Letra
nga limbo
KOHA DITORE, 16 TETOR 2015
Pavarësisht të gjithave, ndonëse argumentet
mund të mbesin të qëndrueshme, promovimi i anarkisë në demokraci mbetet i
papranueshëm. Për këtë zgjedhje argumentuese opozita meriton refuzim. Ky
refuzim nuk nënkupton përkrahje për pushtetin – siç mund ta interpretojnë
fantazitë e trishta të komisarëve – por nënkupton mendim ndryshe që ushqen
mbrojtjen e Republikës; për aq sa mund të mbrohet nga anomalitë politike.
-1-
Gëzimi e shpërthimi kolektiv rreth kualifikimit të parë
të Kombëtares shqiptare për në Evropian, nuk do të zgjaste shumë; por për aq sa
zgjati, megjithatë i rikujtoj qytetarëve këndej faqen tjetër prapa zymtësisë.
Ishte e mahnitshme. E ky vend ka kohë që merr pak ose fare lajme të mira. Ato
të paktat, që vijnë rrallë e për mallë, munden nga të tjera ndodhi të rënda,
secila më e rëndë se tjetra. Kjo vazhdimësi e marrjes konsekutive të ndodhive e
goditjeve të rënda – të vogla e të mëdha pa dallim – duket se ka amortizuar
secilin reaksion tonin; në përmasën sa që ky vend mund të prodhonte secilën
marri publike, e të mos merrte asnjë reagim moral apo fizik. Mbesim të topitur
të gjithë.
Dhe kur reaksioni ndodhi, ai u bë – dhe vazhdon të bëhet
– në formën më të rrezikshme të mundshme – me dhunë. Kjo dhunë, pavarësisht
arsyeve e motiveve, ka vendosur gjithë vendin tonë në një spirale teposhtëze,
ku asgjë s’mbetet më e sigurt. Rrjedhimisht, të gjitha çështjet me interes për
Republikën janë vënë në rend të fundit; parësore mbesin fjalimet e paraqitjet
patetike, hipokrite e gjithsesi paranoike herë të njërës palë e herë të
tjetrës.
E fakti se kjo Republikë sillet në kufij të një
shpërthimi – për motive tërësisht partiake e të pushtetit – tregon mjaft për
derexhenë tonë. Jemi në duar të një grusht politikanësh në pozitë e opozitë;
kemi mbetur veçse spektatorë. Madje dhe na flasin në emrin tonë – populli thonë
don kështu. Cili popull? Shumë shpejtë mund të jetë tepër vonë për të
përcaktuar fijen e fillimit, se kush e nisi e kush jo; shumë vonë për të
përcaktuar të fajshmin. Shumë shpejtë mund të merremi me pasojat e humbjes së
gjithë ëndrrës kolektive që kishim si shoqëri për shumë kohë. E do të jetë
tepër vonë.
-2-
Ngjarjet e javëve të fundit tregojnë për dy fotografi të
çoroditura që pengojnë rrjedhën institucionale këndej. Në rend të parë të këtij
pengimi mbetet opozita. Dy partitë më të vogla opozitare tashmë kanë shkrirë
gjithë identitetin partiak – aq sa kishin – tek partia e madhe opozitare, tek
Lëvizja Vetëvendosje pra. Kjo, në anën tjetër, ka bërë disa vite hapa pas, për
tu kthyer tek mjetet dhe metodat e politikëbërjes që e kishin mbajtur atë të
parëndësishme për shumë kohë. Ka hequr dorë nga transformimi e hapja ndaj
aktualitetit politik në vend dhe jashtë, ka hequr dorë nga konsolidimi i
brendshëm me ide të reja, e ka hequr dorë nga argumentimi faktik. Ka zgjedhur,
në vend të kësaj, konfrontimin; fizik, me armë e vezë nuk ka më dallim.
Lëvizja Vetëvendosje, rrjedhimisht, është transformuar në një grup të margjinalizuar, e vetme kundër të gjithëve – dhe e projektuar në përputhje të plotë me dëshirat perverse të disa axhamive revolucionarë e të komisarëve filozofikë (nga Shqipëria) që, thënë të drejtën, kanë për të marrë në qafë gjithë këtë grup individësh që megjithatë – në kohën sa bënin argumente – kishin sens shumë. Në këtë transformim ata kanë gjetur të nevojshme e të domosdoshme edhe konfrontimin me secilin tjetër që nuk pajtohet me ta. Për mendjet e tyre konfrontuese e margjinalizuese, secili kritikues i formave të tyre mbetet i ndërlidhur me pushtetin disi. Në mënyrë të organizuar e sistematikisht, ata futen në paranoja, në ndërtime tregimesh e supozimesh – në skenarë sa të frikshëm aq edhe të mjaftueshëm për ndonjë skeç fiktiv; gjithsesi pa shije. Natyrisht në këtë vijë u vendosën të gjithë. Miq e mbështetës të vjetër, që deri dje bënin betejën publike kundër pushtetit bashkë me ta, u bënë të ligë, tradhtarë dhe natyrisht – në përputhje me skeçin që kishin – me pushtetin. Nuk u mbet më askush i mirë.
Ç’është e vërteta, njerëzit e njëjtë që sot nuk pajtohen
me formën e adresimit të problemeve nga opozita, mbesin njerëzit më aktiv që
kjo shoqëri ka pasur ndonjëherë në ndërtimin e masës kritike – dhe opozitare –
këndej. Janë të vetmit kritikues e kundërshtues me rezon (në formë e argumente)
kundër pushtetit. E nëse asgjë tjetër, ndryshim për ndryshim qëndrimi e
mendimi, kanë bërë pikërisht të njëjtit gulçues revolucionarë që sot na
renditen me të njëjtit që kishin – bashkë me këta kontribuues jopartiak –
betejën publike para disa kohe; rreth buxhetit, autostradës, nepotizmit,
krimit, hajnisë e tenderave. Dymbëdhjetë muaj më pas, të njëjtit kontribuues
mbajnë të njëjtat qëndrime për ta; çfarë nuk mund të thuhet për gulçuesit që i
mbajnë në krah.
-3-
Mospajtueshmëria me të tjerët mendues ndryshe, një imitim
pra i pushtetit e i pushteteve më parë, ka për t’i kushtuar shumë opozitës.
Por, për grupet revolucionare që kanë kapur opozitën këto ditë – e me këtë kanë
tërhequr edhe individë që presupozohen si të ndritur e ditur për sens e logjikë
– kjo ka pak rëndësi. Grupet e tilla vetëmjaftohen me viktimizim e përballje,
sado që zvogëluese në përkrahje mund të jetë ajo. Kështu ata mobilizojnë disa
aktivistë në zyre, e disa të tjerë në rrjete sociale; por asnjëherë masën
qytetare.
Prandaj dhe masa qytetare nuk u doli asnjëherë në krah.
As atëherë kur i ftuan para Parlamentit, as këtë javë para stacionit policorë
në Prishtinë. Ftesa e bërë, që provohet të minimizohet (sepse nuk u përkrah) u
refuzua. Në krah këtyre thirrjeve dolën vetëm disa militantë – dhe atë të tri
partive opozitare.
Grupet militante, natyrisht, janë të mjaftueshme për të
ushqyer dhunë e anarki ndaj secilit institucion publik në vend. Mjaftojnë disa
dhjetëra individë për të trazuar një qytet. Dhe ky aktivizim, në kthim, mund të
nxjerrë në pah një reagim tjetër dhunues nesër nga pushteti. Dhe kur dhuna
parëzohet me dhunë, pasojat me jetë ose jo mbesin në fatin e probabilitetit.
Pavarësisht të gjithave, ndonëse argumentet mund të
mbesin të qëndrueshme, promovimi i anarkisë në demokraci mbetet i papranueshëm.
Për këtë zgjedhje argumentuese opozita meriton refuzim. Ky refuzim nuk
nënkupton përkrahje për pushtetin – siç mund ta interpretojnë fantazitë e
trishta të komisarëve – por nënkupton mendim ndryshe që ushqen mbrojtjen e
Republikës; për aq sa mund të mbrohet nga anomalitë politike.
Sepse ky vend megjithatë duhet të mbajë nivelin e
diskutimit në kornizat e vijave të kuqe. Kjo kornizë nënkupton marrjen e
vendimeve me shumicë. E marrja e vendimeve me shumicë nënkupton pranimin e
vendimeve edhe kur nuk pajtohesh me to. Siç dhe argumenton Keneth Arroë në
“teoremën e pamundësisë” të tij, nuk do të ketë asnjë sistem votues që do të
kënaqë secilën preferencë të secilit individ. Por mund të ketë një sistem që
kënaqë shumicën e preferencave të shumicës. Është detyrë e opozitës që shtrojë
kundër-argumente e bindë qytetarët deri në ciklin tjetër zgjedhor; kur matet me
votë. Nëse argumentimi ka qenë i mirë dhe i mjaftueshëm, merr pozitën dhe bën
ndryshimin.
Nëse pritja për sistem zgjedhor është e vonshme, le të
thirren qytetarët në përkrahje. Jo për të hedhur gurë, djegur vetura e krijuar
anarki, por për të treguar sa individë janë të gatshëm të mbështesin kërkesat e
tilla. Nëse, të njëjtit mbesin të pamjaftueshëm, pra jo të interesuar për
aktivizim, atëherë opozita nuk ka asnjë argument për kundërshtim.
Ndërlidhja e të drejtës së pakicës me luftën çlirimtare
të zhvilluar këndej, është sa patetike aq edhe e trishtë. Kjo paralele që
ndërlidhë institucionet e vetë-zgjedhura të Kosovës me institucionet e
imponuara të regjimit të Millosheviqit thërret drejtpërsëdrejti për konfrontim
lufte civile; për çfarë shumë të etur sot pas pushtetit edhe janë në nevojë. Në
rrethana të ndryshme kohore trajtimi i të drejtës së pakicës mbetet jo i
njëjtë. Një pakicë e okupuar nga një i huaj nuk mund të argumenotjë njëtrajtësisht
të drejtën e saj sikurse një pakicë e një sistemi demokratik e votimit në liri.
Dhe mbi të gjitha, e drejta e vetëdhënë për krijimin e
dëmeve, nën arsyetimin se dëmet e mija janë për motive të mira – apo dhe se
janë më pak të dëmshme se të atij tjetrit – mbetet e drejtë diktatoriale. Në
këtë logjikë, nëse dikush ka bërë tri vrasje, ty të lejohet një – sepse, mbetet
më pak e dëmshme se sa paraprakja; dhe sepse ti mendon se ke të drejtë. Pra,
gjithkujt i lejohet të bëjë gjithçka, përderisa arsyeton këtë bërje me
kundërshtimin e bërjes së parë. Kjo menu alternativash, e dëmeve pra dhe jo e
ndërprerjes së tyre, është pikërisht motivi refuzues qytetar këndej. Sepse kur
djegë një veturë të prokurorisë, pavarësisht arsyeve perverse që ushqen veten
me to, ti i ke bërë një dëm të rëndë publik që pre supozohet si shërbim i
qytetarëve. Vetëm të tillët që konsiderojnë se gjithçka e Kosovës është kundër
Kosovës, mund të arsyetojnë një veprim të tillë – pavarësisht barazisë me dëmet
e mëdha që mund të krijohen ose jo. Të tillë, që bëjnë këtë arsyetim, janë
sërish një grusht sosh.
-4-
Aspak më mirë nuk është sot as pozita. Përtej gjithë
sjelljeve arrogante që kjo pozitë kishte shpërfaqur në vazhdimësi – që nga dita
e parë e punës pra – ajo po tregohet edhe e paaftë që të mbajë institucionet e
vendit të sigurta. Kjo paaftësi buron, natyrshëm dhe siç është pritur, nga
jonatyraliteti i koalicionit qeverisës. Pikërisht për shkak të këtij
jonatyraliteti, pozita vazhdon të ketë qëndrime të kundërta në lidhje me ecjen
e mëtutjeshme dhe daljen nga kriza.
Madje, për pjesën më të madhe të kohës, duket se partneri
i madh qeverisës PDK, ai që ka shumicën e votuesve këndej por nuk ka qeverinë,
është i interesuar që të tolerojë gjendjen e tanishme në vazhdimësi. Nga pozita
e vlerësimeve partiake, të ndodhur në rend të dytë, PDK është shumë komfort me
një ballafaqim në mes të kundërshtarëve partiak. Për aq sa këta kundërshtarë
kanë shpërfaqur qëndrime e vepra muajve të fundit, PDK ka veçse të sigurt
fitoren në zgjedhjet e ardhshme – kurdo që të mbahen ato.
LDK në anën tjetër mbetet e pafuqishme për të diktuar
këto rrjedha. Madje në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit ajo arrit të japë vetëm
lutje e përgjërime drejt Kryetarit të Kuvendit për të bërë një zgjidhje. Kjo
çarje e ideve se si të ecët tutje, pra me një LDK që kërkon veprim e një PDK që
nuk ndërmerr asgjë, përveç se tregon jounitetin e pozitës tregon edhe fuqinë
reale e ekzekutive këndej; dorën në zemër, siç edhe ka qenë e njohur gjithherë.
Dhe në kohë të këtyre paqartësive të pozitës, prodhohen
edhe incidente të rastit që nuk mbajnë sens procedural – siç ishte edhe rasti i
arrestimit/ndalimit të një deputeti pa një urdhër të shkruar. Motivet për një
incident të tillë mund të jenë të çfardoshme, por urdhëresat telefonike e pa
shkrim japin sinqerisht një imazh të frikshëm të shtetësisë këndej – jo pak e
njohur natyrisht për këto gjashtëmbëdhjetë vjet. E nëse duhet të ketë ndonjë
arrestim, për çfardo arsye e ndaj kujdo qoftë, atëherë i njëjti – minimalisht –
duhet t’i respektojë procedurat e rregullta; për të dhënë sado pak shpresë e
sinjale se megjithatë në kohë të përplasjeve politike ka institcuione që
mendojnë drejtë e barabartë për të dyja anët.
-5-
Pavarësisht të gjithave, një mbetet e sigurt. Përderisa
pozita vazhdon të thërrasë seanca, dhe nuk është e gatshme (për motive të
brendshme) t’i siguroja ato, do të ketë bllokim institucional dhe përplasje.
Kjo përplasje mund të kalojë dhe në rrugë; ndonëse, sërish, për bindjet e mija,
në të do të marrin pjesë vetëm militantët e rendit të parë të partive
opozitare. Gjithsesi mjaftueshëm për të bllokuar gjithçka.
Në këtë vijë mbesin tri alternativa. E para, dhe më e
pranueshmja, do të ishte zgjedhja e problemeve të ngritura në dialog. Dialogimi
do të thoshte natyrisht dhe heqje dorë nga qëndrimet e pozitës – pra kompromis
me kërkesat e opozitës e jo bindje e mendimeve të opozitës. Sado i duhur të
jetë si mjet në këto kohë të rënda, nuk shoh as gatishmëri e as pranueshmëri
vendore e ndërkombëtare për një trajtim të tillë. Së
paku jo në këtë kohë. Sepse opozita refuzon uljen pa tërheqje të nënshkrimit, e
pozita refuzon negocimin e nënshkrimit.
E
dyta, më
e rrezikshmja, që pozita të provojë sigurimin e deputetëve në Parlament, dhe me
këtë të nisë një ballafaqim edhe fizik me opozitën. Ky ballafaqim do të kalonte
në rrugë; përfundimi i të cilit natyrisht se mbetet ti padefinuar. Në një rast
ekstrem, në përkrahje të pozitës , si reagim ndaj grupeve të opozitës, mund të
dilnin dhe grupet militante të tyre – e që janë shumicë. Pjesa tjetër e
tregimit do të mbetej e rëndë.
E treta, jo larg mundësive, që populli të flet. Ky zë
mund të jepet në dy forma. E para, nëpërmjet zgjedhjeve, dhe e dyta nëpërmjet
referendumit. Legjitimimi i një vendimi nga shumica, nuk do të ishte fare
jodemokratik, e edhe më pak i pamundshëm. Fatkeqësisht, shkuarja në zgjedhje
apo dalja në referendum, mund t’i shtyjë e vonojë proceset integruese të
Kosovës; por, ç’është e vërteta, edhe me rrjedhat e tanishme politike, një
vonesë e tillë është pothuajse e garantuar.
No comments:
Post a Comment