Letra nga limbo
KOHA DITORE, 30 TETOR 2015
Një relacion i tregtisë së
lirë me BE-në nuk ka alternativë; jo nëse mendojmë se integrimi evropian është cak
përfundimtar. Çështja është se ne kemi një orë kohe që po ecën mbrapshtë, dhe përfundimi
i kësaj kohe nuk guxon të na gjejë siç jemi sot.
-1-
Këndej as nënshkrimi
i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nuk u kalua pa ngjyrosje partiake. Këndej
gjithçka tashmë është bërë parti-politikë; natyrisht përcjellë me një dozë të
padurueshme polarizimi. Së këndejmi, as edhe një marrëveshje politiko-ekonomike
nuk u trajtua në debatet shoqërore politike brenda kornizave të argumenteve e
gjetjeve – pse jo – edhe të ndryshme. U trajtua më tepër si një fotografi
pompoziteti nga nënshkruesit, dhe si një zhvlerësim patetik nga kundërshtarët e
tyre.
Këta të fundit
madje, nga inati më tepër se sa mosdija, argumentuan se marrëveshja na sjellë dëme,
se qenka jo e plotë e se – sepse nuk na njeh dikush – edhe nuk qenkemi shtet. Argumente
të njëjta, ç’është e vërteta dëgjojmë secilën ditë nga fqinjët tanë në veri. Të
njëjtit na thonë se deri sa nuk na njohin ata dhe disa miq të tyre, ne nuk jemi
shtet. Kosova është shtet. Njohjet, që nuk i kontrollojmë dot, nuk e zhbëjnë
këtë fakt.
Për secilin qëndrim
politik në Kosovë që shprehë pretendime të anëtarësimit në BE, nënshkrimi i
MSA-së si proces nuk ka alternativë. Prandaj dhe kundërshtimet e marrëveshjes
mbesin të pakuptimta. Kundërshtimet e humbjeve tregtare, të dëmeve financiare,
të humbjeve buxhetore (që u shtruan ndër të tjerash) si argumente kundërshtuese
të nënshkrimit së marrëveshjes, janë bukur hipokrite. Përderisa në njërën anë
pretendon anëtarësim në BE, e në anën tjetër kundërshton marrëveshjen duke
theksuar humbjet – nuk është se ke ide çfarë bën.
Në argumentin
tjetër, plotnia e shtetësia, sado të rëndësishme në politikën tonë të brendshme,
mbesin sinqerisht me shumë më pak relevancë në procese që nuk arrijmë ti
kontrollojmë dot. Tani më nuk është risi refuzimi i njohjes së Kosovës nga pesë
shtete të BE-së; dhe për habinë tonë të madhe – habi që buronte nga një
mbi-optimizëm i ditëve të para të pas-pavarësisë – ngurtësimi i mosnjohësve është
megjithatë serioz e në rritje. Kosova, me gjithë mekanizmat e veta shoqërore,
politike, kulturore e çka tjetër, ka gjasa të vogla – për të mos thënë fare – të
ndikojë në bindjet e, le të themi, Spanjës rreth njohjes tonë ose jo. Secili
amator politik që ndjekë sipërfaqësisht ngjarjet atje dhe hiç më shumë, kupton
se të gjitha rrjedhat separatiste në Spanjë, që po fuqizohen e jo zhbëhen, kanë
larguar njohjen e Kosovës nga ta edhe më shumë. Dhe përderisa ka vetëm një vend
anëtar i BE-së që nuk njeh vendin tonë si shtet, atëherë – dhe fatkeqësisht –
anëtarësimi ynë në BE e njohja jonë si shtet nga BE – do të jetë e pamundur.
Kjo është fakt.
Fakt gjithashtu është se mosnjohja e Kosovës si shtet nga BE nuk do të thotë se ne duhet të refuzojmë secilin proces – secilën shkallë pra – të anëtarësimit eventual atje. E fakt është gjithashtu se kapërcimi i pengesave si këto, blerja e kohës pra, nuk na ndalon neve, e as përkrahësve tanë, të ndërtojmë një shtet të zhvillimit, drejtësisë e mbarësisë – një shtet evropian pra, që nesër do të bindte edhe një refuzues këmbëngulës si Spanja.
-2-
Përderisa skena
politike u morr me argumentime sipërfaqësore, debatet e njëmendta për MSA-në
megjithatë morën trajtë në diskutimet mediatike. Në përgjithësi, pjesa më e
madhe e argumentuesve, MSA-në e kuptonte si një hap politik – të rëndësishëm madje
– në rrugën e integrimit e formësimit të Kosovës drejt BE-së, dhe – natyrisht –
si një hap ekonomik që po nuk u shfrytëzua mençur mund dhe të jetë i padobishëm.
MSA, për pjesën më
të madhe të saj, mbetet një marrëveshje tregtare; e tregtisë së lirë – siç dhe
kemi me secilin vend tjetër në rajon. Kosova, ç’është e vërteta, ka pasur deri
më tani relacione të tregtisë së lirë – të njëanshme pra – me vendet e BE-së.
Por nuk ka pasur asnjëherë formalizim afatgjatë e të dyanshëm të tregtisë së
lirë. Përderisa produktet e Kosovës kanë mundur të eksportohen lirshëm për në
BE, ato të BE-së janë obliguar tu nënshtrohen tarifave doganore në Kosovë.
Një nënshtrim i
tillë ka pasur dy efekte. I pari, se nëpërmjet doganimeve të produkteve e shërbimeve
nga BE, Kosova ka gjeneruar të hyra buxhetore. I dyti, se duke shtuar një tarifë
shtesë doganore mbi këto produkte evropiane, ato janë bërë më të shtrenjta në
Kosovë. Janë bërë pra më të shtrenjta për aq sa është paguar doganë mbi to.
Fakti se me MSA, Kosova dhe BE do të heqin këto tarifa, nënkupton – natyrshëm –
se Kosova, lidhur me argumentin e parë, do të inkasojë më pak të hyra doganore;
dhe se, lidhur me argumentin e dytë, do të ketë produkte më të lira evropiane për
qytetarët e saj.
Një relacion i
tillë, i ndikimit të drejtpërdrejtë e të tejthjeshtuar, nënkupton se paratë e mbledhura
si doganë për këto produkte e të mira, nuk do të qëndrojnë në buxhet, por në
xhepin e kosovarëve. Në fund të fundit, koston e doganave e paguanin qytetarët
kosovarë. Për të amortizuar një rënie drastike të të hyrave buxhetore, negociatorët
tanë kanë paraparë masa përjashtuese për disa produkte. Për shembull, jo të
gjitha veturat do të lirohen nga doganat. Lirimi doganorë për veturat që vijnë
nga BE (pak a shumë për të gjitha veturat që vijnë në Kosovë) do të bëhet nëpër
faza e vite. Në vitin e parë – për shembull – do të lirohen vetëm veturat e
reja, të sapoprodhuara. Nëpër vitet tjera do të lirohen edhe ato të mbetura –
gradualisht, sipas viteve të prodhimit. Ky programim i jep mundësi Kosovës që të
zëvendësojë të hyrat buxhetore të painkasuara për shkak të këtij ndryshimi me
burime alternative.
Një relacion i
tillë gjithashtu nënkupton se produktet evropiane do tu bëjnë konkurrencë të
gjitha produkteve regjionale, nga ku Kosova sot importon pjesën më të madhe të
produkteve. Në radhë të parë, produktet nga Serbia e Maqedonia, që deri dje
ishin më të lira e më konkurruese se sa ato evropiane (për shkak të marrëveshjeve
të tregtisë së lirë që Kosova kishte me këto dy vende e jo me BE) do të përballen
me konkurrencë më të rëndë. Pas marrëveshjes, edhe produktet nga BE do të jenë
pa shtesa doganore. Në kuptim të cilësisë së produkteve që kosovarët konsumojnë,
kjo bën një lajm të mirë. Sepse ne do të marrim produkte e shërbime evropiane –
që supozohen si më të mira se këto rajonale – për çmime më të lira se sa i
merrnim më parë.
MSA gjithashtu do
të vazhdojë të mbajë të hapur tregun evropian për prodhuesit kosovarë; siç dhe
ka mbajtur deri më tani; dhe në këtë drejtim do të hiqen e zvogëlohen kuotimet
për disa produkte që kanë pasur kufizime në sasi. Për bizneset që tashmë kanë
ndërtuar relacione të mirë eksporti për në BE, një hapje e tillë përbën lajm jashtëzakonisht
të mirë.
-3-
Por MSA nuk vjen
si një dhuratë pa bisht. Bishti i saj nënkupton edhe rritjen e konkurrencës së
prodhuesve vendorë, nga një treg shumë më i fuqishëm e shumë më i mirë. E vërtetë
se konsumatorët kosovarë do të marrin pra produkte më të mira e më të lira nga
një treg evropian, por prodhuesit e tyre, prodhimet vendore pra, do të marrin
para e konsumatorë më pak. Për një ekonomi si kjo e jona që ka dëshmuar në
vazhdimësi se pa një ndryshim pozitiv të bilancit tregtar nuk do të ketë
rimëkëmbje të mjaftueshme, një relacion i tillë nuk mbetet fare i mirë.
Për këtë arsye, është
e domosdoshme që marrëveshja të përcillet me politika adekuate që stimulojnë
prodhimin e krijimin vendor. Lajmi i keq është se me politikat ekonomike të
deritanishme, të asfaltit e pagave publike, një rritje e tillë e prodhimit e krijimit
vendor ka qenë e pamundur. Serish, me vet kornizën e marrëveshjes, disa produkte
kosovare mbesin të mbrojtura, por në masë të madhe, pjesa tjetër e tregut është
e ekspozuar tërësisht. Për më tepër, nëpërmjet fondeve të BE-së, rreth 650
milionë sosh, për disa vite të ardhshme do të provohet rritja e kapaciteteve të
brendshme në mënyrë që prodhimi e krijimi vendor të jetë sa më konkurrent me atë
evropian. Pra MSA provon që me mekanizmat e vet e me financimet përcjellëse të
barazojë sa më shumë të jetë e mundur efektet në periudhën afatshkurtë – për të
shpresuar gjithsesi, se gjatë kësaj kohe, kosovarët do të jenë mjaftueshëm të
mençur që të gjejnë politika afatgjate që krijojnë prodhim e krijim konkurrues.
Sërish, një
relacion i tregtisë së lirë me BE-në nuk ka alternativë; jo nëse mendojmë se
integrimi evropian është cak përfundimtar. Çështja është se ne kemi një orë
kohe që po ecën mbrapshtë, dhe përfundimi i kësaj kohe nuk guxon të na gjejë
siç jemi sot.
-4-
Për mendimin tim,
studimi më domethënës i bërë në Kosovë për relacionet tregtare të Kosovës me
BE-në, ku edhe bie ndikimi i MSA-së është ai i dy miqve dhe kolegëve të mi,
ekonomistëve Petrit Gashi dhe Geoffrey Pugh. Në vitin 2013 e 2014, të dy duke përdorur
të dhënat tregtare të Kosovës me BE-në për tetë vitet e fundit, kishin ndërtuar
një model ekonometrik të “gravitetit” për të parë efektet eventuale të MSA-së. Punimi
empirik i publikuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur ishte
prezantuar në Kosovë muaj më parë – shumë më herët se sa MSA të merrte hapësirat
qendrore të diskutimeve publike këtu.
Në këtë punim,
autorët kishin gjetur të pritshmen. Marrëveshja përveç se do të hapë një treg të
ri për 90% të produkteve kosovare, ajo do të shpërfaqë Kosovën për investitorët
e huaj si një vend me gjasa atraktive më të mëdha. Në fund të fundit, e drejta
për të eksportuar lirshëm dhe pa kosto doganore për në BE për të gjitha
produktet e krijuara këndej, është mundësi e mirë për shumë investitorë. Një
mundësi të tillë e kishim dhe më parë, me masat preferenciale pra, por
gjithsesi, rritja e afatit aplikues e bën këtë mundësi më të garantuar. Në të
njëjtin studim, autorët theksojnë se barrierat kryesore për bizneset kosovare
pas nënshkrimit të MSA-së mbeten ato teknike – më të rëndësishmet, ato të ndërlidhura
me kualitetin e produkteve. Pra, në fjalë të tjera, përputhja në kualitet dhe
standarde evropiane është parakusht për secilin eksport potencial. Jo gjithçka që
do të prodhohet këtu mund të eksportohet për në BE. Mbi të gjitha, autorët
gjejnë se me bazën e tanishme të prodhimit, me një sektor privat të nënzhvilluar,
me aktivitet të ulët ndërmarrësisë – pra me determinantët kryesor të eksporteve
e konkurrueshmërisë në nivele jo të mira – Kosova nuk mund të përfitojë
mjaftueshëm vetëm me aktin e nënshkrimit.
Modeli i tyre i
gravitetit, që ndërlidhë rrjedhat tregtare me madhësinë e ekonomisë (të matur
me Bruto Produktin Vendor) dhe në mënyrë inverse me kostot e tregtisë (për
shembull distancën) kishte gjetur disa elemente të zakonshme e të pritshme në
rrugën e tregtisë së lirë ndërkombëtare.
Së pari, sipas
studimit, historia e marrëdhënieve tregtare ka rëndësi shumë. Trendi dhe modeli
i tanishëm i eksporteve të Kosovës ka gjasa të vazhdojë njëtrajtësisht pas nënshkrimit
të MSA-së. Me fjalë të tjera, tregjet e tanishme si destinacione të produkteve
kosovare do të forcohen më shumë, përderisa kyçja në tregje të reja në BE do të
jetë më e vështirë.Së dyti, në përpjekjen për të matur efektet e të ardhurave evropiane
në eksportet kosovare – nëpërmjet aplikimit të “Dynamic Poisson Model” – autorët
argumentojnë se rritja e të ardhurave kombëtare nuk korrespondon me rritje të
lartë të kapaciteteve eksportuese. Pra ka – dhe duhet të ketë – elemente të
tjera që nxisin eksportet tona përtej rritjes së të ardhurave në BE. Së treti,
ka një gjetje të forcuar mirë se distanca e tregjeve luan rol jashtëzakonisht të
rëndësishëm për eksportet e Kosovës në EU. Vendet më të largëta në distancë
gjeografike kanë gjasë më të ulët të ndërlidhjes tregtare me Kosovë. Së katërti,
efekti i diasporës kosovare është jashtëzakonisht i rëndësishëm për eksportet e
Kosovës. Shtetet e BE-së me prezencë të madhe të diasporës kosovare kanë
tendencë të pranojnë më shumë produkte e shërbime nga Kosova.
Në vija si këto,
them se do të jenë dhe pritjet e relacioneve të reja ekonomike në mes të Kosovës
dhe BE-së.