Sunday, 31 May 2015

REPUBLIKA E EUFORISË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 29 MAJ 2015

Një pjesë e shqiptarëve të Kosovës, dhe fatkeqësisht të artikuluar mirë nga grupe të ndryshme politike nacionaliste – të djathta e të majta pa dallim, vazhdojnë të ndërtojnë institucione e trupa paralele me shtetësinë. Këta hipokritë të rrastë, deputetë e politikanë, në njërën anë paguhen për të bërë institucione, e në anën tjetër i rrënojnë ato për një ditë.



-1-

Do të kishte qenë gjithçka më lehtë këndej, sikur gjërat të bëheshin me më pak eufori. Për më tepër, do të kishte qenë gjithçka më lehtë sikur gjërat të kishin një rezon e mendim të shkrirë paraprakisht. E në mungesë të rezonit dhe në prezencë të euforisë, fotografitë e Kosovës këtë javë ishin të një shteti hajgare, me plot shfaqje teatrale, me emocione e kërcënime plumbash plot; primitivizëm mendor e kulturor sa të duash. Marrëzi, marri, jemi larg shumë.

Një pjesë e shqiptarëve të Kosovës, dhe fatkeqësisht të artikuluar mirë nga grupe të ndryshme politike nacionaliste – të djathta e të majta pa dallim, vazhdojnë të ndërtojnë institucione e trupa paralele me shtetësinë. Këta hipokritë të rrastë, deputetë e politikanë, në njërën anë paguhen për të bërë institucione, e në anën tjetër i rrënojnë ato për një ditë. E institucionet e ndërtuara, ato të shtetit pra, janë aq keq të ndërtuara – natyrisht se kush i ndërton – sa që lejojnë secilin grupizim që ka zë e gjoks të bëjë çfarë të dojë. Të prodhojë heronj e dëshmorë, t’i varrosë ata ku të dojë, të promovojë luftëra të reja e të caktojë tradhtarë e të patriotë siç e konsiderojnë.

Këta rrahagjoksë që kanë zë e kërcenim plot, të mbështetur pra nga politikanë e parti hipokrite, kanë urrejtjen aq të madhe me pushtetin (me apo pa të drejtë pak ka rëndësi këtu), sa që në një thes me pushtetin kanë futur dhe shtetin. Këtë rrahagjoksë ceromonishë teatrale, gjithsesi joshtetërore e rrjedhimisht dhe jorelevante, ringjallin qëllime të reja nacionaliste, të frikës e kaosit – të vet anarkisë – me shpresë që të ngrihen mbi to.

Lajmi i keq për ta, dhe politikanët hipokritë që i kanë në krah, është se koha e epëve, e guerilës, e ilegalës apo dhe kaçakes ka mbaruar. Koha e djemve e vajzave të shtetit, të Republikës, që kanë një hierarki, një përfaqësim dhe përfundimisht një llogaridhënie është tani.

-2-

Pra rrahagjoksit me zë plot – kërcënime gjithashtu – preferojnë të shfaqen si me vesh në lesh para raporteve e evidencave të agjencive shtetërore të Republikës, për të ecur solo me shfaqjet e tyre teatrale, me uniforma e trupa paramilitare. Këto raporte, që dalin dhe sot, nuk u përmendën nga ta, e nuk hapën as edhe një diskutim shoqëror, të rrjedhshëm e pa eufori siç do t’i kishte hije një shoqërie të mbarë. Të gjithë të strukur në frikë e me prirje konspiraitve nga më të ndryshmet. Frikën, ç’është e vërteta, ua kanë shti rrahagjoksit në palcë. Njëjtë sikurse ekstremistët fetarë, po fole për ta të bien në qafë; të kërcënojnë ty, familjen, të shajnë e fyejnë me gjithçka.

Dhe kështu, diskutim shoqëror u bë një opinion i një gazetari të respektuar kosovar, ndaj të cilit u ngritën dhe thirrje për plumba në ballë – vetëm se po mendonte, ç’është e vërteta, siç mendojnë institucionet shtetërore ku ka sot shqiptarë. Nacionalistët e tërbuar, me gjithë partitë në krah që i kanë, natyrisht se zgjodhën konspiracionin. Refuzuan qëndrimin shtetëror të Kosovës – që megjithatë pra kishte evidencë; refuzuan edhe qëndrimet e të gjitha partive politike në Shqipëri – të majta dhe të djathta njëtrajtësisht, përfshirë dhe vet qeverinë e Kryeministrinë atje; dhe për fund, refuzuan partitë shqiptare në Maqedoni – refuzuan pra të gjithë. Dhe sapo bënë këtë, u shpërfaqën përfaqësues të vetëm të vlerave të njëmenda shqiptare.

Shih mjerimin. Këta 6-7 milionë shqiptarë që kanë zgjedhur parti e artikulime politike, që kanë dy shtete, dy ushtri (një në NATO e tjera në bërje disi), dy qeveri e nga dy gjithçka, u bënë të pavlerë, jo të denjë për të përfaqësuar – dhe këtu vjen paradoksi – për ta përfaqësuar veten. Mjaftojnë bajraktarët e muskujt për të dhënë mendim; të tjerat janë të parëndësi.  

Dhe derisa evidenca po bëhet, këtë herë jo nga qarqe - apo siç kanë qejf ti thonë këta “kuzhina” – të hurit e të konopit, por nga vet shqiptarët e institucionalizuar në inteligjencë e në polici e ushtri, këtë çfarë e kemi pra, është mirë që gjithë qytetarët me mendje të aftë për veten, të pandikuar nga euforitë nacionaliste e teatrale, të lexojnë e dëgjojnë, të besojnë dhe në fund të konkludojnë mbi evidencën e nxjerrë për ditë.

-3-

Do të kishte qenë gjithçka më lehtë këndej sikur gjërat të bëheshin me më pak eufori edhe për proceset gjyqësore. Gjashtëmbëdhjetë pas luftës, fatkeqësisht, ne ende nuk kemi trajtuar as edhe një rast të vetëm të civilëve të vrarë – me arsyetimin se lufta jonë ka qenë e pastër.

Ç’është e vërteta, lufta jonë edhe ka qenë e pastër. Futeni këtë në kokë që mos ta diskutojmë më. Këtë luftë askush deri më tani nuk e ka vënë në kandar matjeje e vlerësimi. Por është poashtu fakt se janë qindra civil të vrarë dhe – siç mund të ketë gjasë – ka individë që krye në vete kanë kryer krime.

Për të vërtetuar ose jo këto krime, natyrisht se duhet një gjykatë. Dhe sado që gjykatat tona kanë dëshmuar e stërdëshmuar paaftësinë për të bërë gjykim, ato – dhe gjithë sistemi kontrollues e ankues ndaj tyre – mbesin të vetmet alternativa që kemi. Në të kundërtën, bërja vet e prokurorit, avokatit e gjykatësit, çfarë mund të jetë dëshira e shumicës prej këtyre rrahagjoksëve, na sjellë neve e të tjerëve në dy-treqind vjet prapështi.

Dhe mbi të gjitha, nuk është e vërtetë – as edhe pak e vërtetë madje – se sot, në ndonjë proces gjyqësor, po gjykohet lufta çlirimtare. Ky arsyetim është vetëm një farsë tashmë bajate dhe e zakonshme e të akuzuarve për të përlyer gjithçka pas tyre. Është e vërtetë, dhe vetëm e vërtetë, se po akuzohen individë, që krye në vete mund të kenë bërë krime.

Nuk po gjykohet as hierarkia ushtarake, as përgjegjësia komanduese – dhe mbi të gjitha – as trashëgimia institucionale e luftës së UÇK-së. Po gjykohet individi për një vepër individuale, krye në veti pra, pa ndonjë ndërlidhshmëri me vet organizatën. Vetëm ata që konsiderojën individin vet organizatë, pra që çlirimin e ndërlidhin me një, dy apo tridhjetë individë, mund të ngrehin paralele të tilla.

Gjithsesi, në këtë gjykim, paradoksi i paradokseve sërish na shfaqet nga politikanë nacionalistë që në njërën anë bëjnë thirrje për gjyqësor e shtet demokratik, e në anën tjetër akuzojnë proceset gjyqësore – madje edhe ato të Bashkimit Evropian. Hec e bjeri në fije të tillëve tash.

-4-

Fatkeqësia më e madhe e kësaj shoqërie është se ajo ende nuk e ka kuptuar se ka shtet; të ligë apo të fortë atë që ka dhe atë që e ndërton vet. Kujdes, nuk po flas për pushtet, por për shtet. Pushteti zgjedhet, rrëzohet e zëvendësohet - shteti ose bëhet ose s'bëhet. Dhe mos më thuani që s'kemi shtet. Na mjaftojnë këta fqinjtë në veri.

E kur ke shtet, apo pretendon se po ndërton një të tillë, atëherë e kupton se gjërat bëhen me një rend; përfaqësimi, interesi, gjykimi, nderimi, lufta, paqja dhe patriotizmi njëtrajtësisht kanë një rend e një artikulim. Nuk bëhen më krye në veti - sepse ndërton një gurë, rrënon njëqind të tjerë.

Por nuk e fajësoj shoqërinë për këtë sinqerisht. Gjatë gjithë kohës post-çliruese, shqiptarët nuk kanë arritur të përjetojnë shtet njëmend. Kanë parë mjaftueshëm zaptim, hajni, pabarazi e padrejtësi; pra janë ushqyer mosvet nga pushtete e klane një pas një, për të përfunduar në distancimin prej shtetit dhe gjithçka që lidhet me shtet. Prandaj sot kur mendojmë për mbrojtje, mendja nuk na shkon në ushtri të Republikës që e financojmë, trajnojmë e ndërtojmë, por tek individë epi – në guerile, ilegale, në lëvizje hala çlirimtare. Kur mendojmë për gjyqësi shikojmë nga të huajt, për edukim sa më larg, për shëndet në rrugë - gjithkah, gjithku, por kurrë në shtet.

Këta kanë vrarë shtetin pra. Në vend të tij kanë ndërtuar institucione trashëgimie e paprekshmërie – studentë me trashëgimi, beneficione me trashëgimi, vota me trashëgimi, vende pune me trashëgimi, tenderë me trashëgimi, pafajësi me trashëgimi – njerëz të paprekshëm, pacifistë e komandantë të pafajshëm pra në përjetësi. Mos i prekni. Marrëzi. Më nuk dimë kush çfarë është, s'dallojmë patriotin prej tradhtarit, të ndershmin prej kriminelit, të mençurin prej budallait; të gjithë në një thes, secili krye në veti për të bërë punën lëmsh krejt.


Monday, 25 May 2015

EKONOMIKSI I KOSOVËS

Letra nga limbo
22 MAJ 2015

Ku jemi, nga po shkojmë


-1-

Jo shumë larg nga sot, ekonomiksi i Kosovës – përkatësisht qëndrueshmëria ekonomike e saj – ka qenë një nga çështjet kryesore që është ngritur në kontekstin e statusit final të vendit; sidomos nga ata që kanë kundërshtuar drejtpërsëdrejti fizibilitetin e pavarësisë së Kosovës.

Pyetja, në radhë të parë, është adresuar në vijë me madhësinë e Kosovës – përkatësisht popullsinë dhe sipërfaqen; resurset natyrore dhe nivelin potencial të zhvillimit. E njëjta kishte neglizhuar natyrisht evidencën  konsistente se madhësia dhe pasja ose jo e resurseve natyrore ka pak ndikim në qëndrueshmërinë ekonomike. Mikro-shtetet e zhvilluara kishin provuar një gjë të tillë.

Sot, shtatë vite pas pavarësisë, viabiliteti ekonomik i Kosovës nuk dyshohet më. Ani pse e vogël, trendet megjithatë pozitive të rritjes ekonomike dhe stabilitetet financiare të treguara nëpër vite, kanë vënë bazën e prospekteve të ardhme të vendit.

Kosova sot vazhdon të jetë e pasur me resurse natyrore dhe me një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në moshë të re e mjaftë vibrante. Ajo ka secilin parakusht për të ushtruar zhvillimin e dëshiruar ekonomik. Megjithatë, dhe fatkeqësisht, kualitetet e politikave qeverisëse, aftësimet e fuqisë punëtore dhe mungesa e inovacionit kanë vendosur Kosovën në trende e nivele larg nga të dëshiruarat.


-2-                                                                         

Që nga pavarësia, Kosova ka shënuar progres relativ në ndërtimin e institucioneve dhe kornizës ligjore. Mbi të gjitha, vendi ka arritur të mirëmbajë norma të rritjes pozitive e të qëndrojë imun ndaj krizës evropiane të viteve 2008-2010. Kjo për shkak se vendi ishte më pak i integruar në sistemin financiar botëror, dhe rrjedhimisht më pak i ekspozuar ndaj tij. Pavarësisht kësaj, kriza ishte ndjerë më shumë në rritjen më të ngadalshme të remitencave, në eksportet e Kosovës – ashtu kështu të pakta – dhe në investimet e huaja direkte.

Sot, e ardhura për kokë banori në Kosovë është vetëm sa dy të tretat e një vendi rajonal, dhe sa një e dhjeta e një vendi në BE. Kosova sot ka një Bruto Produkt Vendor prej 5.4 miliardë eurove, dhe të ardhura për kokë banori prej rreth 3,100 eurove.

Norma mesatare e rritjes ekonomike në Kosovë, përgjatë dekadës së fundit, qëndron në 4.03%, krahasuar me 4.1% në Shqipëri, 3.1% në Maqedoni, 3.5% në Mal të Zi dhe 2% në Serbi. Për më tepër, në tre vitet e fundit, rritja ekonomike mesatare është vetëm rreth 2.93%, ndërkaq projeksionet për vitin e tanishëm nuk kalojnë nivelin prej 3.3%.

Pavarësisht trendëve ekonomike pozitive, rritja nuk është përkthyer mjaftueshëm për të adresuar çështjet më emergjente ekonomike në vend; siç është punësimi. Kështu, Kosova vazhdon t’i ketë – sipas të dhënave zyrtare – plot 30% të papunë. Papunësia ndërsa vazhdon të jetë dhe më e lartë për gratë – plot 40% - dhe në nivele tërësisht alarmante për të rinjtë – plot 55%. Në kushte të tilla, rreth 35% e qytetarëve kosovarë jetojnë në varfëri, përderisa mbi 12% jetojnë në varfëri të skajshme me më pak se 1 euro në ditë.

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova duhet të dyfishojë normat e tanishme të rritjes për të adresuar – në rastin se rritja është gjithsesi proporcionale – të 25.000 punëkërkuesit e përvjetshëm në vend. Prandaj, është e nevojshme një rritje prej 7-8% për të adresuar disbalancet ekonomike që vendi ka, dhe për të shëruar kështu një nga sëmundjet më kronike të vendit - papunësinë.

-3-

Disbalanci i parë është se rritja ekonomike e Kosovës është e mbivarur nga konsumi; shumë pak nga investimet. Kështu, proporcioni i konsumit në Bruto Produktin Vendor është plot 107%; dhe në trend rritës madje. Vetëm tre vite më parë, pjesëmarrja e konsumit në Bruto Produktin Vendor ishte 91%. E përgjatë vitit 2014, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, përderisa konsumi ka shënuar rritje, niveli i investimeve të gjithëmbarshme – publike e private – ka rënë për 11%.

Varësia ekonomike e Kosovës në konsum dhe investime publike, ka bërë që edhe potenciali i rritjes ekonomike të Kosovës, të kufizohet në normat mesatare të tre viteve të fundit – përkatësisht tek 3%. Sepse, në pamundësi të rritjes së mëtutjeshme të investimeve publike – të cilat pra kanë arritur kufirin e lartë të ngopjes – janë investimet private që shpërfaqen me potencial; ato do të duhej të merrnin primat.

E investimet private, fatkeqësisht, vazhdojnë të mbesin në nivele të pavërejtshme për të dërguar normën e rritjes në nivelet e dëshiruara. Madje, investimet e huaja të jashtme – si pjesë e tyre – përgjatë vitit të fundit kanë shënuar nivelin më të ulët të regjistruar që nga viti 2007. Ato, vetëm brenda vitit 2014 janë zvogëluar për plot 25%.

Disbalanci i dytë është se Kosova vazhdon të ketë varësi të madhe në import – dhe rrjedhimisht deficit të lartë tregtar. Sipas Doganave të Kosovës, në vitin 2014 niveli i deficitit tregtar ka arritur në 2.1 miliardë euro, përderisa importet kanë arritur në 2.5 miliardë euro. Rrjedhimisht, proporcioni i deficitit tregtar në Bruto Produktin Vendor është plot 41%.

Me nivelin e tanishëm të varësisë, ajo pak vlerë e krijuar në Kosovë vazhdon të eksportohet si para e gatshme jashtë – në këmbim të mallrave e shërbimeve që mund – në rrethana normale të zëvendësoheshin lehtë këtu.

Disbalanci i tretë ndërlidhet me kompozicionin sektorial të outputit kombëtar. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (2014),  aktivitetet e sektorëve ekonomike – si proporcion në Bruto Produktin Kombëtar – kanë mbetur të pandryshueshme. Agrikultura, prodhimi e shitja me pakicë vazhdojnë të mbesin në stade të njëjta që nga viti 2008 deri më sot.

Në këtë vijë, niveli i prodhimit në 2014, si pjesëmarrje në Bruto Produkt Vendor është po i njëjti me nivelin e vitit 2008; vetëm 11%. Ky mos-ndryshim e stagnim – veçanërisht në prodhim – por njëtrajtësisht dhe në sektorët e tjerë, provon pandryshueshmërinë e një disbalanci të kompozicionit sektorial që nuk mund të sjellë zhvillim – siç dhe ka ndodhur deri më tani.

-4-

Në anën tjetër të politikave ekonomike, atyre financiare pra, menaxhimi dhe stabiliteti buxhetor kanë shënuar dy ecje të kundërta. Përderisa stabiliteti buxhetor është realizuar në të mirë, menaxhimi financiar i ka ngjarë më tepër barazimit të librave. Politikat e deritanishme fiskale, nuk kanë arritur të promovojnë nisjen e bizneseve të reja, sjelljen e investimeve të jashtme e ngritjen e prodhimit vendor. Reformat e fundit fiskale, ndërsa, sidomos ato në drejtim të heqjes së barrës për investimet në prodhim, mund të krijojnë ambient më të favorshëm ekonomik.

Në anën e mbledhjes së të hyrave buxhetore, kufizimet në Administratën Tatimore të Kosovës dhe mekanizmave mbledhës të tjerë, kanë bërë që niveli i evazionit fiskal të arrijë në plot 34% të të gjitha shitjeve të realizuara në vend. Mbledhja joproporcionale e të hyrave ka ushqyer gjithashtu konkurrencën e pabarabartë.

Kjo konkurrencë e pabarabartë është ushqyer edhe nga ana e shpenzimeve të parasë publike – përkatësisht nga sistemi i prokurimit publik, shpeshherë i asociuar me nivele të larta të korrupsionit e keqpërdorimeve. Për një vend ku shpenzimet qeveritare përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të Bruto Produktit Vendor – rreth 30% – anomalitë, sikurse korrupsioni në prokurimin publik – jo vetëm që rrisin koston e biznes-bërjes, por edhe parandalojnë rrjedhën normale të parasë tek bizneset efiçente. Në tre vitet e fundit, vlera e kontratave të dhëna nga prokurimi publik ka arritur – në mesatare – rreth 15% të Bruto Produktit Vendor.

Në përgjithësi, parametrat e qëndrueshmërisë buxhetore janë luhatur me shpenzime enorme në projekte të vetme – siç është rasti i dy autostradave të fundit – dhe me rritje të paplanifikuar e artificiale të pagave në sektorin publik nëpër ciklet zgjedhore. Rritjet e tilla, në një notë të veçantë, kishin bërë që sektori publik të paguante në mesatare gati dyfishin e pagës mesatare në sektorin privat.

Deficitet buxhetore të shtatë viteve të fundit janë mbuluar fillimisht nga akumulimet e mos-ekzekutimit të buxheteve të periudhave paraprake, dhe më pas me ngritjen e borxhit qeveritar. Ndonëse niveli i borxhit qeveritar – në proporcion me Bruto Produktin Vendor – është ende në limitet e lejuara ligjore, rritja e vazhdueshme e tij ngritë shqetësimet e para të qëndrueshmërisë afatgjate fillimisht, por dhe të efiçencës së marrjes së borxheve për financimin e shpenzimeve publike që nuk nxisin vende pune.

-5-

Atëherë cilat janë barrierat kryesore të rritjes së investimeve private në Kosovë? Sipas percepcioneve të sektorit privat, ato mund të grupohen në tri kategori.

Në të parën, bëjnë pjesë kostot e larta të financimit. Ndonëse normat e interesit në Kosovë kanë shënuar rënie nëpër vite – duke mbajtur konstant nivelin e kredive joperformuese, financimi i projekteve investive në vend mbetet megjithatë i pamjaftueshëm. Ambienti i pasigurt biznesor dhe mungesa e aftësive planifikuese të bizneseve kanë krijuar një hendek në mes të financueseve dhe kërkueseve për financim. Në këtë vijë, idetë dhe nismat e reja mbesin më të disfavorizuarat.

Në grupin e dytë ndërsa, bëjnë pjesë pengesat e mosefikasitetit të institucioneve publike. Informaliteti, evazioni, korrupsioni e mosfunksionimi i gjyqësorit kanë shndërruar ambientin e gjithëmbarshëm ekonomik në fushë të pabarabartë konkurrimi dhe në prekondita të kushtueshme e të pasigurta ekzistimi e investimi.

Në grupin e tretë, gjithmonë sipas përshtypjeve të marra nga sektori privat, bën pjesë inekzistenca e politikave mbështetëse e favorizuese publike – horizontale pra – që do të ndihmonin zhvillimin e rrisnin konkurrueshmëirnë e bizneseve vendore përballë atyre të jashtme.

Për fund, mosndryshueshmëria e këtyre pengesave investive nëpër vite, shpjegon dhe stagnimin e investimeve private, rrjedhimisht mosndryshimin e strukturës së aktiviteteve ekonomike, e cila më pas shkakton rritjen modeste ekonomike dhe përfundimisht mospërkthimin e saj në vende të reja pune. Është një cikël që duhet zhbërë nga fillimi.



Sunday, 17 May 2015

MAQEDONIA SIQ S’MUND TË JETË MË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 MAJ 2015

Kjo Maqedoni, e shqiptarëve të pabarabartë si etni, e politikanëve të patakt e pa përgjegjësi, e regjimeve diktatoriale e konspirativë, nuk mund të jetë më. Një Maqedoni e re duhet të nisë.





-1-

Konflikti i ri në Maqedoni – për aq pak kohë sa zgjati – shpërfaqi lehtësisht gjithë fragjilitetin e akullit mbi të cilin ecë me hapa të rëndë i gjithë Ballkani. Secili ballafaqim, në secilin qytet ballkanik, mund të nisë – lehtësisht pra – një zinxhirë reagimesh gjithandej, fundi i të cilave mund të jetë i trishtë.

Në të vërtetë, në tre-katër vitet e fundit, janë forcat nacionaliste e radikale, kryesisht rreth shteteve që rrethojnë të dy shtetet shqiptare, që kanë marrë primatin politik dhe me këtë kanë vënë një bar të ri diskutimi - turbonacionalizmin. Habitshëm, por jo më pak arsyeshëm, janë shqiptarët që në vazhdimësi kanë treguar tolerancë e inferioritet ndaj një diskursi të tillë; më shumë këta të Kosovës e më pak ata në Shqipëri të cilët megjithatë së fundmi kanë futur veten në një balon etnik e të madhësisë – Shqipërisë së Madhe siç kanë nisur t’i thonë andej – pa kuptuar ndoshta dhe mirë kuptimin vetërrënues të saj. Shqiptarët, në përgjithësi pra, kanë mbajtur qëndrime liberale përballë secilit lunatik politik ballkanas që ka shpërfaqur publikisht apo privatisht ide e koncepte anti-shqiptare; nga Dodiku i Srpskas, tek Nikoliqi i Serbisë e vet Gruevski i Maqedonisë – secili më i huqur se tjetri.

Ka një arsye të shëndoshë prapa tolerancës shqiptare. Ajo ndërlidhet me idenë se sot shqiptarët kanë për të humbur më shumë se secili popull tjetër ballkanas po u futën në vallen turbonacionale e të konfliktit; prandaj dhe mbesim të kujdesshëm. Jo se kemi alamet shtete të zhvilluara, se kemi ekonomi, ushtri e supremaci rajonale, humbja e të cilave do të na ngjallte frikë. Nuk e kemi asnjërën. Ç’është e vërteta, jemi në llum e zi kur bëhet fjalë për çështjet tona; e kemi bërë paçavure secilën mundësi tonën për shtet e zhvillim. Por ama, për habinë më të madhe tonën, ne megjithatë kemi aleanca e forca që lundërojnë në lumenjtë tanë – më mirë thënë ne tek të tyret – për dallim pra prej rajonit që shikon çdo ditë e më shumë drejt Moskës. Dhe mbi këto aleanca e bashkëlundërime, të rastësishme ose jo, ne kemi shfaqur hezitim për të shpërthyer me eskalim. Sepse ndjejmë frikë se mund t’i humbasim të gjitha, për t’u kthyer në kohë kur s’i kishim asnjërën.

-2-

Kjo maturi e jona, megjithatë, është bërë në kosto të kompromisit të veshëleshësisë ndaj të gjitha ballafaqimeve të shqiptarëve që jetojnë jashta dy shteteve me shumicë shqiptare. Ata, në të gjitha parametrat e mundshëm, mbesin në mëshirën e regjimeve më jodemokratike në Evropë. Përballë këtyre regjimeve, në rastin më të zakonshëm pra, këto dy shtete tonat zakonisht nuk kanë folur gjë; e kur kanë folur ja kanë futur kot së koti me deklarata bashkimi e supremacie nga ndonjë ballkon turistik; herë në Ulqin e herë në Sarandë. Të dy qeveritë janë mërzitur më së paku për hallin e shqiptarëve në Maqedoni e atyre në Luginë. Nuk janë mërzitur as me lekë, as me nota proteste e as me gjuhë alarmi për regjimet e çuditshme në shtete si këto.

E tëra u është lënë përfaqësimeve vetanake  – kryesisht në Maqedoni, partiashë të ndarë – sikurse në rastet e tjera të shqiptarëve – në njëmijë e kusur parti. Këtë herë, megjithatë, me aleanca me dreqin e të birin e tij; diktatorë në bërje, rrënues të demokracisë, kriminelë të zakonshëm e të përgjuar skandalozë e pa marre. Sinqerisht, ende nuk arrij të kuptojë lehtësinë me të cilën partitë shqiptare kanë ndarë shqiptarët e interesat minimale qytetare atje për një copë pushtet.

Në pamundësi të adresimit të problemeve bazike të shqiptarëve atje, nga vendi i punës e deri tek mirëqenia e të qenit shqiptarë, qytetarët e atjeshëm kanë pasur gjithnjë agjendën e papajtueshmërisë. Çfarë mund të pret njeriu nga një qeveri që një etni të tanë – taksapaguesit e vet, i quan “egërsi”? Të pret përkujdesje, mbrojtje e barazi nga mëshira e vetërregullimi? Është fare e lehtë për neve këndej (ani pse me plot telashe të kapësve, hajnave e kriminelave gjithandej) të luajmë në baste të sigurta e durimi. Për shqiptarët atje, që ende përpjekjen e kanë rreth trajtimit të barabartë me etnitë tjera, papajtueshmëria – dhe rrjedhimisht ndërmarrja – ka qenë natyrale tërësisht.

Pra motivi i papajtueshmërisë ka qenë i rrahur kaherë; por pavarësisht arsyeve për papajtueshmëri, ajo nuk nënkuptonte asnjëherë luftë e konflikt. Mund të kuptonte protestë e organizim ndoshta, ngritje e kryengritje për rrëzim të regjimit dhe marrjen e të drejtave kushtetuese që shqiptarët kanë atje, por ama në secilën rrethanë të mundshme – marrë gjithmonë forcat e aleancave strategjike që përcaktojnë fate këndej – konflikti i armatosur ishte jashtë letrave.

-3-

Prandaj ky konflikt nuk burojë andej; u importua – dhe importimi i konfliktit të armatosur, në këtë kohë pra, ishte gjëja më naive e mundshme; u pagua shtrenjtë. Dhe përderisa imagjinata e teorive të konspiracionit e tradhtive fluturon herë andej e herë këndej pandërprerë, unë shprehi rezerva – për shkak të paditurisë së plotë rreth ngjarjes – të përfoljes së motiveve të disa shqiptarëve me armë e unifromë në dorë, që në fund u rrethuan dhe u vranë në një rreth civilësh. Vrasja e tyre humb secilin rezon të gjetjes së motivit të manipulimit, siç pretendojnë paradoksalisht disa, sidomos kur ajo bëhet ndaj individëve që luftën për të drejtat e lirinë shqiptarëve e kanë në rezumetë që mbajnë.  

Nuk shprehi asnjë rezervë për idenë e tyre të konfliktit, të cilën e refuzoj apriori, siç dhe u refuzua nga shqiptarët atje. Po të ishte ndryshe, ky konflikt e kjo sakrificë do të ngjiste një zinxhirë reagimesh po ashtu të armatosura, siç dhe kishte ngjarë në vitin 2001. Por nuk kishte bazë, ishte jonatyrale pra.

Nuk shprehi asnjë rezervë as për shfrytëzimin e mundësisë nga regjimi i Gruevskit, i cili në kohë të krizës më të rëndë të joqëndrueshmërisë përdori një xhoker kasaphaneje në mes të vendbanimeve shqiptare – për të larguar me sukses shumë vëmendjen e publikut atje. Dhe kështu, një problem qeverisës e shndërroj në problem etnik. Shqiptarët u shënuan edhe një herë.

Dhe në fund, nuk shprehi asnjë rezerve e konsideratë për partitë shqiptare që vazhdojnë të qëndrojnë në qeverisje me një regjim të tillë. Të paskrupullt në skajshmëri. Dëmtuesit e vërtetë të interesave shqiptare atje janë piëkrisht në qeveri.


-4-

Në fund të ditës, derisa secili jep versionin e vet, shqiptarët në Maqedoni kanë një listë problemesh që megjithatë duhet t’i adresojnë shpejtë.

E para, dhe më e rëndësishmja, është që të distancohen idetë që provojnë luftën. Lufta e shqiptarëve, sot pra, do të bëhej pa mbështetje ndërkombëtare – dhe mbi të gjitha, pa mbështetjen e shteteve shqiptare e qytetarëve të tyre. E mosmbështetja do ta bënte palën tjetër të lirë drejt kasaphanës së mëtutjeshme – janë të etur e kanë nevojë shumë për të.

E dyta, shqiptarët e Maqedonisë duhet të distancohen nga partitë e tanishme që servilojnë me pushtetin. Përderisa elita e tanishme politike bën martesë herë me diktatorë e herë me agjentë sekretë, asnjë ditë e mirë s’ka për t’u parë në horizon.

Në vend të tyre, e treta pra, shqiptarët duhet të ndërtojnë aleanca qytetarësh me ata pak maqedonë që mendojnë njëjtë si ta – kundër regjimit pra. Kur të kenë pastruar fillimisht shtëpitë e tyre nga politikanë të paskrupulltë e të patakt, ata mund të pastrojnë gjithë sistemin mazhoritarë atje. Kur të pastrojnë më pas regjimin, mund të fillojnë shtrimin e kërkesave kushtetuese e shtetformuese që megjithatë duhet t’i kenë.

Së katërti, duke parë veshëleshësinë e ftohtësinë me të cilën liderët e atjeshëm u jepen problemit të shqiptarëve në Maqedoni, është e udhës që liderët e tjerë shqiptarë, në Kosovë e Shqipëri, të ngrijnë të gjitha marrëdhëniet e relacionet e dyanshme, për të nisur kështu një rol të ri ndihmese për shqiptarët atje.

Në të gjitha rastet, indiferenca dhe mosreagimi është zgjidhja më joadekuate që mund të krijojmë këtë herë. Dhe kjo Maqedoni, e shqiptarëve të pabarabartë si etni, e politikanëve të patakt e pa përgjegjësi, e regjimeve diktatoriale e konspirativë, nuk mund të jetë më. Një Maqedoni e re duhet të nisë.




Monday, 4 May 2015

MBI TË BËRIT BIZNES NË VERI

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 1 MAJ 2015

Një elaborim i rezultateve të një ankete me 250 biznese serbe në veri të Kosovës



-1-

Këtë javë, për herë të parë në përvojën tonë tashmë 20 vjeçare në Riinvest, ne organizuam një tryezë diskutimi në veri të Kosovës. Tryezës i kishte paraprirë një studim-anketë me 250 biznese të serbëve të veriut, trajnime disa javore me disa nga to, dhe një takim pune për përcaktimin strategjik të rajonit, siç e shihnin vet bizneset pra. Angazhimi, i mbështetur nga Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë, shënonte – së paku për ne – një fazë të re të angazhimit; atë të shqiptarëve të Kosovës në pjesën veriore të vendit tonë. Mbi këtë angazhim tonin dua dhe të ndajë disa përshtypje e mendime në këtë shkrim.

Përshtypja e parë, dhe jo pak befasuese, ishte se mungesa e institucioneve kosovare atje për tash e gjashtëmbëdhjetë vjet, kishte lënë shumë pak Kosovë në këtë vend. Në të vërtetë, angazhimi i qeverisë serbe për gjithë këto vjet, kishte krijuar një ambient që në kontinuitet ndërlidhej me Serbinë – në pamje, mendësi, funksionalitet e çka jo tjetër.

Përshtypja e dytë, dhe dorën në zemër për ne dhe pak befasuese, ishte gatishmëria e bizneseve të vogla dhe të mesme serbe, pra e atyre individëve ndërmarrës të vegjël – burra e gra njëjte – që të bashkëpunonin me institucionet nga Prishtina; përshtypje që dallon shumë nga percepcioni publik i krijuar nëpër media. Mbi këtë vullnet bashkëpunimi në biznes, shoh unë, dhe mundësinë integruese të serbëve të Veriut në jetën e Kosovës. Sepse, të lodhur nga ngufatjet politike, ata mund të kenë arritur në një pikë të trajtimit të mirëqenies së tyre siç dhe bën biznesi; pra të rezonojnë deri në profitabilitet. E profitabilitet në ngufatje e status-quo nuk mund të ketë asnjëherë.

-2-

Të dhënat e para të anketës së zhvilluar në veri, tregonin se struktura biznesore e kësaj pjese (jo-shqiptare pra) përbëhej kryesisht nga biznese të vogla e në pronësi familjare – pjesa më e madhe e të cilave – rreth 62% sosh – realizonin shitje për më pak se 10.000 euro në vit. Mbi të gjitha, gjysma e bizneseve merren me shit-blerje të pakicës. Numrat si këto dëshmojnë dhe një herë se biznesi atje – familjar pra – është më tepër çështje mbijetese se sa ndërrmarrësie mirëfilli.

Siç dhe mund të pritej, pjesa më e madhe e shitjeve – rreth 90% - bëhej në regjionin e tyre, në veri pra. Pjesa e mbetur destinohej në regjionet tjera të Kosovës (rreth 6%) dhe në Serbi (rreth 4%). Ky proporcion e bën këtë regjion tërësisht të izoluar. Sepse nuk ka asnjë regjion tjetër në Kosovë që mbanë një nivel kaq të centralizuar të shitjeve.

Pjesa më e madhe e këtyre shitjeve, siç dhe pritet, kanë për destinim familjet serbe në regjionin e veriut. Përkatësisht, rreth 62% e shitjeve u dedikohet familjeve serbe, rreth 8% të tjera bizneseve serbe, ndërsa rreth 7% të shitjeve kanë për blerës qeverinë serbe. Në anën tjetër, të shqiptarëve pra, vetëm 1% e këtyre shitjeve kanë për klient qeverinë e Kosovës (një indikacion ndoshta për prezencën e mangët të institucioneve tona atje), përderisa rreth 16% e shitjeve konsumohet nga familjet shqiptare, e 3% të tjera nga bizneset shqiptare. Pjesa e mbetur, tek komunitetet tjera.

-3-

Formalizimi i bizneseve serbe në veri – veçanërisht në relacion me institucionet e Kosovës, natyrshëm se mbetet larg prej optimales. Kështu, ndonëse rreth 75% e bizneseve atje janë të regjistruara (25% të tjera pra nuk janë regjistruar fare ndonjëherë); pjesa më e madhe e tyre janë pjesë e regjistrit të Qeverisë së Serbisë – përkatësisht plot 51%. Rreth 31% të tjerë, janë të regjistruar edhe në regjistrin serb, edhe në regjistrin kosovar; përderisa pjesa e mbetur prej 18% janë të regjistruara vetëm në regjistrin kosovar.

Njëtrajtshëm, pjesa më e madhe e bizneseve serbe besojnë se rreth 45% e shitjeve që realizohen atje, nuk deklarohen për qëllimre tatimore fare. Niveli i tillë i mospagesës së tatimeve, sic dhe pritej, e bën këtë regjion dallueshëm më evaziv se sa të gjitha regjionet tjera jo-veriore. Për krahasim, rreth 30% e shitjeve të bizneseve shqiptare në Kosovë, nuk raportohen për qëllime tatimore.

Viti 2014, duket të ketë qenë një vit i rëndë për bizneset atje. Sepse pothuajse gjysma e tyre – rreth 48% - kanë deklaruar se përgjatë vitit të shkuar shitjet e tyre kanë rënë për 48%; pjesa tjetër, prej 33% kanë deklaruar se nuk kanë pasur ndryshim, ndërsa vetëm 19% prej sosh kanë deklaruar rritje.

Arsye prapa ngecjeve si këto, bizneset serbe në veri shohin madhësinë e vogël të tregut, të shoqëruar nga mungesa e subvencioneve, jostabiliteti politik dhe mungesa e furnizimi me energji. Për dallim nga pjesa tjetër e Kosovës, evazioni fiskal dhe informaliteti shihet si barrierë e ulët. Kjo aspak e çuditshme; kur gjysma e bizneseve – siç deklarohen vet ata – janë pjesë e evazionit, atëherë konkurrenca jo-fer më nuk bëhet barrierë, bëhet normë e zakonshme biznesore, e barabartë për të gjithë.

-4-

Gjithsesi, vështirësitë e integrimit të veriorëve në Kosovë kuptohen edhe nga niveli i besim-mosbesimit që këto biznese kanë sot. Ato pra kanë tendencë të mbibesimit ndaj institucioneve e përfaqësive të Beogradit, e mosbesimit të institucioneve të Prishtinës – apo për faktin, dhe atyre ndërkombëtare. Kështu, në kategorinë e më të besuarve të bizneseve serbe bëjnë pjesë stafi që kanë, komunat veriore, qeveria serbe dhe OJQ-të lokale. Më të mosbesuarat, ndërsa, mbesin institucionet e Kosovës (vetëm 4.6% prej tyre kanë besim, 61% jo, pjesa tjetër pa mendim të përcaktuar); përcjellë nga EULEX , mediat, KFOR dhe gjykatat.

Së paku, gjykatave nuk u besojmë njëjtë.