Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 JANAR 2016
Stupcat” pra, në atë përrallën e mbretit lakuriq, bënin fëmijën
e vogël që thotë me zë – këta madje e bënë dhe bukur – atë që secili tjetër e
dinte dhe shihte qartë e kaherë.
-1-
Shoqëria kosovare po çlirohet.
Po çlirohet nga frika e trajtimit e përballjes me rrahagjoksit; dje çlirimtarë,
sot kapës – natyrisht konsideratë për të gjitha përjashtimet. Dhe ky çlirim nuk
u vu në pah nga një proces gjyqësor, as nga ndonjë kritikë shkrimi, por nga një
skeç humori – nga vet satira. “Stupcat”, një grup i mirënjohur satirik kosovar,
kishin prodhuar në natën festive të vitit të ri një pamje sa komike aq edhe
tragjike të rrjedhave post-çliruese në vend. Komike për mënyrën e portretizimit
të ngjarjeve këndej, tragjike për vërtetësinë e tyre. Në një skenë lufte të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dy ushtarë bënin betejën, dy të tjerët ndërsa bënin
planet e uzurpimeve pas përfundimit të luftës. “Stupcat” pra, në atë përrallën
e mbretit lakuriq, bënin fëmijën e vogël që thotë me zë – këta madje e bënë dhe
bukur – atë që secili tjetër e dinte dhe shihte qartë e kaherë.
Shpërfaqja e anës më të errët të
shoqërisë sonë në këto 16 vite liri, pra kapjen nga çliruesit, nxiti një valë
debatesh këndej. Në njërin krah u shfaqën gulçuesit e zakonshëm tashmë, të cilët,
siç dhe ndodhë zakonisht kur preket në thelb ana e zezë e tyre – e që
praktikisht është e gjithë veprimtaria e tyre post-çliruese – i cilësuan
portretizimet si tradhti, blasfemi, serbonostaslgji, e çka jo tjetër. Disa
madje, dhe këtu fillon trishtimi i trajtimit të lirisë nga ta, filluan linçimin
publik ndaj autorëve. Pra liria, sipas tyre, është liri përderisa nuk prekë
percepcionin e tyre mbi të drejtën e shprehjes. Për ta, i lirë mund të jesh për
aq sa ata të japin të drejtën e shprehjes dhe lirisë. Për ta, dhe rrjedhimisht
secilin tjetër, trajtimi i tyre nuk guxon të bëhet asnjëherë sepse ata janë të
shenjtë.
Të tjerët gulçues shkumues,
analizuan satirën e shfaqur në krahasimin e vërtetësisë së saj; duke aluduar se
gjatë luftës nuk është menduar për zaptime. Të tillët pra ngatërronin një
simbolikë satire me një “reality shoë” apo film dokumentar ku faktet
portretizohen në përpikëri. Skeçi natyrisht ishte simbolikë; e menduar
jashtëzakonisht mirë madje, me shije plot, e që përfundimisht nxjerrtë në pah
të vërtetën e vetme – se mbreti ishte lakuriq.
Komandantët dhe plot çlirimtare
të tjerë – sërish konsideratë shumë për përjashtimet – kishin shfrytëzuar
luftën dhe kontributin e tyre për të kapur e përvetësuar për veten, familjen
dhe rrethin e tyre, pasuri enorme në Kosovë. Me përvetësimin e pothuajse
gjithckaje për veti, të njëjtit kishin kapur dhe humbur edhe ardhmërinë e një shteti që tetë vite më parë kishte
lindur me plot shpresë.
Ky dhe ishte argumenti i anës
tjetër të debatuesve. Dhe për rëndësinë më të madhe të përplasjes, këta përbënin
shumicën; së paku kështu të jepej përshtypja nga aktiviteti diskutues social.
Trajtimi qytetar i skeçit në fjalë, sikur shpërfaqte një shpërthim të
grumbulluar kaherë. “Stupcat”, me skeçin e tyre, kishin folur për të gjithë.
-2-
Shoqëria kosovare bën mirë që
ngre debat mbi një temë tashmë të diskutuar nëpër vite. Bën mirë që guxon të
trajtojë historinë e saj të para gjashtëmbëdhjetë viteve. Bën mirë pra që të
flasë për të vërtetën, sepse e vërteta çliron. E çlirimi nga çlirimtarët e
transformuar në kapës është domosdoshmëri e prosperitetit tonë.
Kosovarët pra duhen të çlirohen
nga mitet fallce. Nga vet ideja e çlirimit madje. Shihni për pak ditën e
çlirimit të Prishtinës Vetëm gjashtëmbëdhjetë vite pas saj, ne ende vazhdojmë të
sillemi në një refuzim kolektiv; e festojmë ditën e çlirimit një ditë para hyrjes
së trupave të NATO-s në Kosovë. C’është e vërteta, as Prishtina e as Kosova –
dhe për këtë janë mbi 1.7 milionë kosovarë dëshmitarë – nuk është çliruar nga të
vetët. As nga lëvizjet pacifiste e as nga lëvizjet militare. Kosova, dhe
qytetarët e saj, janë çliruar nga një intervenim – më i madhi në Evropë që pas përfundimit të
Luftës së Dytë Botërore – të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë; të vet
NATO-s pra. Shtatëdhjetë e kusur net bombardimesh, të njëzet e kusur shtetesh
me të fuqishme ushtarake, kishin detyruar regjimin e Millosheviqit të nënshkruaj
kapitullimin dhe tërheqjen e forcave ushtarake nga Kosova. Pse një njësit
militar i kosovarëve ishte futur një natë më parë në një fshat diku në rrethinë
të Prishtinës, nuk e bën çlirimin nga ne. Kjo farsë kolektive e jona, e ditur
nga të gjithë, është ushqyer megjithatë e vërtetë.
Me të njëjtin recetë është
ushqyer edhe eksluziviteti i kontributit shoqëror këndej. Thuajse nuk ka pasur
asnjë përpjekje tjetër para luftës e çlirimit. Kjo e pavërtetë e shitur nga vet
çlirimtarët e transformuar në kapës, është bërë me të vetmin qëllim të lartësimit
sa më të madh të vet tyre. C’është e vërteta, sado që lufta çlirimtare mbetet përpjekja
më e rëndësihsme, shumëherë më e rëndësishme se secila përpjekje tjetër pra,
ajo megjithatë nuk është e vetme. Paralel me të, e para saj, kishte një
makineri të tërë kontribuuesish. Ishin mësuesit e arsimit publik që me nga njëzet
marka gjermane në muaj – aq sa të siguronin mbijetesën në varfëri të skajshme për
familjet e tyre – mbanin sistemin arsimor këndej për vjet. Ishin qytetarët që
kishin lëshuar shtëpitë e tyre për mbajtje mësimi. Apo ishin mjekët e
organizatave humanitare që kishin krijuar një sistem paralel të kujdesit shëndetësor.
Apo ishin mërgimtarët tanë që me mundin më të madh të mundshëm mbanin me vjet
një shoqëri të tërë. Pra çlirimi, si akt përfundimtar, do të kishte qenë i
pamundur pa një mbështetje të përvjetshme, të mundimshme – por me plot ideal –
të kontribuuesve të tjerë.
Si e vërtetë është ushqyer edhe
paprekshëmira e çlirimtarëve. Pra me idenë se ne ju çliruam dhe asgjë tjetër
para nesh nuk ka vlerë, të njëjtit kishin blerë një paprekshmëri e tyre. Thuajse
kontributi i tyre, individual apo familjar, u jep të drejtë secilit të bëj cfarë
të dojë, sa herë të dojë, kur të dojë me fatin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Thuajse jeta e kontributi i secilit është lojë bilancesh – bën një të mirë
madhore një herë, je i titulluar për plot të zeza minore përherë.
Natyrisht, në këtë paprekshmëri
kishte elemente të mjaftuesdhme të kërcënimit, shatnazhit e cka jo tjetër. Vrasjet
e kundërshtarëv politik menjëherë pas luftës, rrahjet e haracvëniet e biznesmenëve
kosovarë, uzurpimet e pompave të benzinës, hoteleve nëpër qendra e lokaleve më
të shtrenjta gjithandej - disa madje edhe sot mbesin të uzurpuara - ekzistimi i
shërbimit kriminal partiak ( i vërtetuar tashmë nëpërmjet disa proceseve gjyqësore
të rastit “Bllaca”) i kishin shpërfaqur rrahagjoksit si të “armatosur e
rrezikshëm”, gangsterë modernë.
Për motive si këto, ne nuk kemi
trajtuar asnjëherë asnjë pasurim të asnjë luftëtari – komandant e kontribuues individual
padallim. Në vendin më të korruptuar në Evropë, me pasurimet më të
pashpjegueshme në Evropë, ne nuk kemi guxuar të gjykojmë as edhe një rast të
vetëm – as edhe një – të komandantëve supermilionerë.
Shihni për pak trendin dhe përmasën
e pasurimit të të tillëve për 16 vjet. Sot, elitat financiare në vend nuk janë
biznesmenë a ndërmarrës, nuk janë as inovatorë , janë ish-luftëtarë, po thuajse
të gjithë komandantët. Privatizues të pothuajse pjesës më të madhe të pasurive
shoqërore, kapës të të gjitha pozitave publike, determinues të përfitimeve të
tenderëve, njerëz me ndikim në punësim, kontratëdhënie e çka jo tjetër. Dhe për
tragjedinë më të madhe të kësaj shoqërie, sot ata na shpërfaqen si alternativë
të njëri tjetrit. Disa në pozitë, të tjerët në opozitë. Pa fije marre e me gojën
plot, të njëjtit kapës e superpasurues na dalin si zgjidhës të problemeve
korruptuese e zaptuese në vend.
-3-
Për ta vënë rekordin drejt. E
para, lufta dhe përpjekja për liri e kosovarëve, është produkti më i lartë që
kjo shoqëri e ky popull ka krijuar ndonjëherë. Si përpjekje e luftë pra, ajo
mbetet e lartësuar. Sado e lartësuar që ajo mund të jetë – si lëvizje historike
– ajo mbetet megjithatë tokësore; nuk është hyjnore pra. Trajtimi për toke pra i saj, është domosdoshmëri.
E dyta, pas përfundimit të luftës,
në emër të saj dhe kontributit të saj, në Kosovë ka ndodhur kapja dhe
hiper-pasurimi i akterëve më të të rëndësishëm të luftës. Kosova, për ta, është
shndërruar në një plaçkë lufte. Megjithatë, është e domosdoshme që pasurimin
individual të disave në emër të luftës – qofshin ata dhe figura kryesore të
luftës – nuk guxojmë ta asociojmë me vet luftën e përpjekjen për liri. Pra
përpjekja për liri nuk guxon as të trajtohet me indiferencë, hiç se hiç me inat
e urrejtje, veç sepse disa nga akterët e saj kanë filluar të ndjekin karrierë
gangsteri. Në vija të bashkimit të trjatimit të të dyve, shoh shumë debat
këndej. Lufta dhe përpjekja jonë shoqërore nuk është pronë e disa individëve.
E treta, madhështia e lirisë,
dhe sakrificës së çlirimtarit rrjedhimisht, është mu në dhënien e të drejtës
secilit për të menduar e shprehur lirë. Prandaj dhe i thonë liri, prandaj dhe
luftëtarët e pahile sot mbesin faqebardhë. Dhe në liri, trajtimi, edhe i
luftës, është e duhet të jetë i lirë. Të marrim mësim nga trajtimet komike të
praktikisht gjithckaje në Perëndim. Në këtë vijë bën pjesë dhe skeçi i “Stupcave”.
Reagimet e gulçuesve janë veçse shenja të mungesës së mendimit liberal këndej;
e që në vete përbën një shqetësim natyrisht aq të madh.
E katërta, lirinë dhe
kontributin e luftës nuk e ka fëlliqur humori. Ajo është fëlliqur kaherë nga
kapësit, hajnat, cubat, kërcënuesit, gangsterët, tenderashët e rrahagjokësit e
tjerë që s'kanë lënë të zezë pa i bë këtij vendi në emër të shenjtërisë e
lirisë. Hajgarja ndaj tyre sot është përgjigja më e denjë ndaj tragjedisë së
shkaktuar për 16 vjet.
No comments:
Post a Comment