Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 SHKURT 2015
Gjithsesi, fluksi i madh i
ikësve do të ndërpritet shpejtë; nuk mund të zgjasë përjetësisht. Dhe kjo
ndërprerje do të fillojë në momentin e parë që vendet pranuese do të ngopen.
Tani për tani, komforti dhe toleranca e tyre – së paku publike – është sinjal i
pranimit; sinjal që kosovarët e kanë lexuar me lehtësi.
-1-
Se ikja është më
e zakonshme, kjo është fakt. Se ajo është e lehtë, është po ashtu fakt. Se është
e toleruar dhe lejuar si ndihmesë për të lehtësuar rëndesën sociale në vend,
kjo është vetëm hipotezë. Por në qoftë se del si e saktë një hipotezë si kjo –
dhe nuk mund të jetë larg mendsh shumë – atëherë ikësit dhe të mbeturit këndej
kanë një pasqyrë krejt tjetër nga percpetimi tragjik i të zakonshmes. E përtej
ndjesisë së dhembshurisë, trishtimit e fatkeqësisë që normalisht njeriu ka për zbrazjen
e vendit, ikja masive – ky eksod paqësor pra – lë pas veti dhe disa derivate
ekonomike. Në këtë shkrim do të provoj ti rendis disa nga më të zakonshmet, me
shumë dije se të tjerat mund dhe të jenë, tani për tani, të paparashikueshme (në
të mirë e të keq).
Por para se të bëj
një bilanc të tillë, më duhet të them se ikja e largimi masiv nga vendi është
tragjedi. Jo për faktin se migrimi e lëvizja nga një vend në tjetrin është
tragjedi si fenomen normal nacional e panevropian, por sepse ikja masive e
paparashikuar, me motive mbijetese dhe në përgjithësi e paseleksionuar, merr
karakter të zbrazjes së menjëhershme, pra është më shumë se sa migrim. Rrjedhimisht,
si e tillë dhe me gjithë konsekuencat morale (jo domosdo socio-ekonomike), për
ikësit e të tjerët të mbetur pas ajo mbetet e trishtë. Sepse zbrazja mbetet
trishtim.
Dhe ky eksod
fatkeq i yni – nga plot 1000 në natë – shpërfaqë nivelin e gjunjëzimit e
rrënimit të vendit tonë. Dhe këtë gjunjëzim, paradoksalisht, ja bëmë vendit
vet; jo në luftë por në liri. Në vend se ta gëzojmë lirinë me punë, mirëqenie e
përparim, për vetëm 15 vite ne bëmë çfarë dashakëqijtë tanë nuk kishin mundur
të na bënin për jetë të jetërave. Ne lejuam një grusht zaptuesish të pacipë e
të pangirë, të na humbin shpresën e sjellin dorëzimin. Kemi merituar shumë më
shumë se kaq.
-2-
Tash, ka diçka të
pazakontë në gjithë rrugëtimin kosovar për në Evropë; dhe kjo pazakonshmëri
buron nga lehtësia e ikjes. Kujtoni, vetëm gjashtë vite më parë plot 15 kosovarë,
kryesisht gra e fëmijë, kishin gjetur vdekjen në lumin “Tisa”, në përpjekje dëshpëruese
për të kaluar ilegalisht kufirin për në Hungari. Sot kalimi nëpërmjet lumit
“Tisa” është i panevojshëm; sepse “Tisa” është zëvendësuar fillimisht me kalime
nëpër male (gjithmonë më pak “ilegale”), e së fundi me kalime – besoni ose jo –
nëpër rrugë krejtësisht normale, të shtruara e asfaltuara mbarë e mirë, e të cilat qetë dhe paqësisht të dërgojnë
në Hungari e Evropë; mu para syve të policëve e gardianëve kufitarë; diçka vështirë
e pranuar për një vend që refuzimin do ta kishte ndërmend.
Hipoteza e lehtësisë
dhe hapjes së dyerve merr më shumë kuptim kur destinacionet përfundimtare nuk kërkojnë
asnjë masë e asnjë veprim nga autoritetet kosovare (nga ku fillon ikja), nga
autoritetet serbe (nëpër ku kalon ikja) apo nga autoritetet hungareze (tek ku
parapërfundon ikja). Pra ka një sërë mekanizmash parandalues që autoritetet
evropiane do të mund t’i përdornin për të shmangur këtë fluks. Por nuk e bëjnë.
Raportimet e fundit mediatike madje, tregojnë se si vendet si Gjermania – ndër
të tjerash – evidentojnë gjithë kosovarët, i strehojnë të njëjtit nëpër kampe
kolektive, e në disa raste dhe u japin leje të përkohshme qëndrimi e kurse
trajnuese për gjuhë.
Ka tri shpjegime
(të ndërlidhura me njëri tjetrin) në këtë drejtim – gjithmonë nëse hipoteza e tolerimit
qëndron. I pari, dhe mjaft i mundshëm, se vendet evropiane në nevojë për të
zbrazur tërësinë e pakënaqësisë në Kosovë kanë hapur një ventil shfryrjeje për
një masë që jeton në dëshpërim. Kjo shtendosje i shërben lehtësisht stabiliteti
social këndej, e i cili në rast të kundërt – i katandisur keq nga keqqeverisja
e zaptuesve ordinerë – do të shpërthente për të zhbërë gjithçka.
I dyti, se për
vendet evropiane, komuniteti kosovar mund të shihet si më i përshtatshmi. Jo
për shkak të pretendimeve hajgare mbi baza racore, por për shkak të prezencës
dhe mirëakomodimit të diasporës sonë atje; një diasporë që sot zotëron biznese
e rrjete punësimi gjithandej. Dhe duhet thënë se një pjesë e madhe e ikësve nga
Kosova nuk ikën pa adresë; një pjesë e madhe e tyre kanë familjarë e të afërm
mirë të akomoduar nëpër Evropë – që mbajnë biznese, kanë biznese, njohin
biznese; pra gjejnë punë lehtë. E një vend që ka një diasporë evropiane sa 25%
të popullsisë së gjithmbarshme, e ka fare lehtë të ndërtojë lidhje të tilla. Kjo
përshtatje natyrore do të ndodhte padyshim në momentin e parë që do të kishim
liberalizim të vizave. Ka ndodhur nëpër rajon gjithsesi; në Serbi, Maqedoni e
Shqipëri.
Të tjerët ndërkaq,
pa adresë, do të mbesin pjesë e vendimeve individuale të vendeve pranuese. Dhe
këtu fillon shpjegimi i tretë; se tolerimi është më tepër neglizhencë e vendeve
pranuese të cilat në përpjekje për të adresuar ligjërisht secilin rast të azilkërkuesve
kanë dhënë sinjale të pranimit tek kosovarët e tjerë. E kur fluksi i madh i
ikësve do të ndërpritet shpejtë, sepse nuk mund të zgjasë përjetësisht, në të
kundërtën do të zbrazej – me plot kuptimin e fjalës – Kosova në tërësi; pra kur
vendet pranuese do të ngopen me azilkërkim, do të fillojë procesi i trajtimit
të të larguarve. Ky trajtim natyrisht nuk do të nënkuptojë kthimin e të gjithëve,
do të jetë e pamundur sinqerisht. Disa – të vetëseleksionuarit – do të marrin
ushqim, strehim e tolerancë për qëndrim afatashkurtë; ndoshta dhe do të gjejnë
punë. Të tjerët ndërsa, do ta kenë ose fatin e kampeve të padurueshme hungareze
deri në dorëzim e kthim, ose kapjen nëpër Evropë e kthimin jovullnetar për në
Kosovë.
Fillimi i kthimit
do të nisë një kapitull të ri po aq të vështirë sa ikja; ripërshtatjen e të
larguarve sërish me jetën në Kosovë. Do të jenë të goditur në veçanti ata që
kanë pasur një punë apo kanë shitur një pasuri vetanake para ikjes; pas kthimit
s'do ta kenë asnjërën. Do të kthehen për të nisur një jetë nga një pikë më të
rëndë se nga paraikja – dhe kjo s'ka për të qenë fare e lehtë.
-3-
Se çështja e
eksodit kosovar është temë emergjence, nuk bën më çudi. Madje, siç me të drejtë
e elaboroi miku im Alban H., ajo zuri vend të bollshëm në rreshtat e pakta të
deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. E nuk është
punë e pakët të jesh në rend dite me gjithë luftërat në lindje me ISIS e në
euro-lindje me Rusi e Ukrainë; është punë e madhe. Dhe gjithë kjo kërkim-shprese
e re, e nisur dhe ngjizur pikërisht nga katandisja socio-ekonomike që është bërë
e bëhet në Kosovë vazhdimisht, do të ketë disa derivate shoqërore; në rend të
parë ekonomike. Përtej trajtimit moral të ikjes, pra duke mbajtur diskutimin
puro në terma socio-ekonomik, këto pasoja do t’i grumbulloj në dy anë.
Në anën e parë
janë dëmet imediate e negative të ikjes masive; efektet e të cilave veçse mund
të shihen. Së pari, një largim enorm si ky, domosdoshmërish do të prekë nivelin
e kërkesës së brendshme në Kosovë; nëpërmjet prekjes së konsumit e investimeve.
Rënia e konsumit në Kosovë do të ketë dy implikime imediate; fillimisht do të
bien importet (meqë konsumi ynë në to bazohet) e më pas do të bien edhe të
hyrat buxhetore si rezultat i rënies së importeve e vet kërkesës. Rënia e
konsumit, përveç tjerash, do të përcillet edhe me rënie të investimeve tek një
zinxhir i tërë operuesish në Kosovë. Mos të harrojmë se një blerje – tek
kushdo qoftë ajo – nxitë një sërë sjelljesh ekonomike të agjentëve të ndryshëm;
nga bukëpjekësi, tek bujku, nga bujku tek mësuesi, nga mësuesi tek punëdhënësi;
të gjithë pra preken nga secila lëvizje regresive e konsumit.
Së dyti, do të ketë lëvizje të shpejta në tregun e parasë;
pra në kreditë bankare. Sërish, kjo për dy arsye. Fillimisht sepse një pjesë e
bankave tanimë veçse ballafaqohen me kredi të këqija, të individëve që kanë
marrë kredi të vogla e që kanë ikur – një fenomen i shpërndarë gjithandej
sidomos në ditët e para të eksodit; e më pas sepse në kohë të paqartësive shoqërore
si këto, do të rritet risku i kredi dhënies – rrjedhimisht do të rritet çmimi i
parasë. Së treti, do të ketë implikime të menjëhershme në tregun e banimit e qiradhënies;
njërin ndër sektorët më ekspansiv të Kosovës. Sidomos do të preken regjionet
periferike të qyteteve të mëdha, të cilat do të kenë – në terma margjinale –
shumë më të vështirë përballjen me një fluks të tillë ikësish masiv. Së katërti,
rastet e lëshimeve kolektive të Kosovës, nga individë e punëtorë madje, do të
ketë pasoja për bizneset vendore, të cilat do të duhet tashti t’i zëvendësojnë
të njëjtit me forcë të re punëtore të paaftësuar – veçanërisht në sektorët e
prodhimit. Kjo natyrshëm do të ndikojë në aftësinë konkurruese të tyre, ashtu
kështu të rëndë.
-4-
Në terma afatgjatë
ndërsa, gjithmonë duke tjetërsuar moralitetin e pranimin e ikjes masive si
normale, dhe mbi të gjitha, gjithmonë duke besuar se ikësit do të akomodohen nëpër
Evropë e do të gjejnë punë e krijojnë vlerë, efekti i ikjes do të jetë më i
lehtë për Kosovën; në fakt, në disa raste mund dhe të jetë pozitiv (gjithmonë përtej
stabilitetit social që pakësimi krijon).
Për të ndodhur një
gjë e tillë, natyrisht se largimi do të duhej të ishte selektiv, e jo gjithëfamiljar
– siç ishte rasti i një familje prej 110 anëtarësh. Pra në rastet kur i gjithë
nukleusi i familjes ikën, e s’mbetet kush pas, është e pamundur të ndërtohet ndonjë
beneficion remitance nga krijimi i kësaj gjenerate të re të diasporës. Por në
raste të tjera, kjo diasporë e re, do të shërbejë për mirëmbajtjen e mbarëvajtjen
e një vendi të tërë. Sepse, për aq kohë sa punojnë ata, do të krijohen të ardhura
të reja, potenciale të reja e (në rastin më të mirë) edhe investime të reja.
Normalisht se
rastet e tilla do të duhej të trajtoheshin – në rend të parë – nëpërmjet programeve
të punësimit ndërqeveritare; pra duke dërguar fuqinë tonë punëtore në punësime
sezonale e afatshkurte. Natyrisht se zbrazja mbetet tragjedi, dhe në gjithë këtë
tragjedi arsyetimet ekonomike e sociale mbesin të zbehta. Por për të ndalur këtë
tragjedi, për të zëvendësuar eksodin me punë e vlerë e energji këtu, na duhet të
ndryshojë gjithë paradigmën tonë ekonomike, sociale e politike – praktikisht na
duhet të ndryshojmë gjithçka.
No comments:
Post a Comment