Sunday, 31 May 2015

REPUBLIKA E EUFORISË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 29 MAJ 2015

Një pjesë e shqiptarëve të Kosovës, dhe fatkeqësisht të artikuluar mirë nga grupe të ndryshme politike nacionaliste – të djathta e të majta pa dallim, vazhdojnë të ndërtojnë institucione e trupa paralele me shtetësinë. Këta hipokritë të rrastë, deputetë e politikanë, në njërën anë paguhen për të bërë institucione, e në anën tjetër i rrënojnë ato për një ditë.



-1-

Do të kishte qenë gjithçka më lehtë këndej, sikur gjërat të bëheshin me më pak eufori. Për më tepër, do të kishte qenë gjithçka më lehtë sikur gjërat të kishin një rezon e mendim të shkrirë paraprakisht. E në mungesë të rezonit dhe në prezencë të euforisë, fotografitë e Kosovës këtë javë ishin të një shteti hajgare, me plot shfaqje teatrale, me emocione e kërcënime plumbash plot; primitivizëm mendor e kulturor sa të duash. Marrëzi, marri, jemi larg shumë.

Një pjesë e shqiptarëve të Kosovës, dhe fatkeqësisht të artikuluar mirë nga grupe të ndryshme politike nacionaliste – të djathta e të majta pa dallim, vazhdojnë të ndërtojnë institucione e trupa paralele me shtetësinë. Këta hipokritë të rrastë, deputetë e politikanë, në njërën anë paguhen për të bërë institucione, e në anën tjetër i rrënojnë ato për një ditë. E institucionet e ndërtuara, ato të shtetit pra, janë aq keq të ndërtuara – natyrisht se kush i ndërton – sa që lejojnë secilin grupizim që ka zë e gjoks të bëjë çfarë të dojë. Të prodhojë heronj e dëshmorë, t’i varrosë ata ku të dojë, të promovojë luftëra të reja e të caktojë tradhtarë e të patriotë siç e konsiderojnë.

Këta rrahagjoksë që kanë zë e kërcenim plot, të mbështetur pra nga politikanë e parti hipokrite, kanë urrejtjen aq të madhe me pushtetin (me apo pa të drejtë pak ka rëndësi këtu), sa që në një thes me pushtetin kanë futur dhe shtetin. Këtë rrahagjoksë ceromonishë teatrale, gjithsesi joshtetërore e rrjedhimisht dhe jorelevante, ringjallin qëllime të reja nacionaliste, të frikës e kaosit – të vet anarkisë – me shpresë që të ngrihen mbi to.

Lajmi i keq për ta, dhe politikanët hipokritë që i kanë në krah, është se koha e epëve, e guerilës, e ilegalës apo dhe kaçakes ka mbaruar. Koha e djemve e vajzave të shtetit, të Republikës, që kanë një hierarki, një përfaqësim dhe përfundimisht një llogaridhënie është tani.

-2-

Pra rrahagjoksit me zë plot – kërcënime gjithashtu – preferojnë të shfaqen si me vesh në lesh para raporteve e evidencave të agjencive shtetërore të Republikës, për të ecur solo me shfaqjet e tyre teatrale, me uniforma e trupa paramilitare. Këto raporte, që dalin dhe sot, nuk u përmendën nga ta, e nuk hapën as edhe një diskutim shoqëror, të rrjedhshëm e pa eufori siç do t’i kishte hije një shoqërie të mbarë. Të gjithë të strukur në frikë e me prirje konspiraitve nga më të ndryshmet. Frikën, ç’është e vërteta, ua kanë shti rrahagjoksit në palcë. Njëjtë sikurse ekstremistët fetarë, po fole për ta të bien në qafë; të kërcënojnë ty, familjen, të shajnë e fyejnë me gjithçka.

Dhe kështu, diskutim shoqëror u bë një opinion i një gazetari të respektuar kosovar, ndaj të cilit u ngritën dhe thirrje për plumba në ballë – vetëm se po mendonte, ç’është e vërteta, siç mendojnë institucionet shtetërore ku ka sot shqiptarë. Nacionalistët e tërbuar, me gjithë partitë në krah që i kanë, natyrisht se zgjodhën konspiracionin. Refuzuan qëndrimin shtetëror të Kosovës – që megjithatë pra kishte evidencë; refuzuan edhe qëndrimet e të gjitha partive politike në Shqipëri – të majta dhe të djathta njëtrajtësisht, përfshirë dhe vet qeverinë e Kryeministrinë atje; dhe për fund, refuzuan partitë shqiptare në Maqedoni – refuzuan pra të gjithë. Dhe sapo bënë këtë, u shpërfaqën përfaqësues të vetëm të vlerave të njëmenda shqiptare.

Shih mjerimin. Këta 6-7 milionë shqiptarë që kanë zgjedhur parti e artikulime politike, që kanë dy shtete, dy ushtri (një në NATO e tjera në bërje disi), dy qeveri e nga dy gjithçka, u bënë të pavlerë, jo të denjë për të përfaqësuar – dhe këtu vjen paradoksi – për ta përfaqësuar veten. Mjaftojnë bajraktarët e muskujt për të dhënë mendim; të tjerat janë të parëndësi.  

Dhe derisa evidenca po bëhet, këtë herë jo nga qarqe - apo siç kanë qejf ti thonë këta “kuzhina” – të hurit e të konopit, por nga vet shqiptarët e institucionalizuar në inteligjencë e në polici e ushtri, këtë çfarë e kemi pra, është mirë që gjithë qytetarët me mendje të aftë për veten, të pandikuar nga euforitë nacionaliste e teatrale, të lexojnë e dëgjojnë, të besojnë dhe në fund të konkludojnë mbi evidencën e nxjerrë për ditë.

-3-

Do të kishte qenë gjithçka më lehtë këndej sikur gjërat të bëheshin me më pak eufori edhe për proceset gjyqësore. Gjashtëmbëdhjetë pas luftës, fatkeqësisht, ne ende nuk kemi trajtuar as edhe një rast të vetëm të civilëve të vrarë – me arsyetimin se lufta jonë ka qenë e pastër.

Ç’është e vërteta, lufta jonë edhe ka qenë e pastër. Futeni këtë në kokë që mos ta diskutojmë më. Këtë luftë askush deri më tani nuk e ka vënë në kandar matjeje e vlerësimi. Por është poashtu fakt se janë qindra civil të vrarë dhe – siç mund të ketë gjasë – ka individë që krye në vete kanë kryer krime.

Për të vërtetuar ose jo këto krime, natyrisht se duhet një gjykatë. Dhe sado që gjykatat tona kanë dëshmuar e stërdëshmuar paaftësinë për të bërë gjykim, ato – dhe gjithë sistemi kontrollues e ankues ndaj tyre – mbesin të vetmet alternativa që kemi. Në të kundërtën, bërja vet e prokurorit, avokatit e gjykatësit, çfarë mund të jetë dëshira e shumicës prej këtyre rrahagjoksëve, na sjellë neve e të tjerëve në dy-treqind vjet prapështi.

Dhe mbi të gjitha, nuk është e vërtetë – as edhe pak e vërtetë madje – se sot, në ndonjë proces gjyqësor, po gjykohet lufta çlirimtare. Ky arsyetim është vetëm një farsë tashmë bajate dhe e zakonshme e të akuzuarve për të përlyer gjithçka pas tyre. Është e vërtetë, dhe vetëm e vërtetë, se po akuzohen individë, që krye në vete mund të kenë bërë krime.

Nuk po gjykohet as hierarkia ushtarake, as përgjegjësia komanduese – dhe mbi të gjitha – as trashëgimia institucionale e luftës së UÇK-së. Po gjykohet individi për një vepër individuale, krye në veti pra, pa ndonjë ndërlidhshmëri me vet organizatën. Vetëm ata që konsiderojën individin vet organizatë, pra që çlirimin e ndërlidhin me një, dy apo tridhjetë individë, mund të ngrehin paralele të tilla.

Gjithsesi, në këtë gjykim, paradoksi i paradokseve sërish na shfaqet nga politikanë nacionalistë që në njërën anë bëjnë thirrje për gjyqësor e shtet demokratik, e në anën tjetër akuzojnë proceset gjyqësore – madje edhe ato të Bashkimit Evropian. Hec e bjeri në fije të tillëve tash.

-4-

Fatkeqësia më e madhe e kësaj shoqërie është se ajo ende nuk e ka kuptuar se ka shtet; të ligë apo të fortë atë që ka dhe atë që e ndërton vet. Kujdes, nuk po flas për pushtet, por për shtet. Pushteti zgjedhet, rrëzohet e zëvendësohet - shteti ose bëhet ose s'bëhet. Dhe mos më thuani që s'kemi shtet. Na mjaftojnë këta fqinjtë në veri.

E kur ke shtet, apo pretendon se po ndërton një të tillë, atëherë e kupton se gjërat bëhen me një rend; përfaqësimi, interesi, gjykimi, nderimi, lufta, paqja dhe patriotizmi njëtrajtësisht kanë një rend e një artikulim. Nuk bëhen më krye në veti - sepse ndërton një gurë, rrënon njëqind të tjerë.

Por nuk e fajësoj shoqërinë për këtë sinqerisht. Gjatë gjithë kohës post-çliruese, shqiptarët nuk kanë arritur të përjetojnë shtet njëmend. Kanë parë mjaftueshëm zaptim, hajni, pabarazi e padrejtësi; pra janë ushqyer mosvet nga pushtete e klane një pas një, për të përfunduar në distancimin prej shtetit dhe gjithçka që lidhet me shtet. Prandaj sot kur mendojmë për mbrojtje, mendja nuk na shkon në ushtri të Republikës që e financojmë, trajnojmë e ndërtojmë, por tek individë epi – në guerile, ilegale, në lëvizje hala çlirimtare. Kur mendojmë për gjyqësi shikojmë nga të huajt, për edukim sa më larg, për shëndet në rrugë - gjithkah, gjithku, por kurrë në shtet.

Këta kanë vrarë shtetin pra. Në vend të tij kanë ndërtuar institucione trashëgimie e paprekshmërie – studentë me trashëgimi, beneficione me trashëgimi, vota me trashëgimi, vende pune me trashëgimi, tenderë me trashëgimi, pafajësi me trashëgimi – njerëz të paprekshëm, pacifistë e komandantë të pafajshëm pra në përjetësi. Mos i prekni. Marrëzi. Më nuk dimë kush çfarë është, s'dallojmë patriotin prej tradhtarit, të ndershmin prej kriminelit, të mençurin prej budallait; të gjithë në një thes, secili krye në veti për të bërë punën lëmsh krejt.


No comments: