Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 GUSHT 2015
Me kompetenca të plota e të
pavarura në ekonomi, shëndetësi, edukim, dogana, polici, gjyqësor, buxhet e
territor - me shërbyes civil e aspak joqeveritarë, me Kuvend, Kryetar e
identitet të veçantë - Asociacioni ka të gjitha elemente e një entiteti
autonom.
-1-
Paralajmërimi mbi nënshkrimin e katër marrëveshjeve ekonomike e politike me
Serbinë të natës së 25 gushtit, u përcoll me një shpërthim histerik të masës
gjithandej. Ndonëse nuk ishte publikuar as edhe një shkronjë e vetme nga teksti
i marrëveshjeve, shumë kosovarë të parapërcaktuar për gjykim – pa lexim – veçse
kishin nxjerrë në shesh makinat e tyre të panikut; të akuzave për tradhti, plot
nervozizëm.
Një reagim kolektiv si ky tregonte e dëshmonte sërish nivelin diskutues
tonin. Mendimet jepen këndej pa lexuar as edhe një gjë prej gjëje. Ato janë të
parapërcaktuara e të paragjykuara kaherë. Koha, ka rëndësi për ta, se kur duhet
të jepen ato – sapo të përfundonte takimi.
Kësaj histerie
kolektive i frynte natyrshëm një reagim festiv në Beograd, i diplomatëve e
udhëheqësve të tjerë politik nga Serbia, që nëpërmjet gjuhës mundjes, zotërimit
e vet sportit po shpërfaqnin fitore bindëse në një proces kompromisi të
dyanshëm gjithsesi. Festa ishte përcjellë dhe në Kosovë, në Veri më shumë se
tjetërkah; shqiptarët ndërsa bënë gjumin me zymtësi.
Do të kishte qenë
mirë sikur natën e 25 gushtit politikanët nënshkrues të marrëveshjes – dhe një
makineri e tërë publike pas – të shpërfaqte publikisht të mirat (nëse kishte) të
marrëveshjes në fjalë; gjithsesi përtej patetizmave të përsëritur tashmë se
“... me këtë marrëveshje Serbia ka njohur Kosovën”. Për asociacionin,
natyrisht, as edhe një fjalë. Do të kishte qenë mirë, që për pak, pjesë të
tekstit tu jepeshin si garancë kosovarëve që po ndanin mendjen mbi bazën e
informacioneve e percepcioneve nga Vuçiq, Daçiq e Gjuriq – secili më i kotë e
zi se tjetri. Por nuk e bënë. Nata e 25 gushtit, shënoj dëshpërimin kosovar.
-2-
Mëngjesi i 26
gushtit kishte sjellë për kosovarët marrëveshjet e nënshkruar në Bruksel. Natyrisht,
rëndësinë e tyre nuk e përbënin heqja e një barrikade në veri, marrja e një
numri telefonik apo krijimi i distribucionit të dytë në veri – herë të kuptuara
si pjesë të shtetësisë e herë të mirëkuptuara për integrim – por rëndësinë e
tyre e përbënte teksti mbi Asociacionin.
Teksti i
publikuar në pesë faqe kishte 22 pika; tri për bazën ligjore, dy për
objektivat, dy të tjera për strukturën organizative, gjashtë për relacionet me
nivelin qendror, dy për kapacitetin ligjor, tri për buxhet e të tjerat ishin
gjenerale – pak a shumë kishin përfshirë parimet e organizimit për gjithçka.
Lexuar tekstin si
të tillë, dilte gjithëpërfshirja, pa detaje natyrisht (sepse ishte vetëm
marrëveshje parimesh, statuti i Asociacionit do të bëhej më vonë), dhe me plot
dykuptimësi. Qëllimisht, dhe jo ndryshe, dokumenti ishte ndërtuar për të shërbyer
si interpretues fitoreje për të dyja palët njëtrajtësisht.
Elementi i parë,
dhe më i rëndësishmi për ne, ishte se marrëveshja (në vazhdimësi e me
repeticion) specifikonte ankorimin dhe përputhshmërinë me ligjet e Kosovës –
dhe me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese mbi organizimin që del nga ajo. Si
e tillë, marrëveshja, dhe secili trup pas saj, do të rregullohej me kornizën e
tanishme Kushtetuese.
Elementi i dytë,
ndërsa, ishte se Asociacioni, si produkt i marrëveshjes pra, kërkonte trajtim të
veçantë, duke pasur parasysh “karakterin dallues të tij”. Pra, Qeveria e Kosovës,
do të aprovojë një dekret të veçantë – i cili duhet të validohet në Gjykatën
Kushtetuese të Kosovës, dekret i cili do të shërbejë si bazë ligjore e
integruese e Asociacionit në rendin juridik të Kosovës – duke pasur parasysh
natyrën e veçantë të tij.
Në këtë pikë, bëhet
e qartë se Asociacioni nuk do të jetë një trup i zakonshëm sikurse asociacioni
ekzistues i komunave me shumicë shqiptare – sepse ka karakter të veçantë dhe se
do të rregullohet me dekret të veçantë; e edhe më pak, se do të jet ënjë OJQ,
çfarrë marrëzisht kishin guxuar me indiferencë e plot injorancë të deklaronin
disa promovues të marrëveshjes. Kjo veçanti, rrjedhimisht, përbën dhe shkëputjen
e parë nga pushteti lokal – nisjen për ndërtimin e një pushteti të tretë;
natyrisht të ndërlidhur me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës – me pushtetin qendror.
Në këtë pikë lindë dhe autonomia. Në fund të fundit, edhe autonomia ankorohet në
Kushtetutë; në të kundërtën bëhet shtet në veti.
-3-
Nga leximi i
pikave të marrëveshjes, shihet se Asociacioni do të ketë kompetenca të plota në
pothuajse secilën sferë të organizimit të jetës, duke dobësuar pushtetet lokale
dhe duke rritur angazhimin e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës.
Asociacioni, si organizim
me karakter të veçantë e me dekret të veçantë do të ketë edhe një strukturë të
veçantë, që do të suprimojë fuqitë komunale të komunave me shumicë serbe. Kjo
strukturë do ti ngjasojë shumë strukturave paralele qendrore; por nuk do të jetë
e tillë. Pra, Asociacioni do të ketë një Kuvend të tij, me deputetë jo të zgjedhur
drejtpërdrejtë por nëpërmjet zgjedhjeve lokale e delegimit nga andej. Forma e
zgjedhjes humbë këtu rëndësinë. Ky Kuvend do të zgjedhë një kryetar – i cili do
të paraqitet si përfaqësues real i serbëve në Kosovë, dhe do të zgjedhë një
shef administrate – i barabartë me një ekzekutues të kompetencave që
Asociacioni ka; një lloj kryeministri për ta. Punëtorët e Asociacionit, ndërsa,
do të kenë status të shërbyesve civil – që edhe bën gjithë këtë trup tërësisht
publik; aspak joqeveritarë. Asociacioni do të ketë edhe buxhetin e vet, fondin,
territorin e vet, pronat e veta dhe kompetenca gjithandej.
Me kompetenca të
plota e të pavarura në ekonomi, shëndetësi, edukim, dogana, polici, gjyqësor,
buxhet e territor - me shërbyes civil e aspak joqeveritarë, me Kuvend, Kryetar
e identitet të veçantë – Asociacioni ka të gjitha elemente e një entiteti
autonom. Asociacioni pra, është, në versionin më të thjeshtë, një model i
autonomisë së gjerë në Kosovë. Së paku është modeluar për të funksionuar si i
tillë; dhe kështu ai, padyshim, kalon Pakon e Ahtisaarit. Asociacioni nuk është
“Republikë Srpska” siç na paraqitet nga disa këndej, por është një autonomi e
zgjeruar me kompetenca të ekzekutimit, përfaqësimit, organizimit e
qëndrueshëmrisë.
Përputhja me
ligjet e Kosovës, sado lajm i mirë, nuk e zbutë shumë këtë fakt. Është
përmbajtja dhe qëllimi çfarë ka rëndësi. E sikur Asociacioni të kishte qëllime
të pro-Republikës e pro-pavarësisë, atëherë ndoshta dhe do të bënte kuptim. Por
nuk ka. Ka qëllime të varësësisë së saj, të pengimit të saj, të refuzimit të
saj - prandaj dhe bën një lajm jo të mirë për vendin. Me Asociacion, Republika
nuk i ka afruar refuzuesit e saj, ajo veçse i ka fuqizuar ata.
Pra si kthim,
shqiptarët shumicë të Kosovës nuk marrin bashkëpunimin e bashkëqytetarëve të
tyre serb – për një Republikë të përbashkët, por marrin një strukturë paralele
qeverisëse, autonome e destruktive për Republikën. Mbi të gjitha, marrin një ndërlidhmëni
politike me një shtet tjetër – që, dhe kjo ka shumë rëndësi, shpërfaqë
vazhdimisht qëllime rrënimi të shtetësisë sonë.
Kalimi i Pakos së
Ahtisaarit vazhdon do të përbëjë dëmin më të madh të Republikës. Do të jetë një
barrë me të cilën ky vend ka për tu marrë në vazhdimësi. Në bërthamë, ky
formacion do të bëjë të kundërtën e interesave shtetërore tonat. Si për kthim,
ne kemi marrë asgjë; madje as konfirmim se politika e tolerancës e durimit bën
punë. Bllokuesit, barrikaduest, kryeneçët andej, janë shpërblyer shumë.
-4-
Dhe natyrisht, në
kohë të paqartësive politike lindin kushtet për panikë. Në këtë panikë mbizotëron
kërcënimi me dhunë. Pavarësisht shqetësimeve rreth Asociacionit, të cilat i
ndajmë përndryshe të gjithë (nuk ka pronë mbi to askush), formimi i tij nuk i
jep të drejtë askujt të kërcënoj me dhunë e me "të gjitha mjetet";
asnjëherë. Madje krahasimet e dëmeve mes njërës e tjetrës – si arsyetim i
dhunës – janë bërë patetike tashmë.
Kosova është
shtet (po është shtet); dhe ka institucionet e veta. Shumica politike e
zgjedhur me votë (e pranuar nga të gjithë) vendosë për rrjedhat e vendit. Kjo
vendosje, nëse konsiderohet si kundër-kushtetuese, mund të kontestohet në
institucionet tjera – ato që ky shtet i ka pra. Nëse nuk pajtohesh me mendimin
e tyre, ofron alternativë, del në zgjedhje, i fiton ato (po pate të drejtë) – bën
kështu politikë. Protesta ndaj pushtetit në shtetin tënd ka shumë kuptim. Dhuna
kurrë. Sidomos kur edhe njëra edhe tjetra janë vullnete e organizime partiake e
jo qytetare.
Prandaj jam
kundër dhunës e kalimit nga një ekstrem në tjetrin; që të dy të dëmshëm. Dhe
dhuna – nëse bëhet siç promovohet - ka për të shndërruar sërish një temë me
interes për secilin, në fushëbeteje të disave; sërish në humbje. E nëse dhuna
është alternativa e vetme e opozitës ndaj pushtetit, atëherë ky pushtet e ka
gjatë.