Letra
nga limbo
KOHA DITORE, 13 MARS 2015
Në shtatë vitet e shkuara, që nga
shpallja e pavarësisë, ekonomia kosovare ka qenë e trajtuar si temë e dorës së
dytë. Dhe në dorë të dytë trajtohej edhe zgjidhja ekonomike e ofruar. Kështu
herë me prezantime power-point e herë me qëndrime kuturu – gjithmonë me
shpenzime të përtejme nga xhepi ynë – ky vend kishte shterur e djegur gjithë
interesin ekonomik e investues që dikush mund të kishte pasur këndej.
-1-
Nëse ka diçka që Kosova ka
dëshmuar në mënyrë konsistente përgjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë viteve të
fundi, atëherë kualiteti i planifikimit dhe qartësimi i ecjes sonë zë vendin e
parë. Pak për shkak të mungesës së shprehisë për të shkruar – shumë më shumë
për shkak të paditurisë për të projektuar – ecja jonë e deritanishme, në
kuptimin më të thjeshtë të fjalës, ka qenë pa plan; pa fije plani madje. Kështu
pa fije plani ne kemi formësuar shoqërinë, pa fije plani ne kemi bërë
ekonominë, politikën, marrëdhëniet ndërkombëtare e vet shtetësinë. Prandaj, sot,
ne vazhdojmë të habisim vetën e të tjerët me gjendjen në të cilën kemi ardhur –
pa fije plani pra.
Nga të gjitha planet,
planifikimi ekonomik mbetet më i domosdoshmi. Sepse në fund të fundit, për e
nga ekonomia dhe ikën kosovarët këtë herë; e do ta bëjnë përherë e sa herë të
kenë mundësi. Deliret politike e romantizmat heroik janë konsumuar kaherë.
Gjeneratat të reja, madje, kanë për t’i konsideruara si monotone e të
tejkaluara ngjarjet që të tjerët ua recitojnë përherë. Puna, mirëqenia,
kualiteti i jetesës e vet vizioni perëndimor, përbën ëndrrën e kosovareve këtë
herë. Ata duan të jenë atje sa më parë të jetë e mundur.
Në shtatë vitet e shkuara, që
nga shpallja e pavarësisë, ekonomia kosovare ka qenë e trajtuar si temë e dorës
së dytë. Dhe në dorë të dytë trajtohej edhe zgjidhja ekonomike e ofruar. Kështu
herë me prezantime power-point e herë me qëndrime kuturu – gjithmonë me
shpenzime të përtejme nga xhepi ynë – ky vend kishte shterur e djegur gjithë
interesin ekonomik e investues që dikush mund të kishte pasur këndej. Përshkrimin
më të mirë të mundshëm të ecjes sonë ekonomike në këto shtatë vite shtetësi,
çuditërisht e gjej jo në mesin e neve ekonomistëve, por në shkrimet e
publicistit Surroi, i cili fenomenin ekonomik tonin në librin e tij të fundit e
quan si marifet që “shet lirë e blenë shtrenjtë”. Kaq kishim bërë në shtatë
vjet.
Ekonomia kishte marrë qendrën
e vëmendjes përgjatë fushatës së fundit zgjedhore; dhe kjo mund të bënte një
gjysmë lajmi të mirë. Gjysma tjetër përbënte havallëkun e tahminin që
promovuesit i jepnin ekonomisë. Herë me vlerësime amatoreske për punësim,
gjithmonë në garë për futkotizëm, propozimet zgjedhore ishin bërë parodi.
Madje, propozimi më i përafërt i mundshëm vinte nga një parti satirike – Partia
e Fortë – numrat e së cilës ishin ironikisht më të mundshëm se sa të secilës
parti serioze (nëse kishte të tillë).
Prandaj dhe këtë javë, kur u
prezantua plani i ri qeverisës – përfshirë dhe ai ekonomik – pjesa më e madhe e
premtimeve nuk ishin për t’u parë askund. Hiç e habitshme, sinqerisht – nuk
mund të më befasojë futkotizmi elektoral. E meqë plani është formësuar tanimë,
them ti bëj një vështrim atyre faqeve të publikuara sa për të rrumbullakuar me
modesti pritjet për ecjen tonë ekonomike në katër vitet në vijim.
-2-
Vështrimi i parë që del nga
programi i Qeverisë së Republikës, është se nuk ka numra; fare madje. Ai ndonëse
jep një përmbledhje të gjithanshme të problematikës socio-ekonomike dhe
politike në vend, nuk arrin të përkthejë masat e veta në numra e indikatorë të
matshëm, të cilat në fund do të shërbenin për vlerësim dhe matje të
performancës. Mungesa e indikatorëve, rrjedhimisht, e bën këtë plan vështirë të
interpretueshëm e të analizueshëm. Sepse shprehjet “më shumë”, “më mirë”, “më
tepër” janë shprehje gjenerale që mund të aplikohen në secilën fushë dhe atë pa
përcaktuar mirëfilli ndonjë trend të matshëm. Në vend të tyre do të kishte qenë
shumë më mirë ofrimi i numrave e llogaritjeve që do të jepnin kështu një pasqyrë
të saktë se si do të duket Kosova në fundvitin e këtij plani, pra në vitin
2018.
Pra do të kishte qenë mirë
që kur flitet për ekonominë të tregohet sa do të jenë pritjet për rritjen
ekonomike në tri vitet e ardhshme; kur flitet për punësim të tregohet se sa
janë pritjet për vendet e reja të punës që do të krijohen në tri vitet e
ardhshme; kur flitet për investimet e huaja të tregohet se sa do të jenë ato në
fund të planit. Pra numerizimi i planeve dhe deklarimeve do ta bënte planin më
të plotë. Mosfutja e numrave, ndërkaq, mund të jetë bërë qëllimisht për të
shmangur një vlerësim të performancës qeveritare në katër vitet e ardhshme; por
për fatin e keq të prezantuesve, kjo matje megjithatë do të bëhet. Sepse sot,
kur flasim tani, ne e dimë se rritja ekonomike mesatare në tre vitet e fundit
ka qenë rreth 3%, numri i të punësuarve vetëm 300 mijë, numri i të papunëve
plot 700 mijë, deficiti tregtar plot 2.2 miliardë euro, investimet e jashtme
vetëm 250 milionë e paga mesatare në sektorin privat jo më shumë se 250 euro.
Mbi këta numra do të bëhet dhe vlerësimi vit për vit – deri në fund; nëse
dikush mendon të mërzitet ndonjëherë.
-3-
Gjithsesi, krahasuar me
planin power-point të Banskos, ky dokument është më i elaboruar; dhe për fushën
që unë njoh – ekonominë pra – është më gjithëpërfshirës; prekë pra fusha të
paprekura deri më tani. Përfshirja e problematikës fiskale, liberalizimit të
tregut, dhe investimeve i jep dokumentit një gjuhë ekonomike që ka munguar në
programet paraprake.
Do ta ndaja vlerësimin e
programit në dy pjesë, në anën pozitive dhe negative të tij. Ana pozitive ndërlidhet
me idetë fiskale që prezantohen aty – fatkeqësisht ato mbesin gjithmonë pa
numra gjithnjë. Por është ide e mirë heqja e TVSH-së për produktet bazike të
shportës së konsumatorit kosovar. Risi e veçantë mbetet integrimi i ATK-së dhe
Doganave të Kosovës në një institucion të vetëm me qëllim të kalimit gradual të
mbledhjes së TVSH-së nga kufiri në brendinë e territorit të Kosovës, një
problem që ka munduar bizneset tash e sa kohë. Në këtë vijë, poashtu ideja e
lirimeve doganore për pajisjet e teknologjisë shërben si lehtësim sidomos për
sektorin e prodhimit.
Në anën pozitive të
programit do të fusja edhe qëndrimin e elaboruar për luftimin e ekonomisë
joformale, ndonëse shpreh rezervë për mospërmendjen e një policie financiare,
një trup të ri taksambledhës me të drejta dhe kapacitete shumë më të forcuara
se sa inspektorët tatimore. Poashtu, fokusimi në investimeve të diasporës dhe përmendja
e një masave lehtësuese për secilin investitorë nga diaspora ofron një fushë të
re investive në vend. Lajm i mirë mbetet gjithashtu ideja e ndërtimit të
termocentralit të ri dhe – paralel me të – ndërtimi i kapaciteteve të energjisë
së ripërtrirshme.
Pra në vija të trasha
gjithsesi – siç edhe ishte prezantuar vet plani madje – në katër vitet e
ardhshme pritet që mekanizmat mbledhës të taksave të reformohen, dhe në këtë
reformim ata të ndryshojnë edhe barrën që japin mbi bizneset – nëpërmjet
mbledhjes së tatimeve mbi vlerën e shtuar në kufi. Përgjatë kësaj kohe do të
provohet luftimi i informalitetit e evazionit – pa specifikuar si e sa – dhe do
të provohet ndërtimi i një bashkëpunimi shoqëror në mbledhje e shpenzime të
taksave njëtrajtësisht. Në fushën e investimeve infrastrukturore, objektiv
vendoset ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike si dhe përfundimi i të
gjitha rrugëve rajonale në Kosovë. Në fund të qeverisjes pra, të gjitha qytetet
kosovare pritet të jenë të ndërlidhura mirë. Ideja e financimit të këtyre
ndërlidhjeve nga fonde jobuxhetore, pra nga alternativa të tjera financuese, e
bën këtë koncept mjaft alternativ (në të mirë).
Në anën negative, ndërsa, do
të fusja trajtimin sipërfaqësor të disa fushave që përmendën në program. I
pari, dhe më i rëndësishmi ndoshta, mbetet mostrajtimi i detajizuar i çështjes
së ndërmarrjeve publike në Kosovë. Nuk ka ndonjë detajizim të elaboruar mbi
fatin tyre, mbi menaxhimin e tyre, mbi depolitizimin e brodeve apo dhe vetprivatizimin
e tyre. Pra ka shumë pak elaborim dhe ide për një ndër problematikat kryesore të
Kosovës – vet zaptimin ekonomik që vendi ka kaharë.
Së dyti, prezantimi i fondit
për punësim – ndonëse i elaboruar si qëllim – nuk përfshinë ndonjë informacion
të burimit të mjeteve për fond, relacionit të tij me ofertën bankare në vend,
madje as përballjen e tij me nevojat zhvillimore në Kosovë. Për aq sa arrita të
kuptoj, fondi synon të zëvendësojë ofertën bankare; që nuk më duket ndonjë ide
me shumë ndikim – sidomos kur në Kosovë ka ofertë të mjaftueshme kreditore.
Së treti, funksionalizimi i
zonave të tregtisë së lirë më duket një ide e panevojshme, marrë parasysh
hapësirën e vogël që ka Kosova. Secili diferencim në këtë drejtim do të
kushtojë shumë për rrethinat përreth. Nuk e shoh pra Kosovën aq të madhe sa për
ta ndarë atë në zona të lira e jo të lira ekonomike.
Së katërti, nuk kam parë
ndonjë elaborim të kursimeve buxhetore. Përtej përmendjes së nevojës për
balancë buxhetore, nuk pashë ndonjë plan për shkurtim të shpenzimeve të
tepruara publike, për zvogëlim të luksit qeveritar, për ulje të mbështetjes për
institucionet publike që nënperformojnë e keqmenaxhojnë; e të ngjashme.
No comments:
Post a Comment