Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 SHKURT 2015
Një hap përtej përgjithësimit,
gjithëfajsimit, dorëzimit dhe aministimit
-1-
David Benihoff në
novelën “Ora e 25-të” ka një paragraf mallkimi për gjithë qytetin e tij; për
gjithë Nju Jorkun. Në një paragraf të vetëm ai mallkon xhampastruesit e rrugëve
që më shumë zhysin se sa pastrojnë; taksistët pakistanezë me kabina të rrënuara
që fluturojnë shpejtë; pemëshitësit koreanë që pas dhjetë viteve në shtet
s’flasin dot një fjalë anglisht; rusët mafiozë të Brighton Beach që sjellin e
pështjellin punët pistë gjersa kapërcejnë nëpër dhëmbë kubëzat e sheqerit;
kasidimët hebrenj me flokë e zbokth shumë që shesin diamante të aparteidit
afrikan si hiçgjë; mjeshtërit e vetëshpallur të universit – dua të jenë Gordon
Gekkot e Wall Street – që s’pushojnë së kërkuari rrugë të reja për të rrjepur
punëtorët e shkretë; portorikanët e dominikanët që rrojnë në ndihma të
mirëqenies por s’ndalin dot gjithë paradat patetike përvjet; italianët me flokë
plot pomadë, shkope bejsbolli, kostume najloni e medaljone të Shën Antonit – në
përpjekje të përjetshme për të imituar Sopranot thuajse janë në audicion
jetësor; vëllezërit afro-amerikanë që në lojë basketbolli s’kalojnë topin
asnjëherë tek tjetri, bëjnë gjithmonë pesë hapa deri në kosh, e fajësojnë të
bardhët për gjithçka ani pse skllavërimi ka përfunduar plot 100 e kusur vjet më
parë; policët e korruptuar dhe heshtjen prapa murit blu; homoseksualët e rrugës
Chelsea që i shfaqen në kanalin 35 pandërprerë; priftërinjtë që vënë duart
poshtë pantallonave të fëmijëve bashkë me kishën që i mbron ata; ekstremistët
terroristë dhe gjithë përkrahësit shpellarë që do të piqen e digjen në ferr me
karburant të fluturakeve. Ai mallkon dhe babanë e tij me pikëllimin e tij të
pafund; mikun e tij më të ngushtë Xavier që kurrë s’pushon ta gjykojë atë, të
dashurën Naturela, bushtrën që e tradhtoj në polici; ai mallkon gjithë qytetin
për t’i uruar një tërmet që e rrafshon, një zjarr që e bën shkrumb e hi, e në
fund një ujë vërshues që mbulon e shpëlanë gjithë pisllëqet e qytetit të
tij të mjerë. Në fund, natyrisht, ai mallkon dhe veten.
-2-
Novela e David
Benihoff, dhe paragrafi i tij mallkues, i interpretuar në përsosshmëri nga Edward
Norton në një set me titull të njëjtë, shpërfaqë shpërthimin e mendjes përballë
gjithçkaje; në nevojë profetike për të marrë qëndrime ekstreme që krijojnë
qëllime e qëndrime – përfundimisht – të prekshme e herë herë dhe bindëse.
Përgjithësimi i shpërthimit (sado iluminues për të pailuminuarit) megjithatë,
është dorëzim. Dhe në këtë dorëzim, mallkimi i vetës e gjithë të tjerëve është
jo vetëm disfatist por edhe amnistues. Duke bërë të gjithë fajtorë, të ligë e
meritorë për mbytje, me shembje, zjarr e përmbytje – kataklikë tipikë të Noas e
trashëgimtarë pas tij – duke përgjithësuar pra gjithkënd njëjtë në një kandar,
ne megjithatë lejojmë shpëlarjen dhe daljen pastër të fajtorëve kryesorë
njëtrajtësisht e mbarë.
Një shpërthim të
tillë – profetik në argumentim pra – lexova dhe këtë javë në një shkrim
shpërthyes të akademik Krajës; i cili, në pjesë të mëdha dha shpjegim për
gjithëfajtorët – argumentim që vështirë se mund ta kundërshtosh. Në anën
tjetër, kundërshtarët e shkrimit të tij, në pjesën më të madhe pra, ishin
sipërfaqësor, aty këtu personal (tipike e fukarallëkut diskutues tonit), por pa
fije brumi për të rrënuar shtyllat e argumentimit të tij gjithëfajësues. Madje,
në rastin më të shpeshtë e njëtrajtësisht më të trishtë, replikimi bëhej jaka
jak me titull (mosvet e thjeshtëzuar) për të sjellë kundërpyetje për
aktivizimin ose jo të autorit; po çfarë diference do të bënte kjo në fund të
fundit?! Argumentin e mirë nuk e bën argumentuesi, argumentin e mirë e bën
vërtetësia e tij ose jo. E, e vërteta e tmerrshme megjithatë, është se këtë
vend, siç dhe e thotë pra argumentuesi, e kemi bërë shkrumb e shkret; dhe për
këtë ne mbesim të gjithë fajtorë – nëse dikush ndjenë veten të lënë jashtë, ta
lexojë platformën e Krajës; janë të gjithë aty.
Natyrisht se jemi
të gjithë fajtorë – në fund mund të jesh fajtorë edhe për pranim e mosveprim;
për çfarë duhet gjykuar pjesën më të madhe të kosovarëve; nëse ka një adresë të
tillë. Por në këtë mal fajtorësh, në këtë “azil të jashtëzakonshëm të
vagabondëve, injorantëve, papunëtorëve, matrapazëve, derdimenëve, pushtave,
kurvave dhe kurvarëve”, për t’iu shmangur amnistisë e shpëlarjes e shfajësimit,
duhet domosdo të sjellim shpërthimin argumentues profetik në elaborim
gishtëtregues e përfundimisht plot guxim; pra ta shpijmë atë një hap më tutje
se sa vet shpërthimi duke renditur fajtorët – sepse nuk janë të gjithë
gjithëfajëtorë të barabartë. Sepse, në këtë mal kontribuuesish, megjithatë
kishte një hierarki. E në këtë hierarki, “vagabondët, injorantët, papunëtorët,
matrapazët, derdimenët, pushtat, kurvat dhe kurvarët” e rendit të parë
megjithatë ishin dhe mbesin më “vagabondë”, më “injorantë”, më “papunëtorë”, më
“matrapazë”, më “derdimenë”, më “pushta”, më “kurva” dhe më “kurvarë” se sa ata
pasivët e rendit të fundit; nga ku dhe dua të nis diskutimin tim në vijim.
-3-
Hiç më larg se katër vite më parë, secili diskutim politik e social mbi e për hajninë, krimin e uzurpimin, merrte epitet trimërie. Paradoksalisht, e drejta për të bërë me gisht e përbuzje drejt hajnit, kriminelit e zhvatësit ishte bërë këndej trimëri; të paktën të pyesnin se si po guxon. Katër vite më pas, këtë aftësi e kemi përsosur në skajshmëri – për ta përdorur gjithandej, në parlament, qeveri, parti, rrugë, rrugicë, gazetë e gulçim-komente virtuale; e kemi zhvlerësuar siç dhe dimë të zhvlerësojmë gjithçka. Gjithsesi, më mirë shumë guxim ani pse në zhvlerësim se sa hiç; e hiç kishim deri katër vite më parë.
Këtë hezitim shoqëror tonin, të hiçit pra, e merrnim si të qenë. Sepse, si të tillë na e kishte dhënë një elitë e tërë intelektuale – me aq intelektualitet sa kishim si vend. Kjo elitë pra, që do të duhej të afronte veten në bërje të Republikës siç kishte ofruar veten në zhbërje të Jugosllavisë, kishte zgjedhur heshtjen e tërheqjen ose bashkimin me të ligën. Kjo elitë me heshtjen apo bashkim zgjodhi dhe nënshtrimin, dhe rrënimin, dhe dorëzimin. S’u panë askund kur UNMIK-u pardje, EULEX-i dje e kush e di kush tjetër prej sot e deri nesër u pa duke na bërë shtetësinë. Ata u dhanë rend secilit tjetër të marrin parinë e vendit dhe devalvojnë moralisht, intelektualisht, e mendërisht gjithë shoqërinë tonë.
Natyrisht se ka të
tillë që edhe sot vazhdojnë të durojnë heshtjen e nënshtrimin e dorëzimin;
madje nën mirëkuptimin e urdhrave të thënë e të pathënë marrin mund të rrënojnë
secilën provim ngritje tjetër – edhe po u bë vetëm më fjalë madje; sidomos me
fjalë ç’është e vërteta. Sepse fjalët, në fjalë të Alan Moore, mbajnë fuqinë,
ato japin vet kuptimin dhe për ata që dëshirojnë, ato shpallin të vërtetën; e,
e vërteta ishte se përgjatë gjithë kohës ky vend ishte bërë tmerr. Dhe fjalë,
kjo elitë e heshtur dhe e dorëzuar pra, nuk kishte kurrë. Këtë të tmerrshme të
këtij vendi nuk e kishin thënë kurrë. Si gjeneratë, kjo elitë, e ka humbur
shansin për ta bërë atë ndonjëherë. Për këtë do të njolloset përgjithmonë.
Pse e bënë këtë?
Nga u heshtën? Kush i mbylli? Mosdija? Vullneti? Të dyja? Natyrisht se mund të
gjejmë shumë shkase prapa heshtjes e mbylljes së tyre – të gjitha zënë vend
para tjetrës – por, për të thënë të vërtetën siç pra e thonë fjalët troç, nëse
duhet shikuar në arsye e motive të zmbrapsjes, atëherë le t’i rendisim lakminë
e frikën si të parat.
Lakminë sepse
kompromisuan secili me idealet e veta kur ju ra rend për të marrë diçka nga një
vend që kishte mbetur pa të zot. Nëpërmjet vetës, nëpërmjet fëmijëve, nëpërmjet
të tjerëve afër tyre, secili nga ta në tregun e lirë të shitëblerjes shitën
idealin për hiçgjë, për pak rahati. Pazargjinjë të ligë madje. Provoj
ndonjëherë të kuptojë fukarallëkun kapital e financiar që ka shtyrë këtë
heshtje intelektuale të tyre, por sinqerisht nuk mund ta arsyetojë. Frikën sepse,
fillimisht u ndanë, pra u përçanë me inate nga më të çoroditurat ndaj njëri
tjetrit, diçka e panjohur për gjeneratat e reja; dhe më pas u ndjenë të ligë e
të pafuqi (si të ndarë) përballë muskujve që kapitalizojnë – herë të atyre prej
luftës si çlirimtarë, herë të atyre prej paqes si literar e shkrimtarë. Frika
morri më të mirën nga ta, dhe në këtë dorëzim ata natyrshëm zgjodhën heshtjen;
gjithsesi kishin dhe mbanin lakminë.
-4-
Në rendin më të
lartë hierarkik të përgjegjësisë për rrënim gjithëshoqëror, padyshim mbesin të
gjithë ata që kanë ushtruar një pushtet mbi shtet, secili proporcionalisht me
kohëzgjatjen dhe fuqinë e pushtetbërjes nëpër kohë. Këta uzurpues të kontributit,
në kohën e transformimit të vendit ishin të nxënë me transformimin e vetës, të
familjes e fisit – provincial në sjellje, të paditur në mendje, të pangirë në
bark. Kapitalizuesit e luftës, çlirimtarët pra, ishin të parët që ndërruan
idealet me përvetësim – sot i themi zaptim e zaptues trashëgimisë e modelit të
tyre. Këta nuk kishin frikën, kishin lakminë; por frikën ndërsa përdorën për të
trembur e heshtur ata të rendit të prapmë; intelektualët pra.
Kështu duke
pretenduar trashëgiminë e vënies së rendit sepse kishin larguar një të zot
tjetër, këta vunë vetën si të denjë në politikë, arsim, shëndetësi, shkencë,
teknologji, media e gjithçka tjetër; kapitali i tyre i luftës mjaftonte për t’i
bërë ata të gjithëdijshëm e të gjithëanshëm. Në vetëm pesëmbëdhjetë vjet jetë,
përderisa krijonin modelin e shtetit qymez që pasqyronte gjithë dijen modeste
të tyre, ata – si të paditur pra – ushqyen dhe ndjekësit, që sot dhe bëjnë
shumicën. Kështu pra një vend u sforcua të matë fatin e tij me fatin e aftësisë
së uzurpuesve për të nxënë e mësuar; sepse të panxënë e pamësuar kishin qenë
përnjëherë.
Modeli i
kapitalizimit të së shkuarës – pra i prirjes të së ardhmes për shkak të një
kapitali nga e shkuara – u modelua dhe përdor edhe nga pacifistët; të njëjtit
që sot vetëm duke u thirrur në një kontribut paraprak – madje të liderëve të
vdekur e jo të vetës – projektojnë të ardhmen e vendit; natyrisht gjithmonë
duke projektuar domosdoshmërisht veten aty. Pra sot është e pamundur të
ngjitesh e ngritesh shkallëve të secilit rreth shoqëror pa serviluar e
bashkërenduar me këta kapitalizues e uzurpatorë të kontributit. Pas tyre asnjë
vlerë s’mund të ndodhë. Sot është e pamundur të japësh po nuk pate çfarë të
kapitalizosh nga një e shkuar e 90-tës; në luftë, paqe apo në mes. Të gjithë
liderët partiakë e politikë bëjnë pjesë mu në këtë kontribut; të tjerë nuk ka.
Dhe janë mu këta kapitalizatorë, çlirimtarë, pacifistë, të burgosur që mbajnë
nën zotërim gjithë fatin – dhe me këtë dhe pjesën më të madhe të përgjegjësisë
– për theqafje. Gjithçka tjetër nën ta, sado e dhimbshme, e trishtë,
jokorrekte, e pamoralshme, komprometuese e pakurrizore, mbetet proporcionalisht
më pak e dëmshme gjithsesi.
-5-
Në mes të të
gjithëve, të atyre që heshtin nga lakmia apo frika (përjashto të paktit nga
dëshpërimi) dhe të atyre që kapitalizojnë të shkuarën për të uzurpuar të
tashmen dhe të ardhmen, ka një grumbull zërash, shkronjash, fjalësh e
përpjekjesh, herë të qëlluara e herë jo – gjithsesi në vazhdimësi në rritje –
që pretendojnë autoritetin e mirësisë dhe që përfundimisht ushqejnë e krijojnë
masën kritike që – për dallim nga modeli i trashëguar nga përvetësuesit e
kontributit dhe intelektualët e heshtur – s’mund e s’duhet të ketë emër kurrë.
Dhe këta më duhet t’i heq nga shpërthimi gjithëfajsues.
Jo se nuk ka raste
– të shpeshta madje – të perversitetit intelektual e moral në mes tyre, jo që
nuk ka të tillë që vetëm nga pamundësia për të bërë nuk bëjnë, përndryshe do të
bënin më zi e më keq se të deritanishmit – ka plot sosh e mund t’i numërosh
plot sosh – në dreq të mallkuar dhe ta, por se, përmbledhja dhe thjeshtëzimi i
të gjitha rasteve aksidentale në një teori gjtihëfajësuese nuk bën vend bindës;
mbetet vetëm shpërthim profetik e mallkues.
Dhe janë mu këta
zëra, fjalë, shkronja e përpjekjesh që kanë mbajtur gjallë shpresën – nëse ka
mbetur diçka nga ajo – kur intelektualët të lindur për reformatorë zgjodhën
lakminë e frikën; e kaptializuesit zgjodhën uzurpimin e përvetësimin. Dhe nëse
asgjë tjetër, janë mu këta që sot, në pak vite, kanë bërë të zakonshëm, deri në
devalvim, guximin për të gishte-drejtuar. Këta, nëse asgjë tjetër, kanë ngjizur
filet e një mase kritike që do të shpërthejë jo vetëm me fajësim, por me rrënim
të secilës vlerë që të heshturit e kapitalizuesit çlirimtarë e pacifistë kanë
ndërtuar për mjerim. Pra këta megjithatë kanë ndërtuar një sistem që do të
reprodukojë vlerë e ide e guxim e idealizëm jo domosdo nëpërmjet vetes;
përkundrazi nëpërmjet secilit tjetër që vjen në këtë sistem – ani pse defektoz,
jo mjaftueshëm të mirë, të lëkundur e selektiv – por gjithsesi të vetëm.
Prandaj dhe vlen përpjekja.
No comments:
Post a Comment