Monday, 24 August 2015

MBI SERBËT DHE REPUBLIKËN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 21 GUSHT 2015

Mospranimi i Republikës së përbashkët, multientike, devalvon më tej konceptin funksional të shtetësisë së Kosovës. Pra, vendet e privelegjeuara në Parlament, dhe e drejta e pakicës serbe, nuk janë dhënë si garancë të pengimit të Republikës, por janë dhënë si garancë të mbrojtjes së pakicës brenda Republikës.



-1-

Kur Kosova ishte projektuar për t’u bërë shtet, nga forcat e brendshme dhe të jashtme njëtrajtësisht, integrimi i pakicave serbe në të kishte zënë pjesën më të madhe të projektit shtet, të njohur mbarësisht si Pakoja e Ahtisaarit. Ky projekt nisej mbi tre elemente bazë. I pari, dhe më i rëndësishmi, ishte se palët e projektit, në këtë rast pra shqiptarët dhe serbët e Kosovës, do të pranonin projektin barabartësisht.

I dyti, dhe po aq i rëndësishëm, ishte se për të bërë të pranueshëm projektin për pakicën, dhe rrjedhimisht për të gjitha forcat perëndimore e përcaktuese të shtetësisë sonë, shumica shqiptare duhej të hiqte dorë nga elementet identifikuese monoetnike dhe të trajtonte Republikën si multietnike. Në këtë vijë, minoritarët dhe mazhoritarët do të kishin një flamur të ri, një himn të ri, shumëgjuhësi dhe në fund decentralizim; pra do të kishin simbolet dhe përfaqësimin e ri që përfshinte të gjithë në barazi.

Dhe elementi i tretë, jo më pak i rëndësishëm, ishte se meqë projekti avanconte në kufijtë e së njohurës evropiane të drejtat minoritare, pra ecte në kufijtë e tolerancës të funksionimit si një shtet unik, vazhdimësitë shtesë negociuese ishin të pamundura pa kaluar kufijtë tolerues të vet shtetësisë. Pra, secili avancim i mëtutjeshëm i  balancave në mes të mazhoritarëve dhe minoritarëve, zhbënte dhe vet shtetësinë. Nëse bëhej si favor në anën e shumicës, degradonte kontratën e njohjes dhe mirënjohjes me forcat përcaktuese perëndimore; dhe nëse bëhej si favor në anën e pakicës, degradonte funksionimin unitar të Republikës.

-2-

Elementet në fjalë ishin marrë si të mirëqena deri në përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ato, rrjedhimisht, ishin inkorporuar në ndryshimet e fundit kushtetuese pas përfundimit tre vjeçar të mbikëqyrjes së pavarësisë. Bëheshin pra si garancë e trajtimit të shtetësisë për vite shumë. Në këtë garancë ishte përfshirë dhe privilegji kushtetues i vendeve të pakicës, pa pëlqimin e dy të tretave të së cilëve, ndryshimet tjera kushtetuese ishin të pamundura. Anën e sigurisë pro-shumicë e merrnim si të mirëqenë. Së paku projeksioni shtetëror i Kosovës, në Pakon e Ahtisaarit pra, nuk paramendonte një shumicë shqiptare që mund të vepronte, me ose pa dije, në kundërshtim të vet Republikës; një paramendim jo shumë i saktë ç’është e vërteta.

Gjatë gjithë kohës, për fatkeqësinë e vendit tonë, vendorët dhe ndërkombëtarët bashkërisht, nuk kishin pranuar t’i bënin vetes të qartë se elementet supozuese të projeksionit shtetëror të Kosovës, që të trijat pra, nuk ishin as për së afërmi të përmbushura.

Për fillim, projekti nuk ishte pranuar nga të dyja palët. Në lokacionet minoritare serbe, flamuri dhe shtetësia e Kosovës shiheshin si sinonime të mbizotërimit shqiptar. Këtu, megjithatë, deri në parafillimin e dialogut, Republika kishte prezencën institucionale e të sigurisë – ani pse simbolika refuzohej apriori. Në Veri, ndërsa, përveç mospranimit, Republika nuk kishte as mekanizma implementues të saj; pra nuk ishte prezente asnjëherë – as si shtet e as me simbolikë.

Pra, në vijimësi, përderisa shqiptarët kishin hequr dorë nga simbolet nacionale, nga idetë një-kombëtare, madje kishin pranuar dhe riorganizim territorial – të gjitha në këmbim të shtetësisë, multietniciteti dhe bashkësia reprezentuese nuk ishte pranuar nga serbët asnjëherë. Republika multietnike refuzohej – dhe vazhdon edhe më tej të refuzohet – me të njëjtin ngulm sa edhe gjithçka tjetër shqiptare. Kështu forcat politike serbe vazhdojnë të ushtrojnë përfaqësimin e tyre parlamentar në kundërshtim të Republikës. Dhe në këtë pikë humbet dhe rezoni i ndërtimit të Republikës së përbashkët e multietnike. Sepse ajo nuk shihet si e tillë nga serbët. Po të shihej si e tillë, votimi i ushtrisë, anëtarësimeve ndërkombëtare e vet mbrojtjes së shtetësisë – së përbashkët pra – do të duhej të ishte i mirëkuptuar dhe me interes shtetëror edhe për bashkësinë minoriate serbe këtej.

Mospranimi i Republikës së përbashkët, multientike, devalvon më tej konceptin funksional të shtetësisë së Kosovës. Pra, vendet e privelegjeuara në Parlament dhe e drejta e vetos e pakicës serbe, nuk janë dhënë si garancë të pengimit të Republikës, por janë dhënë si garancë të mbrojtjes së pakicës serbe brenda Republikës. Refuzimi i Republikës nëpërmjet tjetërsimit të të drejtave të privilegjuara , zhbën qëllimin kushtetues të prezencës së tyre në këtë Parlament. Nëse ky vend ka një mendësi që promovon anti-Republikanizmin – me gjithë elementet shtetërore të tij – kundërshton pra gjithçka nga ushtria tek përfaqësimi e tek uniteti territorial, atëherë nuk bëhet fjalë më për një qëndrim politik, por për një qëndrim kundër-kushtetues e kundër-parlamentar; kundër-republikan. Si i tillë, ai nuk guxon të jetë as në Parlament e as në shtet.

-3-

Në vend të korrigjimit të një keqpërdorimi të tillë, ky vend, i shtyrë kryesisht nga individë të bashkësisë ndërkombëtare që qëllim kanë kalimin e shpejtë dhe të qetë të ngjarjeve në gjithë rajonin (dhe jo domosdo vetëm në Republikën tonë), ka bërë të kundërtën e pritshmërisë normale; ka shkelur elementin e tretë të Pakos së Ahtisaarit – prishjen e balancës funksionuese të shtetësisë duke detyruar Kosovën të kalojë kufirin e tolerancës dhe balancës ndëretnike.

Në momentin e parë të hapjes së negociatave teknike me Beogradin, dhe pranimin e diskutimit politik e të brendshëm për Kosovën, ky vend ka rrezikuar funksionimin territorial e shtetëror si tërësi. Përveç pra mospranimit të brendshëm të shtetësisë, përveç tolerimit të përdorimit të privilegjeve për bllokim e rrënim të shtetësisë, ky vend ka vendosur të kalojë kufirin e fundit të shtetësisë, për t’i dhënë privilegje dhe më tutje – dhe këtu fillon problemi – grupeve që sërish nuk kanë për qëllim njohjen e shtetësisë e Republikës, por kanë për qëllim rrënimin e saj.

Dhe këtu fillon gabimi i fundit i vendit tonë. Jo në idenë se a duhet apo jo të negociojmë – mund ta kishim bërë këtë me më shumë stil, mend e unitet – por në idenë se në çfarë modeli do të përfundojmë. Pra, nëse grupeve refuzuese të Republikës, identitetit, territorit e simbolikës shtetërore, u ofrojmë më shumë kompetencë nacionale (dhe jo lokale më), atëherë ecja jonë gjithë-shtetërore, e përbashkët pra, do të ngecë. Sepse, këtë qëllim ka pala tjetër; të ndalë ecjen e një shteti që nuk e dëshirojnë dhe nuk e pranojnë. Në këtë pikë nuk ka më kuptim as atraksioni i ofertës për një grup refuzues. Ky atraksion vetëm se shndërrohet në mjet më të fuqishëm pengues të Republikës. Republika pra, duke i dhënë kompetenca më shumë refuzuesve, nuk i dobëson ata; përkundrazi i fuqizon. Kjo entropi vetë-ushqyese e sistemit të Republikës sonë, mbetet e dëmshme në secilën formë të saj.

-4-

E kuptoj nevojën për zgjidhje kur nuk kontrollon 17% të territorit tënd për 16 vjet. Në fund të fundit, territoret nuk kontrollohen me letër, por me forcë të vendosjes së institucioneve – forcë të cilën Kosova nuk e kishte asnjëherë. Por ama, secili formalizim e institucionalizim i forcave tjera (anti-Republikane) dhe jo tona (multietnike pra) në këtë pjesë – dhe pjesë të tjera nëpër Kosovë – nuk është se përmirëson qëndrueshmërinë tonë si shtet; përkundrazi.

Asociacioni me kompetenca të pushtetit të tretë, si hap i ardhshëm pra, do të shërbejë edhe më tutje si mekanizëm i ndërprerjes së bërjes ndërkombëtare të shtetësisë sonë. Asociacioni do të shërbejë edhe më tutje jo për avancimin e të drejtave serbe brenda rendit Kushtetues tonit, por për rrënim të këtij rendi. Asociacioni, si formacion institucional e aspak joqeveritarë, do të refuzojë Republikën tonë të përbashkët. Atëherë çfarë po fitojmë?

Në secilën rrethanë, institucionet tona duhet të provojnë secilin implementim të ligjeve e normave të avancuara brenda Kushtetutës sonë, që, për njërën arsye apo tjetër, kanë mbetur vetëm ligje – këtë dhe duhet të bëjmë. Secili kalim i kufirit të funksionimit të shtetësisë sonë, të përcaktuar e përmbledhur në një Kushtetutë bukur të avancuar e demokratike, ndonjëherë dhe në përmasën e diskriminimit të shumicës, përbën lindjen e një gjymë-Republike të re, e cila nuk ka për të funksionuar mirë e mbarë asnjëherë – jo si e pavarur pra. 

Në mëshirë të vendimmarrjes së një pakice të ndërlidhur me një shtet tjetër, kjo gjysmë-Republikë do të varësohet institucionalisht; dhe këtë varësisë do ta dorëzojë me dorë të vet. Në këmbim, nuk do të marrë asgjë. Veriu do të mbetet po aq i pakontrolluar sa më parë; madje edhe me forcë më të madhe refuzuese pas pavarësisë financiare (me fond), territoriale (me dogana), politike (me Asociacion) e ligjore (me gjykata).


No comments: