Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 NËNTOR 2014
Migrimi masiv i kosovarëve - në përmasa të
njëjta si njëzet vite më parë - është prova më e qartë, gjithsesi më e trishtë,
e derexhesë sonë kolektive, ekonomike, sociale e politike që ka marrë hov tash
e sa kohë. Jeta në këtë vend, për fatin tonë të keq, është e papërballueshme në
kërkesat e saja minimale.
-1-
Kam
pasur gjithmonë një habi kur shikoja numrat e remitencave që vinin në Kosovë;
ato vazhdimisht rriteshin. Madje, në kohën e një krize gjithë-evropiane, në
vend të rënies e stagnimit, ato megjithatë rriteshin. Kishte dy shpjegime në
këtë drejtim; i pari, se vendet evropiane nga ku vinte pjesa më e madhe e
diasporës sonë megjithatë ishin më pak të prekura nga kriza. Për dallim nga
Kosova, Shqipëria – për shembull – që kishte diasporën e saj në Greqi e Itali,
dy vendet më së shumti të prekura nga kjo krizë, kishte pranuar më rëndë
efektin. I dyti, ndonëse më pak i pritshëm, ndërlidhej me thyerjen e mitit të mëhershëm,
se gjenerata e tretë e diasporës kosovare në bërje e sipër po i humbiste
lidhjet me Kosovën dhe rrënjët familjare në Kosovë. Në vend të kësaj teze –
mjaft logjike në thelb – Kosova po përjetonte të kundërtën; rritjen e diasporës
sonë pra; një rritje që ushqehej nga migrimet e vazhdueshme të kosovarëve që
ndodhin edhe sot.
Pamjet
televizive që morën hov këtë javë, të të rinjve kosovarë që me autobusë plot po
merrnin rrugën e padefinuar për në “ku me ditë ku” në Evropë, dëshmonin,
trishtueshëm, por gjithsesi mjaftueshëm këtë të dytën – ikjen e kosovarëve pra.
Kjo ikje nuk është fenomen i ri, por vala e re – e mijërave që ikin për një vit
– është diçka më ndryshe se ikjet e tjera. Është kthim prapa në autobusët e
viteve 90-ta, e lëshimit masiv të Kosovës për shkak të mungesës së shpresës. Ne
sapo kemi nisur kështu krijimin e një diaspore të re nga mungesa e një shprese
të re; çfarë dëshpërimi.
-2-
Kjo valë,
që duket të ketë nisur që nga fillimviti, sa për të dëshmuar kështu pa dyshim
edhe ngecjen tonë në krizë ekonomike pas gjithë akrobacioneve politike të dy mandateve
të shkuara, arrin një kulminacion të pamenduar vetëm kohë më parë – arrin në
plot 14.000 kosovarë të ikur brenda një viti të vetëm.
Ky
kontingjent i të rinjve që largohen në masë, përbën pak a shumë edhe
kontingjentin neto të forcës punëtore që çdo vit do të duhej të gjente punë në
Kosovë. Kaq janë vendet e punës që ky vend i vogël me ide por i madh me
mbrapshtësi duhet t’i krijojë për një vit të vetëm. E në pamundësi të bërjes së
vendeve të reja të punës, ky vend ka zgjedhur një rrugë tjetër të uljes së
papunësisë e zhbërjes së varfërisë – ikjen pra. Prandaj, pak me studentë të përjetshëm,
pak me rritje të pagave në sektorin publik (thuajse sektori publik na qenka
problemi) e shumë me ikje masive të të rinjve nga Kosova, është blerë dhe paqja
sociale në vend. Duke zbrazur e larguar nga tregu i punës një kontingjent të tërë
të fuqisë vjetore të punës, ky vend njëmend do të ulë papunësinë në zero.
Ikja dhe
largimi nga vendi yt, për një jetë minimalisht dinjitoze, është kufiri i fundit
i durimit të njerëzores; dhe në këtë kufi, në skajet e tij, është shtyrë sot një
kosovar mu nga vendi i tij. Kjo ikje është përgjigja më e plotë – gjithmonë e
trishtë dhe fatkeqe – ndaj gjithë pretendimeve patetike e të lodhshme të
militantëve e partiakëve oportunistë se në Kosovë punët po ecin mbarë. Gjithë
ato thirrje e mburrje për punë, angazhim, investim, përmirësim, e integrim
marrin përgjigje nga 14.000 kosovarë që kanë lëshuar Kosovën sivjet.
-3-
Migrimi
masiv i kosovarëve - në përmasa të njëjta si njëzet vite më parë - është prova
më e qartë, gjithsesi më e trishtë, e derexhesë sonë kolektive, ekonomike,
sociale e politike që ka marrë hov tash e sa kohë. Jeta në këtë vend, për fatin
tonë të keq, është e papërballueshme në kërkesat e saja minimale.
Sepse
sot, në Kosovën e shtrenjtë, plot 500.000 kosovarë jetojnë me vetëm 1.72 euro
në ditë; rreth 70% të rinj janë të papunë e pashpresë, e ata pak të punësuar të
tjerë me mezi arrijnë të kalojnë një muaj minimalisht dinjitoz – po patën fat
të qëndrojnë shëndosh e të pasëmurë; sepse përndryshe penj, fashë e ujë duhet
blerë vet. E kur ecën në cep të pasigurisë e zhgënjimit, ikja – fatkeqësisht –
bëhet fare e lehtë. Sot të gjithë jemi të pasigurtë.
-4-
Një
analizë hulumtuese e bërë këtë vit nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur,
kontribut në të cilën kisha dhënë dhe unë, kishte shpërfaqur të gjitha
karakteristikat – nga ku dhe motivet – e migruesve kosovarë. Hulumtimi, duke intervistuar
migruesit e riatdhesuar, gjente – si arsye të pakontestueshme të ikjes –
standardin ekonomik e social të migruesve. Pra, janë motivet socio-ekonomike, saktësisht, niveli i lartë i papunësisë,
të ardhurat e pamjaftueshme e kushtet e jetesës në familje, faktorët e arsyes
(së vetëdeklaruar) për ikje të 70% të emigrantëve. Pjesa më e madhe e migruesve
ishin kryesisht individë të papunë ose në rastin më të mirë si të punësuarit e
vetëm në familje.
Përballë një
gjendje të tillë të rëndesës sociale, institucionet kosovare kishin zgjedhur,
besoni ose jo, trajtimin e migrimit me spote televizive – reklama gjithsesi
patetike ku “migrimi ilegal nuk ja vlente”; tregojuni atyre që e kalojnë ditën
me 1.72 euro në ditë se sa ja vlen migrimi. Dhe kur ikja kishte shpërthyer me
autobusë, ky vend kishte vendosur qw me forcw policore disi t’i mbante brenda.
Një akt sinqerisht i pakuptueshëm edhe si responsivitet ndaj problemit por edhe
si masë preventive ndaj ikjes.
Por kjo pra është
niveli i përgjegjësisë shtetërore përballë një krize të gjithëmbarshme të cilën
e paralajmëronim tash e sa kohë. Kjo, lexues, është kriza, me vet trishtimin e
saj. E fatkeqësisht, spotet e aksionet policore është edhe sanimi që provohet
t’i bëhet pasojave të shkaktuara nëpër vite pandërprerë. Kaq dinë, kaq munden,
kaq mërziten.
Ne e
kemi humbur betejën me të ligën kaherë. E kemi humbur kur në vend të shtetit
kemi krijuar perandori politikanësh pa takt, në vend të punës kemi shpenzuar në
asfalt miliardash por me bark të thatë, në vend të vlerës kemi falë e zhvatë
gjithë pasurinë publike e private, dhe në fund - si për rrumbullakim - të
pagdhendurve u kemi lënë rend sa gjithandej. Tash veçse jemi në rënie të lirë.