Friday, 6 March 2015

MBI PËRFSHIRJEN E GRUAS NË BIZNES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 MARS 2015

Sot fatkeqësisht, mbetet fakt se gruaja kosovare vazhdon të jetë më e kufizuar dhe më e margjinalizuar se burri në pjesën më të madhe të aktivitetit shoqëror të saj; duke gjysmuar e gjymtuar kështu Kosovën me gjysmën e forcës së saj. E një vend që ecën me gjysmë force mbetet gjithmonë gjysmë hapi më pas kudo që të shkojë.




-1-

Nuk i kam asnjëherë për qejf ditët e shënimet kur duhet treguar se gruaja është e barabartë me burrin – pse nuk nënkuptohet nuk arrijë ta rrumbullakojë; e hiq më pak në Kosovë kur për të qenë i barabartë me burrat në biznes, politikë, media e shoqëri nuk është ku me ditë çfarë arritje. Alamet standarde nga burrërimi kosovar. Por megjithatë, e fatkeqësisht, mbetet fakt se gruaja kosovare vazhdon të jetë më e kufizuar dhe më e margjinalizuar se burri në pjesën më të madhe të aktivitetit shoqëror të saj; duke gjysmuar e gjymtuar kështu Kosovën me gjysmën e forcës së saj. E një vend që ecën me gjysmë force mbetet gjithmonë gjysmë hapi më pas kudo që të shkojë.

Një fushë që më mbetet për interes gjithsesi, e që bën ndryshim më shumë për gjithë shoqërinë, është angazhimi i gruas në biznes – si punëdhënëse dhe si punëmarrëse njëkohësisht. Sot do të shkruaj pak më tepër për gruan si punëdhënëse.

-2-

Në Kosovë vetëm çdo i nënti biznes është në pronësi të grave. Them vetëm meqë po krahasuam të njëjtin relacion me treguesit e vendeve tjera kuptojmë edhe deficitet tona në këtë drejtim. Sipas shënimeve të OECD-së mesatarja e vendeve në zhvillim, ku edhe besohet të bjerë Kosova, frekuenton në relacionin 1 me 5. Pra në një vend me tipare ekonomike si Kosova çdo i pesti biznes është në pronësi të femrave.

Sipas të dhënave nga një anketë e zhvilluar në kuadër të Institutit Riinvest me 1000 biznese kosovare të shtrira në të gjitha regjionet e vendit, del se bizneset në pronësi të grave – për dallim nga ato në pronësi të burrave – kanë dallime të theksuara; shpeshherë dhe më të disfavorshme.

Këto të dhëna, ndër të tjerash, tregojnë se sot në Kosovë, ka shumë pak diversitet në organizimin ligjor të bizneseve në pronësi të grave. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 99% e bizneseve gra, janë biznese individuale. Ortakëritë e shoqëritë aksionare, në mes të grave janë të mangëta, të rralla, të pazakonshme. Tek burrat ndërsa, 89% e bizneseve janë biznese individuale; të tjerat ushqejnë diversitetin organizativ të bizneseve. Pra është evidente mungesa e bashkëpunimit e partnershipit në organizimet biznesore tek gratë; që paradoksalisht do të duhej të ishte minore.

Kjo sepse sektorët në të cilat janë angazhuar gratë sot – si pronare pra – janë kryesisht sektorë me vlerë të ulët, dhe jo të tregtueshëm – mbi të gjitha. Për shembull deri sa 10% e bizneseve nën pronësinë e meshkujve bëjnë pjesë në sektorin e prodhimit, femrat janë të përfaqësuara me vetëm 3.1% nga totali i tyre në këtë sektor. Numër dallues i pjesëmarrjes së tyre shihet vetëm në sektorët e lidhur me punë sociale, shëndetësi apo dhe shitje – të gjitha me vlerë të ulët të shtuar. Në sektorët si ndërtimtaria, miniera, energjetika, institucione financiare apo dhe transporti, pra në sektorë me vlerë më të lartë të shtuar, dominimi i meshkujve është evident e pjesëmarrja e ndërmarrësve femra është pothuajse zero. Një ndarje e tillë lë shumë vend dhe nevojë për ndryshime strukturore në të ardhmen.

Bizneset në pronësi të grave janë gjithashtu më të vogla krahasuar me ato nën pronësi të meshkujve. Kështu, një biznes i gruas punëson, mesatarisht, 3.5 punëtorë; përderisa një biznes i burrit punëson dyfishin e kësaj – rreth 7 punëtorë. Ky disproporcion rrjedhimisht reflektohet edhe në mundësinë e bizneseve gra për të ofruar paga konkurrente për punëtorët e tyre; kështu paga mesatare në një biznes në pronësi të gruas është 217 euro, përkatësisht 11 euro më e vogël se sa në një biznes të burrave (228 euro).

Bizneset e grave – në mesatare – realizojnë qarkullim vjetor prej jo më shumë se 20.000 euro; përderisa tek meshkujt, kjo mesatare arrinë në rreth 50.000 euro në vit. Gratë dhe burrat nuk janë të barabarta as sa i përket margjinës së profitit që realizojnë në një vit. Kështu, përderisa gratë – në mesatare gjithmonë – shënojnë profit prej 18%, burrat arrijnë në 22%.

Gratë janë të kufizuara edhe sa i përket diversitetit të financimit të aktiviteteve biznesore. Kështu, për pjesën më të madhe të bizneseve gra (mbi 55%) kreditimi bankar vazhdon të mbetet forma më e zakonshme e financimit. Burrat në anën tjetër kanë një sërë alternativash financuese. Ata përveç se und të financohen nga bankat (35%) kanë alternativa financimi nga buxhetet familjare, huadhënia e miqve e të ngjashme.

Sa për rrumbullakim të performancës dhe dallimeve ndërgjinore, sipas rezultateve të studimit në fjalë, përgjatë vitit 2014 vetëm 28% e bizneseve nën pronësi të grave kanë shënuar rritje; të tjerat kanë pasur stagnim ose rënie. Tek burrat ndërsa, performanca mbetet më e kënaqshme; rreth 35% e tyre kanë shënuar rritje.

-3-

Disproporcionaliteti në mes të bizneseve gra dhe atyre burrave është evident. Është evident madje në secilën fushë krahasimore që dikush mund të bëjë. Për të kuptuar burimin e këtij disproporcionaliteti duhet shikuar tek barrierat që mundojnë bizneset kosovare sot, dhe dallueshmërinë e tyre kur bëhet fjalë për gratë dhe burrat njëtrajtësisht.

Dallimi i parë nga kjo ndarje buron në relacionin e gjinive me sigurimin e fondeve financuese për bizneset e veta. Përderisa për meshkujt qasja në kredi bankare është e rëndë, për femrat ajo bëhet hiper e rëndë. Kjo për dy e arsye; e para sepse kredidhënësit kanë thjeshtë më pak besim në një grua ndërmarrëse dhe e dyta sepse gratë kredikërkuese kanë shumë pak kapital të trashëguar nga familja, për të mos thënë fare. E në mungesë të kapitalit të trashëguar garancitë bankare bëhen shumë të komplikuara.

Gratë, për dallim nga burrat, theksojnë korrupsionin e burokracinë si shumë më problematike në operimin e bizneseve të tyre. Kjo aspak befasuese; sepse në çdo rrethanë normale është pak e pritshme që një femër të jetë më shumë e gatshme të vë bast në aktivitete të paligjshme se sa një mashkull. Rrjedhimisht mosaftësia e tyre për të kooperauar në një ambient kaq të rëndë biznesor krijon çdo parakusht për trajtim jo të barabartë konkurrues.

Gratë kanë shumë më tepër probleme në forcimin e kontratave me furnitorë e blerës se sa që kanë probleme burrat – borxhet ndër të tjera janë shumë më të larta tek bizneset gra se sa tek burrat. Gjithmonë sipas anketës e vetëdeklarimit të pronareve, gratë kanë probleme më tepër (se sa burrat) me gjetjen fillimisht e më pas me motivimin e punëtorëve; me konkurencën e padrejtë e evazionin fiskal (që buron kryesisht nga konkurrenca e burrave); e me mbështetjen institucionale – të paketave atraktive që lehtoësojnë më shumë interakcionin e tyre më një ambient të rëndë biznesor.

Gratë pra, në pjesën më të madhe të barrierave që mbesin kryesoret në vend, janë më të margjinalizuara, më të kufizuara në adresimin e tyre dhe përfundimisht më të pafavorizuara. Një ambient ekonomik e biznesor i Kosovës mbetet pak ose fare i lehtë për gratë që provojnë ndërmarrësinë.

Them se kjo shoqëri duhet të marrë më shumë nga gruaja ndërmarrëse kosovare. Për të bërë këtë duhet natyrisht promovimi i nismave të grave në biznes dhe zhbërja e pengesave më të cilat ballafaqohen ato. Sepse femra kosovare ka shumë për ti dhënë ekonomisë së Kosovës. Të shumtë janë sektorët, nga ku dalloj turizmin, shëndetësinë, tekstilin dhe – padyshim – procesimin e ushqimit, ku femra kosovare mund ti japë vendit jo vetëm potencial të brendshëm por dhe përparësi krahasuese në rajon; përparësi kjo që në fund mund të zhbëjë disbalancin e tanishëm tregtar. Them se Kosova ka nevojë të ndërtojë mbi këto përparësi.




1 comment:

said...

jam argjend nga Garman, isha martuar para 8 vitesh pa nje femije, isha duke kerkuar shume per nje zgjidhje sepse doktori tha qe nuk mund te mbetem shtatzene, por nje shoku im me drejtoi tek nje magji e quajtur Dr white, dhe une i shpjegoi problemet e mia dhe ai premtoi se gjithçka do të jetë në rregull me mua në 12 ditë, ai më dha disa udhëzime të cilat i bëra të gjitha në mënyrë të përsosur, unë shkova në spital për provë dhe ata konfirmuan se isha 1 javë shtatzënë, dhe tani kam djali im i bukur dhe jam gjithashtu një shtatzëni tjetër tani, të gjitha falë jush Dr e bardhë, kontaktoni atë për të gjitha llojet e zgjidhjeve

1) nëse doni të ktheni ish-in tuaj.
2) nëse doni që magji të mbetet shtatzënë.
3) nëse doni të ndaloni abortin.
4) nëse doni të jeni të dashur nga dikush.
5) magji për të kuruar të gjitha llojet e sëmundjeve ose sëmundjeve.
Dhe të tjerët.
ai është më i miri dhe shumë i vërtetë ,. wightmagicmaster@gmail.com. WhatsApp: +17168691327