Sunday, 5 April 2015

ÇFARË PATRIOTIZIMI PO KULTIVOJMË?

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 PRILL 2015


E sa për t’ua bërë të qartë artistëve të Shqipërisë, që si supremen me flamur rreth qafe na dalin me flamur gjithandej (e kemi bërë dhe ketë njëzet vite më parë këndej), Kosova nuk fillon në urën Ibër, s’ka për të filluar asnjëherë. Nëse nacionalizmi komercial i juaji – ai që promovon Shqipërinë e Madhe por nisë qyqërish në Ibër, nja 37 kilometra larg nga ku i themi këndej kufi e shtet – sheh Kosovën ashtu, na bëni një nder, mos na përmendi fare. Na mjaftojnë për gajle të tjerët përtej urës që shohin Kosovën siç dhe e shihni ju.


-1-

Në fillim të këtij shkrimi, dua t’i bëjë të qarta tre premisa. Jo për të akomoduar shkumagjinjtë e llafegjinjtë e turbo-folk-nacionalizmit, hiç se hiç për të ekzaltuar “françuzët” liberalë që na shfaqen po aq gjithandej, por për të qartësuar për secilin me interes trasenë e bindjes që provoj ta shfaqë këtë herë. Nuk ndjej as përgjegjësi e as pëlqim për qartësim ndaj të dyja palëve, që sa herë që lindë një grimcë e vogël mundësie patriotike, shkumojnë në ekstrem – të parët janë më zhurmagjinjë gjithsesi. Por ndjejë obligim të trajtoj deformimin e nevojës për patritoziëm që na shpërfaqet sot gjithandej; nga këngët absurde deri tek shfaqjet e supermenëve, nga ulurimat raciste deri tek përbaltja e të tjerëve – sindromi i dominimit ballkanas ka kapur shqiptarët më shumë se kurrë, duke na futur kështu në një udhë që fqinjët tanë në veri kanë kaluar kaherë. Pa shihni ku janë sot ata.

Premisa e parë, dhe më e rëndësishmja për tezen që shtroj këtu, është se patriotizmi, si koncept i atdhe-dashurisë politike, ekonomike e sociale, është esencial në përparimin e një vendi. Nga obligimi qytetar e deri tek mburrja për zotësi (jo zotërim) ndaj të tjerëve – në kulturë, sport e çka jo tjetër – më mbesin pra esenciale. Në të vërtetë, shtet pa patriotizëm më mbetet shumë pak shtet – mbetet veçse një vend mesiguri pa shumë identitet.

Premisa e dytë ka të bëjë me diferencimin e patriotizmit nga nacionalizmi; dhe këtë diferencim shumëkush (me të drejtë) e ka vështirë ta bëjë. Në fund të fundit, traseja e njëjtë që nisë patriotizmin nisë dhe nacionalizmin – urrejtja ndaj tjetrit nëpërmjet racizmit e nacizmit buron nga një fazë e mëhershme para-evolutive e patriotizmit; nga kompeticioni për dallim pra. E mjeshtëria e vendeve gjendet mu në aftësinë e trajtimit të këtij kompeticioni jo si mbizotërim ndaj tjetrit, por si motiv për përparim të vetes krahasuar me tjetrin – gjithsesi duke ndihmuar e bashkëngritur edhe tjetrin në gjithë këtë proces.

Premisa e tretë, dhe jo më pak e rëndësishme, ka të bëjë me zhvlerësimin e primitivizmit sa herë që bëhet fjalë për patriotizmin. Sikur ka një atashim të primitivizmit sa herë që përmendët patriotizmi; dhe kjo më bëhet e padrejtë. Sot, në modernen më të mundshme të civilizimeve, popujt mbajnë patriotizmin në secilin akt të tyre, në politikë të brendshme e jashtme, në militarizëm e ekonomi, diplomaci e sport, në teatër e muze – gjithandej. Patriotizmi është vet modernja.

-2-

Loja e fundit e kombëtares shqiptare – me gjithë aksesorët që barte pas – më dha ndjenjën e rrëshqitjes potenciale që shqiptarët mund të bëjnë shumë lehtë. Prej këngës nacionaliste, e deri tek koret raciste në stadium, prej një ekzaltimi të paarsyeshëm të shumëve që s’lënë të zezë pa i bërë vendit të vet (pushtetarë e individualistë njëtrajtësisht) e deri tek heshtja e konfirmimi ndaj secilit akt të tillë, ridhanë një histori të bërë më parë nga sllavët në Ballkan – diçka që gjithsesi nuk guxojmë ta replikojmë. Në të vërtetë, i gjithë aksesori i ndeshjes kishte të bënte shumë pak me futboll, ishte një teatër karikues që ushqente një shpërthim.

Kështu, askush nuk mërzit për mesazhet, panot e thirrjet raciste në stadium, por ishim të parët që shndërruam veten muaj më parë kur një stadium në lunatizëm thërriste për vrasjen tonë. Në momentin e parë që lejojmë ultra grupet e tifozëve të bëjnë politikë, në atë moment pra, kemi humbur rrugën e patriotizmit. Kemi lejuar shpërthimin në nacionalizëm. Hapi tjetër është të na dalë një hajvan, që mobilizon lehtë këta, për të na dërguar të gjithëve në dreq të mallkuar pra. Nuk pres emancipim të tifozëve sinqerisht. Jam i vetëdijshëm dhe me huliganizmin evropian; por nuk pranoj asesi si të qenë e të pranuar asnjë kor racist që del tek shqiptarët. Dhe nëse mendojmë të ndërtojmë patriotizëm e jo ultranacionalizëm, duhet t’iu bijmë të njëjtëve në kokë. S’meritojnë të shohin asnjë lojë. Punë e madhe që kanë zë; kaq është kontirbuti i tyre për këtë vend?! Kombëtaren e futbollin e duan plot; në të vërtetë, e duan shumë më shumë se këta që me thirrje si këto i bëjnë vetes, vendit e gjithë të tjerëve vetëm dëm. Të tjerët do ta mbushin plot, pa racizëm, me plot futboll e atdhe-dashuri.

Këtë nxitje padyishim e ushqeu një fushatë mediatike ultra-nacionaliste në Shqipëri. Kam përshtypjen se flamur-dashuria e vonuar atje, është në kërkim të kompenzimit patriotik për gjithë kohën e humbur – në përmasën sa që kalon tashti në absurditet. Dhe absurditet u bë një këngë që kërkon Shqipërinë e Madhe; një term që dashakëqijtë më të mëdhenj të kombit tonë provojnë ta shesin nëpër Evropë njëmend. Nuk ka Shqipëri të Madhe, nuk ka pasur asnjëherë; nuk ka as Shqipëri Etnike – nuk jemi e kemi Hitler. Ka një Shqipëri, të shqiptarëve, e ndarë padrejtësisht 100 vite më parë në mosvet. Nuk është as e madhe, e as etnike, është thjeshtë një vend me diversitet, mikpritës ndaj etnive të tjera që mendojnë ta zgjedhin po ashtu këtë vend si shtet të vet.

-3-

E sa për t’ua bërë të qartë artistëve të Shqipërisë, që si supremen me flamur rreth qafe na dalin me flamur gjithandej (e kemi bërë dhe ketë njëzet vite më parë këndej), Kosova nuk fillon në urën Ibër, s’ka për të filluar asnjëherë. Nëse nacionalizmi komercial i juaji – ai që promovon Shqipërinë e Madhe por nisë qyqërish në Ibër, nja 37 kilometra larg nga ku i themi këndej kufi e shtet – sheh Kosovën ashtu, na bëni një nder, mos na përmendi fare. Na mjaftojnë për gajle të tjerët përtej urës që shohin Kosovën siç dhe e shihni ju.

-4-

Nuk ka asgjë më të bukur – dhe mbi të gjitha – më të drejtë se sa përparimi i shqiptarëve. Gjithë ajo histori e padrejtë, e ndarjes, e mbytjes e largimit e persekutimit, nga të hunit e konopit, aziatikë e evropianë gjithandej, meriton përfundimisht drejtës. E si rrallëherë në historinë tonë të zymtë, shqiptarët janë renditur prapa aleancave të drejta, dhe mbi të gjitha të fuqishme. Keshtu, pjesërisht, ne dhe mbajmë lirinë sot – diçka thjeshtë e pamenduar vetëm pak vite më parë.

E në kohë të pamundura, ne kemi ëndërruar – në kuptimin e plotë të fjalës – për ditë si këto. Përtej të drejtës për t’u pyetur vet, lirinë pra, ne kemi ëndërruar edhe për një mirëqenie tonën, për një përparim në arsim, shëndetësi, ekonomi e shoqëri pra – gjithsesi dhe në sport. Do të mbetet ëndërr shkuarja jonë në Evropian; jo se do të bëhet nami gjithsesi, por se do t’i rikujtojmë vetes ecjen e mrekullueshmë që ky popull i rënduar padrejtëissht ka bërë – deri në triumf. Prandaj këtë rikutjimedhe duhet festuar, me ngjyrat më të bukura e më të shenjta të simbolikës sonë historike; do ta fesotjmë pra dhe s’ka asgjë të keqe me festë.

Porse, në këtë ecje përparimtare tonën, që na ekstrapolohet dhe në sport, ne nuk guxojmë të zhytemi në eufori; dhe mbi të gjitha, në kërcënim për të tjerët. Nuk guxojmë të zhytemi në eufori sepse, pavarësisht përparimit e ecjes gjithënacionale, ne megjithatë mbesim të fundit në Evropë e rajon. Jemi më të varfërit, më të papunët, më të korruptuarit madje – s’kemi fije patriotizmi e atdhedashurie në çështjet më thelbësore politike e zhvillimore tonat; e rrjepim vendin si hiçgjë. Duhet t’i rikujtojmë vetës se të njëjtit që ushqejnë nacionalizmin shkulin ditë e natë pandërprerë secilën shpresë të re. Me gjithë potencialet që kemi si vend, si popull e si shtete pra, sot do të duhej të ishim në Evropë, si sllovenët e kroatët që janë tani; nuk guxojmë nivelin e konkurrueshmërisë ta mbajmë kaq poshtë. Të mjaftohemi me nacionalizëm komercial – më këngë e valle – përderisa s’kemi gjë, nuk është as punë e mençur por as atdhedashuri; është çmendi.

Pra nuk ka asgjë të keqe në dashurinë e shfaqur ndaj flamurit, kombëtares – e para së gjithash – dhe vet shtetit. Jem në momentet më të mira historike, do ta festojmë gjithsesi. Do të festojmë mbi të gjitha sa herë që në sport, kulturë, biznes e mirqenie bëjmë një hap paral; pa eufori, pa ekzaltim, me shumë gëzim gjithsesi.

Por këtë shpërfaqjeje dashurie e epshi, diku të vonuar e diku të panisur ende, duhet ta bëjmë me shumë mend; ta bëjmë me stil pra. Ta bëjmë në formën më civilizuese të mundshme, më evropiane të mundshme pra. Do të sillemi si evropian, ku dhe përfundimisht pretendojmë të takojmë, e do të nisim respektin ndaj vendit jo me këngë turbo-folk, kore raciste apo shthurje etnike, por me larjen e shpëlarjen e secilës të keqe tonën. Do ta bëjmë me zhvillim pas festës e jo festë para zhvillimit, me zë të aryses e jo forcë të zërit, me kritikë ndaj gabimit e jo gabim të heshtjes; do ta bëjmë me patriotizëm pra.


No comments: