Sunday, 22 March 2015

NË KANDAR

Lumir Abdixhiku
KOHA DITORE, 20 MARS 2015

Një vlerësim mbi njëqind ditshin e parë të qeverisë së re



-1-

Nuk e kam kuptuar kurrë psenë e vlerësimit të një pune për njëqind ditë; pse jo për njëqind e dy a tri – pse jo për dyqind ditë. Mbaj mend qeveri që për njëqind ditë kanë qenë të mira, për tu bërë të tmerrshme mandej; sikurse të tjera që ishin të këqija, për të mbetur të tilla përherë. Keq fillimisht e mirë më pas s’kam parë asnjëherë. Gjithsesi meqë njëqindëshi është bërë target, them të bëj një rrumbullakim ekonomik të ecjes së deritanishme. Dhe këtë rrumbullakim dua ta ndajë në dy ngjyra; në ngjyrën e kaltër të plusit, dhe të kuqen të minusit. Bilancin përfundimtarë besoj secili mund ta bëjë dhe pa ndihmën time lehtë.

Për të kuptuar kontekstin e vlerësimit të ecjes, gjithsesi se duhet kujtuar kontekstin e nisjes fillimisht. E nisja, për këtë qeveri pra, ishte e rëndë. Jo vetëm për shkak të përbërjes mishmashe që kishte në vete, por për shkak të – deri atë ditë – artificialitetit të papërbishëm që një bashkim si ky ngjizte. Gjithsesi, ndërrim diskursi radikal në orientim ndaj njëri tjetrit ishte pranuar lehtë nga ekuipazhet e dy anijeve, për t’u shpërfaqur madje (dhe paradoksalisht) si tërësisht i natyrshëm. Ç’është e vërteta, as nuk ishte i natyrshëm e as që do të pranohej ndonjëherë si i lehtë nga secili tjetër jashta anijeve të tyre. Por, deri në matjen tjetër me votë, them se duhet lënë si të tillë. Kosovarët kanë për të thënë shumë një ditë.

Pra vlerësimi i nisjes është i rëndësishëm sepse bashkimi artificial kishte futur vet nisjen në një prapastart të paparë për qeveritë e mëparshme. Për të rikuperuar këtë nisje të prapme duhej shumë energji, shumë pozitivitet, shumë ndryshim, dhe mbi të gjitha shumë shpresë. Njëqind ditë më pas nuk mund të them se kjo nisje ka pasur shumë energji, pozitivitet, ndryshim apo dhe vet shpresë. Dikush mund të argumentojë se shpresa dhe energjia mund edhe të krijohen në të ardhmen; sepse tani ato mund të jenë pjesë e një stili qeverisës  që shpërndanë pa publicitet; por, për ta thënë këtë punë troç, them se nisja – si akt në vete pra – mesiguri është nga më të rëndat të para ndonjëherë. Kësaj nisje nuk i kishin kontribuar as ngritjet e protestat e pothuajse gjithkujt; nga mjekët tek mësimdhënësit, nga punëtorët tek veteranët, nga studentët e deri tek gjykatësit – të gjithë ishin në grevë e protestë.

-2-

Në pjesën e kuqe të qeverisjes, jo të mirën pra, padyshim se do të përfshijë të gjitha replikimet e qeverisjes paraprake që kjo e reja po bënte në përpikëri. Qeveria e re fillimisht kishte trashëguar një mekanizëm të madh qeveritar. Në vend të zvogëlimit të tij, për hir të kursimit dhe vet efiçencës pra – e mbi të gjitha sepse promovonte se ishte djathtë – nisma gjysmë e re kishte marrë hapa të rritjes së saj. Kështu në kundërintuitë e në kundërshtim me vet planprogramin zgjedhor që kishte shfaqur vetëm muaj më parë, nisma gjysmë e re kishte rrëshqitur qysh në start me dhënien e shpresës. Një hap jo i mençur ky. Sepse Kosova kishte kohë që kërkonte një ndryshim, dhe këtë ndryshim nuk e kërkonte në fytyrat e akterëve, por në produktet e tyre. Vazhdimi i riprodhimit paraprak mund të ishte gjithçka, por shpresëdhënës kurrëhiç.

Dhe në stil të njëjtë u menaxhua edhe buxheti i shtetit, i cili në përmasën më të madhe të tij ishte repetitiv me shtatë buxhetet paraparake, të njëjtat që kishin sjellë rritje ekonomike modeste, papunësi e varfëri – të gjitha në shpërthim për migrim. Arsyetimet e kohës së shkurtë për të prodhuar një dokument buxhetor serioz kishin shpërfaqur habinë me mosangazhimin katër e sa vjeçar në opozitëbërje. Sepse një grup politik që synon pushtet – ose që ka gjasa serioze për të marrë pushtet – do të duhej të kishte së paku si formulim hazër një dokument e proces kaq serioz.

E në gjithë këtë zhvillim, qeverisja e re kishte nisur në formën më të rëndë të mundshme komunikimin me publik. Duke e injoruar apo mosnjohur rëndësinë e relacioneve publike, kjo nismë (gjysmë e re pra) fillimisht kishte shpërfaqur konfliktualitet me pothuajse gjithkë që s’pajtohej me të – i rëndësishëm apo jo të ishin ata; dhe më pas kishte zgjedhur heshtjen, ndryshim-qëndrimin apo në rastet më të rënda dhe pozicionimin tërësisht gabim mbi çështjet më të ndjeshme të mundshme në vend.

Për ta thjeshtëzuar e ilustruar këtë keq-komunikim të qeverisë, kujtoni trajtimin e tri rasteve që kanë ndodhur në këto njëqind ditë. E para, me aferën Jabllanoviq, kur kishte zgjedhur heshtjen; e një qeveri që për synim do të kishte rikuperimin e hendekut të marrë qysh në start do të lëvizte shpejtë e qartë në momentin e parë të dhënies së deklaratave për ta rikuperuar – nëse asgjë tjetër – pikërisht atë hendek. E dyta, me rastin e Trepçës, kishte zgjedhur ndryshim-qëndrimin, duke prezantuar kështu një ide që dorën në zemër – siç kam argumentuar dhe më parë – ka qenë tërësisht korrekte në përfundim, si ide të frikshme, tradhëtuese e zhvlerësuese në skajshmëri; e gjitha e bërë me plot pikë dhuratët për palën në Beograd madje. E treta, në rastin e migrimit, kishte zgjedhur pozicionim tërësisht gabim, duke vlerësuar standardin e ikësve para motiveve të ikjeve, motive që jo domosdoshmërish ishin të lidhura me këtë qeveri; nëse asgjë tjetër ato ishin veçse trashëgimi e paraprakës – këmbët e arushës të lëna në dorë i thonin disa.

-3-

Pjesa e kaltër, e pluseve pra, ndërlidhet më shumë me trajtimet ekonomike që kjo qeveri i ka bërë në këtë fillim; dhe për këtë nuk shpreh fare habi. Sepse, asnjë qeveri më parë nuk ka pasur më shumë ekonomistë e njohës ekonomie më të kualifikuar se sa këtë herë të mbledhur në një vend. Dhe në këtë vijë është prezantuar në media (fatkeqësisht jo në Kuvend) edhe plani i qeverisë; i cili prekë – ç’është e vërteta – një sërë temash të rëndësishme ekonomike, të diskutuara e shtjelluara tash e sa kohë. Fatkeqësia e planit megjithatë, mbetet mos përfshirja e numrave dhe masave që do të shërbenin për matje të progresit eventual.

Përtej prezantimit të një plani pra, që fatmirësisht nuk është power-point e me listë dëshirash si më parë, pjesë pozitive të ecjes së deritanishme shoh edhe vendosshmërinë e mosrritjes së pagave, pavarësisht kërcënimeve e vet protestave nga secili grupacion i mundshëm publik. Kështu së paku për pak është ruajtur balanca në mes të një rritje artificiale dhe të shtrenjtë-kushtueshme të pagave në sektorin publik, kundrejt një tatim-rëndesë të mëtutjeshme e destimuluese në sektorin privat. Qëndrueshmëria e qeverisë prapa kërkesave tërësisht vetanake e plotësisht egoiste nga grupet publike, si praktikë e re pra, merr konsideratë.

Konsideratë merr edhe ideja e faljes së borxheve për grupet e margjinalizuara dhe të rënduara sociale në vend; e prezantuar si amnisiti muaj më parë. Sado e paqartë fillimisht dhe me shumë potenciale për abuzime nga individë e biznese që falje s’meritojnë, ideja e lehtësimit të borxheve për disa që teknikisht nuk mund të paguajnë e s’kanë për të paguar kurrë, mbetet lajm i mirë.

Trajtimi i grupeve të varfëra merr formë edhe me paketën e re fiskale – ideja e së cilës ka filluar të qarkullojë këtë javë. Në këtë paketë, ideja e përgjysmimit të TVSH-së për produktet më bazike ushqimore si dhe për një pjesë të madhe të shërbimeve publike (rrymë, ujë, ngrohje e pastrim) do të shërben si një dorë ndihmesë për secilin që ballafaqon me vështirësi fundin e muajit – e tërë muajin besa – këndej. Mbetet pak e pëlqyeshme – për të mos thënë fare – ideja e rritjes së TVSH-së për të gjitha produktet tjera për 2 pikë të përqindjes, apo 12.5%. Është e pakuptimtë ulja në njërën anë për disa produkte, për të rritur të tjerët në anën tjetër. Do të parapëlqeja natyrisht rritjen e bazës tatimore në vend të vet tatimeve. Gjithsesi, mbetet i habitshëm progresiviteti i TVSH-së, si politikë tipike majtë, nga një qeveri me dy parti që pretendojnë se ecin djathtë. Me të gjitha politikat e majta që po mbillen këndej, nuk kanë për t’i lënë shumë vend për kreativitet vet majtistëve.

Dhe në fund fare, dhënia e disa sinjaleve kundër kapjes, sado të vogla pra, mund të ngjallin pak shpresë për nisje të ç’kapjes. Kështu ngritja e zërit kundër emërimeve në PTK dhe RTK – në radhë të parë – mund të jetë veçse një nismë në departiakizimin e institucioneve publike në vend. Mbetet të shihet, gjithsesi, serioziteti i këtyre ngritjeve. Nëse janë bërë sa për të vendosur të vetët në vend të tjerëve, atëherë hendeku i dëshpërimit që ishte ndërtuar në nisje veçse do të zgjerohet më shumë.



No comments: