bëhet për dy arsye. E para, se ka një frikë – në palcë madje – të mbjellur tek trajtuesit e rasteve të tilla; nga prokurorët, tek avokatet e gjykatësit në përfundim. E dyta, dhe më e tmerrshme, se ka një kontroll të mirëthemeluar në sistemin publik këndej; dhe jo vetëm aty.

E është mu kontrolli i sistemit publik që duhet të bëjë brengën më të madhe për kosovarët sot. Sepse frika trajtuese mund dhe të shërohet një ditë. Mund një ditë që këndej të vjen një rend i ri politik që garanton sigurinë e trajtuesve të rasteve. Dhe kështu, as prokurorët, as gjyqtarët, as gardianët e burgut, e as mjekët e QKUK-së, do të ndihen të lirë për të dhënë mendimin drejtë. Kontrolli, në anën tjetër, është vështirë i zhbëshëm. Mbi të gjitha, kontrolli i sistemit gjyqësor nuk jep vetëm pasivitet të tij; për çfarë ne dhe ankohemi më së shumti sot. Ai mund të jep destruktivitet; pra të përdoret për persekutim të të pafajshmëve.

Paramendoni për një moment një inat biznesi, një ballafaqim politik apo në fund të ditës një kujtim krejtësisht provincial; dhe futjen e gjithë mekanizmit gjyqësor, korrektues, policor e inspektues kundër tyre. Paramendoni pafuqinë e të një të pafajshmi përballë të fortëve që kanë një sistem drejtësie në dorë. Rastet e tilla janë të zakonshme. Janë të shpeshta madje. Biznese të shumta që ankohen për padrejtësitë e firmave fituese të lidhura me rrahagjoksë, që nesër bëhen pjesë e trajtimeve javorëshe, të mundimshme të inspektorëve tatimorë, inspektorëve sanitarë, doganierëve e ku me ditë kujt tjetër. Bëhen pjesë e targetimit të gjithë sistemit publik deri sa t’i lodhin, frikësojnë e largojnë përfundimisht nga pretendimet e drejta për pabarazi. Është Republika e të paprekshmëve kjo.




No comments: