Letra nga limbo
KOHA DITORE, 9 TETOR 2015
Ky sistem uzurpuesish nuk duron
ndryshimin. Sepse ndryshimi, ç’është e vërteta, nënkupton krijimin e vlerës. E
në vlerë, këta uzurpatorë, nuk kanë më vend. Sepse ata aty nuk janë për vlerë.
Janë për shkak të fuqive uzurpuese që sistemi i gjashtëmbëdhjetë viteve të
fundit ka pasur për parim. Prandaj dhe kërkojnë ta mbajnë e mbrojnë këtë sistem.
-1-
Do të jetë mesiguri ndër rastet më të
rralla – për mos të thënë të vetmet – ku një fushë e bërë lëmsh provohet të
ringritet sot në Kosovë; e kam fjalën për Universitetin e Prishtinës pra. Dhe
ky rast, njëkohësisht, përbën modelin më të zakonshëm të përballjes mes së mirës
kosovare dhe gjithçkaje tjetër uzurpuese e rrënuese në Kosovë. Është një maketë
në miniaturë e gjithë përpjekjes në shoqërinë tonë; një test laboratori siç do
ta thonin shkencëtaret.
E në rast se e mira, në këtë model,
triumfon ndaj uzurpatorëve, atëherë triumfi i Kosovës ndaj të shkuarës së saj së
hidhur bëhet i mundur. Eksperimenti do të rezultonte me sukses. Ky triumf
natyrisht se nuk ka për të qenë i lehtë; në të vërtetë, gjasat e triumfit ndaj
kapësve e gjithë sistemit defektoz të tyre që ka prekur e kontaminuar secilën
pjesë tjetër, janë minimale. Prandaj dhe sot njeriu gjenë pak përballje si kjo.
Sepse, alternativa e përballjes së tillë është flirtimi me uzurpatorët –
rrjedhimisht shpërblimi për flirtim. Këtë rrugë të dytë kanë zgjedhur të ditur
e të paditur tash e gjashtëmbëdhjetë vjet rresht.
Por këtë rrugë nuk kishte zgjedhur
Ramadan Zejnullahu ditën që ishte vënë si Rektor. Këtë rrugë nuk kishin
zgjedhur as anëtarët shumicë të Këshillit Drejtues ditën që bënë Zejnullahun
Rektor. Kjo pakicë kishte zgjedhur konfrontimin me uzurpatorët shumicë. Dhe kjo
zgjedhje nuk kishte për të qenë e lehtë. Dhe në vijim, asnjërit nga anëtarët e
Këshillit Drejtues përkrahës të Rektorit në fjalë, nuk u ishte vazhduar
mandati. Mandati u ishte vazhduar vetëm kundërshtuesve të tij. Të njëjtin fat
largues e linçues do ta kishin edhe ata pak akademikë universitarë që kishin
zgjedhur përballjen në fjalë.
-2-
Trajtimi e largimi i tillë është
rezultat tipik i modelit uzurpues në fjalë. Uzurpatorët e arsimit, sikurse në
secilin sistem tjetër, kërkojnë nënshtrim; kërkojnë mosndryshim, pra kërkojnë
statu-quo. Sepse ky mosndryshim u jep atyre qëndrim të qetë, përfitime mjaft e
fuqi plot – punë e madhe, për ta, që nuk ecë asgjë në edukim. Punë e madhe, për
ta, që prodhojmë të papunë me nga një copë letre në dorë. Punë e madhe, pra, që
gjenerata të tëra mbesin analfabetë modernë.
Ky sistem uzurpuesish nuk duron
ndryshimin. Sepse ndryshimi, ç’është e vërteta, nënkupton krijimin e vlerës. E në
vlerë, këta uzurpatorë, nuk kanë më vend. Sepse ata aty nuk janë për vlerë. Janë
për shkak të fuqive uzurpuese që sistemi i gjashtëmbëdhjetë viteve të fundit ka
pasur për parim. Prandaj dhe kërkojnë ta mbajnë e mbrojnë këtë sistem.
Dhe rrjedhimisht, për secilën rezistencë
me kompetencë, ata kanë një antidot idiot. Kanë studentë, politikanë e akademikë
– në u thoshin ashtu – që, sërish për shkak të shpërblimit për flirtim,
zgjedhin bërjen e argatit për dreqin e të birin.
-3-
Më të veçuarit janë studentët dhëmb-kërcëllues
që kërkojnë ulje të kritereve. Këta margaritarë të absurditetit është mirë t’i
lësh të flasin vet. Tregojnë mjerimin e qëndrimeve që shtrojnë. E mendoni dot?
Kërkojnë kritere më të ulëta, mundësi kalimi e kapërcimi më shumë, vlerë
testuese më pak – e në fund, kinse për kritere – kushte mësimi më shumë. Dhe
gjithë këtë kërkesë e paketojnë – e këtu përfundon mjeshtëria e tyre – me
parime Evropiane. Për çfarë Evrope flasin këta?
Evropa nuk ka afate provimesh çdo muaj
vetëm pse je absolvent. Evropa nuk ka lotari testimi e gjetje përgjigjes vetëm
pse i je nënshtruar të njëjtit provim 20 e kusur herë. Në 20 e kusur herë edhe
gjasat e probabilitetit të futkotizimit të favorizojnë kalimin. Evropa matë
testin me një e dy herë; po je për dije ecë tutje, nuk je për të, nuk përfundon
me domosdo në diplomë. Diploma nuk është letër e garantuar vetëm pse ndjekë
ligjërata tre vjet. Diploma është certifikim i dijes. Po nuk e pate dijen, nuk
e merr. Po e more pa dije, s’të bën punë hiç. Në fund sërish mbetesh i pa punë
sepse ka një autoritet tjetër që megjithatë kërkon dije – i thonë shef e i thonë
punë.
Mbi të gjitha, nuk ka asnjë universitet
në botë, nuk ka pasur asnjë shoqëri ndonjëherë, dhe s’do të ketë asnjë njeri me
minimalisht dy-tri mend, që ka kërkuar ulje të kritereve në arsyetimin e plotësimit
të cilësisë. Ka të mjerë e individë të
paditur sa të duash e gjithandej, ka dallavergjinjë e përfitues defektesh – por
ama ata këtë punë e bëjnë fshehtë. Nuk shfaqin gjithë marrinë publikisht.
-4-
Studentët protestues të kritereve më
pak janë vetëm mjet. Drejtues janë uzurpatorët akademikë – në u thoshin ashtu –
që kanë kapur njësitë akademike gjithandej. Këta individë, të mbështetur nga
politika, kërkojnë kthimin në gjendjen e mëparshme, ku plagjiatura, vjedhja e mashtrimi
ishin vlera. Sepse në vlera e valuta si këto, në plagjiat, vjedhje e mashtrim, uzurpatorët
mund të shesin mend.
Ç’është e vërteta, pjesa më e madhe e
drejtuesve të tillë – sikur të kishte pak shtet këndej – do të duhej të ishin nëpër
banka gjyqësore sot, për të dhënë përgjegjësi për lëmshet ekonomike të bëra në
kohën e ushtrimeve të posteve ministrore. Pjesa më e madhe e tyre,
ish-politikanë të përjashtuar nga votuesit por të mbajtur nga sistemi kapës këndej,
janë të ndërlidhur ngushtë me proceset më të dëmshme të bëra ndonjëherë në
vend. Dëmin, që duket se e kanë pjesë integrale të angazhimit të tyre, e kanë përcjellë
për shumë kohë edhe në Universitet.
Këta rrënues e pengues të secilës
reformë, do të provojnë tregimin e muskujve e nxitjen e treguesve të tjerë
muskujsh në vazhdimësi. Këtë praktikë e kanë treguar në vazhdimësi e
sistematikisht në secilën ngritje kundër Rektorit dhe ekipit të tij që nga dita
e parë e ardhës së tij. Kishin nisur me organizata të dala nga lufta, me
veteranë e komandantë të tjerë – me studentë nënshtrues të uzurpatorëve të tillë,
e në fund me akademikë universitarë të transformuar në shërbëtorë pa
integritet. Nga shitësit e listave e deri tek analfabetët e tjerë, të gjithë përbëjnë
një ushtri uzurpatorësh që muiltiplikohet gjithandej; në secilin sistem.
-4-
Në kohë të marrive e
marrëzive kolektive, rastet e individëve që i vihen përballë së keqes janë
veçse mrekulli. Ndodhin rrallë. I tillë është edhe qëndrimi i Rektor
Zejnullahut përballë analfabetëve, kapësve e trushpëlarëve universitarë tash e
sa kohë. I ka lodhë. Dhe mu për këtë, e për të saten herë, ai është vënë nën
sulmin e po të njëjtëve analfabetë që kanë mbetur pa fuqi e janë zënë në
siklet.
Nëse kjo shoqëri ka një fije
respekti për veten sot dhe një fije vullneti për të tjerët nesër, atëherë ajo duhet të
rreshtohet në krah të individëve që i vinë si mrekulli; në krah të Rektorit
këtë herë. Ai s'bën të lihet vetë. Jo se ka rëndësi një çështje dite e tij, por
se ka rëndësi kauza që një individ si ai simbolizon. E nuk ka kauzë më të madhe
për këtë vend se sa bërja e shembullit se e keqja është e mundshme të mundet.
Përballja e Rektorit, me të tillët, është një rast i mirë për këtë.
Sot, intelektualë, akademikë universitarë me integritet, taksapagues e
qytetarë të thjeshtë duhet të rreshtohen kundër uzurpatorëve dhe muskujve të
tyre fizik e politik që provojnë të tregojnë. Ata duhet të mbrojnë
universitetin fillimisht, dhe me këtë Republikën përfundimisht. Ky vend nuk ka
luksin e humbjes së kësaj beteje. Sepse po e humbi, do të humbasë edhe guximin
e motivin për të nisur e përfunduar të tjera. Sot në edukim, nesër në gjyqësor,
polici, ushtri, shëndetësi – e përfundimisht në politikë.
Mbi të gjitha, sot, mijëra studentët e UP-së, duhet të ngrihen kundër pakicës
që i uzurpon. Nëse këta studentë duan që e nesërmja të sjellë një vlerë për
mundin që kalojnë, për kohën e vitet që i kapërcejnë sot, atëherë ata duhet të
refuzojnë e dënojnë uzurpimet e thirrjet për devalvim. Në të kundërtën, nëse të
njëjtin tolerojnë dhe humbasin një mundësi të mirë për reformë, atëherë le t’i
grisin e humbin gjithçka që marrin nga aty – natyrisht, përfshirë dhe vet
diplomën. Nuk ju vlen as për vlerë pune, e as për të arsyetuar emrin student.
No comments:
Post a Comment