Monday, 31 August 2015

MBI ASOCIACIONIN DHE POSTASOCIACIONIN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 GUSHT 2015

Me kompetenca të plota e të pavarura në ekonomi, shëndetësi, edukim, dogana, polici, gjyqësor, buxhet e territor - me shërbyes civil e aspak joqeveritarë, me Kuvend, Kryetar e identitet të veçantë - Asociacioni ka të gjitha elemente e një entiteti autonom.


-1-

Paralajmërimi mbi nënshkrimin e katër marrëveshjeve ekonomike e politike me Serbinë të natës së 25 gushtit, u përcoll me një shpërthim histerik të masës gjithandej. Ndonëse nuk ishte publikuar as edhe një shkronjë e vetme nga teksti i marrëveshjeve, shumë kosovarë të parapërcaktuar për gjykim – pa lexim – veçse kishin nxjerrë në shesh makinat e tyre të panikut; të akuzave për tradhti, plot nervozizëm.

Një reagim kolektiv si ky tregonte e dëshmonte sërish nivelin diskutues tonin. Mendimet jepen këndej pa lexuar as edhe një gjë prej gjëje. Ato janë të parapërcaktuara e të paragjykuara kaherë. Koha, ka rëndësi për ta, se kur duhet të jepen ato – sapo të përfundonte takimi.

Kësaj histerie kolektive i frynte natyrshëm një reagim festiv në Beograd, i diplomatëve e udhëheqësve të tjerë politik nga Serbia, që nëpërmjet gjuhës mundjes, zotërimit e vet sportit po shpërfaqnin fitore bindëse në një proces kompromisi të dyanshëm gjithsesi. Festa ishte përcjellë dhe në Kosovë, në Veri më shumë se tjetërkah; shqiptarët ndërsa bënë gjumin me zymtësi.

Do të kishte qenë mirë sikur natën e 25 gushtit politikanët nënshkrues të marrëveshjes – dhe një makineri e tërë publike pas – të shpërfaqte publikisht të mirat (nëse kishte) të marrëveshjes në fjalë; gjithsesi përtej patetizmave të përsëritur tashmë se “... me këtë marrëveshje Serbia ka njohur Kosovën”. Për asociacionin, natyrisht, as edhe një fjalë. Do të kishte qenë mirë, që për pak, pjesë të tekstit tu jepeshin si garancë kosovarëve që po ndanin mendjen mbi bazën e informacioneve e percepcioneve nga Vuçiq, Daçiq e Gjuriq – secili më i kotë e zi se tjetri. Por nuk e bënë. Nata e 25 gushtit, shënoj dëshpërimin kosovar.

-2-

Mëngjesi i 26 gushtit kishte sjellë për kosovarët marrëveshjet e nënshkruar në Bruksel. Natyrisht, rëndësinë e tyre nuk e përbënin heqja e një barrikade në veri, marrja e një numri telefonik apo krijimi i distribucionit të dytë në veri – herë të kuptuara si pjesë të shtetësisë e herë të mirëkuptuara për integrim – por rëndësinë e tyre e përbënte teksti mbi Asociacionin.

Teksti i publikuar në pesë faqe kishte 22 pika; tri për bazën ligjore, dy për objektivat, dy të tjera për strukturën organizative, gjashtë për relacionet me nivelin qendror, dy për kapacitetin ligjor, tri për buxhet e të tjerat ishin gjenerale – pak a shumë kishin përfshirë parimet e organizimit për gjithçka.

Lexuar tekstin si të tillë, dilte gjithëpërfshirja, pa detaje natyrisht (sepse ishte vetëm marrëveshje parimesh, statuti i Asociacionit do të bëhej më vonë), dhe me plot dykuptimësi. Qëllimisht, dhe jo ndryshe, dokumenti ishte ndërtuar për të shërbyer si interpretues fitoreje për të dyja palët njëtrajtësisht.

Elementi i parë, dhe më i rëndësishmi për ne, ishte se marrëveshja (në vazhdimësi e me repeticion) specifikonte ankorimin dhe përputhshmërinë me ligjet e Kosovës – dhe me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese mbi organizimin që del nga ajo. Si e tillë, marrëveshja, dhe secili trup pas saj, do të rregullohej me kornizën e tanishme Kushtetuese.

Elementi i dytë, ndërsa, ishte se Asociacioni, si produkt i marrëveshjes pra, kërkonte trajtim të veçantë, duke pasur parasysh “karakterin dallues të tij”. Pra, Qeveria e Kosovës, do të aprovojë një dekret të veçantë – i cili duhet të validohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, dekret i cili do të shërbejë si bazë ligjore e integruese e Asociacionit në rendin juridik të Kosovës – duke pasur parasysh natyrën e veçantë të tij.

Në këtë pikë, bëhet e qartë se Asociacioni nuk do të jetë një trup i zakonshëm sikurse asociacioni ekzistues i komunave me shumicë shqiptare – sepse ka karakter të veçantë dhe se do të rregullohet me dekret të veçantë; e edhe më pak, se do të jet ënjë OJQ, çfarrë marrëzisht kishin guxuar me indiferencë e plot injorancë të deklaronin disa promovues të marrëveshjes. Kjo veçanti, rrjedhimisht, përbën dhe shkëputjen e parë nga pushteti lokal – nisjen për ndërtimin e një pushteti të tretë; natyrisht të ndërlidhur me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës – me pushtetin qendror. Në këtë pikë lindë dhe autonomia. Në fund të fundit, edhe autonomia ankorohet në Kushtetutë; në të kundërtën bëhet shtet në veti.

-3-

Nga leximi i pikave të marrëveshjes, shihet se Asociacioni do të ketë kompetenca të plota në pothuajse secilën sferë të organizimit të jetës, duke dobësuar pushtetet lokale dhe duke rritur angazhimin e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës.

Asociacioni, si organizim me karakter të veçantë e me dekret të veçantë do të ketë edhe një strukturë të veçantë, që do të suprimojë fuqitë komunale të komunave me shumicë serbe. Kjo strukturë do ti ngjasojë shumë strukturave paralele qendrore; por nuk do të jetë e tillë. Pra, Asociacioni do të ketë një Kuvend të tij, me deputetë jo të zgjedhur drejtpërdrejtë por nëpërmjet zgjedhjeve lokale e delegimit nga andej. Forma e zgjedhjes humbë këtu rëndësinë. Ky Kuvend do të zgjedhë një kryetar – i cili do të paraqitet si përfaqësues real i serbëve në Kosovë, dhe do të zgjedhë një shef administrate – i barabartë me një ekzekutues të kompetencave që Asociacioni ka; një lloj kryeministri për ta. Punëtorët e Asociacionit, ndërsa, do të kenë status të shërbyesve civil – që edhe bën gjithë këtë trup tërësisht publik; aspak joqeveritarë. Asociacioni do të ketë edhe buxhetin e vet, fondin, territorin e vet, pronat e veta dhe kompetenca gjithandej.

Me kompetenca të plota e të pavarura në ekonomi, shëndetësi, edukim, dogana, polici, gjyqësor, buxhet e territor - me shërbyes civil e aspak joqeveritarë, me Kuvend, Kryetar e identitet të veçantë – Asociacioni ka të gjitha elemente e një entiteti autonom. Asociacioni pra, është, në versionin më të thjeshtë, një model i autonomisë së gjerë në Kosovë. Së paku është modeluar për të funksionuar si i tillë; dhe kështu ai, padyshim, kalon Pakon e Ahtisaarit. Asociacioni nuk është “Republikë Srpska” siç na paraqitet nga disa këndej, por është një autonomi e zgjeruar me kompetenca të ekzekutimit, përfaqësimit, organizimit e qëndrueshëmrisë.

Përputhja me ligjet e Kosovës, sado lajm i mirë, nuk e zbutë shumë këtë fakt. Është përmbajtja dhe qëllimi çfarë ka rëndësi. E sikur Asociacioni të kishte qëllime të pro-Republikës e pro-pavarësisë, atëherë ndoshta dhe do të bënte kuptim. Por nuk ka. Ka qëllime të varësësisë së saj, të pengimit të saj, të refuzimit të saj - prandaj dhe bën një lajm jo të mirë për vendin. Me Asociacion, Republika nuk i ka afruar refuzuesit e saj, ajo veçse i ka fuqizuar ata.

Pra si kthim, shqiptarët shumicë të Kosovës nuk marrin bashkëpunimin e bashkëqytetarëve të tyre serb – për një Republikë të përbashkët, por marrin një strukturë paralele qeverisëse, autonome e destruktive për Republikën. Mbi të gjitha, marrin një ndërlidhmëni politike me një shtet tjetër – që, dhe kjo ka shumë rëndësi, shpërfaqë vazhdimisht qëllime rrënimi të shtetësisë sonë.

Kalimi i Pakos së Ahtisaarit vazhdon do të përbëjë dëmin më të madh të Republikës. Do të jetë një barrë me të cilën ky vend ka për tu marrë në vazhdimësi. Në bërthamë, ky formacion do të bëjë të kundërtën e interesave shtetërore tonat. Si për kthim, ne kemi marrë asgjë; madje as konfirmim se politika e tolerancës e durimit bën punë. Bllokuesit, barrikaduest, kryeneçët andej, janë shpërblyer shumë.

-4-

Dhe natyrisht, në kohë të paqartësive politike lindin kushtet për panikë. Në këtë panikë mbizotëron kërcënimi me dhunë. Pavarësisht shqetësimeve rreth Asociacionit, të cilat i ndajmë përndryshe të gjithë (nuk ka pronë mbi to askush), formimi i tij nuk i jep të drejtë askujt të kërcënoj me dhunë e me "të gjitha mjetet"; asnjëherë. Madje krahasimet e dëmeve mes njërës e tjetrës – si arsyetim i dhunës – janë bërë patetike tashmë.

Kosova është shtet (po është shtet); dhe ka institucionet e veta. Shumica politike e zgjedhur me votë (e pranuar nga të gjithë) vendosë për rrjedhat e vendit. Kjo vendosje, nëse konsiderohet si kundër-kushtetuese, mund të kontestohet në institucionet tjera – ato që ky shtet i ka pra. Nëse nuk pajtohesh me mendimin e tyre, ofron alternativë, del në zgjedhje, i fiton ato (po pate të drejtë) – bën kështu politikë. Protesta ndaj pushtetit në shtetin tënd ka shumë kuptim. Dhuna kurrë. Sidomos kur edhe njëra edhe tjetra janë vullnete e organizime partiake e jo qytetare. 

Prandaj jam kundër dhunës e kalimit nga një ekstrem në tjetrin; që të dy të dëmshëm. Dhe dhuna – nëse bëhet siç promovohet - ka për të shndërruar sërish një temë me interes për secilin, në fushëbeteje të disave; sërish në humbje. E nëse dhuna është alternativa e vetme e opozitës ndaj pushtetit, atëherë ky pushtet e ka gjatë.

No comments: