Letra nga limbo
KOHA DITORE 14 NENTOR 2014
Me trendin e tanishëm të rritjes ekonomike, Kosovës
do t’i duhen pesë dekada të tjera për të arritur një mesatare rajonale e
evropiane.
-1-
Përgjatë viteve të shkuara, ekonomia e
vendit tonë është ballafaquar në vazhdimësi me barriera institucionale,
financiare, informale, fiskale, ligjore e të fuqisë punëtore. Rrjedhimisht, në
tre vitet e fundit, përfshirë dhe të sivjetshmin, rritja ekonomike e jona ka
qenë – në mesatare – jo më e lartë se 2.5%; katër herë më e ulët se për çfarë vendi
ynë ka nevojë. Me trendin e tanishëm të rritjes ekonomike, Kosovës do t’i duhen
pesë dekada të tjera për të arritur një mesatare rajonale e evropiane. Për më
tepër, bruto produkti ynë vendor – për kokë banori – vazhdon të mbetet më i
ulëti në rajon e Evropë. Të ardhurat tona për kokë banori janë dy herë më të
ulëta se ato në Mal të Zi, dhe disproporcionalisht më të pakta se ato në
Maqedoni, Shqipëri e Serbi.
Vendi ynë ballafaqohet me shkallë të lartë
të papunësisë. Nga 1.2 milionë forcë punëtore, Kosova ka të punësuar vetëm
300.000 sosh; pjesa e mbetur janë ose të papunë ose joaktivë. Këto norma
alarmante të papunësisë prekin sidomos popullsinë e re të Kosovës, të cilët të dekurajuar
synojnë vazhdimisht largimin nga vendi. Mbi të gjitha, Kosova ka mbi 12.1% të
popullsisë së saj që jeton në varfëri të skajshme me më pak se 1 euro në ditë.
Janë plot 217.000 kosovarë që jetojnë sot me më pak se 1 euro në ditë.
Në fushën e tregtisë, Kosova ka vazhduar
trendin e rëndesës së varësisë në importe, duke shënuar kështu një deficit të
lartë tregtar prej plot 2.1 miliardë eurove. Katër vite më parë ky deficit
tregtar ishte jo më i lartë se 1.8 miliardë. Pra, përveç se ballafaqohemi sot
me një disproporcion enrom të eksporteve tona me importe, ne vazhdojmë të
thellojmë hendekun tregtar nëpër vite. Kosova vazhdon të importojë më së shumti
nga Serbia – mbi 12% të importeve vijnë
nga atje; përderisa eksporton më së shumti në Itali – rreth 35% e eksporteve
tona janë drejtë Italisë.
Investimet e Jashtme në vend, pas një
rekordi prej 440 milionë eurove në vitin 2007, kanë shënuar rënie të
vazhdueshme nëpër vite, për t’u rrumbullakuar në rreth 250 milionë euro në
vitin e fundit. Përgjatë viteve të fundit Kosova nuk ka arritur të shndërrohet
asnjëherë në vend atraktiv për investime. Remitancat në anën tjetër kanë shënuar
rritje të vazhdueshme; sot ato arrijnë në plot 600 milionë euro në vit. Këto
shuma shërbejnë në uljen e deficiti të llogarive rrjedhëse; dhe shërbejnë si
input i rëndësishëm i stabilitetit social në vend. Fatkeqësisht, një pjesë shumë
e vogël e tyre përfundon në investime. Kosova gjithsesi dhe fatmirësisht, ka
arritur të ruaj një stabilitet financiar. Borxhi publik ndonëse në rritje
vazhdon të mbetet brenda kornizave të pranuara; përderisa disiplina jonë
financiare e siguruar me deficite buxhetore të pranueshme jep një komfort të përgjithshëm.
-2-
Por nuk ka dyshim tashmë se ekonomia e
vendit tonë – sipas gjithë treguesve të saj makroekonomik – nuk po arrin të
marrë veten. Dhe nuk ka asnjë dyshim se ky stagnim i yni ekonomik buron nga një
nënperformancë e sektorit privat në vend; subjektit të diskutimit të këtij
shkrimi pra.
Sektori privat i Kosovës, si gjenerator e
forcë motorike e zhvillimit tonë ekonomik e shoqëror, është në gjendje kritike.
Kosova ka një densitet shumë të ulët të krijimit të bizneseve të reja, dhe në
shumicën e rasteve, këto biznese të reja dështojnë e mbyllen shpejtë. Për
krahasim, sipas Bankës Botërore, numri i bizneseve të reja që krijohen në 1000
banorë është vetëm 1.2; tri herë më i ulët se sa në Maqedoni, Serbi e Shqipëri.
Kosova ka sot plot 120.000 biznese të
regjistruara, por vetëm gjysma e tyre, pra rreth 60.000 sosh janë aktivë. Pjesa
më e madhe e tyre, rreth 92% sosh, janë mikro-ndërmarrje, kryesisht familjare,
me 1 deri në 9 punëtorë. Shpërndarja gjeografike e bizneseve kosovare është
jashtëzakonisht e pabarabartë; me një koncentrim enrom në regjionin e Prishtinës
– rreth 1/3 e tyre – dhe me një përqendrim minimal nëpër vendet rurale.
Të dhënat tona në Riinvest kanë shpjeguar
vazhdimisht se Kosova është duke hequr shumë për të krijuar një klimë të
favorshme biznesore. Politikat tona ekonomike kanë mbajtur në dorë të dytë
interesin e sektorit privat; në të vërtetë, bizneset dhe i gjithë sektori
privat janë parë vetëm si gjenerues të taksave. Me aq ka përfunduar relacioni
shtet-biznes. Rrjedhimisht, anomali me moszbatimin e ligjit, konkurrencën e
pabarabartë, informalitetin, evazionin, korrupsionin, burokracinë, koston e
lartë të financimit e vet fuqinë punëtore kanë marrë formë në vazhdimësi.
-3-
Dhe klimës së rëndë biznesore dhe
ekonomike në vend nuk i ka kontribuar aspak as situata e fundit politike në
relacion me mosthemelimin e institucioneve të reja për gjashtë muaj rresht.
Natyrisht se gjendja e rëndë ekonomike nuk është pasojë e një ngecje politike,
por se sigurisht kjo ngecje rëndon dhe më tutje situatën ekonomike në vend – ashtu
kështu të rënduar. Në radhë të parë, ngërçi politik prodhon katër konsekuenca
ekonomike.
E para ndërlidhet me mungesën dhe vonesën
e projekteve të mëdha kapitale në energjetikë, telekomunikacion e miniera,
vonesë kjo që konsumon kohën e domosdoshme ekonomike të Kosovës për investime
madhore. E dyta ndërlidhet me riskun politik që një situatë e tillë prodhon përballë
aktiviteteve biznesore e investitorëve; veçanërisht atyre të jashtëm. Konsekuenca
e tretë ndërlidhet me ç’thurrjen qeverisëse, me shërbimet publike, agjensionet
e pavarura e me prokurimin publik të cilat në kohë të paqartësive politike përfundojnë
drejt keqperformancës. Dhe e fundit, ndërlidhet me paranë publike, me buxhetin
e shtetit. Jo vetëm se rrezikojmë nënperformancë të mjeteve të arkëtuara, porse
nga ngecja politike ne rrezikojmë edhe mbylljen financiare të shtetit. Ne duhet
të aprovojmë buxhetin e ri para datës 31 Janar të vitit 2015 për të shmangur
një gjendje të tillë.
Të gjitha këto elemente natyrisht se kanë
ndikuar negativisht dhe në ambientin biznesor ashtu kështu të rënduar. Sektori privat
natyrisht se do të absorbojë si barriera – së bashku me të gjitha anomalitë
tradicionale në vend – edhe këto politike.
-4-
Për të studiuar e kuptuar ambientin
biznesor në Kosovë, Instituti Riinvest, mbështetur nga Zyra e Bashkimit
Evropian në Kosovë, përgjatë vitit 2014 ka zhvilluar një anketë me plot 1000
biznese. Rezultatet e kësaj ankete – dhe të raportit hulumtues në përgjithësi –
i prezantuam dje në një konferencë që mori vëmendje të madhe. Konferenca ishte
transmetuar drejtpërdrejtë dhe në KTV – me qëllim të përcjelljes së mesazhit
ekonomik tonin nëpër secilën shtëpi kosovare.
E veçanta e studimit tonë ishte se për herë
të parë në Kosovë anketoheshin një numër kaq i madh i bizneseve, dhe se shpërndarja
e tyre ishte proporcionale në pesë regjionet e Kosovës. Kjo shpërndarje
proporcionale nëpër regjione na jepte mundësinë për të kuptuar edhe
karakteristikat e sektorit privat jo vetëm si tërësi për gjithë vendin, por
edhe diferencat regjionale e diskrepancat eventuale.
E veçanta tjetër e raportit ishte edhe
matja e performancës së bizneseve – në formë retrospektive – për katër vitet e
shkuara; si dhe matja e percepcionet të ndërmarrësve për katër vitet e
ardhshme. Në formë të përgjithësuar, disa nga rezultatet e studimit tregojnë se
rreth 23% e bizneseve kosovare kanë shënuar rritje përgjatë katër viteve të
shkuara, përderisa plot 44% kanë deklaruar rënie; të tjerat kishin shënuar
stagnim. Paga mesatare në sektorin privat del të jetë rreth 230 euro; shumë më
e ulët se sa ajo e sektorit publik. Pjesa më e madhe e bizneseve kosovare kanë
deklaruar se nuk parashohin rritje të pagave në të ardhmen e afërt.
Barrierat kryesore të sektorit privat, të
deklaruara nga vet ndërmarrësit pra, ndërlidhen me a) koston e lartë të
financimit; b) nivelin e lartë të korrupsionit; c) mungesën e përkrahjes shtetërore;
d) konkurencën jo fer (e shtyrë nga informaliteti e evazioni fiskal) dhe e)
mosfunksionimi i sistemit gjyqësor. Në përgjithësi, përgjatë katër viteve të
shkuara shihet se ka një përmirësim të dukshëm në furnizim me energji elektrike
e infrastrukurë; përderisa pjesa më e madhe e barrierave e të bërit biznes kanë
shënuar stagnim apo përmirësim të pavërejtshëm. Gjithsesi, ka një optimizëm të
shpërfaqur gjithandej nga bizneset kosovare për të ardhmen; të gjithë besojnë në
ditë më të ira.
-5-
Pra është esenciale që të ndërtojmë në këtë
optimizëm të bizneseve private, të atyre që kanë potencial për të dërguar përpara
standardin tonë ekonomik. Për të bërë ekonominë më ndryshe, politikëbërja e re
duhet të niset mu nga ta. Sepse neve na duhet një ekonomi më ndryshe; kjo nuk është
më zgjidhje është domosdoshmëri.
Vendi ynë nuk e ka më luksin e pritjes, të rritjeve të ngadalta e të pallavrave politike të ranglistave e shirit-prerjeve. Vendi ynë ka nevojë për krijim, për vlerë, për prodhim e për punë – për punë shumë dhe ata. Vendi ynë ka nevojë të adresojë barrierat ligjore që sigurojnë ambient fer e të barabartë për të gjithë; për ndalje të korrupsionit e zhbërje të burokracisë; për rritje të mekanizmave mbledhës e për luftim të pakompromisë ndaj evazionit e informalititet; për projekte të mëdha në energjetikë, miniera e telekomunikacion që na sjellin investitorë e brende të fuqishme; për siguri politike, të kredibilitetit e garancisë për bërje; dhe në fund, për mbrojtje dhe shtytje të vet sektorit privat, të secilit biznes që sot mezi mbijeton në një klimë të tmerrshme biznesore.
Vendi ynë nuk e ka më luksin e pritjes, të rritjeve të ngadalta e të pallavrave politike të ranglistave e shirit-prerjeve. Vendi ynë ka nevojë për krijim, për vlerë, për prodhim e për punë – për punë shumë dhe ata. Vendi ynë ka nevojë të adresojë barrierat ligjore që sigurojnë ambient fer e të barabartë për të gjithë; për ndalje të korrupsionit e zhbërje të burokracisë; për rritje të mekanizmave mbledhës e për luftim të pakompromisë ndaj evazionit e informalititet; për projekte të mëdha në energjetikë, miniera e telekomunikacion që na sjellin investitorë e brende të fuqishme; për siguri politike, të kredibilitetit e garancisë për bërje; dhe në fund, për mbrojtje dhe shtytje të vet sektorit privat, të secilit biznes që sot mezi mbijeton në një klimë të tmerrshme biznesore.
No comments:
Post a Comment