Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 MAJ 2015
Kjo Maqedoni, e shqiptarëve
të pabarabartë si etni, e politikanëve të patakt e pa përgjegjësi, e regjimeve
diktatoriale e konspirativë, nuk mund të jetë më. Një Maqedoni e re duhet të
nisë.
-1-
Konflikti i ri në
Maqedoni – për aq pak kohë sa zgjati – shpërfaqi lehtësisht gjithë
fragjilitetin e akullit mbi të cilin ecë me hapa të rëndë i gjithë Ballkani.
Secili ballafaqim, në secilin qytet ballkanik, mund të nisë – lehtësisht pra –
një zinxhirë reagimesh gjithandej, fundi i të cilave mund të jetë i trishtë.
Në të vërtetë, në
tre-katër vitet e fundit, janë forcat nacionaliste e radikale, kryesisht rreth shteteve
që rrethojnë të dy shtetet shqiptare, që kanë marrë primatin politik dhe me këtë
kanë vënë një bar të ri diskutimi - turbonacionalizmin. Habitshëm, por jo më
pak arsyeshëm, janë shqiptarët që në vazhdimësi kanë treguar tolerancë e inferioritet
ndaj një diskursi të tillë; më shumë këta të Kosovës e më pak ata në Shqipëri të
cilët megjithatë së fundmi kanë futur veten në një balon etnik e të madhësisë –
Shqipërisë së Madhe siç kanë nisur t’i thonë andej – pa kuptuar ndoshta dhe mirë
kuptimin vetërrënues të saj. Shqiptarët, në përgjithësi pra, kanë mbajtur qëndrime
liberale përballë secilit lunatik politik ballkanas që ka shpërfaqur publikisht
apo privatisht ide e koncepte anti-shqiptare; nga Dodiku i Srpskas, tek
Nikoliqi i Serbisë e vet Gruevski i Maqedonisë – secili më i huqur se tjetri.
Ka një arsye të
shëndoshë prapa tolerancës shqiptare. Ajo ndërlidhet me idenë se sot shqiptarët
kanë për të humbur më shumë se secili popull tjetër ballkanas po u futën në
vallen turbonacionale e të konfliktit; prandaj dhe mbesim të kujdesshëm. Jo se
kemi alamet shtete të zhvilluara, se kemi ekonomi, ushtri e supremaci rajonale,
humbja e të cilave do të na ngjallte frikë. Nuk e kemi asnjërën. Ç’është e vërteta,
jemi në llum e zi kur bëhet fjalë për çështjet tona; e kemi bërë paçavure secilën
mundësi tonën për shtet e zhvillim. Por ama, për habinë më të madhe tonën, ne
megjithatë kemi aleanca e forca që lundërojnë në lumenjtë tanë – më mirë thënë ne
tek të tyret – për dallim pra prej rajonit që shikon çdo ditë e më shumë drejt
Moskës. Dhe mbi këto aleanca e bashkëlundërime, të rastësishme ose jo, ne kemi
shfaqur hezitim për të shpërthyer me eskalim. Sepse ndjejmë frikë se mund t’i
humbasim të gjitha, për t’u kthyer në kohë kur s’i kishim asnjërën.
-2-
Kjo maturi e
jona, megjithatë, është bërë në kosto të kompromisit të veshëleshësisë ndaj të
gjitha ballafaqimeve të shqiptarëve që jetojnë jashta dy shteteve me shumicë shqiptare.
Ata, në të gjitha parametrat e mundshëm, mbesin në mëshirën e regjimeve më
jodemokratike në Evropë. Përballë këtyre regjimeve, në rastin më të zakonshëm
pra, këto dy shtete tonat zakonisht nuk kanë folur gjë; e kur kanë folur ja kanë
futur kot së koti me deklarata bashkimi e supremacie nga ndonjë ballkon
turistik; herë në Ulqin e herë në Sarandë. Të dy qeveritë janë mërzitur më së
paku për hallin e shqiptarëve në Maqedoni e atyre në Luginë. Nuk janë mërzitur
as me lekë, as me nota proteste e as me gjuhë alarmi për regjimet e çuditshme
në shtete si këto.
E tëra u është lënë përfaqësimeve vetanake – kryesisht në Maqedoni, partiashë të ndarë – sikurse në rastet e tjera të shqiptarëve – në njëmijë e kusur parti. Këtë herë, megjithatë, me aleanca me dreqin e të birin e tij; diktatorë në bërje, rrënues të demokracisë, kriminelë të zakonshëm e të përgjuar skandalozë e pa marre. Sinqerisht, ende nuk arrij të kuptojë lehtësinë me të cilën partitë shqiptare kanë ndarë shqiptarët e interesat minimale qytetare atje për një copë pushtet.
Në pamundësi të
adresimit të problemeve bazike të shqiptarëve atje, nga vendi i punës e deri
tek mirëqenia e të qenit shqiptarë, qytetarët e atjeshëm kanë pasur gjithnjë agjendën
e papajtueshmërisë. Çfarë mund të pret njeriu nga një qeveri që një etni të tanë
– taksapaguesit e vet, i quan “egërsi”? Të pret përkujdesje, mbrojtje e barazi
nga mëshira e vetërregullimi? Është fare e lehtë për neve këndej (ani pse me
plot telashe të kapësve, hajnave e kriminelave gjithandej) të luajmë në baste të
sigurta e durimi. Për shqiptarët atje, që ende përpjekjen e kanë rreth
trajtimit të barabartë me etnitë tjera, papajtueshmëria – dhe rrjedhimisht ndërmarrja
– ka qenë natyrale tërësisht.
Pra motivi i
papajtueshmërisë ka qenë i rrahur kaherë; por pavarësisht arsyeve për
papajtueshmëri, ajo nuk nënkuptonte asnjëherë luftë e konflikt. Mund të
kuptonte protestë e organizim ndoshta, ngritje e kryengritje për rrëzim të
regjimit dhe marrjen e të drejtave kushtetuese që shqiptarët kanë atje, por ama
në secilën rrethanë të mundshme – marrë gjithmonë forcat e aleancave
strategjike që përcaktojnë fate këndej – konflikti i armatosur ishte jashtë
letrave.
-3-
Prandaj ky konflikt
nuk burojë andej; u importua – dhe importimi i konfliktit të armatosur, në këtë
kohë pra, ishte gjëja më naive e mundshme; u pagua shtrenjtë. Dhe përderisa
imagjinata e teorive të konspiracionit e tradhtive fluturon herë andej e herë këndej
pandërprerë, unë shprehi rezerva – për shkak të paditurisë së plotë rreth
ngjarjes – të përfoljes së motiveve të disa shqiptarëve me armë e unifromë në
dorë, që në fund u rrethuan dhe u vranë në një rreth civilësh. Vrasja e tyre humb secilin rezon të
gjetjes së motivit të manipulimit, siç pretendojnë paradoksalisht disa, sidomos
kur ajo bëhet ndaj individëve që luftën për të drejtat e lirinë shqiptarëve e
kanë në rezumetë që mbajnë.
Nuk shprehi asnjë
rezervë për idenë e tyre të konfliktit, të cilën e refuzoj apriori, siç dhe u
refuzua nga shqiptarët atje. Po të ishte ndryshe, ky konflikt e kjo sakrificë
do të ngjiste një zinxhirë reagimesh po ashtu të armatosura, siç dhe kishte
ngjarë në vitin 2001. Por nuk kishte bazë, ishte jonatyrale pra.
Nuk shprehi asnjë
rezervë as për shfrytëzimin e mundësisë nga regjimi i Gruevskit, i cili në kohë
të krizës më të rëndë të joqëndrueshmërisë përdori një xhoker kasaphaneje në
mes të vendbanimeve shqiptare – për të larguar me sukses shumë vëmendjen e
publikut atje. Dhe kështu, një problem qeverisës e shndërroj në problem etnik.
Shqiptarët u shënuan edhe një herë.
Dhe në fund, nuk
shprehi asnjë rezerve e konsideratë për partitë shqiptare që vazhdojnë të qëndrojnë
në qeverisje me një regjim të tillë. Të paskrupullt në skajshmëri. Dëmtuesit e
vërtetë të interesave shqiptare atje janë piëkrisht në qeveri.
-4-
Në fund të ditës,
derisa secili jep versionin e vet, shqiptarët në Maqedoni kanë një listë
problemesh që megjithatë duhet t’i adresojnë shpejtë.
E para, dhe më e
rëndësishmja, është që të distancohen idetë që provojnë luftën. Lufta e
shqiptarëve, sot pra, do të bëhej pa mbështetje ndërkombëtare – dhe mbi të
gjitha, pa mbështetjen e shteteve shqiptare e qytetarëve të tyre. E mosmbështetja
do ta bënte palën tjetër të lirë drejt kasaphanës së mëtutjeshme – janë të etur
e kanë nevojë shumë për të.
E dyta, shqiptarët
e Maqedonisë duhet të distancohen nga partitë e tanishme që servilojnë me
pushtetin. Përderisa elita e tanishme politike bën martesë herë me diktatorë e
herë me agjentë sekretë, asnjë ditë e mirë s’ka për t’u parë në horizon.
Në vend të tyre,
e treta pra, shqiptarët duhet të ndërtojnë aleanca qytetarësh me ata pak
maqedonë që mendojnë njëjtë si ta – kundër regjimit pra. Kur të kenë pastruar
fillimisht shtëpitë e tyre nga politikanë të paskrupulltë e të patakt, ata mund
të pastrojnë gjithë sistemin mazhoritarë atje. Kur të pastrojnë më pas
regjimin, mund të fillojnë shtrimin e kërkesave kushtetuese e shtetformuese që
megjithatë duhet t’i kenë.
Së katërti, duke
parë veshëleshësinë e ftohtësinë me të cilën liderët e atjeshëm u jepen problemit
të shqiptarëve në Maqedoni, është e udhës që liderët e tjerë shqiptarë, në
Kosovë e Shqipëri, të ngrijnë të gjitha marrëdhëniet e relacionet e dyanshme, për
të nisur kështu një rol të ri ndihmese për shqiptarët atje.
Në të gjitha
rastet, indiferenca dhe mosreagimi është zgjidhja më joadekuate që mund të
krijojmë këtë herë. Dhe kjo Maqedoni, e shqiptarëve të pabarabartë si etni, e
politikanëve të patakt e pa përgjegjësi, e regjimeve diktatoriale e
konspirativë, nuk mund të jetë më. Një Maqedoni e re duhet të nisë.
No comments:
Post a Comment