Sunday, 30 November 2014

NË IKJE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 NËNTOR 2014

Migrimi masiv i kosovarëve - në përmasa të njëjta si njëzet vite më parë - është prova më e qartë, gjithsesi më e trishtë, e derexhesë sonë kolektive, ekonomike, sociale e politike që ka marrë hov tash e sa kohë. Jeta në këtë vend, për fatin tonë të keq, është e papërballueshme në kërkesat e saja minimale.

-1-

Kam pasur gjithmonë një habi kur shikoja numrat e remitencave që vinin në Kosovë; ato vazhdimisht rriteshin. Madje, në kohën e një krize gjithë-evropiane, në vend të rënies e stagnimit, ato megjithatë rriteshin. Kishte dy shpjegime në këtë drejtim; i pari, se vendet evropiane nga ku vinte pjesa më e madhe e diasporës sonë megjithatë ishin më pak të prekura nga kriza. Për dallim nga Kosova, Shqipëria – për shembull – që kishte diasporën e saj në Greqi e Itali, dy vendet më së shumti të prekura nga kjo krizë, kishte pranuar më rëndë efektin. I dyti, ndonëse më pak i pritshëm, ndërlidhej me thyerjen e mitit të mëhershëm, se gjenerata e tretë e diasporës kosovare në bërje e sipër po i humbiste lidhjet me Kosovën dhe rrënjët familjare në Kosovë. Në vend të kësaj teze – mjaft logjike në thelb – Kosova po përjetonte të kundërtën; rritjen e diasporës sonë pra; një rritje që ushqehej nga migrimet e vazhdueshme të kosovarëve që ndodhin edhe sot.

Pamjet televizive që morën hov këtë javë, të të rinjve kosovarë që me autobusë plot po merrnin rrugën e padefinuar për në “ku me ditë ku” në Evropë, dëshmonin, trishtueshëm, por gjithsesi mjaftueshëm këtë të dytën – ikjen e kosovarëve pra. Kjo ikje nuk është fenomen i ri, por vala e re – e mijërave që ikin për një vit – është diçka më ndryshe se ikjet e tjera. Është kthim prapa në autobusët e viteve 90-ta, e lëshimit masiv të Kosovës për shkak të mungesës së shpresës. Ne sapo kemi nisur kështu krijimin e një diaspore të re nga mungesa e një shprese të re; çfarë dëshpërimi.

-2-

Kjo valë, që duket të ketë nisur që nga fillimviti, sa për të dëshmuar kështu pa dyshim edhe ngecjen tonë në krizë ekonomike pas gjithë akrobacioneve politike të dy mandateve të shkuara, arrin një kulminacion të pamenduar vetëm kohë më parë – arrin në plot 14.000 kosovarë të ikur brenda një viti të vetëm.

Ky kontingjent i të rinjve që largohen në masë, përbën pak a shumë edhe kontingjentin neto të forcës punëtore që çdo vit do të duhej të gjente punë në Kosovë. Kaq janë vendet e punës që ky vend i vogël me ide por i madh me mbrapshtësi duhet t’i krijojë për një vit të vetëm. E në pamundësi të bërjes së vendeve të reja të punës, ky vend ka zgjedhur një rrugë tjetër të uljes së papunësisë e zhbërjes së varfërisë – ikjen pra. Prandaj, pak me studentë të përjetshëm, pak me rritje të pagave në sektorin publik (thuajse sektori publik na qenka problemi) e shumë me ikje masive të të rinjve nga Kosova, është blerë dhe paqja sociale në vend. Duke zbrazur e larguar nga tregu i punës një kontingjent të tërë të fuqisë vjetore të punës, ky vend njëmend do të ulë papunësinë në zero.

Ikja dhe largimi nga vendi yt, për një jetë minimalisht dinjitoze, është kufiri i fundit i durimit të njerëzores; dhe në këtë kufi, në skajet e tij, është shtyrë sot një kosovar mu nga vendi i tij. Kjo ikje është përgjigja më e plotë – gjithmonë e trishtë dhe fatkeqe – ndaj gjithë pretendimeve patetike e të lodhshme të militantëve e partiakëve oportunistë se në Kosovë punët po ecin mbarë. Gjithë ato thirrje e mburrje për punë, angazhim, investim, përmirësim, e integrim marrin përgjigje nga 14.000 kosovarë që kanë lëshuar Kosovën sivjet.

-3-

Migrimi masiv i kosovarëve - në përmasa të njëjta si njëzet vite më parë - është prova më e qartë, gjithsesi më e trishtë, e derexhesë sonë kolektive, ekonomike, sociale e politike që ka marrë hov tash e sa kohë. Jeta në këtë vend, për fatin tonë të keq, është e papërballueshme në kërkesat e saja minimale.

Sepse sot, në Kosovën e shtrenjtë, plot 500.000 kosovarë jetojnë me vetëm 1.72 euro në ditë; rreth 70% të rinj janë të papunë e pashpresë, e ata pak të punësuar të tjerë me mezi arrijnë të kalojnë një muaj minimalisht dinjitoz – po patën fat të qëndrojnë shëndosh e të pasëmurë; sepse përndryshe penj, fashë e ujë duhet blerë vet. E kur ecën në cep të pasigurisë e zhgënjimit, ikja – fatkeqësisht – bëhet fare e lehtë. Sot të gjithë jemi të pasigurtë.

-4-

Një analizë hulumtuese e bërë këtë vit nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, kontribut në të cilën kisha dhënë dhe unë, kishte shpërfaqur të gjitha karakteristikat – nga ku dhe motivet – e migruesve kosovarë. Hulumtimi, duke intervistuar migruesit e riatdhesuar, gjente – si arsye të pakontestueshme të ikjes – standardin ekonomik e social të migruesve. Pra, janë motivet socio-ekonomike, saktësisht, niveli i lartë i papunësisë, të ardhurat e pamjaftueshme e kushtet e jetesës në familje, faktorët e arsyes (së vetëdeklaruar) për ikje të 70% të emigrantëve. Pjesa më e madhe e migruesve ishin kryesisht individë të papunë ose në rastin më të mirë si të punësuarit e vetëm në familje.

Përballë një gjendje të tillë të rëndesës sociale, institucionet kosovare kishin zgjedhur, besoni ose jo, trajtimin e migrimit me spote televizive – reklama gjithsesi patetike ku “migrimi ilegal nuk ja vlente”; tregojuni atyre që e kalojnë ditën me 1.72 euro në ditë se sa ja vlen migrimi. Dhe kur ikja kishte shpërthyer me autobusë, ky vend kishte vendosur qw me forcw policore disi t’i mbante brenda. Një akt sinqerisht i pakuptueshëm edhe si responsivitet ndaj problemit por edhe si masë preventive ndaj ikjes.

Por kjo pra është niveli i përgjegjësisë shtetërore përballë një krize të gjithëmbarshme të cilën e paralajmëronim tash e sa kohë. Kjo, lexues, është kriza, me vet trishtimin e saj. E fatkeqësisht, spotet e aksionet policore është edhe sanimi që provohet t’i bëhet pasojave të shkaktuara nëpër vite pandërprerë. Kaq dinë, kaq munden, kaq mërziten.
  
Ne e kemi humbur betejën me të ligën kaherë. E kemi humbur kur në vend të shtetit kemi krijuar perandori politikanësh pa takt, në vend të punës kemi shpenzuar në asfalt miliardash por me bark të thatë, në vend të vlerës kemi falë e zhvatë gjithë pasurinë publike e private, dhe në fund - si për rrumbullakim - të pagdhendurve u kemi lënë rend sa gjithandej. Tash veçse jemi në rënie të lirë.



No comments: