Letra nga limbo
KOHA DITORE, 17 PRILL 2015
Një refleksion mbi
investimet që nuk u bënë kurrë
-1-
Vetëm 193 milionë
euro është vlera e investimeve të huaja në Kosovë përgjatë vitit 2014. E meqë
nuk kisha mbajtur në mend të kem regjistruar vlerë më të pakët në këto shtatë
tetë vite të shkuara, iu ktheva numrave të prodhuar nëpër raportet e Bankës
Qendrore të Kosovës. Numrat e fundit do të duhej të ishin alarmant për secilin
që provon të merret me pak ekonomi; sepse numrat – që nuk rrejnë kurrë – shpërfaqnin
më së miri nivelin e rënies sonë ekonomike nëpër vite – përfshirë edhe këtë të
sivjetshmin pra.
Dhe numrat e njëjtë
tregonin qartë, se me vetëm 193 milionë euro investime të jashtme, ne kishim
rrumbullakuar një trend rënës investiv për plot tetë vjet. Tetë vite më parë
vlera e investimeve të jashtme ishte rreth 440 milionë euro në vit; ishte një
rritje prej një çereku nga viti paraprak. Viti i parë i pavarësisë që e vijonte
2007-ën kishte shënuar rënien e parë, nga 440 në 336 milionë; për të vazhduar
gradualisht e sigurt (ani pse me fluktacione) nëpër vitet vijuese – si 287 në
vitin 2009, 365 në vitin 2010, 393 në 2011, 228 në 2012, 258 në 2013 e 193 në
vitin 2014; kalimi i pragut të ulët nën dyqind milionësh këtë vit, mbetet risia
e zezë.
Paramendoni një
rast të përmbysur; kur në vend të trendëve rënëse do të ndiqnim ato rritëse;
pra në vend të rënies së vazhdueshme do të kishim atë çerekun e përvjetshëm.
Sepse, si një vend i ri, i pavarur e me plot mundësi të pashfrytëzuara (në
investime kapitale, projekte publike e procese privatizuese) ne do të nxirrnim
më të mirën. Paramendoni një rast të rritjes prej çereku të përvjetshëm; sot, në
një trend të tillë, ky vend do të kishte plot miliarda euro investime të
jashtme për vit – saktësisht tre sosh.
-2-
Nuk kishin qenë aspak
të pamundura ato, sikur në tetë vitet e shkuara të kishim një proces
privatizues mirëfilli në telekom, që do të merrte një miliardë vlerë shitje
aty, dhe miliona të tjerë investime në rrjet e shërbime. Sikur në vend të dy
proceseve të cilësuara si korruptive, të mos largonim secilin investitor serioz
– përfshirë dhe Deutsche Telekom – që sot na mbetet veçse një ëndërr investuese
e largët madje. Do të bënim nam, sikur në vend të prurjeve të pafunda të militantëve
që gjithçka veçse punë bëjnë, të sillnim përvojë, dije dhe emër të njohur
mbarësisht. Sot telekomi i Kosovës vlen hiçgjë; miliona euro janë shpenzuar në
procese konsultative për privatizime me sherr që mirë se nuk ndodhën kurrë.
Fatkeqësia mbetet ideja se i njëjti aset provohet të rivitalkizohet nga të njëjtit
që shkatërruan atë, humbën miliarda e tmerruan investitorë të tjerë.
Nuk kishin qenë
aspak të pamundura ato, sikur në vend të faljes së distribucionit për 26.3
milionë euro; aq sa inkasimi i falur tek ta për dy muaj rresht, ne do të kishim
një proces serioz, të bollshëm e jo – pa fije rezervimi e them këtë – mafioz.
Do të kishim sërish investime, fonde të bollshme e shërbime të denja nga
kompani e biznese që kanë model modernen jo allashverishet e vëllezërve të
partiakëve tanë; jokredibil e të frikshëm sa s’bëhet më.
Nuk kishin qenë
aspak të pamundura ato, sikur në vend të pritjeve e rahatimeve politike e
zaptuesve në Trepçë, të kishim një model të punuar e ekzekutuar kaherë. Thuajse
kemi kohë e vjet për të pritë e falë. Trepça nuk u bë asnjëherë; modelet
diskutuese politike morën kah popullist – u shndërruan në tabore thirrëse herë
për pozitën e herë për opozitën; muhabetë i thatë që sa vjet. Në pritje të
mrekullisë, Kosova vazhdon të mbetet paradoksalisht larg minierave që i zotëron
vet.
Nuk kishin qenë
aspak të pamundura ato, sikur në vend të ndryshim-emrit rreth termocentralit të
ri, të kishim aktualisht një termocentral të ri. Tetë e më shumë vite të
humbura në diskutime të kota letrash e burokracie; as edhe një hap më tej. Me termocentral
të ri, përvec fondeve, hiseve e punëve pra, ne mund të kishim dhe trajnime e kërkime
shtesë – korporatizim modern e jo shitblerje mosvet – pra do të kishim një
kulturë e sistem modern që dallon me të tanishmit që s’sjellin gjë. Regresim në
bërje biznesi tash e sa vjet.
Nuk kishin qenë
aspak të pamundura ato, sikur për secilin interesim të huaj në vend, të mos u
kërkonin hise e haraç politikanët tanë. Licenca fantome për kusherinjtë e vet –
për t’iu shitur si kushtëzim secilit që ka njëmend interes; kërcënime primitive
për evropianë e investitorë të mbarë; dhe hisenik-kërkues të shkretë – të gjithë
kanë mbyllur këtë vend për secilën mundësi të jashtme. Kështu, mijëra vende të
reja pune, të destinuar për një vend të ri e me plot prosperitet, janë
zhvendosur nëpër rajon.
-3-
Pra i kemi humbur
tetë vjet, dhe invesitmet e vetme të jashtme tani janë ato të një autoudhë
korruptive e miliardëshe që merr paranë tonë tash e sa vjet – përvjet.
Paradoksalisht, paratë që i paguajmë vet tek një kompani tjetër, na llogariten
si investim i jashtëm këndej.
I kemi humbur tetë
vjet të një gjenerate që nuk meriton kaq shumë sakrificë. Barrën e tranzicionit
po e paguajmë shtrenjtë, dhe nuk besoj – e kjo është lajm i mirë – se do të ketë
një gjeneratë tjetër të merr kaq pak nga ky vend. Prandaj, përtej sakrificave qëllimmira,
me ose pa qejf, është e udhës që përfundimisht dhe ne të kërkojmë kompenzim të
pasurisë sonë për mirëqenien tonë. E në mungesë e rënie të investimeve, secili
investim e para e sjellë më ngjallë një fije shpresë.
Dhe mu në shpresë
dua ta shoh projektin e Brezovicës. Secili që ka kaluar një gjysmë vikendi
atje, ka mund ta kuptojë rëndesën e fukarallëkun e një vendi me kaq shumë
potencial. Dhe secili që ka kaluar andej mund ta ketë kuptuar rëndësinë e madhësinë
e investimeve që kërkohen atje. Procesi i përfunduar këtë javë, mund – dhe
mesiguri mbetet – larg prej më të mirëve. Por gjithsesi, si prospekt, më bëhet
mjaft premtues.
Sepse investimi i
400 milionëve në një vend, është pikërisht ajo për të cilën ky vend e kjo
gjeneratë ka sot nevojë. Nuk ndaj bindjet me askënd që ankohet mbi mospasjen
aktuale të mjeteve në dispozicion nga investitori nënshkrues i ri. Ç’është e vërteta,
nuk ka asnjë biznes sot që ka në llogari plot 400 milionë – kesh edhe atë. Përkundrazi,
secili biznes që ka një shumë të tillë – pra s’di çfarë të bëjë me to – më
mbetet më së paku biznes. Aftësia dhe zotësia e një investitori matet me aftësinë
e tij për të gjeneruar mjetet e nevojshme. Dhe nëse ky investitorë mund t’i
gjenerojë 400 milionë – ngado (brenda e jashtë) – dhe këto mjete mund t’i
investojë në Kosovë, sidomos në një vend të lënë shkret, them se kemi bërë një
hap të mirë.
E hapa të mirë
duhet ndjekur dhe në energjetikë, dhe në telekom dhe në miniera. Na duhen përfundimisht
investimet pa të cilat nuk mundemi të ngrihemi ekonomikisht në këmbë. Natyrisht
se duke njohur urinë dhe pangopjen për para të klasës aktuale politike pres sfida
e përballje plot. Sepse, siç dhe kemi humbur telekomin e distribucionin e të
tjerat deri më tani – në tetë vjet e shkuara – mund të humbim dhe këto të
mbetura në të tjerat që vijnë. Na duhet pra një storie e re, një sukses i ri,
një emër i ri që këtë vend e bën sado pak më të butë përballë investimeve të
huaja që ndodhen sot gjithandej. Projektet e mëdha kapitale mbeten shanset tona
të fundit për këtë.
1 comment:
INVESTIMET NATYRORE.
$ 300_ $ 4500
$ 400_ $ 6000
$ 500_ $ 7500
$ 600_ $ 9000
$ 700_ $ 10500
$ 800_ $ 12000
$ 900_ $ 13500
$ 1000_ $ 15000.
Filloni investimet dhe fitoni direkt në portofolin ose llogarinë tuaj bankare
SHENIM: Duhet të keni një telefon Android ose PC për të monitoruar llogarinë tuaj, nëse jeni të interesuar kontaktoni në WhatsApp: +17168691327. email: midasgoldmoney@gmail.com
Post a Comment