Monday, 23 February 2015

E KUJT ËSHTË REPUBLIKA?

Letra nga limbo
20 SHKURT 2015

Republika nuk është parti e pushtet ndaj të cilit duhet të mbajmë inat; e nuk mbetet as shtet po nuk u mbrojt prej – fillimisht – të tanëve, e më pas dhe të huajve. Republika, miq e armiq të saj, na mbetet megjithatë atdhe. Ky atdhe, për fatin tonë të keq, merr sot mbi shpinë gjithë ligësinë, mjerimin, zaptimin, dhunimin, këmbjen e nëpërkëmbjen, ditë e natë nga lakmitarë e të pangopur, mosmirënjohës të hurit e të konopit, shërbëtorë të dreqit e të birit e nga kush jo tjetër – të tillë, të njëjtë, gjithkah e gjithandej.



-1-

Do të ketë qenë dita më e zymtë festive – nga të shtatat – kjo e fundit për pavarësi. Alamet ngjarje për mosvet ndjesi; hiç e habitshme ç’është e vërteta. E pritshme. Dy mandate të uzurpimit e zaptimit kanë bërë të vetën tashmë; i treti – me të njëjtit – veçse ka shtyrë një shtet në gjysmëgjunjëzim të gjunjëzohet plotësisht. Dhe ka një ftohtësi që përcjellë pushteti sot sa herë që provon të komunikojë me kosovarët – provon sepse komunikim nuk bën dot; herë duke treguar neglizhencë, e herë duke humbur rezon në konkluza mosvet. Relacion më steril nuk mbaj mend të kem parë kaherë. Dhe në këtë mungesë energjie lind dhe diferenca mes qytetarit dhe shtetit; ajo po ushqehet pra.

Ç’është e vërteta, kosovarët nuk e kanë pasur asnjëherë problem diferencimin me shtetin; e kanë bërë lehtë sepse shteti, për fatin e tyre të keq, nuk ka qenë i tyri asnjëherë. E kur u bë – me shpallje pra – ai u kap. Kapja largoj sërish shtetin prej qytetarëve, e bashkëdyzoj atë, fatkeqësisht, me pushtet. Rrjedhimisht, në shtatë vite shtetësi u bë më së paku për shtet, e gjitha për pushtet.   

Për të bërë bilanc nuk kam ndërmend. Por sikur të provoja nuk do të duhej dhe shumë. Të gjithë argumentuesit militantë, qatipë qeveritarë, të cilës do palë, le t’i shfletojnë netët e fundit të ikjeve për të parë mjerimin që mendja dhe insistimi i tyre ka sjellë tash e shtatë vjet. Të gjitha thirrjet për ekonomi në vend të kontabilitetit; për republikanizëm në vend të etnicizmit; për shoqëri në vend të klanizimit – kanë shpërthyer tashmë. Dhe ky shpërthim ishte alamet i madh; i trishtë patjetër. Të shohësh kosovarët e vitit 2015 nëpër gjurmët e ikjes, poshtrimit e humbjes së dinjitetit – në gjunjë e në lutje e në përlotje – nuk është lehtë. Hiq ditën e  shpalljes së pavarësisë, me çfarë do të mburremi për këto shtatë vjet?

-2-

Me rrugët miliardëshe – plot korrupsion – që nuk i hapë kush sot? Me faljet alleshverishe tek akrabatë gjysmë-diktatorial të Turqisë? Me bilancin tregtar tre-katërqind milionësh për në Serbi? Me mëditjet sa paga mesatare në vend? Me veturat e zeza, mbushjet e pafundme, darkat e drekat që s’ngopin barkun e të pangopurve dot? Me pjesëtim e shpjestim statistikor për ulje të papunësisë pa ulur fare vet numrin e të papunëve – çfarë do të bëjnë me numra tash? Me planet bullgare prej “power-point”? Me universitetin që prodhon analfabetizëm modern? Me propagandën mediale që na shurdhon me kapës gjithandej – dhe na kushton madje?

Apo ndoshta duhet mburrë me skenën teatrale politike në vend; që në njërën anë na servon anonimë deri në presidencë, e në anën tjetër ç’thurrë secilin prag moraliteti në pakurrizorizëm; sa kalojnë këndej e sa andej. Ata që kanë pështyrë dje, puthin nesër. Çfarë papërgjegjësie e ndytë kjo.

Të provojmë mburrjen me të tjerët që na thirrin për Republikë por s’respektojnë asnjë element të naltëruar të saj; as himn, as flamur as kushtetutë as hiçgjë – asgjë prej asgjëje që provojmë të ndërtojmë me zor tash e shtatë vjet. Janë të tonat për atë dreq; kur do ta përfundojnë këtë çmenduri fëmijërore; çfarë keni kështu? E kuptojnë, paradoksalisht, identitetin e shtetit tim të ri, si antidot herë-do-kurdo i një identitet themeltar që ka prodhuar këtë shtetëzim – ndjenjën e të qenit shqiptar. Në thirrje për mosrespektim të Republikës, të njëjtit janë po aq anti-Republikan sa dhe ata më sipër. Bien nga provimi të gjithë kur flasim për Republikën sa herë që nuk ngritën në këmbë për Republikën. Pallavra fjalësh të tjerat më janë.

-3-

Republika nuk është parti e pushtet ndaj të cilit duhet të mbajmë inat; e nuk mbetet as shtet po nuk u mbrojt prej – fillimisht – të tanëve, e më pas dhe të huajve. Republika, miq e armiq të saj, na mbetet megjithatë atdhe. Ky atdhe, për fatin tonë të keq, merr sot mbi shpinë gjithë ligësinë, mjerimin, zaptimin, dhunimin, këmbjen e nëpërkëmbjen, ditë e natë nga lakmitarë e të pangopur, mosmirënjohës të hurit e të konopit, shërbëtorë të dreqit e të birit e nga kush jo tjetër – të tillë, të njëjtë, gjithkah e gjithandej.

Republika sot është vet dhe pa të zot. I hypin në qafë gjithandej, zaptuesit të parët, mohuesit të dytët, copëtuesit veriorë të tretët; dhe ndonjë diplomat aty këtu nga i katërti tek i katërqindi – rend e pandërprerë.

Prandaj dhe sot ndjejmë më së paku për Republikën; ajo s’është më e jona. Është e gjithkujt dhe askujt; është e bastroxhinjëve politik që marrjen e primatit e shohin si tiketë fituese lotarie; po ua kapi – të lumët, në përjetësi, ata; dhe është e një grumbulli shërbëtorësh trushpëlarë e truppalarë që u rrinë pranë. Sepse po ua kapi, do të rehatohen vet, të tjerë afër tyre dhe në dreq të mallkuar me gjithkënd tjetër; deri sa të vijë dikush tjetër për të hequr këta.  

E nëse ka një mision idealizmi që duhet ndjekur sot, atëherë duhet nisur nga rikthimi i Republikës; duke bërë normalen e jo skajin, duke pranuar Republikën siç është; deri sa të bëhet ndryshe (nëse duhet bërë ndryshe gjithsesi).




No comments: