Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 PRILL 2015
Mbi strukjen dhe tjetërsimin e mëtutjeshëm të besimit të
djathtë ekonomik në Kosovë
-1-
I pari, madhësia e qeverisë. Enorme. E panevojshme. Mbi të gjitha e kushtueshme dhe burokratike sa s’bëhet më. E shfrytëzuar për të rehatuar e akomoduar militantë partiakë, individë të mbetur jashtë, madhësia e qeverisë është shndërruar këndej si një gjellë e gatuar keq, por e zakonshme. Secili pas tjetrit, në stilin e njëjtë me tjetrin, ka vënë një shtresë kripe të panevojshme; e ka gjelbëzuar atë përtej secilës normë të pranueshme. Kështu Kosova e vogël, sot ka njëzet e kusur ministri – me e pa portofol – dhe ka një mekanizëm të tërë përcjellësish që nuk i pyet kush, nuk i duhen kujt.
Nuk bëhet
nami, thënë të drejtën, mbi koston e mbajtjes së këtij mekanizmi. Kushtueshmëria
do të mbetej edhe e arsyeshme sikur në të do të gjenin vend individë që kanë një
fije dije, kanë një kompetencë e kanë një dijë; pra të jenë gjithçka veçse
militantë e shërbëtorë të dëgjueshëm partiak. Kosova pra, do të mund të
përballonte lehtë pagesën e disa pagave shtesë, mëditjeve e veturave shtesë,
sikur në kthim të merrte një vlerë. Por nuk merr gjë prej gjëje. Marrin partitë
që rehatojnë militantë, trashëgimtarë e familjarë postesh – rehatojnë gjithçka.
Do të
prisja, sinqerisht, nga një qeverisje e re e në promovim të ndryshimit – nëse e
kanë sinqerisht – zvogëlimin e qeverisë, zhbërjen e burokracisë. Në fund të
fundit i thonë vetes të djathtë.
-2-
I dyti,
taksimi progresiv. I habitshëm. I panatyrshëm. Mbi të gjitha i dëmshëm për
klimën biznesore sa s’bëhet më. Aprovoj dhe miratoj heqjen – jo vetëm uljen – e
TVSH-së për produkte bazike dhe kryesisht të shërbimeve publike; në ujë, rrymë
e ngrohje njëtrajtësisht. Refuzoj ta pranoj secilën ngritje të normës së TVSH-së
për të gjitha produktet tjera. Kjo për dy arsye. E para, sepse ulja, sado e
domosdoshme, barazohet me ngritjet tjera. Në njërën apo formë tjetër, zinxhiri
i produkteve që komunsohen si bazike e ato që konsiderohen (me këtë paketë) si
jo bazike janë të ndërlidhura ngushtë, në relacion kauzalitetit. Kështu, ndër të
tjerash, është e kotë ulja e TVSH-së për miell, kur rritet për naftë. I njëjti
bukëpjekës do të blejë po të njëjtën naftë, tashti me çmim të ngritur, për tëpërpunuar
miellin në bukë që mund ta shes me çmim të ulur.
Së dyti, në
nj treg të tharë nga keshi, gjëja e fundit që duhet ti ndodhë është tërheqje të
mëtutjeshme – me rritje të TVSH-së pra. Dhe mbi të gjitha, kjo tërheqje të
ndodhë nga të vetmit që sot krijojnë vlerë e paranë njëmend – shtresa e mesme.
Pra, sado e këndshme dhe toleruese mund
të jetë zvogëlimi i tatimit për shtresat e varfra, mbingarkesa e rritja e barës
tek shtresa e mesme – produktet e të cilëve do të shtrenjtohen njëtrajtësisht –
mbetet e paarsyeshme.
E
paarsyeshme mbetet edhe rikthimi i tatimit në dividentë mbi korporata. Tashti,
për ta vënë rekordin drejt, taksimi i dyfishtë i korporatave, në fitim dhe të
ardhura personale për aksionarët, është praktikë e zakonshme për shumë vende.
Megjithatë, nëse për diçka është dalluar Kosova ndryshe në relacion me vendet në
rajon, ishte pikërisht atraktiviteti në mostaksim të dividentës. Na bënte pra më
ndryshe. Dhe nuk kuptoj, e s’do të kuptoj kurrë se si ngritjet e tilla bëhen për
promovim të investimeve. Nuk bëhen gjërat kështu.
-3-
I treti,
shpenzimi buxhetor. I humbur. I papotencë. Mbi të gjitha, repetitiv me të shtatë
buxhetet populliste paraparake. I vetmi element që nuk e bënë këtë buxhet më
majtist e më popullist se sa buxheti popullist e majtist paraprak, është rritja
e mëtutjeshme e pagave në sektorin publik; aferim pwr ketë vendim. Por, jashta
saj, secili proporcion shpenzues, secili target shpenzues, secili trajtim
shpenzues, mbetet i majtë sa s’bëhet më.
Vet ideja e
transferimit të pronës private – parave të shndërruara në taksa – në asfalt publik,
subvencione e asistencë sociale, bën këtë buxhet majtist. Nuk është marrë as mundi
më i vogël pra, për të guxuar e menduar ndryshe, për ta ndarë e shpërndarë më ndryshe
atë. Nga vazhdimi i mega-shpenzimeve për aparatusin shtetëror, deri tek dhënia
blanko e subvencionimeve pa fije analize produktiviteti (mëshira mbetet kriter);
nga mbështetja pa rezervë e kostove të superudhave, e deri tek mungesa totale e
përkrahjes fiskale së bizneseve – pa harruar superndihmat për universitete
publike e ndërmarrje publike. – bëjnë këtë buxhet të majtë.
Madje, vet
ideja e ndërtimit të një fondi që jep kredi – kur ke bankat për një gjë të tillë
– bën gjithë ecjen tonë financiare në të majtë. Na duhet një freskim gjithsesi.
E majta, e të djathtëve, nuk po ecë tash e sa vjet.
-4-
Logjika? Dy
parti të djathta, me programe të shkruara si të djathta, në pak më shumë se
njëqind ditë, bëjnë disa politika puro të majta. Madhësia e qeverisë,
progresivitetit i tatimeve e ngarkesa tatimore ndaj korporatave mbesin hiq më
pak e hiq më shumë se sa të majta. Të majtit e Kosovës madje, do të mbesin të
kompleksuar në të ardhmen. Kanë shumë pak hapësirë për të bërë majtizëm më shumë.
Dhe si
promovues i së djathtës, unë kam problem me një qasje të tillë. Atë në dy
rrafshe. Në ta parin, që në një vend të ngarkuar me popullizëm e majtizëm në
vend të reformave të guximshme Reaganiane e Thatçeriane, ne zhytemi dhe më shumë
në popullizëm e majtizëm ndaj sektorit privat. Në fund të fundit, e gjithë kjo
aventurë paguhet nga një sektor privat që mezi mbijeton; por që përvec se duhet
të taksojë një mekanizëm të madhe
joefikas, duhet edhe të durojë shtesa fiskale – paradoksalisht nga të
djathtët. Kam dëgjuar një herë një anëtarë të rëndësishëm qeverisë së tanishme,
i vetëdeklaruar si djathtë, të thotë se majtizmin e përdorin sepse gjërat janë
keq tani, dhe do të orientohen djathtë kur të përmirësohen ato. E kuptoni
budallakinë? Sikur e djathta për biznes na qenka e keqe për kohë të mira; e
majta na qenka e mirë për kohë të këqija. Besimi në drejtim nuk shkon me faza e
periudha; shkon me bindje se politika në fjalë do të mbjellë thjeshtë sukses.
Dhe në
rrafshin e dytë, se nëse dy parti të djathta, kanë programe të djathta,
promovojnë ide të djathta por marrin vendime të majta; këtu unë shoh shumë
hipokrizi e padituri. Ose janë të majtë në bindje, por qëndrojnë në një ambient
të djathtë – rrjedhimisht dhe hipokrizia; ose nuk kanë ide se cfarë përfaqëson
e djathta dhe e majta në qeverisje – rrjedhimisht padituria. Nëse besojnë se e
majta është zgjidhje e duhur, ta thonë qartë në orientim; nuk ka për t’i
gjykuar kush, por së paku trajtohen e mësohen si të tillë. Nëse mendojnë se e
djathta është zgjidhje, atëherë të lexojnë më shumë për të ngritur dijet e
veta. E nëse ka dikush që pretendon irelevancën e ecjes djathtë apo majtë me politika,
atëherë të mos merret me qeveri. Politika, lexues, është për t’u marrë mu me
gjëra si këto. Padituria e inferioriteti i zhvlerëson ato.
No comments:
Post a Comment