Sunday, 26 April 2015

NJË JAVË, TRE AKTE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 PRILL 2015

Kështu, paradoksalisht, vrasësi, që të viziton pa pendesë, edhe të refuzon kur ti kërkon vizitë. Vrasësi pra gjen arsye për arrest – të njëjtat që për të s’i ke gjetur kurrë ti vet. E trishtueshme sinqerisht.


-1-

Nuk kishte si të përfundonte ndryshe, përveç se në refuzim, kërkesa e kryediplomatit kosovar për në vizitë në Beograd. Atë çfarë Kosova do të duhej të bënte me secilin zyrtar serb që vjen këndej, shpërndanë fjalime aneksuese, jopenduese e anti-Republikane – rrjedhimisht dhe anti-shqiptare – pra refuzimin, e bëri Serbia në momentin e parë të mundësisë. Kështu, paradoksalisht, vrasësi, që të viziton pa pendesë, edhe të refuzon kur ti kërkon vizitë. Vrasësi pra gjen arsye për arrest – të njëjtat që për të s’i ke gjetur kurrë ti vet. E trishtueshme sinqerisht.

Se kemi humbur dinjitetin e  bërjes politikë, për këtë nuk kam më dyshim. Se nuk fitojmë asnjë pikë përballë BE-së po e shpërfaqëm Serbinë si të papërmirësuar (nëse ky ka qenë qëllimi), kjo më është e qartë. BE e di mirë e mbarë pandreqshmërinë e Beogradit në relacione rajonale. Madje, paradoksalisht, e gjithë kjo pandreqshmëri e tyre ka shërbyer si letër tregtimi me progrese, ndihma, liberalizime e konsideratë – standarde të dyfishta ndaj Kosovës së dëgjueshme në përpikmëri.

Dhe në këtë dëgjim tonin ne dhe kemi bërë pazar me dinjitet. Në vend se të ngrisim padi ndaj secilit që ofendon e pretendon zhbërjen e Republikës, ne kemi lejuar vizita të tjera rend. Nuk kemi bërë asnjëherë shembull të mirësjelljes së huaj në vendin tonë. Ç’është më e keqja, dhe për këtë të mbesim të sigurtë, refuzim-pranimi i shpërfqur në Beograd këtë herë, nuk do të nxisë asnjë reagim për pranimet e ardhshme të palës serbe këndej. Sepse ky vend ka kohë që pranon nënshtrimin diplomatik, shpërfaqet si viktimë e i paguximshëm edhe përballë të pandreqshmëve të tjerë. Mendon se me sjellje viktimizuese ka për të marrë respekt nga neutralët evropianë. E respekti nuk kapër të buruar asnjëherë po nuk treguam dinjitet. Reciprociteti, nëse nuk e dinë, përbën hapin e parë në këtë drejtim.

-2-

Protesta e opozitës – e qetë – përbënte lajmin më të mirë të javës. Lajmi i keq ndërsa, mbetej partiakizimi i secilës pakënaqësi qytetare në vend; në çfarë fryme edhe ishte organizuar kjo protestë. Kështu, një potencial për organizim qytetar transformohet në miting partiak. Njëjtë dhe përfundoj protesta e fundit; njëjtë fatkeqësisht do të përfundojnë dhe të ardhshmet; sa herë pra që partitë opozitare organizojnë protesta partiake – që i quajnë paradoksalisht dhe popullore. Pa energji, pa masë, pa artikulim natyral.

E në organizime herë të opozitës e herë të pozitës, do të ketë më së paku masë e kërkesë mase. Do të ketë ndjekës partiak, madje jo të gjithë, por asnjëherë nisma e grupime qytetare. Do të mbetet kështu sepse shoqëria jonë nuk lë vend për opozitarizëm jashta partiak. Shoqëria jonë, pushtet e opozitë në dominancë, nuk lënë hapësirë për një rrugë të tretë; të as njërit e as tjetrit – thjeshtë të një organizimi qytetar (siç ishte rasti i nënave për ofendimin e një ministri qeveritar). Këta, madje, të konsiderojnë se je ose me njërin, ose me tjetrin.

Nuk kam ndërmend të vë zërin e kritikës mbi opozitën, duke hijëzuar kështu mëkatet e pozitës. Për ta bërë të qartë për secilin që nuk priton lexim, ky shtet është i kapur – nga pozita pra. Është i kapur tani, ka qenë i kapur dje, pardje – qe plot gjashtëmbëdhjetë vjet. Madje mu kapja, paradoksalisht, është shndërruar në plaçkë – dhuratë e një beteje të fituar. Dhe për këtë plaçkë të fituar, partitë (pjesa më e madhe e tyre) kompromisojnë me parimet më bazike morale, njerëzore e të kurrizit. Pakurrizorë në s’kajshmëri.

Për shkak të plaçkës pra, politika bëhet biznes profitabil; ja vlen të merresh me të. Dhe përderisa nuk ka vend për të gjithë, një grup zëvendëson tjetrin, e tjetri e zëvendëson tjetrin; dikush mbanë në dorë tiketën e shpërblimit, tjetri ndërsa, pasi të jetë zvarritur e rrokullisur gjithandej pa moral e pa fytyrë – përfundon si i papunë. Sepse përveç vjeljes së plaçkës politike, të tillët pra, nuk dinë gjë tjetër të bëjnë.

Pra, kapja sot është evidente gjithandej. Dhe kërkesat për çkapje do t’i mbështes gjithëherë. Nëse asgjë tjetër, në këto pesë vite shkrime mu në këtë kolumnë, zaptimin, kapjen e pronësimin e Kosovës e kam trajtuar në vazhdimësi. Përtej secilës bindje partiake, ajo për mua mbetet e drejtë. Çkapja sot është mision patriotik! Por në procesin e çkapjes kërkoj dhe sinqeritet. Sepse, (konsideratë për përjashtimet shumicë) kur shoh se si çzaptues të rendit të parë shpërfaqen zaptuesit më tipik, të njëjtit që deri dje kapën shtetin vet, këtë s'mund ta pranoj assesi. Hipokritë shembullorë. Nënshkrues kontratash miliardëshe e korruptive (të mosbëra transparente asnjëherë), falës të aseteve publike, tenderashë e politiko-milionerë, bashkëpartnerë me kapësit gjithandej, punësues familjarësh e militantësh në secilin vend, pra zaptuesit vet - sot mbajnë moral për kapjen. Këta kapjen nuk kan hall; hall kanë se nuk janë më kapës vet. Protesta nuk ushqen harresën; ajo nuk amniston pra askend. Ne megjithatë mbajmë mend!

-3-

Skena politike kosovare nuk ka qenë asnjëherë më e paqëndrueshme. As ajo e pozitës e as kjo e opozitës. E para, pozita pra, ndodhet para sfidës së Gjykatës Speciale; e cila megjithatë do të bëhet dikur. Trajtimi i rasteve të kësaj gjykate, po u morr procesi ndërtues i saj dhe emrat e involvuar aty, do të prekë domosdoshmërish partnerin e madh të koalicionit.

Në këtë frymë, ky partner dhe kërcënoj me gatishmëri për zgjedhje të parakoshme. Fjalori i tillë natyrisht se është i pritshëm. PDK ka komfortin, tani për tani, të futjes në zgjedhje të parakoshme – e daljes mirë nga to; diçka që asnjë parti tjetër sot nuk e ka. Dhe mbi letrën e gatishmërisë për zgjedhje të parakohshme, ajo do të trajtojë dhe koalicionin që ka; deri në ekzekutim të saj.

Panatyrshmëria dhe artificialiteti i koalicionit të tanishëm; i përcjellë me një revoltë qytetare ndaj joqëndrueshmërisë së fjalëve e mungesës së kredibilitetit, e bën pra këtë koalicion të qarë e të brishtë në vazhdimësi.
Por brishtësia shpërfaqet edhe në opozitë; e cila, fatkeqësisht, ende nuk e ka të qartë udhën që mendon ta ndjekë. Çfarë opozita ka të qartë tani, është dëshpërim-kërkimi për zgjedhje të reja. Dhe, sado që i mosvetshëm është koalicioni i madh, shkuarja në zgjedhje për pikë qejfi të dikujt në opozitë s’ka arritur të bindë askënd. Mund të bindë militantët e adhuruesit partiak; sepse, opozita gjithmonë do të kërkojë zgjedhje; por askënd tjetër jashta saj.        

E deri sa nuk ka zgjedhje të reja – pra në ndërkohë – opozita duhet të tregojë se çfarë dëshiron të përfaqësojë si alternativë ndaj këtij pushteti. E para, dhe më e rëndësishmja, opozita duhet të qartësoj relacionin me partitë në pushtet. Ato pra duhet të tregojnë se a janë një bllok i pathyeshëm opozitar, apo janë të hapura për të gjithë. Nëse janë për të parën, atëherë ato duhet të ndërtojnë një platformë opozitare, e cila pikënisë me një marrëveshje. Në këtë marrëveshje ato duhet të shkrijnë dallimet ideologjike (të majta, të qendrës e të djathta) dhe duhet të përcaktojnë programin e angazhimit opozitar. Nëse janë si të ndara, atëherë secili nga ta duhet të prezantojë njerëzit dhe idetë që kanë. Ankesa ndaj pushtetit – që meriton gjithsesi ankesë – dhe thirrja fëmijërore për zgjedhje të reja, është zgjidhja më e keqe e mundshme. Për të qenë serioz na duhen ide (serioze gjithsesi).

E dyta, opozita, duke pasur hise në pushtet lokal, duhet të ofrojë zgjidhje – dhe sinqeritet. Pra, kur bëhet fjalë për kapjen, ajo duhet të prishë të gjitha koalicionet me kapësit. Është artificiale thirrja për çkapje kur bashkëqeverisë e bashkëkapë me kapësit. Kur bëhet fjalë për punë, ajo duhet të japë një model të punës. Pra opozita duhet të pastrojë fillimisht oborrin e vet; për të ndërtuar një alternativë të re.



Monday, 20 April 2015

MBI VITET E HUMBURA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 17 PRILL 2015

Një refleksion mbi investimet që nuk u bënë kurrë



-1-

Vetëm 193 milionë euro është vlera e investimeve të huaja në Kosovë përgjatë vitit 2014. E meqë nuk kisha mbajtur në mend të kem regjistruar vlerë më të pakët në këto shtatë tetë vite të shkuara, iu ktheva numrave të prodhuar nëpër raportet e Bankës Qendrore të Kosovës. Numrat e fundit do të duhej të ishin alarmant për secilin që provon të merret me pak ekonomi; sepse numrat – që nuk rrejnë kurrë – shpërfaqnin më së miri nivelin e rënies sonë ekonomike nëpër vite – përfshirë edhe këtë të sivjetshmin pra.

Dhe numrat e njëjtë tregonin qartë, se me vetëm 193 milionë euro investime të jashtme, ne kishim rrumbullakuar një trend rënës investiv për plot tetë vjet. Tetë vite më parë vlera e investimeve të jashtme ishte rreth 440 milionë euro në vit; ishte një rritje prej një çereku nga viti paraprak. Viti i parë i pavarësisë që e vijonte 2007-ën kishte shënuar rënien e parë, nga 440 në 336 milionë; për të vazhduar gradualisht e sigurt (ani pse me fluktacione) nëpër vitet vijuese – si 287 në vitin 2009, 365 në vitin 2010, 393 në 2011, 228 në 2012, 258 në 2013 e 193 në vitin 2014; kalimi i pragut të ulët nën dyqind milionësh këtë vit, mbetet risia e zezë.

Paramendoni një rast të përmbysur; kur në vend të trendëve rënëse do të ndiqnim ato rritëse; pra në vend të rënies së vazhdueshme do të kishim atë çerekun e përvjetshëm. Sepse, si një vend i ri, i pavarur e me plot mundësi të pashfrytëzuara (në investime kapitale, projekte publike e procese privatizuese) ne do të nxirrnim më të mirën. Paramendoni një rast të rritjes prej çereku të përvjetshëm; sot, në një trend të tillë, ky vend do të kishte plot miliarda euro investime të jashtme për vit – saktësisht tre sosh.

-2-

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur në tetë vitet e shkuara të kishim një proces privatizues mirëfilli në telekom, që do të merrte një miliardë vlerë shitje aty, dhe miliona të tjerë investime në rrjet e shërbime. Sikur në vend të dy proceseve të cilësuara si korruptive, të mos largonim secilin investitor serioz – përfshirë dhe Deutsche Telekom – që sot na mbetet veçse një ëndërr investuese e largët madje. Do të bënim nam, sikur në vend të prurjeve të pafunda të militantëve që gjithçka veçse punë bëjnë, të sillnim përvojë, dije dhe emër të njohur mbarësisht. Sot telekomi i Kosovës vlen hiçgjë; miliona euro janë shpenzuar në procese konsultative për privatizime me sherr që mirë se nuk ndodhën kurrë. Fatkeqësia mbetet ideja se i njëjti aset provohet të rivitalkizohet nga të njëjtit që shkatërruan atë, humbën miliarda e tmerruan investitorë të tjerë.

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur në vend të faljes së distribucionit për 26.3 milionë euro; aq sa inkasimi i falur tek ta për dy muaj rresht, ne do të kishim një proces serioz, të bollshëm e jo – pa fije rezervimi e them këtë – mafioz. Do të kishim sërish investime, fonde të bollshme e shërbime të denja nga kompani e biznese që kanë model modernen jo allashverishet e vëllezërve të partiakëve tanë; jokredibil e të frikshëm sa s’bëhet më.

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur në vend të pritjeve e rahatimeve politike e zaptuesve në Trepçë, të kishim një model të punuar e ekzekutuar kaherë. Thuajse kemi kohë e vjet për të pritë e falë. Trepça nuk u bë asnjëherë; modelet diskutuese politike morën kah popullist – u shndërruan në tabore thirrëse herë për pozitën e herë për opozitën; muhabetë i thatë që sa vjet. Në pritje të mrekullisë, Kosova vazhdon të mbetet paradoksalisht larg minierave që i zotëron vet.

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur në vend të ndryshim-emrit rreth termocentralit të ri, të kishim aktualisht një termocentral të ri. Tetë e më shumë vite të humbura në diskutime të kota letrash e burokracie; as edhe një hap më tej. Me termocentral të ri, përvec fondeve, hiseve e punëve pra, ne mund të kishim dhe trajnime e kërkime shtesë – korporatizim modern e jo shitblerje mosvet – pra do të kishim një kulturë e sistem modern që dallon me të tanishmit që s’sjellin gjë. Regresim në bërje biznesi tash e sa vjet.

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur për secilin interesim të huaj në vend, të mos u kërkonin hise e haraç politikanët tanë. Licenca fantome për kusherinjtë e vet – për t’iu shitur si kushtëzim secilit që ka njëmend interes; kërcënime primitive për evropianë e investitorë të mbarë; dhe hisenik-kërkues të shkretë – të gjithë kanë mbyllur këtë vend për secilën mundësi të jashtme. Kështu, mijëra vende të reja pune, të destinuar për një vend të ri e me plot prosperitet, janë zhvendosur nëpër rajon.

-3-

Pra i kemi humbur tetë vjet, dhe invesitmet e vetme të jashtme tani janë ato të një autoudhë korruptive e miliardëshe që merr paranë tonë tash e sa vjet – përvjet. Paradoksalisht, paratë që i paguajmë vet tek një kompani tjetër, na llogariten si investim i jashtëm këndej.

I kemi humbur tetë vjet të një gjenerate që nuk meriton kaq shumë sakrificë. Barrën e tranzicionit po e paguajmë shtrenjtë, dhe nuk besoj – e kjo është lajm i mirë – se do të ketë një gjeneratë tjetër të merr kaq pak nga ky vend. Prandaj, përtej sakrificave qëllimmira, me ose pa qejf, është e udhës që përfundimisht dhe ne të kërkojmë kompenzim të pasurisë sonë për mirëqenien tonë. E në mungesë e rënie të investimeve, secili investim e para e sjellë më ngjallë një fije shpresë.

Dhe mu në shpresë dua ta shoh projektin e Brezovicës. Secili që ka kaluar një gjysmë vikendi atje, ka mund ta kuptojë rëndesën e fukarallëkun e një vendi me kaq shumë potencial. Dhe secili që ka kaluar andej mund ta ketë kuptuar rëndësinë e madhësinë e investimeve që kërkohen atje. Procesi i përfunduar këtë javë, mund – dhe mesiguri mbetet – larg prej më të mirëve. Por gjithsesi, si prospekt, më bëhet mjaft premtues.

Sepse investimi i 400 milionëve në një vend, është pikërisht ajo për të cilën ky vend e kjo gjeneratë ka sot nevojë. Nuk ndaj bindjet me askënd që ankohet mbi mospasjen aktuale të mjeteve në dispozicion nga investitori nënshkrues i ri. Ç’është e vërteta, nuk ka asnjë biznes sot që ka në llogari plot 400 milionë – kesh edhe atë. Përkundrazi, secili biznes që ka një shumë të tillë – pra s’di çfarë të bëjë me to – më mbetet më së paku biznes. Aftësia dhe zotësia e një investitori matet me aftësinë e tij për të gjeneruar mjetet e nevojshme. Dhe nëse ky investitorë mund t’i gjenerojë 400 milionë – ngado (brenda e jashtë) – dhe këto mjete mund t’i investojë në Kosovë, sidomos në një vend të lënë shkret, them se kemi bërë një hap të mirë.

E hapa të mirë duhet ndjekur dhe në energjetikë, dhe në telekom dhe në miniera. Na duhen përfundimisht investimet pa të cilat nuk mundemi të ngrihemi ekonomikisht në këmbë. Natyrisht se duke njohur urinë dhe pangopjen për para të klasës aktuale politike pres sfida e përballje plot. Sepse, siç dhe kemi humbur telekomin e distribucionin e të tjerat deri më tani – në tetë vjet e shkuara – mund të humbim dhe këto të mbetura në të tjerat që vijnë. Na duhet pra një storie e re, një sukses i ri, një emër i ri që këtë vend e bën sado pak më të butë përballë investimeve të huaja që ndodhen sot gjithandej. Projektet e mëdha kapitale mbeten shanset tona të fundit për këtë.



Monday, 13 April 2015

TRE FAKTE, NJË LOGJIKË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 PRILL 2015

Mbi strukjen dhe tjetërsimin e mëtutjeshëm të besimit të djathtë ekonomik në Kosovë



-1-

I pari, madhësia e qeverisë. Enorme. E panevojshme. Mbi të gjitha e kushtueshme dhe burokratike sa s’bëhet më. E shfrytëzuar për të rehatuar e akomoduar militantë partiakë, individë të mbetur jashtë, madhësia e qeverisë është shndërruar këndej si një gjellë e gatuar keq, por e zakonshme. Secili pas tjetrit, në stilin e njëjtë me tjetrin, ka vënë një shtresë kripe të panevojshme; e ka gjelbëzuar atë përtej secilës normë të pranueshme. Kështu Kosova e vogël, sot ka njëzet e kusur ministri – me e pa portofol – dhe ka një mekanizëm të tërë përcjellësish që nuk i pyet kush, nuk i duhen kujt.

Nuk bëhet nami, thënë të drejtën, mbi koston e mbajtjes së këtij mekanizmi. Kushtueshmëria do të mbetej edhe e arsyeshme sikur në të do të gjenin vend individë që kanë një fije dije, kanë një kompetencë e kanë një dijë; pra të jenë gjithçka veçse militantë e shërbëtorë të dëgjueshëm partiak. Kosova pra, do të mund të përballonte lehtë pagesën e disa pagave shtesë, mëditjeve e veturave shtesë, sikur në kthim të merrte një vlerë. Por nuk merr gjë prej gjëje. Marrin partitë që rehatojnë militantë, trashëgimtarë e familjarë postesh – rehatojnë gjithçka.

Do të prisja, sinqerisht, nga një qeverisje e re e në promovim të ndryshimit – nëse e kanë sinqerisht – zvogëlimin e qeverisë, zhbërjen e burokracisë. Në fund të fundit i thonë vetes të djathtë.

-2-

I dyti, taksimi progresiv. I habitshëm. I panatyrshëm. Mbi të gjitha i dëmshëm për klimën biznesore sa s’bëhet më. Aprovoj dhe miratoj heqjen – jo vetëm uljen – e TVSH-së për produkte bazike dhe kryesisht të shërbimeve publike; në ujë, rrymë e ngrohje njëtrajtësisht. Refuzoj ta pranoj secilën ngritje të normës së TVSH-së për të gjitha produktet tjera. Kjo për dy arsye. E para, sepse ulja, sado e domosdoshme, barazohet me ngritjet tjera. Në njërën apo formë tjetër, zinxhiri i produkteve që komunsohen si bazike e ato që konsiderohen (me këtë paketë) si jo bazike janë të ndërlidhura ngushtë, në relacion kauzalitetit. Kështu, ndër të tjerash, është e kotë ulja e TVSH-së për miell, kur rritet për naftë. I njëjti bukëpjekës do të blejë po të njëjtën naftë, tashti me çmim të ngritur, për tëpërpunuar miellin në bukë që mund ta shes me çmim të ulur.

Së dyti, në nj treg të tharë nga keshi, gjëja e fundit që duhet ti ndodhë është tërheqje të mëtutjeshme – me rritje të TVSH-së pra. Dhe mbi të gjitha, kjo tërheqje të ndodhë nga të vetmit që sot krijojnë vlerë e paranë njëmend – shtresa e mesme. Pra, sado e këndshme dhe toleruese  mund të jetë zvogëlimi i tatimit për shtresat e varfra, mbingarkesa e rritja e barës tek shtresa e mesme – produktet e të cilëve do të shtrenjtohen njëtrajtësisht – mbetet e paarsyeshme.

E paarsyeshme mbetet edhe rikthimi i tatimit në dividentë mbi korporata. Tashti, për ta vënë rekordin drejt, taksimi i dyfishtë i korporatave, në fitim dhe të ardhura personale për aksionarët, është praktikë e zakonshme për shumë vende. Megjithatë, nëse për diçka është dalluar Kosova ndryshe në relacion me vendet në rajon, ishte pikërisht atraktiviteti në mostaksim të dividentës. Na bënte pra më ndryshe. Dhe nuk kuptoj, e s’do të kuptoj kurrë se si ngritjet e tilla bëhen për promovim të investimeve. Nuk bëhen gjërat kështu.

-3-

I treti, shpenzimi buxhetor. I humbur. I papotencë. Mbi të gjitha, repetitiv me të shtatë buxhetet populliste paraparake. I vetmi element që nuk e bënë këtë buxhet më majtist e më popullist se sa buxheti popullist e majtist paraprak, është rritja e mëtutjeshme e pagave në sektorin publik; aferim pwr ketë vendim. Por, jashta saj, secili proporcion shpenzues, secili target shpenzues, secili trajtim shpenzues, mbetet i majtë sa s’bëhet më.

Vet ideja e transferimit të pronës private – parave të shndërruara në taksa – në asfalt publik, subvencione e asistencë sociale, bën këtë buxhet majtist. Nuk është marrë as mundi më i vogël pra, për të guxuar e menduar ndryshe, për ta ndarë e shpërndarë më ndryshe atë. Nga vazhdimi i mega-shpenzimeve për aparatusin shtetëror, deri tek dhënia blanko e subvencionimeve pa fije analize produktiviteti (mëshira mbetet kriter); nga mbështetja pa rezervë e kostove të superudhave, e deri tek mungesa totale e përkrahjes fiskale së bizneseve – pa harruar superndihmat për universitete publike e ndërmarrje publike. – bëjnë këtë buxhet të majtë.

Madje, vet ideja e ndërtimit të një fondi që jep kredi – kur ke bankat për një gjë të tillë – bën gjithë ecjen tonë financiare në të majtë. Na duhet një freskim gjithsesi. E majta, e të djathtëve, nuk po ecë tash e sa vjet.

-4-

Logjika? Dy parti të djathta, me programe të shkruara si të djathta, në pak më shumë se njëqind ditë, bëjnë disa politika puro të majta. Madhësia e qeverisë, progresivitetit i tatimeve e ngarkesa tatimore ndaj korporatave mbesin hiq më pak e hiq më shumë se sa të majta. Të majtit e Kosovës madje, do të mbesin të kompleksuar në të ardhmen. Kanë shumë pak hapësirë për të bërë majtizëm më shumë.

Dhe si promovues i së djathtës, unë kam problem me një qasje të tillë. Atë në dy rrafshe. Në ta parin, që në një vend të ngarkuar me popullizëm e majtizëm në vend të reformave të guximshme Reaganiane e Thatçeriane, ne zhytemi dhe më shumë në popullizëm e majtizëm ndaj sektorit privat. Në fund të fundit, e gjithë kjo aventurë paguhet nga një sektor privat që mezi mbijeton; por që përvec se duhet të taksojë një mekanizëm të madhe  joefikas, duhet edhe të durojë shtesa fiskale – paradoksalisht nga të djathtët. Kam dëgjuar një herë një anëtarë të rëndësishëm qeverisë së tanishme, i vetëdeklaruar si djathtë, të thotë se majtizmin e përdorin sepse gjërat janë keq tani, dhe do të orientohen djathtë kur të përmirësohen ato. E kuptoni budallakinë? Sikur e djathta për biznes na qenka e keqe për kohë të mira; e majta na qenka e mirë për kohë të këqija. Besimi në drejtim nuk shkon me faza e periudha; shkon me bindje se politika në fjalë do të mbjellë thjeshtë sukses.

Dhe në rrafshin e dytë, se nëse dy parti të djathta, kanë programe të djathta, promovojnë ide të djathta por marrin vendime të majta; këtu unë shoh shumë hipokrizi e padituri. Ose janë të majtë në bindje, por qëndrojnë në një ambient të djathtë – rrjedhimisht dhe hipokrizia; ose nuk kanë ide se cfarë përfaqëson e djathta dhe e majta në qeverisje – rrjedhimisht padituria. Nëse besojnë se e majta është zgjidhje e duhur, ta thonë qartë në orientim; nuk ka për t’i gjykuar kush, por së paku trajtohen e mësohen si të tillë. Nëse mendojnë se e djathta është zgjidhje, atëherë të lexojnë më shumë për të ngritur dijet e veta. E nëse ka dikush që pretendon irelevancën e ecjes djathtë apo majtë me politika, atëherë të mos merret me qeveri. Politika, lexues, është për t’u marrë mu me gjëra si këto. Padituria e inferioriteti i zhvlerëson ato.


Sunday, 5 April 2015

ÇFARË PATRIOTIZIMI PO KULTIVOJMË?

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 PRILL 2015


E sa për t’ua bërë të qartë artistëve të Shqipërisë, që si supremen me flamur rreth qafe na dalin me flamur gjithandej (e kemi bërë dhe ketë njëzet vite më parë këndej), Kosova nuk fillon në urën Ibër, s’ka për të filluar asnjëherë. Nëse nacionalizmi komercial i juaji – ai që promovon Shqipërinë e Madhe por nisë qyqërish në Ibër, nja 37 kilometra larg nga ku i themi këndej kufi e shtet – sheh Kosovën ashtu, na bëni një nder, mos na përmendi fare. Na mjaftojnë për gajle të tjerët përtej urës që shohin Kosovën siç dhe e shihni ju.


-1-

Në fillim të këtij shkrimi, dua t’i bëjë të qarta tre premisa. Jo për të akomoduar shkumagjinjtë e llafegjinjtë e turbo-folk-nacionalizmit, hiç se hiç për të ekzaltuar “françuzët” liberalë që na shfaqen po aq gjithandej, por për të qartësuar për secilin me interes trasenë e bindjes që provoj ta shfaqë këtë herë. Nuk ndjej as përgjegjësi e as pëlqim për qartësim ndaj të dyja palëve, që sa herë që lindë një grimcë e vogël mundësie patriotike, shkumojnë në ekstrem – të parët janë më zhurmagjinjë gjithsesi. Por ndjejë obligim të trajtoj deformimin e nevojës për patritoziëm që na shpërfaqet sot gjithandej; nga këngët absurde deri tek shfaqjet e supermenëve, nga ulurimat raciste deri tek përbaltja e të tjerëve – sindromi i dominimit ballkanas ka kapur shqiptarët më shumë se kurrë, duke na futur kështu në një udhë që fqinjët tanë në veri kanë kaluar kaherë. Pa shihni ku janë sot ata.

Premisa e parë, dhe më e rëndësishmja për tezen që shtroj këtu, është se patriotizmi, si koncept i atdhe-dashurisë politike, ekonomike e sociale, është esencial në përparimin e një vendi. Nga obligimi qytetar e deri tek mburrja për zotësi (jo zotërim) ndaj të tjerëve – në kulturë, sport e çka jo tjetër – më mbesin pra esenciale. Në të vërtetë, shtet pa patriotizëm më mbetet shumë pak shtet – mbetet veçse një vend mesiguri pa shumë identitet.

Premisa e dytë ka të bëjë me diferencimin e patriotizmit nga nacionalizmi; dhe këtë diferencim shumëkush (me të drejtë) e ka vështirë ta bëjë. Në fund të fundit, traseja e njëjtë që nisë patriotizmin nisë dhe nacionalizmin – urrejtja ndaj tjetrit nëpërmjet racizmit e nacizmit buron nga një fazë e mëhershme para-evolutive e patriotizmit; nga kompeticioni për dallim pra. E mjeshtëria e vendeve gjendet mu në aftësinë e trajtimit të këtij kompeticioni jo si mbizotërim ndaj tjetrit, por si motiv për përparim të vetes krahasuar me tjetrin – gjithsesi duke ndihmuar e bashkëngritur edhe tjetrin në gjithë këtë proces.

Premisa e tretë, dhe jo më pak e rëndësishme, ka të bëjë me zhvlerësimin e primitivizmit sa herë që bëhet fjalë për patriotizmin. Sikur ka një atashim të primitivizmit sa herë që përmendët patriotizmi; dhe kjo më bëhet e padrejtë. Sot, në modernen më të mundshme të civilizimeve, popujt mbajnë patriotizmin në secilin akt të tyre, në politikë të brendshme e jashtme, në militarizëm e ekonomi, diplomaci e sport, në teatër e muze – gjithandej. Patriotizmi është vet modernja.

-2-

Loja e fundit e kombëtares shqiptare – me gjithë aksesorët që barte pas – më dha ndjenjën e rrëshqitjes potenciale që shqiptarët mund të bëjnë shumë lehtë. Prej këngës nacionaliste, e deri tek koret raciste në stadium, prej një ekzaltimi të paarsyeshëm të shumëve që s’lënë të zezë pa i bërë vendit të vet (pushtetarë e individualistë njëtrajtësisht) e deri tek heshtja e konfirmimi ndaj secilit akt të tillë, ridhanë një histori të bërë më parë nga sllavët në Ballkan – diçka që gjithsesi nuk guxojmë ta replikojmë. Në të vërtetë, i gjithë aksesori i ndeshjes kishte të bënte shumë pak me futboll, ishte një teatër karikues që ushqente një shpërthim.

Kështu, askush nuk mërzit për mesazhet, panot e thirrjet raciste në stadium, por ishim të parët që shndërruam veten muaj më parë kur një stadium në lunatizëm thërriste për vrasjen tonë. Në momentin e parë që lejojmë ultra grupet e tifozëve të bëjnë politikë, në atë moment pra, kemi humbur rrugën e patriotizmit. Kemi lejuar shpërthimin në nacionalizëm. Hapi tjetër është të na dalë një hajvan, që mobilizon lehtë këta, për të na dërguar të gjithëve në dreq të mallkuar pra. Nuk pres emancipim të tifozëve sinqerisht. Jam i vetëdijshëm dhe me huliganizmin evropian; por nuk pranoj asesi si të qenë e të pranuar asnjë kor racist që del tek shqiptarët. Dhe nëse mendojmë të ndërtojmë patriotizëm e jo ultranacionalizëm, duhet t’iu bijmë të njëjtëve në kokë. S’meritojnë të shohin asnjë lojë. Punë e madhe që kanë zë; kaq është kontirbuti i tyre për këtë vend?! Kombëtaren e futbollin e duan plot; në të vërtetë, e duan shumë më shumë se këta që me thirrje si këto i bëjnë vetes, vendit e gjithë të tjerëve vetëm dëm. Të tjerët do ta mbushin plot, pa racizëm, me plot futboll e atdhe-dashuri.

Këtë nxitje padyishim e ushqeu një fushatë mediatike ultra-nacionaliste në Shqipëri. Kam përshtypjen se flamur-dashuria e vonuar atje, është në kërkim të kompenzimit patriotik për gjithë kohën e humbur – në përmasën sa që kalon tashti në absurditet. Dhe absurditet u bë një këngë që kërkon Shqipërinë e Madhe; një term që dashakëqijtë më të mëdhenj të kombit tonë provojnë ta shesin nëpër Evropë njëmend. Nuk ka Shqipëri të Madhe, nuk ka pasur asnjëherë; nuk ka as Shqipëri Etnike – nuk jemi e kemi Hitler. Ka një Shqipëri, të shqiptarëve, e ndarë padrejtësisht 100 vite më parë në mosvet. Nuk është as e madhe, e as etnike, është thjeshtë një vend me diversitet, mikpritës ndaj etnive të tjera që mendojnë ta zgjedhin po ashtu këtë vend si shtet të vet.

-3-

E sa për t’ua bërë të qartë artistëve të Shqipërisë, që si supremen me flamur rreth qafe na dalin me flamur gjithandej (e kemi bërë dhe ketë njëzet vite më parë këndej), Kosova nuk fillon në urën Ibër, s’ka për të filluar asnjëherë. Nëse nacionalizmi komercial i juaji – ai që promovon Shqipërinë e Madhe por nisë qyqërish në Ibër, nja 37 kilometra larg nga ku i themi këndej kufi e shtet – sheh Kosovën ashtu, na bëni një nder, mos na përmendi fare. Na mjaftojnë për gajle të tjerët përtej urës që shohin Kosovën siç dhe e shihni ju.

-4-

Nuk ka asgjë më të bukur – dhe mbi të gjitha – më të drejtë se sa përparimi i shqiptarëve. Gjithë ajo histori e padrejtë, e ndarjes, e mbytjes e largimit e persekutimit, nga të hunit e konopit, aziatikë e evropianë gjithandej, meriton përfundimisht drejtës. E si rrallëherë në historinë tonë të zymtë, shqiptarët janë renditur prapa aleancave të drejta, dhe mbi të gjitha të fuqishme. Keshtu, pjesërisht, ne dhe mbajmë lirinë sot – diçka thjeshtë e pamenduar vetëm pak vite më parë.

E në kohë të pamundura, ne kemi ëndërruar – në kuptimin e plotë të fjalës – për ditë si këto. Përtej të drejtës për t’u pyetur vet, lirinë pra, ne kemi ëndërruar edhe për një mirëqenie tonën, për një përparim në arsim, shëndetësi, ekonomi e shoqëri pra – gjithsesi dhe në sport. Do të mbetet ëndërr shkuarja jonë në Evropian; jo se do të bëhet nami gjithsesi, por se do t’i rikujtojmë vetes ecjen e mrekullueshmë që ky popull i rënduar padrejtëissht ka bërë – deri në triumf. Prandaj këtë rikutjimedhe duhet festuar, me ngjyrat më të bukura e më të shenjta të simbolikës sonë historike; do ta fesotjmë pra dhe s’ka asgjë të keqe me festë.

Porse, në këtë ecje përparimtare tonën, që na ekstrapolohet dhe në sport, ne nuk guxojmë të zhytemi në eufori; dhe mbi të gjitha, në kërcënim për të tjerët. Nuk guxojmë të zhytemi në eufori sepse, pavarësisht përparimit e ecjes gjithënacionale, ne megjithatë mbesim të fundit në Evropë e rajon. Jemi më të varfërit, më të papunët, më të korruptuarit madje – s’kemi fije patriotizmi e atdhedashurie në çështjet më thelbësore politike e zhvillimore tonat; e rrjepim vendin si hiçgjë. Duhet t’i rikujtojmë vetës se të njëjtit që ushqejnë nacionalizmin shkulin ditë e natë pandërprerë secilën shpresë të re. Me gjithë potencialet që kemi si vend, si popull e si shtete pra, sot do të duhej të ishim në Evropë, si sllovenët e kroatët që janë tani; nuk guxojmë nivelin e konkurrueshmërisë ta mbajmë kaq poshtë. Të mjaftohemi me nacionalizëm komercial – më këngë e valle – përderisa s’kemi gjë, nuk është as punë e mençur por as atdhedashuri; është çmendi.

Pra nuk ka asgjë të keqe në dashurinë e shfaqur ndaj flamurit, kombëtares – e para së gjithash – dhe vet shtetit. Jem në momentet më të mira historike, do ta festojmë gjithsesi. Do të festojmë mbi të gjitha sa herë që në sport, kulturë, biznes e mirqenie bëjmë një hap paral; pa eufori, pa ekzaltim, me shumë gëzim gjithsesi.

Por këtë shpërfaqjeje dashurie e epshi, diku të vonuar e diku të panisur ende, duhet ta bëjmë me shumë mend; ta bëjmë me stil pra. Ta bëjmë në formën më civilizuese të mundshme, më evropiane të mundshme pra. Do të sillemi si evropian, ku dhe përfundimisht pretendojmë të takojmë, e do të nisim respektin ndaj vendit jo me këngë turbo-folk, kore raciste apo shthurje etnike, por me larjen e shpëlarjen e secilës të keqe tonën. Do ta bëjmë me zhvillim pas festës e jo festë para zhvillimit, me zë të aryses e jo forcë të zërit, me kritikë ndaj gabimit e jo gabim të heshtjes; do ta bëjmë me patriotizëm pra.