Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 GUSHT 2015
Dokufesti përveç se është
shndërruar në simbol kulturor të Prizrenit, është bërë dhe model i suksesit
kosovar; tërësisht kosovar, dhe tërësisht jopublik. Këtë vit, ai u përdor
mjeshtërisht për të shpërfaqur edhe pakënaqësinë kosovare ndaj regjimit të
vizave, pra u bë një transmetues kreativ i mesazheve politike e qytetare të
vendit tonë.
-1-
Verën e ngadaltë
të sivjetshme, siç dhe ndodhë rëndom tashmë secilin vjet, e gjallëzojë
organizimi – pa dyshim – më i mirë që ka prodhuar ky vend ndonjëherë, Dokufesti
pra. Origjinal, kreativ, atraktiv dhe në fund ekonomikisht përfitues, për veten
dhe rrethin njëtrajtësisht, Dokufesti përveç se është shndërruar në simbol
kulturor të Prizrenit, është bërë dhe model i suksesit kosovar; tërësisht
kosovar, dhe tërësisht jopublik. Këtë vit, ai u përdor mjeshtërisht për të shpërfaqur
edhe pakënaqësinë kosovare ndaj regjimit të vizave, pra u bë një transmetues
kreativ i mesazheve politike e qytetare të vendit tonë.
Në të vërtetë, janë mu storiet e suksesit si këto, që pa
fije përkrahje publike, me iniciativë tërësisht individuale dhe private, ofrojnë
diçka origjinale; ofrojnë një vend mbledhës të vendorëve e ndërkombëtarëve; në
rritje shumë të ndërkombëtarëve. Kështu, një nismë kulturore e artistike, i
ofron qytetit të vet një input ekonomik e biznesor bukur gjithëpërfshirës.
Sepse, përgjatë muajit të shfaqjeve, Prizreni bëhet atraksion turistik, tërheqës
i parasë për bizneset lokale, nga marketet e tek kafeteritë e bujtinat – një
multiplikator i gjithandejshëm ekonomik.
Fatkeqësia,
megjithatë, qëndron në idenë se sa pak përkrahje publike – financiare pra –
merr një ngjarje që gjeneron kaq shumë të hyra për secilin vit. Vetëm 15 mijë
euro janë dhënë për një gjenerues kaq të madh të kulturës, identitetit e vet
parasë – nga komuna e Prizrenit (që shpenzon përndryshe dyfish më shumë se kaq në
dreka e darka); dhe vetëm 25 mijë të tjera nga niveli qendror. Ne pra japim për
një sezonë të Dokufestit sa tërësia e shumës ditore që japim në mbështetje të
televizionit të kapur publik – RTK-së. Një ditë e RTK-së sa një vit i
Dokufestit.
Dokufesti do të
duhej në secilën rrethanë të shihej si burim i mirëthemeluar, me përvojë, emër
e me establishment të njohur mbarësisht, pra do të duhej të njihej si investim
i lehtë për t’u bërë dhe me kthim shumë Dokufesti do të duhej, në frymën e të bërit
biznes, të shihej si mundësi e mirë e investimit publik; për ta ngritur atë në
nivel tjetër – dhe më të lartë, dhe më përfitues për Prizrenin e Kosovën.
Në të vërtetë, të
gjithë shembujt e tjerë të investimeve e nismave private në kulturë, do të
duhej të ishin modele të mira të investimeve publike. Këto të fundit marrin
arsyetim sepse injektohen në ngjarje që jo vetëm kanë vetë-qëndrueshmëri
financiare, por përbëjnë mundësi të përfitimeve dhe për të tjerët; sidomos për tërheqjen
e turistëve të huaj e të pakët që vizitojnë vendin tonë. Është kthim i madh për
investim pak.
-2-
Dhe krahas bërjes
së kulturës biznes, përfitues për shumë natyrisht, Kosova ka mundësi dhe shndërrimin
e sportit në resurs të tillë. Ecja e fundit e ekipit futbollistik nga Korça, Skënderbeu
pra, për në Ligën e Kampionëve – dhe gjithë kompensimet e marra si njohje për përparim,
japin modelin tipik të një zhvillimi potencial që gjeneron kthim. Dhe kthimi
natyrisht se ka rëndësi. Është parakusht edhe i vazhdimit, por edhe i rritjes së
bizneseve që kërkojnë shumë investim.
Për dallim nga
ngjarjet kulturore, këto sportive kanë interes madje dhe më të madh në Kosovë.
Ato ndiqen dhe bëhen nga të rinj e të reja nga rrugicat e vogla e deri tek
fushat publike e private. Ato pra kanë probabilitet më të lartë të suksesit
sepse kanë edhe konsumatorë – nëpërmjet ndjekjes dhe shikueshmërisë, por edhe “lëndë
të parë”, sportistë pra – nëpërmjet vetëpjesëmarrjes. Dhe për dallim nga shumë
industri të tjera, ato jo vetëm se shërbejnë si marketing i mirë nacional, por
edhe përbëjnë edhe një formë briliante të eksporteve – të shitjes së lojtarëve,
ndër të tjerash.
Kosova është në
prag të pranimit ndërkombëtar për në garat evropiane, por nuk ka qenë kurrë më
larg nga të qenit gati për të. Nga mungesa e terreneve e deri tek mungesa e
shkollave sportive, nga strukturat udhëheqëse joenergjetike e deri tek mungesa
e iniciativave publike, Kosova shumë lehtë mund të humbasë shanse të shumta për
të shndërruar dhe sportin në biznes.
E modelet e sukseseve
të tilla biznesore, që po ndërtohen së fundmi edhe në Shqipëri, kanë qenë të
mirëthemeluara e mirëfunksionalizuara nëpër gjithë rajonin; me kulmim në
Kroaci. Ekipet e futbollit, ndër sportet e tjera natyrisht, nga Zagrebi, kanë
krijuar e shitur lojtarë me vlera sa 10% e gjithë eksportit të sotshëm kosovar
– për secilin vit. Modelet e suksesit i kemi afër pra. Ato kërkojnë vetëm
replikim.
-3-
Sporti, pra, merr
kuptim biznesi në Kosovë me ecjen e shtetit në mekanizmat ndërkombëtarë, dhe kështu
rritjes së shpërblimit e mundësisë së kthimit të investimeve proporcionalisht.
Njëtrajtësisht, ngjarjet kulturore marrin kuptim biznesi në Kosovë, me rritjen
e qëndrueshmërisë së tyre, domosdoshmërish nëpërmjet ndërkombëtarizimit
eventual. Është mëkat mosshfrytëzimi i mundësive si këto.
Në të dyja
rastet, politikat tona publike nuk ofrojnë as para si mbështetjen direkte, por
as lehtwsime politikash, si mbështetje alternative – të themi të politikave
fiskale Ne nuk krijojmë as ambient që stimulon bizneset e nismat si këto, e as
nuk japim mjete për t’i mbështetur ato.
E pasiviteti si
ky, pak a shumë përshkruan edhe gjithë politikëbërjen ekonomike në Kosovë tash
e sa vjet. Pra ne nuk kemi qenë asnjëherë në gjendje të krijojmë politika
ekonomike e pro-biznesore përtej shablloneve gjenerale, të uniformitetit e
gjeneralizimit. Ne nuk kemi qenë asnjëherë në gjendje të reagojmë me kohë përballë
rasteve që kanë shpërfaqur mundësi shndritje gjithandej.
Në vend të kësaj,
ne kemi zgjedhur të zakonshmen. Kemi financuar me shabllon gjithandej gjithçka,
gjithmonë më shumë për kotizmat e publikes dhe luksit të saj; apo dhe ngjarjeve
inekzistente të miqve nga politika, por asnjëherë të nismave e mundësive me
profitabilitet multiplikatori të lartë.
No comments:
Post a Comment