Letra nga limbo
KOHA DITORE, 7 GUSHT 2015
Kosova do të kthehet
paradoksalisht në faqet e historive të vrasjeve e krimeve të luftës gjithandej
nëpër botë. Temat tona të brendshme do të mbyten nga diskutime edhe më
patetike, të heroizmave e sakrificave, të idealizmave e padrejtësive historike;
por s’do të kemi kohë më të flasim për punë, standard, mirëqenie e zhvillim –
siç dhe nuk patëm kohë asnjëherë.
-1-
Do të ketë qenë
dita më e bajatshme, më e padurueshme, më patetikja dhe gjithsesi më papërmbajtësorja
në tërë historinë parlamentare të Kosovës, dita e ripërsëritur e diskutimeve
mbi Gjykatën Speciale. Kaq shumë patetizëm e kaq pak argumentim – për dhe kundër
Gjykatës pa dallim – vështirë se mund të ketë pasur ndonjëherë. Në të vërtetë,
arena e vetme e bukur bëhej jashtë Parlamentit, nëpërmjet një tallje të
gjithandejshme qytetare ndaj diskutuesve, tallje e përzier domosdo me shumë dozë
habi për nivelin e paditurisë e pagdhendësisë që gjendej aty. Parlamenti ishte
bërë interesant jo pse ofronte mend e dije e zgjidhje, por sepse ishte
tragjiko-komik.
Përjashto aty këtu
individë të rezonit – në numër më pak se gishtat e njërës dorë – që gjetën
megjithatë guxim të dilnin nga shabllonet e fiksuara partiake, të tjerët përbënin
zinxhirin e gjatë dhe torturues të mendimeve parlamentare, mbi një temë jetike
e esenciale për vendin. Nuk ishin në gjendje të diskutonin profesionalisht, pa
përzierje të parëndësishme e ngritje të muhabeteve kafeneske.
Në njërën anë
ishin promovuesit e Gjykatës, pushteti pra, i cili, siç dhe ndodhë zakonisht
deri më tani, ishte i ndarë. Pacifistë, në njërën anë, kishin zgjedhur heshtjen.
Nga mosdija apo mosguximi nuk ka rëndësi, ata në momentet më historike për
vendin po prodhonin abstenim – siç dhe prodhojnë rëndom të padobishmit.
Çlirimtarët në anën tjetër, kishin zgjedhur argumentimin absurd, se Gjykata
Speciale ishte një regresi nacional (i sjellë nga ta), por duhej përmbushur
regresin për hir të përmbushjes së kushtëzimit, e jo për hir të përmbushjes së
drejtësisë apo vërtetësisë.
Dhe si oponencë e
një pushteti të bërë për të votuar e kaluar sfidat si këto, ishte një opozitë që
me më shumë patetizëm, aktrim e brutalitet argumentues, bënte pushtetin të
dukej si të arsyeshëm – para vendorëve e ndërkombëtare njësoj. U nxorën fjalime
të parëndësishme, u fol temë e lirë, u shpërndanë sërish mitet për Specialen –
të zakonshmet e të replikuarat në bajatizëm tashmë – u çirr e u thirr në të
lavdishmen, të paprekshëm, utopiken (anipse më vonë u akuzuan të paprekshmit
për krime njëtrajtësisht), pa përfunduar me asnjë argument të vlefshëm gjysmë-oratorik
që jepte alternativë të parrezikshme e jo vetëvrasëse. Standard i tyre tashmë.
-2-
Natyrisht se, siç
po ndodhë tashmë në secilin diskutim parlamentar, edhe në këtë të tashmin u hap
historia e pretendentëve politik – po jepej e vërteta e tyre. Secili bëhej më
hero, më atdhedashës, më patriot se tjetri.
Nga idealizmi i
gërditshëm se shqiptarët me uniformë nuk bëjnë krim – madje, as nuk zënë banesa
(zënë banesa, shtëpi, tokë e shtet besa – u thonë zaptues), e deri tek kush
kishte të drejtë në Rambuje; nga kërkesa për luftë të përjetshme, e deri në
kundërshtim të gjithçkaje që kemi sot – të kompleksuarit nga renditja e gabuar
në të shkuarën në përballje me kapësit e shtetit, të tashmes e të së ardhmes
njëtrajtësisht, provonin të jepnin versionin e tyre historik mbi ngjarje që nuk
kishin më rëndësi. E gjitha kjo në një ditë diskutimi parlamentar mbi Gjykatën
Speciale pra. Kaq dhe mund të bëjnë këta sinqerisht. Në këtë diskutim kohe na
mbajnë të gjithë, pushtet e opozitë tash e
gjashtëmbëdhjetë vjet rresht. Të gjithë kanë ngecur në vitin 1999.
Dhe mu ky nivel
diskutues i opozitës – sepse pozita këtë do – që fokusohet për teke të një
individi në histori – duke provuar të përbaltë ngjarjet më të rëndësishme të
Kosovës që kanë ndërtuar mu këtë pavarësi e këtë Republikë – ka sjellë opozitën
në gjendjen më të rëndë të mundshme ndonjëherë. Përballë një pushteti aspak të
pëlqyeshëm, hiç energjetik, opozita është shndërruar në front të pallavrave
munduese, me rima plot – por pa përmbajtje e rezon; të rrezikshme sa s’bëhet më.
Opozita do të përfundojë, rrjedhimisht edhe më keq.
Fatkeqësisht, për
aq sa kanë treguar në gjithë këto vite, kjo opozitë nuk mërzitet fare sa do të
bjerë. Janë fanatikë të ideve (të rrezikshme gjithsesi), dhe djegës briliantë të
përkrahjeve publike. Natyrisht, për dallim nga e shkuara, këtë herë do të
mbesin edhe pa përkrahje publike edhe pa atë qytetare. Do të kthehen në klube
ekstremistësh e shëtitjeve me gomarë – siç mund të kenë qenë të destinuar përjetësisht;
ani pse s’kanë për t’u mërizitur asnjëherë.
Fatkeqësia më e
madhe mbetet se Kosova dhe kosovarët do të mbesin sërish pa alternativë
normale. Ato do të duhen sërish të zgjedhin në më të keqen e vogël, nga një
lëmsh i madh politik. E ky nivel politik, kjo gjeneratë politike, nuk ka për të
sjellë asnjëherë zgjedhje mes të mirës e së keqes; do të zgjedhim keq ose shumë
keq.
-3-
Për dallim nga përkrahësi
e gjykatës, dhe kundërshtarët e saj, them se, siç edhe kam argumentuar më parë,
themelimi i Gjykatës Speciale është zgjidhja më e mirë – gjithsesi më e vështirë
– nga zgjidhjet në tavolinë. Kosova kishte një obligim moral, ligjor dhe ndërkombëtarë
trajtimin e pretendimeve për krime. Kosova nuk kishte të drejtën më për të bërë
këtë gjykim vet. Të tjerat diskutime nacionaliste, euforike e patetike, në këtë
kontekst kohor, dërgojnë vendin vetëm në izolim, e shndërrimin tonë në një
Republikë Serbe të Dodikut; frankenshtajn entitet – pikë refuzimi për gjithë
Perëndimin. Natyrisht se disa kapës e revolucionarë njëtrajtësisht edhe këtë
zgjidhje s’do ta kishin problem, përderisa u vazhdon ideja (e krisur) e
pushteti (zaptues) – të dyve pa përjashtim.
Kosovarët e tjerë
ndërsa, përtej Gjykatës Speciale, duhet të brengoset më shumë për nivelin
politik në vend. Ky nivel politik, i shpërfaqur mbarësisht në parlament, pa
fije dallimi në mes të pozitës e opozitës – patetikë e jopërmbajtësorë të gjithë,
ka për të sjellë gjithmonë alternativa në mes të së keqes dhe shumë të keqes;
mirë nuk dinë.
Dhe në gjithë këtë
mundësi zgjedhjeje, Kosova do të heq copa të identitetin e sovranitetit në
vazhdimësi. Shkatërruesit e rrënuesit do të duken sërish para forcave përcaktuese
politike të jashtme si më të arsyeshmit; ne të tjerët si jomeritorë që dërgojmë
të tillë në politikë.
E politika bëhet
në kohë reale, jo në kredi të pashpenzuara historike. Alternativat e sotme të
pamundura, mund të bëhen fare të lehta në të ardhmen po që se në vazhdimësi ne sjellim
para vetes alternativa të këqija dhe shumë të këqija për zgjedhje.
Dhe alternativa të
vështira na vijnë në ditët në vijim; gjithsesi. Nuk ka për t’u bërë më lehtë.
Kosova do të kthehet paradoksalisht në faqet e historive të vrasjeve e krimeve
të luftës gjithandej nëpër botë. Temat tona të brendshme do të mbyten nga
diskutime edhe më patetike, të heroizmave e sakrificave, të idealizmave e
padrejtësive historike; por s’do të kemi kohë më të flasim për punë, standard,
mirëqenie e zhvillim – siç dhe nuk patëm kohë asnjëherë. Peng të kapësve për
gjashtëmbëdhjetë vjet, peng të tyre dhe për shumë kohë.
Kosova bën mirë
të lirohet sa më parë nga e shkuara e saj; jo duke e harruar atë, por duke
menduar për të ardhmen. Sepse e ardhmja jonë, e kapur nga e shkuara – me njerëz
e ide njëtrajtësisht – duket hiç shpresëdhënëse; e frikshme madje.
No comments:
Post a Comment