Letra nga limbo
22 MAJ 2015
Ku
jemi, nga po shkojmë
-1-
Jo shumë larg
nga sot, ekonomiksi i Kosovës – përkatësisht qëndrueshmëria ekonomike e saj –
ka qenë një nga çështjet kryesore që është ngritur në kontekstin e statusit
final të vendit; sidomos nga ata që kanë kundërshtuar drejtpërsëdrejti
fizibilitetin e pavarësisë së Kosovës.
Pyetja, në radhë
të parë, është adresuar në vijë me madhësinë e Kosovës – përkatësisht popullsinë
dhe sipërfaqen; resurset natyrore dhe nivelin potencial të zhvillimit. E njëjta
kishte neglizhuar natyrisht evidencën konsistente
se madhësia dhe pasja ose jo e resurseve natyrore ka pak ndikim në qëndrueshmërinë
ekonomike. Mikro-shtetet e zhvilluara kishin provuar një gjë të tillë.
Sot, shtatë
vite pas pavarësisë, viabiliteti ekonomik i Kosovës nuk dyshohet më. Ani pse e
vogël, trendet megjithatë pozitive të rritjes ekonomike dhe stabilitetet
financiare të treguara nëpër vite, kanë vënë bazën e prospekteve të ardhme të
vendit.
Kosova sot
vazhdon të jetë e pasur me resurse natyrore dhe me një pjesë të konsiderueshme
të popullsisë në moshë të re e mjaftë vibrante. Ajo ka secilin parakusht për të
ushtruar zhvillimin e dëshiruar ekonomik. Megjithatë, dhe fatkeqësisht,
kualitetet e politikave qeverisëse, aftësimet e fuqisë punëtore dhe mungesa e
inovacionit kanë vendosur Kosovën në trende e nivele larg nga të dëshiruarat.
-2-
Që nga pavarësia,
Kosova ka shënuar progres relativ në ndërtimin e institucioneve dhe kornizës
ligjore. Mbi të gjitha, vendi ka arritur të mirëmbajë norma të rritjes pozitive
e të qëndrojë imun ndaj krizës evropiane të viteve 2008-2010. Kjo për shkak se
vendi ishte më pak i integruar në sistemin financiar botëror, dhe rrjedhimisht
më pak i ekspozuar ndaj tij. Pavarësisht kësaj, kriza ishte ndjerë më shumë në
rritjen më të ngadalshme të remitencave, në eksportet e Kosovës – ashtu kështu
të pakta – dhe në investimet e huaja direkte.
Sot, e
ardhura për kokë banori në Kosovë është vetëm sa dy të tretat e një vendi
rajonal, dhe sa një e dhjeta e një vendi në BE. Kosova sot ka një Bruto Produkt
Vendor prej 5.4 miliardë eurove, dhe të ardhura për kokë banori prej rreth
3,100 eurove.
Norma
mesatare e rritjes ekonomike në Kosovë, përgjatë dekadës së fundit, qëndron në
4.03%, krahasuar me 4.1% në Shqipëri, 3.1% në Maqedoni, 3.5% në Mal të Zi dhe
2% në Serbi. Për më tepër, në tre vitet e fundit, rritja ekonomike mesatare
është vetëm rreth 2.93%, ndërkaq projeksionet për vitin e tanishëm nuk kalojnë nivelin
prej 3.3%.
Pavarësisht
trendëve ekonomike pozitive, rritja nuk është përkthyer mjaftueshëm për të
adresuar çështjet më emergjente ekonomike në vend; siç është punësimi. Kështu, Kosova
vazhdon t’i ketë – sipas të dhënave zyrtare – plot 30% të papunë. Papunësia ndërsa
vazhdon të jetë dhe më e lartë për gratë – plot 40% - dhe në nivele tërësisht
alarmante për të rinjtë – plot 55%. Në kushte të tilla, rreth 35% e qytetarëve
kosovarë jetojnë në varfëri, përderisa mbi 12% jetojnë në varfëri të skajshme
me më pak se 1 euro në ditë.
Sipas
parashikimeve të Bankës Botërore e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova duhet të
dyfishojë normat e tanishme të rritjes për të adresuar – në rastin se rritja
është gjithsesi proporcionale – të 25.000 punëkërkuesit e përvjetshëm në vend.
Prandaj, është e nevojshme një rritje prej 7-8% për të adresuar disbalancet
ekonomike që vendi ka, dhe për të shëruar kështu një nga sëmundjet më kronike
të vendit - papunësinë.
-3-
Disbalanci i
parë është se rritja ekonomike e Kosovës është e mbivarur nga konsumi; shumë
pak nga investimet. Kështu, proporcioni i konsumit në Bruto Produktin Vendor është
plot 107%; dhe në trend rritës madje. Vetëm tre vite më parë, pjesëmarrja e
konsumit në Bruto Produktin Vendor ishte 91%. E përgjatë vitit 2014, sipas Bankës
Qendrore të Kosovës, përderisa konsumi ka shënuar rritje, niveli i investimeve të
gjithëmbarshme – publike e private – ka rënë për 11%.
Varësia
ekonomike e Kosovës në konsum dhe investime publike, ka bërë që edhe potenciali
i rritjes ekonomike të Kosovës, të kufizohet në normat mesatare të tre viteve të
fundit – përkatësisht tek 3%. Sepse, në pamundësi të rritjes së mëtutjeshme të
investimeve publike – të cilat pra kanë arritur kufirin e lartë të ngopjes – janë
investimet private që shpërfaqen me potencial; ato do të duhej të merrnin
primat.
E investimet
private, fatkeqësisht, vazhdojnë të mbesin në nivele të pavërejtshme për të dërguar
normën e rritjes në nivelet e dëshiruara. Madje, investimet e huaja të jashtme
– si pjesë e tyre – përgjatë vitit të fundit kanë shënuar nivelin më të ulët të
regjistruar që nga viti 2007. Ato, vetëm brenda vitit 2014 janë zvogëluar për
plot 25%.
Disbalanci i
dytë është se Kosova vazhdon të ketë varësi të madhe në import – dhe
rrjedhimisht deficit të lartë tregtar. Sipas Doganave të Kosovës, në vitin 2014
niveli i deficitit tregtar ka arritur në 2.1 miliardë euro, përderisa importet
kanë arritur në 2.5 miliardë euro. Rrjedhimisht, proporcioni i deficitit
tregtar në Bruto Produktin Vendor është plot 41%.
Me nivelin e
tanishëm të varësisë, ajo pak vlerë e krijuar në Kosovë vazhdon të eksportohet
si para e gatshme jashtë – në këmbim të mallrave e shërbimeve që mund – në
rrethana normale të zëvendësoheshin lehtë këtu.
Disbalanci i
tretë ndërlidhet me kompozicionin sektorial të outputit kombëtar. Sipas
Agjencisë së Statistikave të Kosovës (2014), aktivitetet e sektorëve ekonomike – si
proporcion në Bruto Produktin Kombëtar – kanë mbetur të pandryshueshme.
Agrikultura, prodhimi e shitja me pakicë vazhdojnë të mbesin në stade të njëjta
që nga viti 2008 deri më sot.
Në këtë vijë,
niveli i prodhimit në 2014, si pjesëmarrje në Bruto Produkt Vendor është po i
njëjti me nivelin e vitit 2008; vetëm 11%. Ky mos-ndryshim e stagnim –
veçanërisht në prodhim – por njëtrajtësisht dhe në sektorët e tjerë, provon
pandryshueshmërinë e një disbalanci të kompozicionit sektorial që nuk mund të
sjellë zhvillim – siç dhe ka ndodhur deri më tani.
-4-
Në anën tjetër
të politikave ekonomike, atyre financiare pra, menaxhimi dhe stabiliteti
buxhetor kanë shënuar dy ecje të kundërta. Përderisa stabiliteti buxhetor është
realizuar në të mirë, menaxhimi financiar i ka ngjarë më tepër barazimit të
librave. Politikat e deritanishme fiskale, nuk kanë arritur të promovojnë
nisjen e bizneseve të reja, sjelljen e investimeve të jashtme e ngritjen e
prodhimit vendor. Reformat e fundit fiskale, ndërsa, sidomos ato në drejtim të
heqjes së barrës për investimet në prodhim, mund të krijojnë ambient më të
favorshëm ekonomik.
Në anën e
mbledhjes së të hyrave buxhetore, kufizimet në Administratën Tatimore të Kosovës
dhe mekanizmave mbledhës të tjerë, kanë bërë që niveli i evazionit fiskal të
arrijë në plot 34% të të gjitha shitjeve të realizuara në vend. Mbledhja
joproporcionale e të hyrave ka ushqyer gjithashtu konkurrencën e pabarabartë.
Kjo
konkurrencë e pabarabartë është ushqyer edhe nga ana e shpenzimeve të parasë publike
– përkatësisht nga sistemi i prokurimit publik, shpeshherë i asociuar me nivele
të larta të korrupsionit e keqpërdorimeve. Për një vend ku shpenzimet
qeveritare përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të Bruto Produktit Vendor –
rreth 30% – anomalitë, sikurse korrupsioni në prokurimin publik – jo vetëm që
rrisin koston e biznes-bërjes, por edhe parandalojnë rrjedhën normale të parasë
tek bizneset efiçente. Në tre vitet e fundit, vlera e kontratave të dhëna nga
prokurimi publik ka arritur – në mesatare – rreth 15% të Bruto Produktit Vendor.
Në përgjithësi,
parametrat e qëndrueshmërisë buxhetore janë luhatur me shpenzime enorme në
projekte të vetme – siç është rasti i dy autostradave të fundit – dhe me rritje
të paplanifikuar e artificiale të pagave në sektorin publik nëpër ciklet
zgjedhore. Rritjet e tilla, në një notë të veçantë, kishin bërë që sektori publik
të paguante në mesatare gati dyfishin e pagës mesatare në sektorin privat.
Deficitet
buxhetore të shtatë viteve të fundit janë mbuluar fillimisht nga akumulimet e
mos-ekzekutimit të buxheteve të periudhave paraprake, dhe më pas me ngritjen e
borxhit qeveritar. Ndonëse niveli i borxhit qeveritar – në proporcion me Bruto
Produktin Vendor – është ende në limitet e lejuara ligjore, rritja e
vazhdueshme e tij ngritë shqetësimet e para të qëndrueshmërisë afatgjate
fillimisht, por dhe të efiçencës së marrjes së borxheve për financimin e
shpenzimeve publike që nuk nxisin vende pune.
-5-
Atëherë
cilat janë barrierat kryesore të rritjes së investimeve private në Kosovë?
Sipas percepcioneve të sektorit privat, ato mund të grupohen në tri kategori.
Në të parën,
bëjnë pjesë kostot e larta të financimit. Ndonëse normat e interesit në Kosovë
kanë shënuar rënie nëpër vite – duke mbajtur konstant nivelin e kredive
joperformuese, financimi i projekteve investive në vend mbetet megjithatë i
pamjaftueshëm. Ambienti i pasigurt biznesor dhe mungesa e aftësive planifikuese
të bizneseve kanë krijuar një hendek në mes të financueseve dhe kërkueseve për
financim. Në këtë vijë, idetë dhe nismat e reja mbesin më të disfavorizuarat.
Në grupin e
dytë ndërsa, bëjnë pjesë pengesat e mosefikasitetit të institucioneve publike.
Informaliteti, evazioni, korrupsioni e mosfunksionimi i gjyqësorit kanë shndërruar
ambientin e gjithëmbarshëm ekonomik në fushë të pabarabartë konkurrimi dhe në
prekondita të kushtueshme e të pasigurta ekzistimi e investimi.
Në grupin e
tretë, gjithmonë sipas përshtypjeve të marra nga sektori privat, bën pjesë
inekzistenca e politikave mbështetëse e favorizuese publike – horizontale pra –
që do të ndihmonin zhvillimin e rrisnin konkurrueshmëirnë e bizneseve vendore përballë
atyre të jashtme.
Për fund,
mosndryshueshmëria e këtyre pengesave investive nëpër vite, shpjegon dhe
stagnimin e investimeve private, rrjedhimisht mosndryshimin e strukturës së
aktiviteteve ekonomike, e cila më pas shkakton rritjen modeste ekonomike dhe përfundimisht
mospërkthimin e saj në vende të reja pune. Është një cikël që duhet zhbërë nga
fillimi.
No comments:
Post a Comment