Monday, 4 May 2015

MBI TË BËRIT BIZNES NË VERI

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 1 MAJ 2015

Një elaborim i rezultateve të një ankete me 250 biznese serbe në veri të Kosovës



-1-

Këtë javë, për herë të parë në përvojën tonë tashmë 20 vjeçare në Riinvest, ne organizuam një tryezë diskutimi në veri të Kosovës. Tryezës i kishte paraprirë një studim-anketë me 250 biznese të serbëve të veriut, trajnime disa javore me disa nga to, dhe një takim pune për përcaktimin strategjik të rajonit, siç e shihnin vet bizneset pra. Angazhimi, i mbështetur nga Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë, shënonte – së paku për ne – një fazë të re të angazhimit; atë të shqiptarëve të Kosovës në pjesën veriore të vendit tonë. Mbi këtë angazhim tonin dua dhe të ndajë disa përshtypje e mendime në këtë shkrim.

Përshtypja e parë, dhe jo pak befasuese, ishte se mungesa e institucioneve kosovare atje për tash e gjashtëmbëdhjetë vjet, kishte lënë shumë pak Kosovë në këtë vend. Në të vërtetë, angazhimi i qeverisë serbe për gjithë këto vjet, kishte krijuar një ambient që në kontinuitet ndërlidhej me Serbinë – në pamje, mendësi, funksionalitet e çka jo tjetër.

Përshtypja e dytë, dhe dorën në zemër për ne dhe pak befasuese, ishte gatishmëria e bizneseve të vogla dhe të mesme serbe, pra e atyre individëve ndërmarrës të vegjël – burra e gra njëjte – që të bashkëpunonin me institucionet nga Prishtina; përshtypje që dallon shumë nga percepcioni publik i krijuar nëpër media. Mbi këtë vullnet bashkëpunimi në biznes, shoh unë, dhe mundësinë integruese të serbëve të Veriut në jetën e Kosovës. Sepse, të lodhur nga ngufatjet politike, ata mund të kenë arritur në një pikë të trajtimit të mirëqenies së tyre siç dhe bën biznesi; pra të rezonojnë deri në profitabilitet. E profitabilitet në ngufatje e status-quo nuk mund të ketë asnjëherë.

-2-

Të dhënat e para të anketës së zhvilluar në veri, tregonin se struktura biznesore e kësaj pjese (jo-shqiptare pra) përbëhej kryesisht nga biznese të vogla e në pronësi familjare – pjesa më e madhe e të cilave – rreth 62% sosh – realizonin shitje për më pak se 10.000 euro në vit. Mbi të gjitha, gjysma e bizneseve merren me shit-blerje të pakicës. Numrat si këto dëshmojnë dhe një herë se biznesi atje – familjar pra – është më tepër çështje mbijetese se sa ndërrmarrësie mirëfilli.

Siç dhe mund të pritej, pjesa më e madhe e shitjeve – rreth 90% - bëhej në regjionin e tyre, në veri pra. Pjesa e mbetur destinohej në regjionet tjera të Kosovës (rreth 6%) dhe në Serbi (rreth 4%). Ky proporcion e bën këtë regjion tërësisht të izoluar. Sepse nuk ka asnjë regjion tjetër në Kosovë që mbanë një nivel kaq të centralizuar të shitjeve.

Pjesa më e madhe e këtyre shitjeve, siç dhe pritet, kanë për destinim familjet serbe në regjionin e veriut. Përkatësisht, rreth 62% e shitjeve u dedikohet familjeve serbe, rreth 8% të tjera bizneseve serbe, ndërsa rreth 7% të shitjeve kanë për blerës qeverinë serbe. Në anën tjetër, të shqiptarëve pra, vetëm 1% e këtyre shitjeve kanë për klient qeverinë e Kosovës (një indikacion ndoshta për prezencën e mangët të institucioneve tona atje), përderisa rreth 16% e shitjeve konsumohet nga familjet shqiptare, e 3% të tjera nga bizneset shqiptare. Pjesa e mbetur, tek komunitetet tjera.

-3-

Formalizimi i bizneseve serbe në veri – veçanërisht në relacion me institucionet e Kosovës, natyrshëm se mbetet larg prej optimales. Kështu, ndonëse rreth 75% e bizneseve atje janë të regjistruara (25% të tjera pra nuk janë regjistruar fare ndonjëherë); pjesa më e madhe e tyre janë pjesë e regjistrit të Qeverisë së Serbisë – përkatësisht plot 51%. Rreth 31% të tjerë, janë të regjistruar edhe në regjistrin serb, edhe në regjistrin kosovar; përderisa pjesa e mbetur prej 18% janë të regjistruara vetëm në regjistrin kosovar.

Njëtrajtshëm, pjesa më e madhe e bizneseve serbe besojnë se rreth 45% e shitjeve që realizohen atje, nuk deklarohen për qëllimre tatimore fare. Niveli i tillë i mospagesës së tatimeve, sic dhe pritej, e bën këtë regjion dallueshëm më evaziv se sa të gjitha regjionet tjera jo-veriore. Për krahasim, rreth 30% e shitjeve të bizneseve shqiptare në Kosovë, nuk raportohen për qëllime tatimore.

Viti 2014, duket të ketë qenë një vit i rëndë për bizneset atje. Sepse pothuajse gjysma e tyre – rreth 48% - kanë deklaruar se përgjatë vitit të shkuar shitjet e tyre kanë rënë për 48%; pjesa tjetër, prej 33% kanë deklaruar se nuk kanë pasur ndryshim, ndërsa vetëm 19% prej sosh kanë deklaruar rritje.

Arsye prapa ngecjeve si këto, bizneset serbe në veri shohin madhësinë e vogël të tregut, të shoqëruar nga mungesa e subvencioneve, jostabiliteti politik dhe mungesa e furnizimi me energji. Për dallim nga pjesa tjetër e Kosovës, evazioni fiskal dhe informaliteti shihet si barrierë e ulët. Kjo aspak e çuditshme; kur gjysma e bizneseve – siç deklarohen vet ata – janë pjesë e evazionit, atëherë konkurrenca jo-fer më nuk bëhet barrierë, bëhet normë e zakonshme biznesore, e barabartë për të gjithë.

-4-

Gjithsesi, vështirësitë e integrimit të veriorëve në Kosovë kuptohen edhe nga niveli i besim-mosbesimit që këto biznese kanë sot. Ato pra kanë tendencë të mbibesimit ndaj institucioneve e përfaqësive të Beogradit, e mosbesimit të institucioneve të Prishtinës – apo për faktin, dhe atyre ndërkombëtare. Kështu, në kategorinë e më të besuarve të bizneseve serbe bëjnë pjesë stafi që kanë, komunat veriore, qeveria serbe dhe OJQ-të lokale. Më të mosbesuarat, ndërsa, mbesin institucionet e Kosovës (vetëm 4.6% prej tyre kanë besim, 61% jo, pjesa tjetër pa mendim të përcaktuar); përcjellë nga EULEX , mediat, KFOR dhe gjykatat.

Së paku, gjykatave nuk u besojmë njëjtë.


No comments: