Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 JANAR 2016
Kush do ta
kishte menduar se në një ditë mesatare kosovare tetë vjet pas pavarësisë – me ose
pa të drejtë pak ka rëndësi – njëra palë do shihte tjetrën si regjim të
Millosheviqit, e tjetra palë të parën si forca të ISIS-it. Kaq thellë ka
arritur çarja kosovare këtë herë, kaq shumë ka përplasje publike në mes tyre.
-1-
Po
bëhen tashmë dy vite që kur Kosova ndodhet në emergjencë institucionale. Dy
vite të humbura nga përballjet politike-partiake në mes të aleancave e
koalicioneve jonatyrale në pozitë e opozitë pa dallim. Dhe dy vite më pas, që
nga shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, tek bllokada gjashtë mujore, nga
protestat e vitit të shkuar deri tek gazlotsjellësi në Parlament, Kosova nuk është
më mirë.
Kosova,
ç’është e vërteta nuk është as më ndryshe politikisht. Balancat partiake, sipas
të gjitha gjasave, do të mbesin në stade të njëjta kurdo që zgjedhjet e reja do
të mbahen këndej. Së paku, pjesa më e madhe e matjeve publike mbajnë renditjen
e njëjtë të partive në fjalë. Njëjtësia e këtyre balancave ka për tu siguruar
përherë e sa herë ka një polarizim të skajshëm të palëve e të shoqërisë. Sepse
në polarizim militantët forcojnë lidhjet me partitë e tyre tradicionale;
votuesit e tjerë ndërsa – rëndom përcaktues të fituesit – mbesin indiferentë; të
zhgënjyer nga të gjithë. Shoqëria jonë, si asnjëherë më parë, është e
polarizuar dhe zhgënjyer me të gjithë.
Ndryshimet
e vogla, në rritje apo rënie të secilës palë ndarazi, do të mbesin të parëndësishme
për të ndryshuar rrënjësisht përbërjen politike në vend. Çfarë mund të ndryshojë
pas zgjedhjeve të ardhshme është vetëm lojaliteti i partive politike (të
gjithave pa dallim) ndaj aleancave aktuale që mbajnë. Partitë mund të ndërrojnë
– siç kanë ndryshuar më parë – tabore lehtë. Ç’është e vërteta, siç na ka
mësuar e shkuara, të njëjtit që sot japin fjalë të mëdha për tjetrin do të
thumbohen keq nesër; dhe të njëjtit që thumbohen keq sot, do të bëhen të afërm
nesër. Kështu ka qenë gjithherë. Akuzuesit e vrasjeve të djeshme, sot janë mbështetësit
më të zëshëm të njëri-tjetrit. Gisht treguesit e korrupsioneve multimilionëshe
dje, sot janë bashkëfolës morali republikan këndej. Miqtë e pandarë dje, sot
janë bërë armiq; dhe do të bëhen sërish miq natyrisht. Politika kosovare ka dëshmuar
kaherë e shpeshherë se nuk ka kurriz.
-2-
Por
ardhja e zgjedhjeve të reja mund të vonojë. Deri atëherë, humbjeve të
deritanishme mund t’i shtohen humbje të tjera që pak vite më parë kanë qenë
larg prej mendve. Kush do ta kishte menduar se në një ditë mesatare kosovare
tetë vjet pas pavarësisë – me ose pa të drejtë pak ka rëndësi – njëra palë do
shihte tjetrën si regjim të Millosheviqit, e tjetra palë të parën si forca të
ISIS-it. Kaq thellë ka arritur çarja kosovare këtë herë, kaq shumë ka përplasje
publike në mes tyre.
Cilësimet e tilla pra, më shumë se gjithçka tjetër, tregojnë për përmasën e përplasjeve partiake këndej. Ajo, në pak kohë, ka kaluar limitet e trajtimit të politik. Është shndërruar në urrejtje. Dhe përderisa militantët e secilës palë provojnë fajësinë e tjetrit, Kosova ecën bindshëm drejt të panjohurës.
Cilësimet e tilla pra, më shumë se gjithçka tjetër, tregojnë për përmasën e përplasjeve partiake këndej. Ajo, në pak kohë, ka kaluar limitet e trajtimit të politik. Është shndërruar në urrejtje. Dhe përderisa militantët e secilës palë provojnë fajësinë e tjetrit, Kosova ecën bindshëm drejt të panjohurës.
Për kohën e dhënë, gjetja e fajtorit mbetet e parëndësishme. Le të themi se, po dhe në qofshin fajtorë të ardhjes në këtë gjendje disa, të njëjtit gëzojnë mbështetje nga përkrahësit e vet, barabartë sa kundërshtuesit e tyre kanë sot. Fajësia pra nuk përcakton fituesin e as mbështetjen këndej. Pse mos ishte më ndryshe në zgjedhjet e kaluara kur fitues i tyre, bindshëm madje, doli të ishte fajtori kryesor për gjithë lëmshin e krijuar nga pas-pavarësia?
Në
një rast të tillë, kur mbështetja është blanko dhe mbi të gjitha e madhe (për
të mbushur sheshe nga secili pra), vazhdimi i tensionimit e përplasjes mbetet i
rrezikshëm. Sepse, me një mbështetje të dhënë, cilado qoftë e sado qoftë ajo,
asnjëra palë nuk ka për t’u zmbrapsur më. Zmbrapsja do të shihet si dobësim, si
humbje pra. Prandaj dhe sot nuk lëvizë asnjëra palë. Duket sikur frikohen nga
ndryshim-qëndrimi eventual. Në një rast hipotetik të vazhdimit të përplasjes
për muaj të tërë, njëra palë ka për t’i nxjerrë vazhdueshëm të vetët në rrugë,
tjetra do ti përdorë mekanizmat e pushtetit për t’i larguar ata – po u
shtjerrshin e u dobësofshin këto mekanizma, në fund ka për t’i nxjerrë të vetët
në rrugë njëjtë. Në një lojë pokeri, të dy palët do të shkojnë all-in.
Kujtoni
për pak mitingjet pozitë e opozitë në Shqipëri. Një ditë mblidhte në rrugë
njëra palë, të tjetrën i mblidhte tjetra. Mitingjet e përkrahjes për palët nuk
ishin shndërruar vetëm në barometër numrash të pjesëmarrësve, pro dhe në forcë
kërcënuese për tjetrin. Për fatin e mirë të tyre atje, përballjet e tilla e në
mes veti nuk shpërthyen e nuk do të shpërthejnë asnjëherë. Kosova mund të mos
ketë një fat të tillë.
-3-
Pra
e ardhmja e afërt e Kosovës nuk duket e qetë. Përplasjet nuk kanë për të përfunduar
natyrshëm pa një intervenim nga jashtë. Se për intervenim të brendshëm, ka kohë
që kam humbur shpresë. Disa, madje, koka të presupozuara si të mençura, nxisin
për më shumë përballje të dhunshme në secilin prononcim të tyre. Në vend të qetësimit
të situatës, ndërhyrjes e gjetjes së zgjidhjes, ata thërrasin për më shumë dhunë.
Intervenimi
i jashtëm, sikurse në rastin e Maqedonisë, mund të sigurojë një tranzicion të
lehtë për në zgjedhje të reja. Zgjedhjet e reja, siç dhe shkrova më lartë, nuk
pres të ndryshojnë diçka në përbërjen politike këndej; pres megjithatë të
ndryshojnë fortësinë e argumenteve të palëve që kanë vënë në tryezë.
Natyrisht
se peng i zgjidhjes së re të vendit – edhe nwpwrmjet zgjedhjeve – mbetet
ambicia e një njeriu për t’u bërë President. Më shumë për imunitet ndaj përndjekjeve
speciale se sa për për pushtet, kjo ambicie individuale ka zhvendosur gjithë
vendin në ecje për fije peri. Të mbesim të sigurt, se pa një synim të tillë, përplasja
e tanishme do të kishte përfunduar kaherë.
Gjithsesi,
gjëja e fundit që këtij vendi i duhet është transformimi i një përplasje
partiake në një përplasje në shesh. Gjëja e parë që këtij vendi i duhet,
gjithsesi, është një konsensus nacional i partive në vend. I të gjithave pa dallim
e pa përcaktim fajtori. Ta themi pra, që përcaktuesin e të drejtës e të gabuarës
do ta bëjë qytetari i Kosovës në ditën e
votimit – kurdo që të ndodhë ajo. Dhe sa më shumë që një ndërhyrje e
jashtme vonohet, aq më shumë rrezikohet koncensusi nacional këndej.
No comments:
Post a Comment