Saturday, 28 February 2015

MBI MITET ENERGJETIKE TË KOSOVËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 27 SHKURT 2015

Diskutim publik sot duhet të drejtohet tek pakoja e ndërtimit të termocentralit të ri, e jo tek nevoja apo jo e ndërtimit të tij – siç është humbur kohë paradoksalisht tash e sa vjet.



-1-

Përtej problemeve valutore, të kreditimit grek e krizave nacionale, ka një betejë ekonomike që Bashkimi Evropian provon ta fitoj tash e sa kohë; është energjetika. Në përpjekje të vazhdueshme për të diversifikuar dhe kështu varfëruar partneritetin furnizues të gazit me Rusi, BE këtë javë publikoj planet e para (blueprints) të një Unioni Energjetik Evropian; një vizion që vetëm disa vite më parë dukej i pamundur. Unioni – i cilësuar nga vet evropianët si ambicioz, por gjithsesi esencial – synon shndërrimin e tregut evropian në një treg të vetëm energjetik; ku blerjet dhe shitjet e energjisë nuk do të rregullohen më nga autoritetet e 28 shteteve anëtare të BE-së, por do të rregullohen nga një autoritet i vetëm e qendror i BE-së; vet unioni pra.

Përtej investimeve multimiliardëshe në infrastrukturë energjetike dhe rritjes së potencialeve zgjedhëse të konsumatorëve evropian, përpjekja synon edhe rritjen e fuqisë negociuese të vet BE-së karshi shitësve të energjisë. Sepse, të ndodhur në situata pasigurie në relacion me Rusinë, dhe në  kërcënim të vazhdueshëm të arrogancës ruse sa herë që ka ndonjë konflikt (e që ndodhë të jetë shpesh) BE nuk mund të vazhdojë më që në shekullin e 21-të, për secilën verë të mundshme, të diskutoj në frikë rreth dimrave të saj të pasigurt. Në këtë vijë ka shërbyer gjithsesi edhe ndërtimi i një furnizuesi alternativ nga shtetet e Kaspikut; fatin e rrugëtimit të së cilit e kishte edhe Shqipëria.

Realizimi i Unionit Energjetik mbetet një vizion i madh; do të kërkojë kohë, unitet, e shkrirje të diferencave në mes të shteteve anëtare. Sepse, për disa vende evropiane, furnizimi rus mbetet esencial; gjithmonë për shkak të preferencave furnizuese që Rusia mbanë me këto vende. Për të tjerat ndërsa, do të mbetet sfidë kombinimi i gjenerimit të energjisë nukleare, të thëngjillit, naftës, apo asaj të ripërtritshme – në një. Pra deri në bërje do të ketë punë e kohë shumë; por se, herët apo vonë, e më shumë herët se sa vonë, ky rrugëtim do të merr fund. Dhe në këtë fund, tregu energjetik evropian do të jetë më unik, më i fuqishëm, më i pasur e më i sigurt.

-2-

Kosova e vogël, ndërsa, vazhdon të ketë probleme të mëdha me energjinë dhe kapacitetet energjetike të saj. Ajo as nuk ka shumë, por as nuk bën shumë për ti shfrytëzuar ato. Paradoksalisht, një vend si Kosova me thëngjill plot, vazhdon të mbështetë gjithë burimin energjetik të saj në dy termocentrale jashtëzakonisht të vjetra, të shtrenjta, ndotëse, e fare të shëndetshme pra.

Diskutimet e deritanishme të ndërtimit të kapaciteteve të reja kanë qenë repetitive dhe në masë të madhe dhe me qëndrime absurde. Qëndrimi i parë absurd ka qenë ai i ofertës së shfrytëzimit të thëngjillit; në një përmasë gjithëshfrytëzuese, me dy mijë e kusur megavat prodhim, pa ndonjë racionalitet shfrytëzues e të shitjes së energjisë në një treg rajonal që – në kohën më të madhe pra – ka tepricë furnizimi. Qëndrimi i dytë absurd, ndërsa, synonte ikjen nga thëngjilli në plotni. Herë nëpërmjet imazheve hitçkokiane të një termocentral që mbytë fëmijë (çfarë manipulimi i ulët ky, thuajse Evropa nuk ka e nuk po ndërton më të tillë), herë me hesapime filloriste me gabime plot, por gjithherë me pare e fonde plot – fushata anti-thëngjill, e ngjizur artificialisht, pa ndërbindje të pjesëmarrjeve të saj, e në fund edhe pa fije përkrahje politike në vend, kishte bërë një gjysmë alternativë – absurde gjithsesi. Ndonëse, me shumë kënaqësi madje, do të merresha me shtytësit e shtytjet prapa një hajgare-fushatë si kjo, them që këtë herë të trajtoj vetëm argumentet, pa paragjykime, çfarëdo qofshin ato.

Në mes të këtyre absurditeteve, mbeste një propozim, le t’i themi i mesit. Në vija të trasha, propozimi synonte ndërtimin e kapaciteteve të reja – prej thëngjillit – të cilat zëvendësonin në plotni kapacitetet e vjetra dhe mbytëse të Kosovës A. Ato do të plotësoheshin nga kapacitetet më pak të vjetra të Kosovës B, dhe nga çfarëdo që do të mund të prodhonin iniciativat private të energjisë së ripërtritshme që përtej qejfit e dëshirës, mbesin megjithatë obligim. Ky propozim i mesit, ka kohë që merr formë, madje kohë shumë. Përkatësisht, janë bërë pothuajse dhjetë vite në ndryshime, plotësime, ndarje e bashkime të ideve për të prodhuar një përfundim që duket të mos jetë shumë entuziast. Sepse ky përfundim ka vetëm një ofertues, ka pak qartësi rreth përfitimeve eventuale të Kosovës – përtej furnizimit, taksave e vendeve të punës që paradoksalisht rrumbullakohen si suksese nga një ministër i ri ekonomik pa haber shumë – dhe mbi të gjitha nuk paraprihet nga një dokument orientues strategjik që e vë Kosovën në kontekst të një tregu pan-evropian.

-3-

Defekti i propozimit të tanishëm, gjithsesi, nuk e bën propozimin anti-thëngjill më të qëndrueshëm. Propozimi anti-thëngjill, pra i njëjti që refuzon thëngjillin në tërësi si alternativë të resurseve të reja energjetike, mbetet i paqëndrueshëm për shkak të disa miteve të ndërtuara rreth saj, e që shkurtazi do të provoj t’i elaboroj këtu.

Miti i parë, dhe më i paqëndrueshmi, i anti-thëngjillizmit, ndërlidhet me konsiderimin se vendet e BE-së kanë kohë që kanë hequr dorë nga energjia që nuk është e ripërtritshme; rrjedhimisht, Kosova, si një vend në bërje evropian, duhet t’i ndjekë këto praktika moderne. Ç’është e vërteta, sado që e nevojshme dhe padyshim me plot ardhmëri, energjia e ripërtritshme – prej diellit, erës apo ujit – mbetet ende në fazën fillestare për pjesën më të madhe të Evropës. Ndërlidhjet e shembujve prej Kalifornisë me Kosovë që i kemi dëgjuar këndej janë po aq hajgare sa edhe vet kontekstualizimi i gjithë Kosovës me Kaliforninë. Për më tepër, në gjithë BE-në, burimet e ripërtritshme nuk bëjnë sot më shumë se 11% të gjithë energjisë së prodhuar; ato planifikohen të arrijnë në vitin 20% të pjesëmarrjes së përgjithshme tek në vitin 2020. Madje, në vitin 2020, vendet si Britania e Madhe, Sllovakia, Polonia, Holanda, Irlanda, Hungaria, Greqia, Danimarka, Çekia, Bulgaria e Belgjika që kanë standard dukshëm më të lartë zhvillimos se Kosova, do të mbesin sërish nën kuotën e 20% të synuar.

Miti i dytë, po aq i paqëndrueshëm, ndërlidhet me idenë e shmangies së përgjithshme të prodhimit nga thëngjilli, nën arsyetimin se në Evropë termocentralet e thëngjillit janë të tejkaluara. S’ka si të mos jetë e pavërtetë. Sipas “Greenpeace”, vetëm brenda Bashkimit Evropian – dhe hiç më larg nëpër botë – sot janë në proces të ndërtimit plot 19 termocentrale nga thëngjilli – prej linjitit madje. Vendet si Gjermania, Polonia, Sllovenia, Rumania, Çekia e Bullgaria janë vendet që sot ndërtojnë të njëjtat termocentrale që në televizionet tona na shfaqeshin si mbytëse. Për më tepër, sot, vetëm në Gjermani, Britani e Poloni prodhohen mbi 100,000 megavat energji nga thëngjilli; pse Kosova – e cila nuk ka asnjë alternativë tjetër zhvillimore energjetike – nuk bën ti shtojë 600 megavatët

Miti i tretë ka të bëjë me parallogaritjen e kërkesës për energji. Pothuajse të gjitha llogaritjet kosovare bëhen jo vetëm duke marrë si bazë kërkesën e tanishme të energjisë, por duke reduktuar atë edhe më tutje. Sado e domosdoshme, e mbarë dhe e mirë të mbetet kursimi dhe efiçenca e energjisë, ajo as për së afërmi nuk do të plotësojë nevojat zhvillimore të Kosovës. Pra ne nuk do të mundemi të plotësojmë kërkesat tona duke ulur vet kërkesën; është kundërintiuitive me nevojën për rritje madje. Sepse Kosova ka sot bazën më të ulët zhvillimore që mund të ketë ndonjëherë. Secili prodhim, industrializim e zhvillim do të përcillet me kërkesa energjetike shtesë të cilat do të duhet të plotësohen me resurse shtesë. Vetëm një supozim i stagnimit të përjetshëm të gjendjes sonë ekonomike do të mjaftohej me propozimet e dhëna.

Miti i katërt ka të bëjë me ofertën e energjisë së ripërtritshme në vend; thuajse ajo është e mjaftueshme dhe e pakufizuar. As nuk është e mjaftueshme, as nuk është e pakufizuar – me teknologjtë aktuale. Në secilën përllogaritje serioze, ajo mbetet defiçente për të prodhuar mjaftueshëm energji për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë – edhe kur kombinohet me kursim pra. Edhe sikur të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet e ripërtërishme, ne prapë do të duhej të prodhojmë energji nga kapacitetet e reja prej thëngjilli. E kjo nevojë më bëhet domosdoshmëri në momentin e parë që ne do të duhej të mbyllnim – dhe atë sa më parë – termocentralin e stërvjetër Kosova A.

Miti i pestë ka të bëjë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike pas ndërtimit të kapaciteteve të reja prej thëngjillit. Ndonëse çmimi i ri do të jetë refleksion i kostove të ndërtimit, dhe mbi të gjitha, marrë parasysh nivelin  e keqmenaxhmit në vend dhe favorizimit absurd të blerësve sa herë që shesim e bëjmë diçka këndej, secila rritje e çmimit nga prodhimi i thëngjillit mbetet gjithmonë më pak e kushtueshme – konsiderueshëm më pak e kushtueshme – se sa prodhimi nga energjia e ripërtritshme. Sot, në asnjë vend të botës, nuk mund të prodhohet më lirë energjia e ripërtritshme se sa ajo prej thëngjillit; sikur të ishte ashtu, mekanizmat e tregut e iniciativës ndërmarrëse do të kalonin vetvetiu në energji më të lirë. Natyrisht se ka kosto përcjellëse të ekstraktimit të thëngjillit e ndotjes së ambientit me dioksid karboni, por sot termocentralet e reja botërore – ato 19 të rejat që po ndërtohen nëpër BE – përdorin sistemin e “Carbon Capture Storage CCS)”, teknologjinë e re e cila redukton dukshëm emetimet e dioksidit të karbonit. Mbi të gjitha, përmendja e çmimit bëhet në kontekst të prodhimit, e jo eksternaliteteve. Po u futëm në diskutim të eksternaliteteve, atëherë duhet marrë parasysh domosdo konditën e nevojës për zhvillim. Sepse ka një balancë në mes zhvillimit dhe eksternalitetit. Vendi më pak i ndotur mbetet vendi me më pak zhvillim; zhvillim natyrshëm sjell ndotje. Çështja është si ta minimizojmë atë duke përdorur teknologjitë e kohës.

-4-

Pra në Kosovë ka dhe do të ketë gjithmonë vend – siç dhe ka e do të ketë vend edhe nëpër Evropë – për të gjitha format e mundshme të prodhimit të energjisë. Pra ndërtimi i kapaciteteve të reja prej 600 megavatëve – si zëvendësim i “Kosovës A” dhe si plotësim i pak nevojave të së ardhmes – as që do të duhej të ishte diskutim këndej; sidomos jo kur ne kemi probleme serioze me krijimin dhe sigurimin e një resursi të domosdoshëm të aktivitetit ekonomik në vend – energjisë elektrike pra. Këto kapacitete të reja duhet të përcillen domosdo edhe me ndërtimin e kapaciteteve të reja të ripërtritshme, në hapat e njëjtë me vendet Evropiane; madje duke shfrytëzuar të gjitha fondet mbështetëse të tyre për energji alternative nga të cilat nuk marrim asgjë. Kështu, duke mbyllur përfundimisht “Kosovën A”, revitalizuar “Kosovën B” me 600 megavat, duke ndërtuar “Kosovën e Re” e duke krijuar gjeneratorë të tjerë të erës, diellit e ujit kudo që kemi mundësi, ne mund të krijojmë kapacitetete prej 1200-1500 megavatëve që do të shërbejnë mjaftueshëm për një kohë të mirë për të mbuluar kërkesën e tashme dhe të re të aktivitetit tonë shoqëror e ekonomik; duke bërë kështu pra energjinë si fascilitator të zhvillimit ekonomik – jo domosdo faktor të saj.

Madje në bërje të kësaj alternative, ne do të përmbushim më parë se shumë vende të BE-së edhe kuotën e ripërtëritjes prek 20%. Për më tepër, në secilin zhvillim tjetër teknologjik ne do të zëvendësojmë mbylljen e ardhshme të “Kosovës B” (të ndërtuar në vitin 1984) me resurse të reja ripërtëritëse; sado që janë ato – kudo që mundi t’i bëjmë ato. Pra ka vend të mjaftueshëm për energji të ripërtritshme – energjinë e së ardhmes pra – siç dhe ka vend për energjinë e së sotshmes, të linjitit pra. Sot, duke parë trendet energjetike nëpër Evropë, energjia prej thëngjillit dhe ajo alternative nuk përjashtojnë njëra tjetrën; në rastin më optimal, ato zëvendësojnë njëra tjetrën.

Ky fakt natyrisht se nuk bën të shërbejë si çek i zbrazte për Qeverinë e Kosovës, e as për paketën ekzistuese që nuk nxjerrë shumë për vendin tonë. Ç’është e vërteta, në paketën e fundit para kësaj, ne së paku kishim një pjesë të hises në termocentralin e ri; këtu s’kemi bash asgjë. Pra diskutim publik sot duhet të drejtohet tek pakoja e ndërtimit të termocentralit të ri, e jo tek nevoja apo jo e ndërtimit të tij – siç është humbur kohë paradoksalisht tash e sa vjet.




Monday, 23 February 2015

E KUJT ËSHTË REPUBLIKA?

Letra nga limbo
20 SHKURT 2015

Republika nuk është parti e pushtet ndaj të cilit duhet të mbajmë inat; e nuk mbetet as shtet po nuk u mbrojt prej – fillimisht – të tanëve, e më pas dhe të huajve. Republika, miq e armiq të saj, na mbetet megjithatë atdhe. Ky atdhe, për fatin tonë të keq, merr sot mbi shpinë gjithë ligësinë, mjerimin, zaptimin, dhunimin, këmbjen e nëpërkëmbjen, ditë e natë nga lakmitarë e të pangopur, mosmirënjohës të hurit e të konopit, shërbëtorë të dreqit e të birit e nga kush jo tjetër – të tillë, të njëjtë, gjithkah e gjithandej.



-1-

Do të ketë qenë dita më e zymtë festive – nga të shtatat – kjo e fundit për pavarësi. Alamet ngjarje për mosvet ndjesi; hiç e habitshme ç’është e vërteta. E pritshme. Dy mandate të uzurpimit e zaptimit kanë bërë të vetën tashmë; i treti – me të njëjtit – veçse ka shtyrë një shtet në gjysmëgjunjëzim të gjunjëzohet plotësisht. Dhe ka një ftohtësi që përcjellë pushteti sot sa herë që provon të komunikojë me kosovarët – provon sepse komunikim nuk bën dot; herë duke treguar neglizhencë, e herë duke humbur rezon në konkluza mosvet. Relacion më steril nuk mbaj mend të kem parë kaherë. Dhe në këtë mungesë energjie lind dhe diferenca mes qytetarit dhe shtetit; ajo po ushqehet pra.

Ç’është e vërteta, kosovarët nuk e kanë pasur asnjëherë problem diferencimin me shtetin; e kanë bërë lehtë sepse shteti, për fatin e tyre të keq, nuk ka qenë i tyri asnjëherë. E kur u bë – me shpallje pra – ai u kap. Kapja largoj sërish shtetin prej qytetarëve, e bashkëdyzoj atë, fatkeqësisht, me pushtet. Rrjedhimisht, në shtatë vite shtetësi u bë më së paku për shtet, e gjitha për pushtet.   

Për të bërë bilanc nuk kam ndërmend. Por sikur të provoja nuk do të duhej dhe shumë. Të gjithë argumentuesit militantë, qatipë qeveritarë, të cilës do palë, le t’i shfletojnë netët e fundit të ikjeve për të parë mjerimin që mendja dhe insistimi i tyre ka sjellë tash e shtatë vjet. Të gjitha thirrjet për ekonomi në vend të kontabilitetit; për republikanizëm në vend të etnicizmit; për shoqëri në vend të klanizimit – kanë shpërthyer tashmë. Dhe ky shpërthim ishte alamet i madh; i trishtë patjetër. Të shohësh kosovarët e vitit 2015 nëpër gjurmët e ikjes, poshtrimit e humbjes së dinjitetit – në gjunjë e në lutje e në përlotje – nuk është lehtë. Hiq ditën e  shpalljes së pavarësisë, me çfarë do të mburremi për këto shtatë vjet?

-2-

Me rrugët miliardëshe – plot korrupsion – që nuk i hapë kush sot? Me faljet alleshverishe tek akrabatë gjysmë-diktatorial të Turqisë? Me bilancin tregtar tre-katërqind milionësh për në Serbi? Me mëditjet sa paga mesatare në vend? Me veturat e zeza, mbushjet e pafundme, darkat e drekat që s’ngopin barkun e të pangopurve dot? Me pjesëtim e shpjestim statistikor për ulje të papunësisë pa ulur fare vet numrin e të papunëve – çfarë do të bëjnë me numra tash? Me planet bullgare prej “power-point”? Me universitetin që prodhon analfabetizëm modern? Me propagandën mediale që na shurdhon me kapës gjithandej – dhe na kushton madje?

Apo ndoshta duhet mburrë me skenën teatrale politike në vend; që në njërën anë na servon anonimë deri në presidencë, e në anën tjetër ç’thurrë secilin prag moraliteti në pakurrizorizëm; sa kalojnë këndej e sa andej. Ata që kanë pështyrë dje, puthin nesër. Çfarë papërgjegjësie e ndytë kjo.

Të provojmë mburrjen me të tjerët që na thirrin për Republikë por s’respektojnë asnjë element të naltëruar të saj; as himn, as flamur as kushtetutë as hiçgjë – asgjë prej asgjëje që provojmë të ndërtojmë me zor tash e shtatë vjet. Janë të tonat për atë dreq; kur do ta përfundojnë këtë çmenduri fëmijërore; çfarë keni kështu? E kuptojnë, paradoksalisht, identitetin e shtetit tim të ri, si antidot herë-do-kurdo i një identitet themeltar që ka prodhuar këtë shtetëzim – ndjenjën e të qenit shqiptar. Në thirrje për mosrespektim të Republikës, të njëjtit janë po aq anti-Republikan sa dhe ata më sipër. Bien nga provimi të gjithë kur flasim për Republikën sa herë që nuk ngritën në këmbë për Republikën. Pallavra fjalësh të tjerat më janë.

-3-

Republika nuk është parti e pushtet ndaj të cilit duhet të mbajmë inat; e nuk mbetet as shtet po nuk u mbrojt prej – fillimisht – të tanëve, e më pas dhe të huajve. Republika, miq e armiq të saj, na mbetet megjithatë atdhe. Ky atdhe, për fatin tonë të keq, merr sot mbi shpinë gjithë ligësinë, mjerimin, zaptimin, dhunimin, këmbjen e nëpërkëmbjen, ditë e natë nga lakmitarë e të pangopur, mosmirënjohës të hurit e të konopit, shërbëtorë të dreqit e të birit e nga kush jo tjetër – të tillë, të njëjtë, gjithkah e gjithandej.

Republika sot është vet dhe pa të zot. I hypin në qafë gjithandej, zaptuesit të parët, mohuesit të dytët, copëtuesit veriorë të tretët; dhe ndonjë diplomat aty këtu nga i katërti tek i katërqindi – rend e pandërprerë.

Prandaj dhe sot ndjejmë më së paku për Republikën; ajo s’është më e jona. Është e gjithkujt dhe askujt; është e bastroxhinjëve politik që marrjen e primatit e shohin si tiketë fituese lotarie; po ua kapi – të lumët, në përjetësi, ata; dhe është e një grumbulli shërbëtorësh trushpëlarë e truppalarë që u rrinë pranë. Sepse po ua kapi, do të rehatohen vet, të tjerë afër tyre dhe në dreq të mallkuar me gjithkënd tjetër; deri sa të vijë dikush tjetër për të hequr këta.  

E nëse ka një mision idealizmi që duhet ndjekur sot, atëherë duhet nisur nga rikthimi i Republikës; duke bërë normalen e jo skajin, duke pranuar Republikën siç është; deri sa të bëhet ndryshe (nëse duhet bërë ndryshe gjithsesi).




Friday, 13 February 2015

PËRTEJ SHPËRTHIMIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 SHKURT 2015

Një hap përtej përgjithësimit, gjithëfajsimit, dorëzimit dhe aministimit


-1-

David Benihoff në novelën “Ora e 25-të” ka një paragraf mallkimi për gjithë qytetin e tij; për gjithë Nju Jorkun. Në një paragraf të vetëm ai mallkon xhampastruesit e rrugëve që më shumë zhysin se sa pastrojnë; taksistët pakistanezë me kabina të rrënuara që fluturojnë shpejtë; pemëshitësit koreanë që pas dhjetë viteve në shtet s’flasin dot një fjalë anglisht; rusët mafiozë të Brighton Beach që sjellin e pështjellin punët pistë gjersa kapërcejnë nëpër dhëmbë kubëzat e sheqerit; kasidimët hebrenj me flokë e zbokth shumë që shesin diamante të aparteidit afrikan si hiçgjë; mjeshtërit e vetëshpallur të universit – dua të jenë Gordon Gekkot e Wall Street – që s’pushojnë së kërkuari rrugë të reja për të rrjepur punëtorët e shkretë; portorikanët e dominikanët që rrojnë në ndihma të mirëqenies por s’ndalin dot gjithë paradat patetike përvjet; italianët me flokë plot pomadë, shkope bejsbolli, kostume najloni e medaljone të Shën Antonit – në përpjekje të përjetshme për të imituar Sopranot thuajse janë në audicion jetësor; vëllezërit afro-amerikanë që në lojë basketbolli s’kalojnë topin asnjëherë tek tjetri, bëjnë gjithmonë pesë hapa deri në kosh, e fajësojnë të bardhët për gjithçka ani pse skllavërimi ka përfunduar plot 100 e kusur vjet më parë; policët e korruptuar dhe heshtjen prapa murit blu; homoseksualët e rrugës Chelsea që i shfaqen në kanalin 35 pandërprerë; priftërinjtë që vënë duart poshtë pantallonave të fëmijëve bashkë me kishën që i mbron ata; ekstremistët terroristë dhe gjithë përkrahësit shpellarë që do të piqen e digjen në ferr me karburant të fluturakeve. Ai mallkon dhe babanë e tij me pikëllimin e tij të pafund; mikun e tij më të ngushtë Xavier që kurrë s’pushon ta gjykojë atë, të dashurën Naturela, bushtrën që e tradhtoj në polici; ai mallkon gjithë qytetin për t’i uruar një tërmet që e rrafshon, një zjarr që e bën shkrumb e hi, e në fund një ujë vërshues që  mbulon e shpëlanë gjithë pisllëqet e qytetit të tij të mjerë. Në fund, natyrisht, ai mallkon dhe veten.

-2-

Novela e David Benihoff, dhe paragrafi i tij mallkues, i interpretuar në përsosshmëri nga Edward Norton në një set me titull të njëjtë, shpërfaqë shpërthimin e mendjes përballë gjithçkaje; në nevojë profetike për të marrë qëndrime ekstreme që krijojnë qëllime e qëndrime – përfundimisht – të prekshme e herë herë dhe bindëse. Përgjithësimi i shpërthimit (sado iluminues për të pailuminuarit) megjithatë, është dorëzim. Dhe në këtë dorëzim, mallkimi i vetës e gjithë të tjerëve është jo vetëm disfatist por edhe amnistues. Duke bërë të gjithë fajtorë, të ligë e meritorë për mbytje, me shembje, zjarr e përmbytje – kataklikë tipikë të Noas e trashëgimtarë pas tij – duke përgjithësuar pra gjithkënd njëjtë në një kandar, ne megjithatë lejojmë shpëlarjen dhe daljen pastër të fajtorëve kryesorë njëtrajtësisht e mbarë.

Një shpërthim të tillë – profetik në argumentim pra – lexova dhe këtë javë në një shkrim shpërthyes të akademik Krajës; i cili, në pjesë të mëdha dha shpjegim për gjithëfajtorët – argumentim që vështirë se mund ta kundërshtosh. Në anën tjetër, kundërshtarët e shkrimit të tij, në pjesën më të madhe pra, ishin sipërfaqësor, aty këtu personal (tipike e fukarallëkut diskutues tonit), por pa fije brumi për të rrënuar shtyllat e argumentimit të tij gjithëfajësues. Madje, në rastin më të shpeshtë e njëtrajtësisht më të trishtë, replikimi bëhej jaka jak me titull (mosvet e thjeshtëzuar) për të sjellë kundërpyetje për aktivizimin ose jo të autorit; po çfarë diference do të bënte kjo në fund të fundit?! Argumentin e mirë nuk e bën argumentuesi, argumentin e mirë e bën vërtetësia e tij ose jo. E, e vërteta e tmerrshme megjithatë, është se këtë vend, siç dhe e thotë pra argumentuesi, e kemi bërë shkrumb e shkret; dhe për këtë ne mbesim të gjithë fajtorë – nëse dikush ndjenë veten të lënë jashtë, ta lexojë platformën e Krajës; janë të gjithë aty.

Natyrisht se jemi të gjithë fajtorë – në fund mund të jesh fajtorë edhe për pranim e mosveprim; për çfarë duhet gjykuar pjesën më të madhe të kosovarëve; nëse ka një adresë të tillë. Por në këtë mal fajtorësh, në këtë “azil të jashtëzakonshëm të vagabondëve, injorantëve, papunëtorëve, matrapazëve, derdimenëve, pushtave, kurvave dhe kurvarëve”, për t’iu shmangur amnistisë e shpëlarjes e shfajësimit, duhet domosdo të sjellim shpërthimin argumentues profetik në elaborim gishtëtregues e përfundimisht plot guxim; pra ta shpijmë atë një hap më tutje se sa vet shpërthimi duke renditur fajtorët – sepse nuk janë të gjithë gjithëfajëtorë të barabartë. Sepse, në këtë mal kontribuuesish, megjithatë kishte një hierarki. E në këtë hierarki, “vagabondët, injorantët, papunëtorët, matrapazët, derdimenët, pushtat, kurvat dhe kurvarët” e rendit të parë megjithatë ishin dhe mbesin më “vagabondë”, më “injorantë”, më “papunëtorë”, më “matrapazë”, më “derdimenë”, më “pushta”, më “kurva” dhe më “kurvarë” se sa ata pasivët e rendit të fundit; nga ku dhe dua të nis diskutimin tim në vijim.

-3-

Hiç më larg se katër vite më parë, secili diskutim politik e social mbi e për hajninë, krimin e uzurpimin, merrte epitet trimërie. Paradoksalisht, e drejta për të bërë me gisht e përbuzje drejt hajnit, kriminelit e zhvatësit ishte bërë këndej trimëri; të paktën të pyesnin se si po guxon. Katër vite më pas, këtë aftësi e kemi përsosur në skajshmëri – për ta përdorur gjithandej, në parlament, qeveri, parti, rrugë, rrugicë, gazetë e gulçim-komente virtuale; e kemi zhvlerësuar siç dhe dimë të zhvlerësojmë gjithçka. Gjithsesi, më mirë shumë guxim ani pse në zhvlerësim se sa hiç; e hiç kishim deri katër vite më parë.

Këtë hezitim shoqëror tonin, të hiçit pra, e merrnim si të qenë. Sepse, si të tillë na e kishte dhënë një elitë e tërë intelektuale – me aq intelektualitet sa kishim si vend. Kjo elitë pra, që do të duhej të afronte veten në bërje të Republikës siç kishte ofruar veten në zhbërje të Jugosllavisë, kishte zgjedhur heshtjen e tërheqjen ose bashkimin me të ligën. Kjo elitë me heshtjen apo bashkim zgjodhi dhe nënshtrimin, dhe rrënimin, dhe dorëzimin. S’u panë askund kur UNMIK-u pardje, EULEX-i dje e kush e di kush tjetër prej sot e deri nesër u pa duke na bërë shtetësinë. Ata u dhanë rend secilit tjetër të marrin parinë e vendit dhe devalvojnë moralisht, intelektualisht, e mendërisht gjithë shoqërinë tonë.

Natyrisht se ka të tillë që edhe sot vazhdojnë të durojnë heshtjen e nënshtrimin e dorëzimin; madje nën mirëkuptimin e urdhrave të thënë e të pathënë marrin mund të rrënojnë secilën provim ngritje tjetër – edhe po u bë vetëm më fjalë madje; sidomos me fjalë ç’është e vërteta. Sepse fjalët, në fjalë të Alan Moore, mbajnë fuqinë, ato japin vet kuptimin dhe për ata që dëshirojnë, ato shpallin të vërtetën; e, e vërteta ishte se përgjatë gjithë kohës ky vend ishte bërë tmerr. Dhe fjalë, kjo elitë e heshtur dhe e dorëzuar pra, nuk kishte kurrë. Këtë të tmerrshme të këtij vendi nuk e kishin thënë kurrë. Si gjeneratë, kjo elitë, e ka humbur shansin për ta bërë atë ndonjëherë. Për këtë do të njolloset përgjithmonë.

Pse e bënë këtë? Nga u heshtën? Kush i mbylli? Mosdija? Vullneti? Të dyja? Natyrisht se mund të gjejmë shumë shkase prapa heshtjes e mbylljes së tyre – të gjitha zënë vend para tjetrës – por, për të thënë të vërtetën siç pra e thonë fjalët troç, nëse duhet shikuar në arsye e motive të zmbrapsjes, atëherë le t’i rendisim lakminë e frikën si të parat.

Lakminë sepse kompromisuan secili me idealet e veta kur ju ra rend për të marrë diçka nga një vend që kishte mbetur pa të zot. Nëpërmjet vetës, nëpërmjet fëmijëve, nëpërmjet të tjerëve afër tyre, secili nga ta në tregun e lirë të shitëblerjes shitën idealin për hiçgjë, për pak rahati. Pazargjinjë të ligë madje. Provoj ndonjëherë të kuptojë fukarallëkun kapital e financiar që ka shtyrë këtë heshtje intelektuale të tyre, por sinqerisht nuk mund ta arsyetojë. Frikën sepse, fillimisht u ndanë, pra u përçanë me inate nga më të çoroditurat ndaj njëri tjetrit, diçka e panjohur për gjeneratat e reja; dhe më pas u ndjenë të ligë e të pafuqi (si të ndarë) përballë muskujve që kapitalizojnë – herë të atyre prej luftës si çlirimtarë, herë të atyre prej paqes si literar e shkrimtarë. Frika morri më të mirën nga ta, dhe në këtë dorëzim ata natyrshëm zgjodhën heshtjen; gjithsesi kishin dhe mbanin lakminë.

-4-

Në rendin më të lartë hierarkik të përgjegjësisë për rrënim gjithëshoqëror, padyshim mbesin të gjithë ata që kanë ushtruar një pushtet mbi shtet, secili proporcionalisht me kohëzgjatjen dhe fuqinë e pushtetbërjes nëpër kohë. Këta uzurpues të kontributit, në kohën e transformimit të vendit ishin të nxënë me transformimin e vetës, të familjes e fisit – provincial në sjellje, të paditur në mendje, të pangirë në bark. Kapitalizuesit e luftës, çlirimtarët pra, ishin të parët që ndërruan idealet me përvetësim – sot i themi zaptim e zaptues trashëgimisë e modelit të tyre. Këta nuk kishin frikën, kishin lakminë; por frikën ndërsa përdorën për të trembur e heshtur ata të rendit të prapmë; intelektualët pra.

Kështu duke pretenduar trashëgiminë e vënies së rendit sepse kishin larguar një të zot tjetër, këta vunë vetën si të denjë në politikë, arsim, shëndetësi, shkencë, teknologji, media e gjithçka tjetër; kapitali i tyre i luftës mjaftonte për t’i bërë ata të gjithëdijshëm e të gjithëanshëm. Në vetëm pesëmbëdhjetë vjet jetë, përderisa krijonin modelin e shtetit qymez që pasqyronte gjithë dijen modeste të tyre, ata – si të paditur pra – ushqyen dhe ndjekësit, që sot dhe bëjnë shumicën. Kështu pra një vend u sforcua të matë fatin e tij me fatin e aftësisë së uzurpuesve për të nxënë e mësuar; sepse të panxënë e pamësuar kishin qenë përnjëherë.

Modeli i kapitalizimit të së shkuarës – pra i prirjes të së ardhmes për shkak të një kapitali nga e shkuara – u modelua dhe përdor edhe nga pacifistët; të njëjtit që sot vetëm duke u thirrur në një kontribut paraprak – madje të liderëve të vdekur e jo të vetës – projektojnë të ardhmen e vendit; natyrisht gjithmonë duke projektuar domosdoshmërisht veten aty.  Pra sot është e pamundur të ngjitesh e ngritesh shkallëve të secilit rreth shoqëror pa serviluar e bashkërenduar me këta kapitalizues e uzurpatorë të kontributit. Pas tyre asnjë vlerë s’mund të ndodhë. Sot është e pamundur të japësh po nuk pate çfarë të kapitalizosh nga një e shkuar e 90-tës; në luftë, paqe apo në mes. Të gjithë liderët partiakë e politikë bëjnë pjesë mu në këtë kontribut; të tjerë nuk ka. Dhe janë mu këta kapitalizatorë, çlirimtarë, pacifistë, të burgosur që mbajnë nën zotërim gjithë fatin – dhe me këtë dhe pjesën më të madhe të përgjegjësisë – për theqafje. Gjithçka tjetër nën ta, sado e dhimbshme, e trishtë, jokorrekte, e pamoralshme, komprometuese e pakurrizore, mbetet proporcionalisht më pak e dëmshme gjithsesi.

-5-

Në mes të të gjithëve, të atyre që heshtin nga lakmia apo frika (përjashto të paktit nga dëshpërimi) dhe të atyre që kapitalizojnë të shkuarën për të uzurpuar të tashmen dhe të ardhmen, ka një grumbull zërash, shkronjash, fjalësh e përpjekjesh, herë të qëlluara e herë jo – gjithsesi në vazhdimësi në rritje – që pretendojnë autoritetin e mirësisë dhe që përfundimisht ushqejnë e krijojnë masën kritike që – për dallim nga modeli i trashëguar nga përvetësuesit e kontributit dhe intelektualët e heshtur – s’mund e s’duhet të ketë emër kurrë. Dhe këta më duhet t’i heq nga shpërthimi gjithëfajsues.

Jo se nuk ka raste – të shpeshta madje – të perversitetit intelektual e moral në mes tyre, jo që nuk ka të tillë që vetëm nga pamundësia për të bërë nuk bëjnë, përndryshe do të bënin më zi e më keq se të deritanishmit – ka plot sosh e mund t’i numërosh plot sosh – në dreq të mallkuar dhe ta, por se, përmbledhja dhe thjeshtëzimi i të gjitha rasteve aksidentale në një teori gjtihëfajësuese nuk bën vend bindës; mbetet vetëm shpërthim profetik e mallkues.

Dhe janë mu këta zëra, fjalë, shkronja e përpjekjesh që kanë mbajtur gjallë shpresën – nëse ka mbetur diçka nga ajo – kur intelektualët të lindur për reformatorë zgjodhën lakminë e frikën; e kaptializuesit zgjodhën uzurpimin e përvetësimin. Dhe nëse asgjë tjetër, janë mu këta që sot, në pak vite, kanë bërë të zakonshëm, deri në devalvim, guximin për të gishte-drejtuar. Këta, nëse asgjë tjetër, kanë ngjizur filet e një mase kritike që do të shpërthejë jo vetëm me fajësim, por me rrënim të secilës vlerë që të heshturit e kapitalizuesit çlirimtarë e pacifistë kanë ndërtuar për mjerim. Pra këta megjithatë kanë ndërtuar një sistem që do të reprodukojë vlerë e ide e guxim e idealizëm jo domosdo nëpërmjet vetes; përkundrazi nëpërmjet secilit tjetër që vjen në këtë sistem – ani pse defektoz, jo mjaftueshëm të mirë, të lëkundur e selektiv – por gjithsesi të vetëm. Prandaj dhe vlen përpjekja.


Monday, 9 February 2015

NJË REFLEKSION EKONOMIK MBI IKJEN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 SHKURT 2015

Gjithsesi, fluksi i madh i ikësve do të ndërpritet shpejtë; nuk mund të zgjasë përjetësisht. Dhe kjo ndërprerje do të fillojë në momentin e parë që vendet pranuese do të ngopen. Tani për tani, komforti dhe toleranca e tyre – së paku publike – është sinjal i pranimit; sinjal që kosovarët e kanë lexuar me lehtësi.


-1-

Se ikja është më e zakonshme, kjo është fakt. Se ajo është e lehtë, është po ashtu fakt. Se është e toleruar dhe lejuar si ndihmesë për të lehtësuar rëndesën sociale në vend, kjo është vetëm hipotezë. Por në qoftë se del si e saktë një hipotezë si kjo – dhe nuk mund të jetë larg mendsh shumë – atëherë ikësit dhe të mbeturit këndej kanë një pasqyrë krejt tjetër nga percpetimi tragjik i të zakonshmes. E përtej ndjesisë së dhembshurisë, trishtimit e fatkeqësisë që normalisht njeriu ka për zbrazjen e vendit, ikja masive – ky eksod paqësor pra – lë pas veti dhe disa derivate ekonomike. Në këtë shkrim do të provoj ti rendis disa nga më të zakonshmet, me shumë dije se të tjerat mund dhe të jenë, tani për tani, të paparashikueshme (në të mirë e të keq).

Por para se të bëj një bilanc të tillë, më duhet të them se ikja e largimi masiv nga vendi është tragjedi. Jo për faktin se migrimi e lëvizja nga një vend në tjetrin është tragjedi si fenomen normal nacional e panevropian, por sepse ikja masive e paparashikuar, me motive mbijetese dhe në përgjithësi e paseleksionuar, merr karakter të zbrazjes së menjëhershme, pra është më shumë se sa migrim. Rrjedhimisht, si e tillë dhe me gjithë konsekuencat morale (jo domosdo socio-ekonomike), për ikësit e të tjerët të mbetur pas ajo mbetet e trishtë. Sepse zbrazja mbetet trishtim.

Dhe ky eksod fatkeq i yni – nga plot 1000 në natë – shpërfaqë nivelin e gjunjëzimit e rrënimit të vendit tonë. Dhe këtë gjunjëzim, paradoksalisht, ja bëmë vendit vet; jo në luftë por në liri. Në vend se ta gëzojmë lirinë me punë, mirëqenie e përparim, për vetëm 15 vite ne bëmë çfarë dashakëqijtë tanë nuk kishin mundur të na bënin për jetë të jetërave. Ne lejuam një grusht zaptuesish të pacipë e të pangirë, të na humbin shpresën e sjellin dorëzimin. Kemi merituar shumë më shumë se kaq.

-2-

Tash, ka diçka të pazakontë në gjithë rrugëtimin kosovar për në Evropë; dhe kjo pazakonshmëri buron nga lehtësia e ikjes. Kujtoni, vetëm gjashtë vite më parë plot 15 kosovarë, kryesisht gra e fëmijë, kishin gjetur vdekjen në lumin “Tisa”, në përpjekje dëshpëruese për të kaluar ilegalisht kufirin për në Hungari. Sot kalimi nëpërmjet lumit “Tisa” është i panevojshëm; sepse “Tisa” është zëvendësuar fillimisht me kalime nëpër male (gjithmonë më pak “ilegale”), e së fundi me kalime – besoni ose jo – nëpër rrugë krejtësisht normale, të shtruara e asfaltuara mbarë e  mirë, e të cilat qetë dhe paqësisht të dërgojnë në Hungari e Evropë; mu para syve të policëve e gardianëve kufitarë; diçka vështirë e pranuar për një vend që refuzimin do ta kishte ndërmend.

Hipoteza e lehtësisë dhe hapjes së dyerve merr më shumë kuptim kur destinacionet përfundimtare nuk kërkojnë asnjë masë e asnjë veprim nga autoritetet kosovare (nga ku fillon ikja), nga autoritetet serbe (nëpër ku kalon ikja) apo nga autoritetet hungareze (tek ku parapërfundon ikja). Pra ka një sërë mekanizmash parandalues që autoritetet evropiane do të mund t’i përdornin për të shmangur këtë fluks. Por nuk e bëjnë. Raportimet e fundit mediatike madje, tregojnë se si vendet si Gjermania – ndër të tjerash – evidentojnë gjithë kosovarët, i strehojnë të njëjtit nëpër kampe kolektive, e në disa raste dhe u japin leje të përkohshme qëndrimi e kurse trajnuese për gjuhë.

Ka tri shpjegime (të ndërlidhura me njëri tjetrin) në këtë drejtim – gjithmonë nëse hipoteza e tolerimit qëndron. I pari, dhe mjaft i mundshëm, se vendet evropiane në nevojë për të zbrazur tërësinë e pakënaqësisë në Kosovë kanë hapur një ventil shfryrjeje për një masë që jeton në dëshpërim. Kjo shtendosje i shërben lehtësisht stabiliteti social këndej, e i cili në rast të kundërt – i katandisur keq nga keqqeverisja e zaptuesve ordinerë – do të shpërthente për të zhbërë gjithçka.

I dyti, se për vendet evropiane, komuniteti kosovar mund të shihet si më i përshtatshmi. Jo për shkak të pretendimeve hajgare mbi baza racore, por për shkak të prezencës dhe mirëakomodimit të diasporës sonë atje; një diasporë që sot zotëron biznese e rrjete punësimi gjithandej. Dhe duhet thënë se një pjesë e madhe e ikësve nga Kosova nuk ikën pa adresë; një pjesë e madhe e tyre kanë familjarë e të afërm mirë të akomoduar nëpër Evropë – që mbajnë biznese, kanë biznese, njohin biznese; pra gjejnë punë lehtë. E një vend që ka një diasporë evropiane sa 25% të popullsisë së gjithmbarshme, e ka fare lehtë të ndërtojë lidhje të tilla. Kjo përshtatje natyrore do të ndodhte padyshim në momentin e parë që do të kishim liberalizim të vizave. Ka ndodhur nëpër rajon gjithsesi; në Serbi, Maqedoni e Shqipëri.

Të tjerët ndërkaq, pa adresë, do të mbesin pjesë e vendimeve individuale të vendeve pranuese. Dhe këtu fillon shpjegimi i tretë; se tolerimi është më tepër neglizhencë e vendeve pranuese të cilat në përpjekje për të adresuar ligjërisht secilin rast të azilkërkuesve kanë dhënë sinjale të pranimit tek kosovarët e tjerë. E kur fluksi i madh i ikësve do të ndërpritet shpejtë, sepse nuk mund të zgjasë përjetësisht, në të kundërtën do të zbrazej – me plot kuptimin e fjalës – Kosova në tërësi; pra kur vendet pranuese do të ngopen me azilkërkim, do të fillojë procesi i trajtimit të të larguarve. Ky trajtim natyrisht nuk do të nënkuptojë kthimin e të gjithëve, do të jetë e pamundur sinqerisht. Disa – të vetëseleksionuarit – do të marrin ushqim, strehim e tolerancë për qëndrim afatashkurtë; ndoshta dhe do të gjejnë punë. Të tjerët ndërsa, do ta kenë ose fatin e kampeve të padurueshme hungareze deri në dorëzim e kthim, ose kapjen nëpër Evropë e kthimin jovullnetar për në Kosovë.

Fillimi i kthimit do të nisë një kapitull të ri po aq të vështirë sa ikja; ripërshtatjen e të larguarve sërish me jetën në Kosovë. Do të jenë të goditur në veçanti ata që kanë pasur një punë apo kanë shitur një pasuri vetanake para ikjes; pas kthimit s'do ta kenë asnjërën. Do të kthehen për të nisur një jetë nga një pikë më të rëndë se nga paraikja – dhe kjo s'ka për të qenë fare e lehtë.


-3-

Se çështja e eksodit kosovar është temë emergjence, nuk bën më çudi. Madje, siç me të drejtë e elaboroi miku im Alban H., ajo zuri vend të bollshëm në rreshtat e pakta të deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. E nuk është punë e pakët të jesh në rend dite me gjithë luftërat në lindje me ISIS e në euro-lindje me Rusi e Ukrainë; është punë e madhe. Dhe gjithë kjo kërkim-shprese e re, e nisur dhe ngjizur pikërisht nga katandisja socio-ekonomike që është bërë e bëhet në Kosovë vazhdimisht, do të ketë disa derivate shoqërore; në rend të parë ekonomike. Përtej trajtimit moral të ikjes, pra duke mbajtur diskutimin puro në terma socio-ekonomik, këto pasoja do t’i grumbulloj në dy anë.

Në anën e parë janë dëmet imediate e negative të ikjes masive; efektet e të cilave veçse mund të shihen. Së pari, një largim enorm si ky, domosdoshmërish do të prekë nivelin e kërkesës së brendshme në Kosovë; nëpërmjet prekjes së konsumit e investimeve. Rënia e konsumit në Kosovë do të ketë dy implikime imediate; fillimisht do të bien importet (meqë konsumi ynë në to bazohet) e më pas do të bien edhe të hyrat buxhetore si rezultat i rënies së importeve e vet kërkesës. Rënia e konsumit, përveç tjerash, do të përcillet edhe me rënie të investimeve tek një zinxhir i tërë operuesish në Kosovë. Mos të harrojmë se një blerje – tek kushdo qoftë ajo – nxitë një sërë sjelljesh ekonomike të agjentëve të ndryshëm; nga bukëpjekësi, tek bujku, nga bujku tek mësuesi, nga mësuesi tek punëdhënësi; të gjithë pra preken nga secila lëvizje regresive e konsumit.

Së dyti, do të ketë lëvizje të shpejta në tregun e parasë; pra në kreditë bankare. Sërish, kjo për dy arsye. Fillimisht sepse një pjesë e bankave tanimë veçse ballafaqohen me kredi të këqija, të individëve që kanë marrë kredi të vogla e që kanë ikur – një fenomen i shpërndarë gjithandej sidomos në ditët e para të eksodit; e më pas sepse në kohë të paqartësive shoqërore si këto, do të rritet risku i kredi dhënies – rrjedhimisht do të rritet çmimi i parasë. Së treti, do të ketë implikime të menjëhershme në tregun e banimit e qiradhënies; njërin ndër sektorët më ekspansiv të Kosovës. Sidomos do të preken regjionet periferike të qyteteve të mëdha, të cilat do të kenë – në terma margjinale – shumë më të vështirë përballjen me një fluks të tillë ikësish masiv. Së katërti, rastet e lëshimeve kolektive të Kosovës, nga individë e punëtorë madje, do të ketë pasoja për bizneset vendore, të cilat do të duhet tashti t’i zëvendësojnë të njëjtit me forcë të re punëtore të paaftësuar – veçanërisht në sektorët e prodhimit. Kjo natyrshëm do të ndikojë në aftësinë konkurruese të tyre, ashtu kështu të rëndë.

-4-

Në terma afatgjatë ndërsa, gjithmonë duke tjetërsuar moralitetin e pranimin e ikjes masive si normale, dhe mbi të gjitha, gjithmonë duke besuar se ikësit do të akomodohen nëpër Evropë e do të gjejnë punë e krijojnë vlerë, efekti i ikjes do të jetë më i lehtë për Kosovën; në fakt, në disa raste mund dhe të jetë pozitiv (gjithmonë përtej stabilitetit social që pakësimi krijon).

Për të ndodhur një gjë e tillë, natyrisht se largimi do të duhej të ishte selektiv, e jo gjithëfamiljar – siç ishte rasti i një familje prej 110 anëtarësh. Pra në rastet kur i gjithë nukleusi i familjes ikën, e s’mbetet kush pas, është e pamundur të ndërtohet ndonjë beneficion remitance nga krijimi i kësaj gjenerate të re të diasporës. Por në raste të tjera, kjo diasporë e re, do të shërbejë për mirëmbajtjen e mbarëvajtjen e një vendi të tërë. Sepse, për aq kohë sa punojnë ata, do të krijohen të ardhura të reja, potenciale të reja e (në rastin më të mirë) edhe investime të reja.

Normalisht se rastet e tilla do të duhej të trajtoheshin – në rend të parë – nëpërmjet programeve të punësimit ndërqeveritare; pra duke dërguar fuqinë tonë punëtore në punësime sezonale e afatshkurte. Natyrisht se zbrazja mbetet tragjedi, dhe në gjithë këtë tragjedi arsyetimet ekonomike e sociale mbesin të zbehta. Por për të ndalur këtë tragjedi, për të zëvendësuar eksodin me punë e vlerë e energji këtu, na duhet të ndryshojë gjithë paradigmën tonë ekonomike, sociale e politike – praktikisht na duhet të ndryshojmë gjithçka.