Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 NENTOR 2014
Për të bërë një zgjidhje si kjo, të pritshmen
pra, më logjiken pra, atë të rekomanduarën tash e sa muaj – të njëjtën që muaj
më parë dukej fare e lehtë e tash bëhet peng, Blloku duhet të marrë mbështetjen
publike, të ndërkombëtarëve e Presidentes. Kjo mbështetje do të siguronte se
kompromisi i kërkuar në mes të palëve nuk ka të bëjë me afrimin partiak e kështu
bërjen e institucioneve të përbashkëta, por me kompromisin e pranimit të së pranueshmes
pra, të dy vendimeve të Kushtetueses. I pari që i jep Qeverinë Bllokut dhe i
dyti që i jep Kryeparlamentarin partisë fituese të zgjedhjeve.
-1-
Problemi
i konsolidimit institucional të Kosovës duket se ka marrë rrugë të mbrapshtë;
në atë nivel mbrapshtie sa që durimi i partnerëve tanë ndërkombëtar që provojnë
të mbajnë vendin tonë të vogël në korridoret e agjendave të mëdha po merr fund;
dhe me këtë marrje fundi përfundon edhe toleranca e shprehjeve diplomatike ndaj
klasës sonë politike që gjithsesi se mbetet e çuditshme.
Jo se
janë të gjithë fajtorë; por janë të gjithë pjesëmarrës në prodhimin e ngufatjes
– andaj si pjesëmarrës me apo pa faj, të gjithë trajtohen barabartë për faj.
Kështu një sistem zaptimi i përhapur nëpër të gjitha institucionet
vendimmarrëse të vendit që prodhon një vendim jologjik por gjithsesi
institucional dhe domosdo të respektueshëm – sepse mosrespektimi bëhet dhe më
jologjik – bëhet pikë mbështetje e zaptuesve të partisë fituese të zgjedhjeve,
pra PDK-së. Këtë mundësi mbështetje padyshim u dhuron atyre kokëfortësia e
Bllokut tash e sa muaj, të cilët të thirrur në të drejtë logjike – por të
pakonfirmuara institucionalisht – prodhojnë karta jologjike kundër vetës; diçka
si mbajtja peng e formimit të qeverisë për një pozitë kryeparlamentari.
Kjo kokëfortësi
e forcuar dhe më tepër në dy muaj rresht – që kur përfundojnë interpretimet
Kushtetuese në vend – ka sjellë Bllokun në një situatë edhe më pak të
lakmueshme se sa paraprakja, për çka dhe paralajmëroheshin vazhdimisht. Sepse,
në këto dy muaj pritjeje e takime sterile, herë thirrje për rrugë e herë për
tavolinë, Blloku ka arritur të forcojë edhe faktorizojë vetëm PDK-në. Për veten
ka ruajtur ngacmimet e kërcënimet për ndarje e zhbërje. Pra duke bërë betejën
mu në fushën që PDK ka dashur gjithmonë, Blloku ka vënë në rend të dytë
diskutimin për Qeveri; për fitoren e pastër dhe të sigurt – kushtetuese madje –
që këta kanë marrë muaj më parë.
-2-
Natyrisht
se në këtë forcim e faktorizim kontribut të pashmangshëm kanë dhënë Presidentja
dhe Gjykata Kushtetuese të cilët duket se mbajnë anë. Me vet faktin që kërkojnë
pajtueshmëri e kompromis palësh ata mbajnë pra anë. Dhe kjo mbajtje e anëve nga
ta – mbështetur e forcuar dhe më shumë nga ndërkombëtarët tanë – do të duhej të
shihej jo si dritare e bërjes së drejtësisë, por si mundësi e marrjes së të mundshmes.
Sepse, në të kundërtën, për çdo ditë vonese në mosbërje të institucioneve, PDK
do të ngrihet si alternativë e bërjes së institucioneve nga ndërmjetësuesit –
vendorë e ndërkombëtarë të cilët megjithatë do të duhet të prodhojnë zgjidhje
sepse nuk kemi si shtet e vend shumë kohë.
Dhe në këtë
insistim të vendimmarrësve, institucionalë apo partnershipi, duhet kërkuar dhe
zgjidhjet – në rast se të gjithë nuk pranojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme pra.
Kështu, Blloku, si fituesi më i madh i zgjidhjes politike, duhet të shtrojë
para vetes letrat e që i bëjnë rrugë. Në këtë shtrim blloku duhet të sheh dy
vendime kushtetuese, një insistim presidenteje dhe një mbipërkrahje
ndërkombëtare – të gjitha që kërkojnë pra kompromis. Të drejtën, logjikën a të
mbarësinë ta kërkojnë e korrigjojnë atëherë kur të marrin fuqinë e shtetit.
Tashti nuk kanë kohë e luks për të.
Natyrisht
se ky kompromis – i thirrur nga ndërkombëtarët e të tjerët përcjellës vendorë –
do të jetë plotësisht kushtetues dhe mbi të gjitha, i pacenueshëm nga secili
pretendim tjetër partiak. Thënë ndryshe, nëse Blloku pranon vendimin (jologjik)
të Kushtetueses dhe kalon pozitën e Kryeparlamentarit tek PDK – duke bërë kështu
kompromisin – atëherë të njëjtit hapin rrugën e vetë për bërjen e Qeverisë
sipas interpretimit të parë kushtetues; gjithashtu i mbështetur e përkrahur nga
të gjithë ata që kërkojnë kompromis. Dhe secili pretendim tjetër partiak nga
PDK e zaptuesit e tjerë në shërbim, do të mbetet tërësisht jokushtetues dhe
ekskluzivisht ballafaques me vullnetin qytetar e atë ndërkombëtar.
-3-
Për të bërë
një zgjidhje si kjo, të pritshmen pra, më logjiken pra, atë të rekomanduarën
tash e sa muaj – të njëjtën që muaj më parë dukej fare e lehtë e tash bëhet
peng, Blloku duhet të marrë mbështetjen publike, të ndërkombëtarëve e
Presidentes. Kjo mbështetje do të siguronte se kompromisi i kërkuar në mes të
palëve nuk ka të bëjë me afrimin partiak e kështu bërjen e institucioneve të përbashkëta
mes Bllokut e PDK-së, por me kompromisin e pranimit të së pranueshmes pra, të
dy vendimeve të Kushtetueses. I pari që i jep Qeverinë Bllokut dhe i dyti që i
jep Kryeparlamentarin – spikerin e Parlamentit pra – partisë fituese të
zgjedhjeve.
Kjo
gatishmëri duhet të niset nga Blloku; sepse është mu Blloku që ka më së shumti
për të humbur tani. PDK është veçse e mundur tash e sa kohë; ngritja e saj
graduale – nga e pamundura pra – bëhet paradoksalisht e mundshme vetëm falë insistimit
të Bllokut për më të parëndësishmën.
Në këtë
pikë, Blloku duhet të shtrojë në tavolinën e vet marrëveshjen e nënshkruar muaj
më parë e cila duhet të konsiderohet si evolutive. Kanë kaluar plot pesë muaj,
janë prodhuar vendime kushtetuese, qëndrime publike e zgjerime aleancash;
rrjedhimisht marrëveshja e parë e domosdoshme për besëlidhje e mirëbesim duhet
të transformohet në të pritshmen e kuptueshmën e sotshme. Nëse palët e bllokut
pajtohen me mbajtjen e saj si ën formën origjinale të bërë, atëeherë gjithçka
do të bëhet e lehtë; por nëse për ndonjë arsye duhet të rikonsiderojnë
pozicionet brenda vetes pas gjithë këtyre zhvillimeve, atëherë le ta bëjnë në
këto takimet e zyreve – të ngushta e të mëdha që nuk kanë prodhuar as program,
as plan e as ide funkcionale e të mbështetura ndërkombëtarisht. Të lëvizn pra.
-4-
Kjo
lëvizje duhet domosdo të shmangë rrugën dhe protestën. Sepse nuk arrij të
kuptoj ndaj kujt duhet të protestohet? Ndaj zaptimit si fenomen? Ndaj Gjykatës
Kushtetuese? Ndaj Presidentes? Ndaj ndërkombëtarëve? Cila është adresa e
pakënaqësisë së rrugës në fund të fundit? Kosova ka një Qeveri në largim –
fuqia financiare e së cilës përfundon në më pak se tre muaj; ka një Gjykatë
Kushtetuese që nuk funksionon me protestë; ka një komunitet ndërkombëtar që
institucionalisht nuk ka zë; dhe ka një Presidente e cila mund të arsyetohet se
nuk po arrin pajtim. Për më tepër, protesta do të bënte të vetmin favor që PDK
ka mbetur pa e marrë këto ditë; bërjen e lojës në terren të tyre – të
kërcënimit pra – dhe paraqitjen brutale ndaj të tjerëve si alternativë
joinstitucionale.
Ka një
rrugë më të shpejtë, më të lehtë e më të mençur tani. Kjo rrugë parasheh bërjen
e qeverisë dhe kështu nisjen e zhbërjes së zaptimit nga lartë; nga aty ku
krijohet tash e shtatë vjet. Kjo rrugë nuk është teatrale, as kërcënuese, por
plotësisht kushtetuese. Kjo rrugë do të kursejë Bllokun nga humbja e durimit,
nga përplasjet e brendshme e nga idetë e frikshme për të gjithë ne rreth një
koalicioni të gjerë kur gjithçka digjet e asgjë nuk ndërron.
Sepse,
nuk do të ketë asnjë skenarë tjetër më të dëmshëm, më jokredibil e më konsumues
të shpresës se sa një koalicion i gjerë e gjithëpërfshirës siç dhe mund të
ndodhë po që se partiakët nuk arrijnë të shtrojnë zgjidhjen – konfrom Kushtetueses.
Ky zgjerim vetëm se do të vë vendin në status-quo e shtangje; përderisa ka
hargjuar gjithë alternativën opozitare të ndërtuar në katër vitet e shkuara të
jetës politike.
Në fund fare,
do të përfundoj këtë kolumne me fjalët e njëjta të përdorura dy muaj më parë në
kolumnën time të 12 shtatorit të këtij viti; asgjë nuk ka ndryshuar nga atëherë
në të mirë të Bllokut; shumëçka në të mirë të zaptuesve: “...nëse blloku njëmend dëshiron ta zotojë më në fund qeverinë e t’i jap
fund gjithë pretendimeve për një qeverisje regresive nga PDK-ja e sotshme,
atëherë ka gjithçka në dorë të vet. Në “Ditën B”, ditën e bllokut, të bashkimit
apo të rastit të dytë, blloku – si në një lëvizje të mençur shahi – mund të
sakrifikojë mbretëreshën për fitore; të jap kryeparlamentarin për një qeveri të
tyre. Secili kërkim për më shumë, ndonëse i mundshëm padyshim, hapë rrugë për
rreziqe të reja, për ngërç dhe më të thellë e pa fund – deri në zgjedhje të
reja”.
No comments:
Post a Comment