Monday, 7 July 2014

NJË INTERPRETIM I INTERPRETIMIT TË PAINTERPRETUESHËM

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 4 KORRIK 2014

Sado që dua ta refuzoj si mendim – sepse nuk më shijon mirë – ka një probabilitet logjik se e gjithë ideja e lënies së zgjidhjes së mandatari në gjykim të Presidentes (me apo pa qëllim) është shndërruar në një letër të fortë për komunitetin ndërkombëtar – vendimmarrësit e vërtetë në këtë vend të vogël e të pa zot. Të njëjtit do të zgjedhin qeverinë e ardhshme – nëpërmjet gjykimit të Presidentes të zgjedhur nga ta (dhe me zarf) – varësisht se sa e kush ua mbushë syrin e mendjen më shumë në ditët në vijim – apo ua ka mbushur deri më tash.


Me apo pa qëllim, në kohën kur kërkohej qartësi e ecje tutje, Gjykata Kushtetuese e Kosovës prodhoj – atë që do të njihet nga sot e tutje mesiguri – pikën më të rëndësishme referenciale në zgjidhjet e ardhshme të qeverisë; dhe atë me shumë paqartësi. Atëherë kur më së shumti pritej qartësim, Kushtetuesja ofroj një interpretim të ri që kërkon riinterpretim – nëse ka një të tillë gjithsesi. Me ose pa dashje, Kushtetuesje u mundësoj secilës palë të interpretojë interpretimin e tyre si të duan – një lëmsh tipik kosovar – për të dhënë në fund një fuqi të re presidenciale, të diskrecionit e gjykimit individual.

Menjëherë pas kumtesës, në përpjekje të qartësimit të mëtutjeshëm, filloi një cikël i ri interpretimi nga gjithsecili. E për të bërë interpretim të interpretimit, nuk do të thotë të jesh jurist – mjafton të dish shqip; aq sa për të lexuar e kuptuar vet kumtesën. Sepse, dhe kjo natyrshëm, interpretimi si akt final i Kushtetueses, bëhet për t’u kuptuar nga të gjithë. E në këtë kuptim të bërë nga të gjithë, ka disa elemente konsensuale që dalin nga ky dokument.

Pra ka disa elemente të përbashkëta të interpretimit kushtetues që megjithatë japin një kornizë të përafërt të ngjarjeve që mund të ndodhin në ditët në vijim. Dhe, elementi më konsensual i interpretimit të kumtesës kushtetuese është –  dhe kjo ka shumë rëndësi – se Kushtetuesja qartëson një herë e mirë se termi “koalicion” në Kushtetutë i referohet vetëm koalicioneve parazgjedhore dhe jo atyre të formuara pas zgjedhjeve – rrjedhimisht, të gjitha të drejtat e dedikuara me Kushtetutë për koalicione i takojnë të bashkuarve parazgjedhjeve. Këtë qartësim, natyrshëm, Kushtetuesja e bën nëpërmjet referimit tek Ligji i Zgjedhjeve.

Një definim i tillë prodhon dy efekte imediate. Efekt i parë, i pranuar nga të gjithë (pozitë e opozitë) parapërcakton se mandatari i parë, sipas interpretimit kushtetues, i takon partisë (ose koalicionit parazgjedhor) fitues të zgjedhjeve. Pra të drejtën propozuese të parë – siç definohet me Kushtetutë – nuk mund të ja kontestoj askush partisë fituese të zgjedhjeve PDK-së; përfshirë edhe Presidenten. Sipas këtij interpretimi, menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve e konstituimit të Parlamentit, Presidentja do të mandatojë kandidatin e propozuar nga PDK – i cili më pas do të duhej të siguronte 60+1 votat e nevojshme për të formuar qeverinë; i gjithë procesi duhet të përmbyllet për 15 ditë.

Efekti i dytë, ndërsa, është më i ndërlikuar, dhe reflekton në pozitën e kryeparlamentarit. Sepse, sipas të njëjtës Kushtetutë, zgjidhja e kryekuvendarit bëhet pas propozimit të grupit më të madh parlamentar në seancën konstituive të Kuvendit. Nëse, dhe kjo mund të ketë një rrjedhë logjike, fituesi i zgjedhjeve (pavarësisht vendeve parlamentare) ka të drejtën e mandatarit të qeverisë, atëherë natyrshëm se e njëjta e drejtë do të derivojë edhe tek pozita e Parlamentarit – sepse grupi më i madh parlamentar në minutën e parë të fillimit të punimeve Kuvendore i takon partisë fituese dhe jo koalicioneve paszgjedhore – që dalin (gjithmonë sipas interpretimit Kushtetues) të jenë të parëndësishme në këtë kontekst. Nëse është kështu, atëherë ky efekt prodhon dy rezultate të tjera; i pari – dhe më pak i rëndësishëm, është se opozita e bashkuar humbë pozitën e kryekuvendarit; e dyta, dhe shumë më e rëndësishme, partia fituese merr të drejtën e propozimit, por nuk ka votat e mjaftueshme për ta zjgedhur atë, rrjedhimisht vendi shkon në zgjedhje të reja – qëllimi ultim i partisë fituese.


***

Me ose pa dashje, komplikimi fillon pas tentativës së parë mandatuese; në rast se – dhe kjo ka gjasa shumë të ndodhë, i mandatuari i parë të mos sigurojë votat e nevojshme, gjithmonë për shkak të një afrimi opozitar që duket se do të mbetet i ngurtë.

Në rast të mosmarrjes së votave, sipas interpretimit Kushtetues, Presidentja fiton të drejtën e diskrecionit dhe gjykimit vetanak – një fuqi e re enorme në përcaktimin e fatit të institucioneve nga një individ. Pra, në rast të dështimit të parë, Presidentja, në diskrecionin e saj, konsultohet me secilin grupacion politik që ka kaluar pragun zgjedhor – parti ose koalicion parazgjedhor. Pra sipas interpretimit Kushtetues, Presidentja nuk përjashton askënd, as partinë e koalicionin fitues të zgjedhjeve por as partitë që kanë kaluar pragun zgjedhor. Thënë ndryshe, Presidentja mban në vete mundësinë e vlerësimit se kush ka mundësi të sigurojë shumicën e deputetëve në Parlament.

Kam dy probleme me diskrecionin e Presidentes; pra me të drejtën që vet Presidentja (sot – ose Presidenti tjetër nesër) mund të përcaktojë sipas gjykimit të saj se kush ka shumicë e kush jo. E para, vetëgjykimi i shumicës është fuqi enorme për një figurë (potencialisht nesër) me preferenca partiake që ka marrë postin e Presidentit disi – pa përjashtuar edhe këtë të tanishmen. Sepse, sipas kësaj logjike, Presidentja mund të arsyetohet se grupacioni “iks” – sipas gjykimit të saj – ka shumicën – kur nuk e ka. Rrjedhimisht, votimi i dytë, me qëllim, prodhon mungesë votash dhe shkuarje në zgjedhje të reja.  

Problemi i dytë, dhe shumë i mundshëm me një diskrecion të tillë, është se Presidentja, edhe sikur të dojë mund të mos dijë se kush ka shumicën ose jo. Çka nëse një grupacion “iks” pretendon se i ka votat – pavarësisht nënshkrimit të deputetëve ose jo; çka nëse të njëjtit argumentojnë se votimi i fshehtë u jep siguron votë atyre? Çka nëse është ashtu? A është i gjithë diskrecioni çështje bindjesh e prezantimesh para Presidentes, se kush e bën më mirë e më bindshëm?

Pra një precedent i tillë lë mundësi për shumë paqartësi në të ardhmen, lë shumë fuqi për ripërsëritje zgjedhjesh, dhe potencialisht, lë mundësi për kapje shteti nga një parti që nesër mund të shtyjë presidentin e vet – që gjithmonë të ketë rivotime sepse Presidenti nesër ka gjykuar ashtu; pa çka që ka gabuar në gjykim – është punë diskrecioni i tij personal. Besoj se Kushtetuta duhet të jetë shumë më e qartë.

***

Sado që dua ta refuzoj si mendim – sepse nuk më shijon mirë – ka një probabilitet logjik se e gjithë ideja e lënies së zgjidhjes së mandatari në gjykim të Presidentes (me apo pa qëllim) është shndërruar në një letër të fortë për komunitetin ndërkombëtar – vendimmarrësit e vërtetë në këtë vend të vogël e të pa zot. Të njëjtit do të zgjedhin qeverinë e ardhshme – nëpërmjet gjykimit të Presidentes të zgjedhur nga ta (dhe me zarf) – varësisht se sa e kush ua mbushë syrin e mendjen më shumë në ditët në vijim – apo ua ka mbushur deri më tash.

Në këtë faze, ndërkombëtarët, nëpërmjet Presidentes së zgjedhur nga ta (dhe me zarf), mund të ndikojnë në gjykimin e saj – pra diskrecionin e saj – që del të jetë sipas Kushtetutës e interpretimit nga Kushtetuesja vendim përfundimtar. Thënë ndryshe, mandatari i ri varet jo nga diskrecioni i Presidentes, por nga diskrecioni i ndërkombëtarëve që ushtrojnë autoritet mbi Presidenten e zgjedhur nga ta (dhe me zarf).

Mirë ose jo, diskutim në vete. Ndoshta një shtrëngim i tillë për ta e për ne është edhe garancë e stabilitet – ndoshta dhe jo. Por ama, pavarësisht të gjithave, është e sigurtë se në këtë pikë, partitë – veçanërisht  ato opozitare – kanë shumë pak luks të kushtëzojnë ndërkombëtarët; as në bisedime, as në privatizim e as në makromenaxhim të vendit. Sepse po kushtëzuan tani, të gjithë do të zëvendësohen nëpërmjet diskrecionit të Presidentes; sepse ky diskrecion ka mundësinë e mandatimit të tjetrit – e tha Kushtetuesja në fund. Një fuqi enorme – gjithsesi e lehtë – e insticuionalizuar, e vulosur dhe e dorëzuar tek ta pa fare shfaqje e pa fare fjalë.



No comments: