Letra nga limbo
KOHA DITORE, 27 SHKURT 2015
Diskutim publik sot duhet të
drejtohet tek pakoja e ndërtimit të termocentralit të ri, e jo tek nevoja apo
jo e ndërtimit të tij – siç është humbur kohë paradoksalisht tash e sa vjet.
-1-
Përtej problemeve
valutore, të kreditimit grek e krizave nacionale, ka një betejë ekonomike që Bashkimi
Evropian provon ta fitoj tash e sa kohë; është energjetika. Në përpjekje të
vazhdueshme për të diversifikuar dhe kështu varfëruar partneritetin furnizues të
gazit me Rusi, BE këtë javë publikoj planet e para (blueprints) të një Unioni
Energjetik Evropian; një vizion që vetëm disa vite më parë dukej i pamundur.
Unioni – i cilësuar nga vet evropianët si ambicioz, por gjithsesi esencial –
synon shndërrimin e tregut evropian në një treg të vetëm energjetik; ku blerjet
dhe shitjet e energjisë nuk do të rregullohen më nga autoritetet e 28 shteteve
anëtare të BE-së, por do të rregullohen nga një autoritet i vetëm e qendror i
BE-së; vet unioni pra.
Përtej
investimeve multimiliardëshe në infrastrukturë energjetike dhe rritjes së
potencialeve zgjedhëse të konsumatorëve evropian, përpjekja synon edhe rritjen
e fuqisë negociuese të vet BE-së karshi shitësve të energjisë. Sepse, të
ndodhur në situata pasigurie në relacion me Rusinë, dhe në kërcënim të vazhdueshëm të arrogancës ruse sa
herë që ka ndonjë konflikt (e që ndodhë të jetë shpesh) BE nuk mund të vazhdojë
më që në shekullin e 21-të, për secilën verë të mundshme, të diskutoj në frikë
rreth dimrave të saj të pasigurt. Në këtë vijë ka shërbyer gjithsesi edhe ndërtimi
i një furnizuesi alternativ nga shtetet e Kaspikut; fatin e rrugëtimit të së
cilit e kishte edhe Shqipëria.
Realizimi i
Unionit Energjetik mbetet një vizion i madh; do të kërkojë kohë, unitet, e
shkrirje të diferencave në mes të shteteve anëtare. Sepse, për disa vende
evropiane, furnizimi rus mbetet esencial; gjithmonë për shkak të preferencave
furnizuese që Rusia mbanë me këto vende. Për të tjerat ndërsa, do të mbetet sfidë
kombinimi i gjenerimit të energjisë nukleare, të thëngjillit, naftës, apo asaj
të ripërtritshme – në një. Pra deri në bërje do të ketë punë e kohë shumë; por
se, herët apo vonë, e më shumë herët se sa vonë, ky rrugëtim do të merr fund. Dhe
në këtë fund, tregu energjetik evropian do të jetë më unik, më i fuqishëm, më i
pasur e më i sigurt.
-2-
Kosova e vogël,
ndërsa, vazhdon të ketë probleme të mëdha me energjinë dhe kapacitetet
energjetike të saj. Ajo as nuk ka shumë, por as nuk bën shumë për ti shfrytëzuar
ato. Paradoksalisht, një vend si Kosova me thëngjill plot, vazhdon të mbështetë
gjithë burimin energjetik të saj në dy termocentrale jashtëzakonisht të vjetra,
të shtrenjta, ndotëse, e fare të shëndetshme pra.
Diskutimet e
deritanishme të ndërtimit të kapaciteteve të reja kanë qenë repetitive dhe në
masë të madhe dhe me qëndrime absurde. Qëndrimi i parë absurd ka qenë ai i
ofertës së shfrytëzimit të thëngjillit; në një përmasë gjithëshfrytëzuese, me
dy mijë e kusur megavat prodhim, pa ndonjë racionalitet shfrytëzues e të
shitjes së energjisë në një treg rajonal që – në kohën më të madhe pra – ka
tepricë furnizimi. Qëndrimi i dytë absurd, ndërsa, synonte ikjen nga thëngjilli
në plotni. Herë nëpërmjet imazheve hitçkokiane të një termocentral që mbytë fëmijë
(çfarë manipulimi i ulët ky, thuajse Evropa nuk ka e nuk po ndërton më të tillë),
herë me hesapime filloriste me gabime plot, por gjithherë me pare e fonde plot
– fushata anti-thëngjill, e ngjizur artificialisht, pa ndërbindje të pjesëmarrjeve
të saj, e në fund edhe pa fije përkrahje politike në vend, kishte bërë një
gjysmë alternativë – absurde gjithsesi. Ndonëse, me shumë kënaqësi madje, do të
merresha me shtytësit e shtytjet prapa një hajgare-fushatë si kjo, them që këtë
herë të trajtoj vetëm argumentet, pa paragjykime, çfarëdo qofshin ato.
Në mes të këtyre
absurditeteve, mbeste një propozim, le t’i themi i mesit. Në vija të trasha,
propozimi synonte ndërtimin e kapaciteteve të reja – prej thëngjillit – të cilat
zëvendësonin në plotni kapacitetet e vjetra dhe mbytëse të Kosovës A. Ato do të
plotësoheshin nga kapacitetet më pak të vjetra të Kosovës B, dhe nga çfarëdo që
do të mund të prodhonin iniciativat private të energjisë së ripërtritshme që përtej
qejfit e dëshirës, mbesin megjithatë obligim. Ky propozim i mesit, ka kohë që
merr formë, madje kohë shumë. Përkatësisht, janë bërë pothuajse dhjetë vite në
ndryshime, plotësime, ndarje e bashkime të ideve për të prodhuar një përfundim
që duket të mos jetë shumë entuziast. Sepse ky përfundim ka vetëm një ofertues,
ka pak qartësi rreth përfitimeve eventuale të Kosovës – përtej furnizimit,
taksave e vendeve të punës që paradoksalisht rrumbullakohen si suksese nga një
ministër i ri ekonomik pa haber shumë – dhe mbi të gjitha nuk paraprihet nga një
dokument orientues strategjik që e vë Kosovën në kontekst të një tregu
pan-evropian.
-3-
Defekti i
propozimit të tanishëm, gjithsesi, nuk e bën propozimin anti-thëngjill më të qëndrueshëm.
Propozimi anti-thëngjill, pra i njëjti që refuzon thëngjillin në tërësi si
alternativë të resurseve të reja energjetike, mbetet i paqëndrueshëm për shkak
të disa miteve të ndërtuara rreth saj, e që shkurtazi do të provoj t’i elaboroj
këtu.
Miti i parë, dhe
më i paqëndrueshmi, i anti-thëngjillizmit, ndërlidhet me konsiderimin se vendet
e BE-së kanë kohë që kanë hequr dorë nga energjia që nuk është e ripërtritshme;
rrjedhimisht, Kosova, si një vend në bërje evropian, duhet t’i ndjekë këto praktika
moderne. Ç’është e vërteta, sado që e nevojshme dhe padyshim me plot ardhmëri,
energjia e ripërtritshme – prej diellit, erës apo ujit – mbetet ende në fazën
fillestare për pjesën më të madhe të Evropës. Ndërlidhjet e shembujve prej
Kalifornisë me Kosovë që i kemi dëgjuar këndej janë po aq hajgare sa edhe vet
kontekstualizimi i gjithë Kosovës me Kaliforninë. Për më tepër, në gjithë
BE-në, burimet e ripërtritshme nuk bëjnë sot më shumë se 11% të gjithë
energjisë së prodhuar; ato planifikohen të arrijnë në vitin 20% të pjesëmarrjes
së përgjithshme tek në vitin 2020. Madje, në vitin 2020, vendet si Britania e
Madhe, Sllovakia, Polonia, Holanda, Irlanda, Hungaria, Greqia, Danimarka,
Çekia, Bulgaria e Belgjika që kanë standard dukshëm më të lartë zhvillimos se
Kosova, do të mbesin sërish nën kuotën e 20% të synuar.
Miti i dytë, po
aq i paqëndrueshëm, ndërlidhet me idenë e shmangies së përgjithshme të
prodhimit nga thëngjilli, nën arsyetimin se në Evropë termocentralet e thëngjillit
janë të tejkaluara. S’ka si të mos jetë e pavërtetë. Sipas “Greenpeace”, vetëm
brenda Bashkimit Evropian – dhe hiç më larg nëpër botë – sot janë në proces të
ndërtimit plot 19 termocentrale nga thëngjilli – prej linjitit madje. Vendet si
Gjermania, Polonia, Sllovenia, Rumania, Çekia e Bullgaria janë vendet që sot
ndërtojnë të njëjtat termocentrale që në televizionet tona na shfaqeshin si
mbytëse. Për më tepër, sot, vetëm në Gjermani, Britani e Poloni prodhohen mbi
100,000 megavat energji nga thëngjilli; pse Kosova – e cila nuk ka asnjë
alternativë tjetër zhvillimore energjetike – nuk bën ti shtojë 600 megavatët
Miti i tretë ka
të bëjë me parallogaritjen e kërkesës për energji. Pothuajse të gjitha
llogaritjet kosovare bëhen jo vetëm duke marrë si bazë kërkesën e tanishme të
energjisë, por duke reduktuar atë edhe më tutje. Sado e domosdoshme, e mbarë
dhe e mirë të mbetet kursimi dhe efiçenca e energjisë, ajo as për së afërmi nuk
do të plotësojë nevojat zhvillimore të Kosovës. Pra ne nuk do të mundemi të
plotësojmë kërkesat tona duke ulur vet kërkesën; është kundërintiuitive me
nevojën për rritje madje. Sepse Kosova ka sot bazën më të ulët zhvillimore që
mund të ketë ndonjëherë. Secili prodhim, industrializim e zhvillim do të
përcillet me kërkesa energjetike shtesë të cilat do të duhet të plotësohen me
resurse shtesë. Vetëm një supozim i stagnimit të përjetshëm të gjendjes sonë
ekonomike do të mjaftohej me propozimet e dhëna.
Miti i katërt ka
të bëjë me ofertën e energjisë së ripërtritshme në vend; thuajse ajo është e
mjaftueshme dhe e pakufizuar. As nuk është e mjaftueshme, as nuk është e
pakufizuar – me teknologjtë aktuale. Në secilën përllogaritje serioze, ajo
mbetet defiçente për të prodhuar mjaftueshëm energji për të tashmen dhe të
ardhmen e vendit tonë – edhe kur kombinohet me kursim pra. Edhe sikur të shfrytëzojmë
të gjitha kapacitetet e ripërtërishme, ne prapë do të duhej të prodhojmë
energji nga kapacitetet e reja prej thëngjilli. E kjo nevojë më bëhet
domosdoshmëri në momentin e parë që ne do të duhej të mbyllnim – dhe atë sa më
parë – termocentralin e stërvjetër Kosova A.
Miti i pestë ka
të bëjë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike pas ndërtimit të
kapaciteteve të reja prej thëngjillit. Ndonëse çmimi i ri do të jetë refleksion
i kostove të ndërtimit, dhe mbi të gjitha, marrë parasysh nivelin e keqmenaxhmit në vend dhe favorizimit absurd
të blerësve sa herë që shesim e bëjmë diçka këndej, secila rritje e çmimit nga
prodhimi i thëngjillit mbetet gjithmonë më pak e kushtueshme – konsiderueshëm
më pak e kushtueshme – se sa prodhimi nga energjia e ripërtritshme. Sot, në
asnjë vend të botës, nuk mund të prodhohet më lirë energjia e ripërtritshme se
sa ajo prej thëngjillit; sikur të ishte ashtu, mekanizmat e tregut e
iniciativës ndërmarrëse do të kalonin vetvetiu në energji më të lirë. Natyrisht
se ka kosto përcjellëse të ekstraktimit të thëngjillit e ndotjes së ambientit
me dioksid karboni, por sot termocentralet e reja botërore – ato 19 të rejat që
po ndërtohen nëpër BE – përdorin sistemin e “Carbon Capture Storage CCS)”,
teknologjinë e re e cila redukton dukshëm emetimet e dioksidit të karbonit. Mbi
të gjitha, përmendja e çmimit bëhet në kontekst të prodhimit, e jo
eksternaliteteve. Po u futëm në diskutim të eksternaliteteve, atëherë duhet
marrë parasysh domosdo konditën e nevojës për zhvillim. Sepse ka një balancë në
mes zhvillimit dhe eksternalitetit. Vendi më pak i ndotur mbetet vendi me më
pak zhvillim; zhvillim natyrshëm sjell ndotje. Çështja është si ta minimizojmë
atë duke përdorur teknologjitë e kohës.
-4-
Pra në Kosovë ka
dhe do të ketë gjithmonë vend – siç dhe ka e do të ketë vend edhe nëpër Evropë
– për të gjitha format e mundshme të prodhimit të energjisë. Pra ndërtimi i
kapaciteteve të reja prej 600 megavatëve – si zëvendësim i “Kosovës A” dhe si
plotësim i pak nevojave të së ardhmes – as që do të duhej të ishte diskutim
këndej; sidomos jo kur ne kemi probleme serioze me krijimin dhe sigurimin e një
resursi të domosdoshëm të aktivitetit ekonomik në vend – energjisë elektrike pra.
Këto kapacitete të reja duhet të përcillen domosdo edhe me ndërtimin e
kapaciteteve të reja të ripërtritshme, në hapat e njëjtë me vendet Evropiane;
madje duke shfrytëzuar të gjitha fondet mbështetëse të tyre për energji
alternative nga të cilat nuk marrim asgjë. Kështu, duke mbyllur përfundimisht
“Kosovën A”, revitalizuar “Kosovën B” me 600 megavat, duke ndërtuar “Kosovën e
Re” e duke krijuar gjeneratorë të tjerë të erës, diellit e ujit kudo që kemi
mundësi, ne mund të krijojmë kapacitetete prej 1200-1500 megavatëve që do të shërbejnë
mjaftueshëm për një kohë të mirë për të mbuluar kërkesën e tashme dhe të re të
aktivitetit tonë shoqëror e ekonomik; duke bërë kështu pra energjinë si
fascilitator të zhvillimit ekonomik – jo domosdo faktor të saj.
Madje në bërje të
kësaj alternative, ne do të përmbushim më parë se shumë vende të BE-së edhe
kuotën e ripërtëritjes prek 20%. Për më tepër, në secilin zhvillim tjetër
teknologjik ne do të zëvendësojmë mbylljen e ardhshme të “Kosovës B” (të ndërtuar
në vitin 1984) me resurse të reja ripërtëritëse; sado që janë ato – kudo që
mundi t’i bëjmë ato. Pra ka vend të mjaftueshëm për energji të ripërtritshme –
energjinë e së ardhmes pra – siç dhe ka vend për energjinë e së sotshmes, të
linjitit pra. Sot, duke parë trendet energjetike nëpër Evropë, energjia prej thëngjillit
dhe ajo alternative nuk përjashtojnë njëra tjetrën; në rastin më optimal, ato zëvendësojnë
njëra tjetrën.
Ky fakt natyrisht
se nuk bën të shërbejë si çek i zbrazte për Qeverinë e Kosovës, e as për paketën
ekzistuese që nuk nxjerrë shumë për vendin tonë. Ç’është e vërteta, në paketën
e fundit para kësaj, ne së paku kishim një pjesë të hises në termocentralin e
ri; këtu s’kemi bash asgjë. Pra diskutim publik sot duhet të drejtohet tek
pakoja e ndërtimit të termocentralit të ri, e jo tek nevoja apo jo e ndërtimit
të tij – siç është humbur kohë paradoksalisht tash e sa vjet.
No comments:
Post a Comment