Monday, 28 July 2014

PLEQNARËT

Letra nga limbo
KOHA DITORE 25 KORRIK 2014

Kushtetuesja nuk është bërë për të zëvendësuar e kryer punën e të tjerëve; punën e Presidentes kur nuk din mandatarin; punën e kryesueses së Kuvendit kur nuk ndjekë rendin; punën e partive që ngatërrojnë ulëset dhe vendin. Por, fatkeqësisht, po bëhet si e tillë. Sepse, në mungesë integriteti e guximi, në nevojë për të shtyrë e larguar përgjegjësinë nga vetja, të gjithë shohin nga pleqnarët - të urtë e të mençur, protektorë e gjykues të së vërtetës dhe jo ndryshe, dinjitarë profetikë që kanë zgjidhje për gjithçka, për gjithkënd, gjithherë – dhe më e rëndësishmja, mbi të gjithë.


-1-

Sikur gjashtë vjet më parë zaptuesit e deritanishëm të dinin fuqinë e sotshme të Kushtetueses, nuk do të lenin gur pa lëvizur e letër pa djegur për të vendosur një grumbull militantësh – dhe jo më pak – partiakë. Mund ta kenë bërë dhe atëherë ndoshta – këtë nuk arrij ta di ende, vendimet do ta thonë – por ama, po të dinin njëmend fuqinë e saj do ta bënin zaptimin pa pardon, pa finesë e pa gajle – siç bënë në secilin institucion tjetër publik. Por nuk e dinin, sepse për të ditur duhet dije, e për të pasur dije duhet lexim, e për lexim nuk duhet nxënë ngushtë zaptuesit tanë sepse nuk ua do rendi e zemra shumë.

Në të vërtetë, leximin e këndimin e vetëm që zaptuesit duket të kenë bërë janë mu ato rreshta kushtetues dhe vetëm atëherë kur kuptuan fuqinë e rendit e ligjit pa miq allishverishesh ndërkombëtarë – që nuk janë më. E si të paditur e të palexuar zaptuesit që janë, sot mund të mallkojnë secilën ditë që u sjell pasiguri – si një ditë e rëndë kumari në ruletin francez; kuq apo zi janë bastet.

Do ta ndalnin gurin e ruletit vetëm në zi, ç’është e vërteta, sikur të lexonin e kuptonin mirë gjashtë vite më parë fuqinë kushtetuese të – siç mund ta kenë para ata – një “libri me kore të forta shumë”. Sepse gjashtë vite më pas, ky grumbull pleqnarësh, po të ishte i zaptuar si duhet e si e do rendi zaptues, nuk do t’i jepte dy mandatarë, por një, nuk do të komplikonte interpretimin me gjuhën që zaptuesit nuk e kuptojnë dot, por do ta thoshte thjeshtë, troç, pastër – vetëm për ta; gjithçka është e juaja zaptues – gjithçka. Juve, dhe askujt tjetër, i takon ky shtet, ky vend, ky pushtet. Edhe atëherë kur tetëdhjetë e tre bëhen kundrejt tridhjetë e shtatë e kur tridhjetë e shtatë s’bëhen dot gjashtëdhjetë e një.

-2-

Sot, pa vullnetin e tyre them unë, Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një arenë pleqnarësh; "të urtë e të mençur, protektorë e gjykues të së vërtetës dhe jo ndryshe, dinjitarë profetikë” që kanë zgjidhje për gjithçka, për gjithkënd, gjithherë – dhe më e rëndësishmja, mbi të gjithë. Problem me President; dërgo në Kushtetuese; problem me Parlament; dërgo në Kushtetuese, problem me Qeveri; dërgo në Kushtetuese; problem me grupe parlamentare, lista zgjedhore, përcaktime vendesh, rend diskutimi, rregullore pune e mocion ndryshimi – dërgo të gjitha në Kushtetuese.

Jo se nuk duhet të kemi Kushtetuese që ka punë – do të ishte sinqerisht e tmerrshme e bajate politikëbërja ndryshe – në të vërtetë pa të do të do të kishim zaptim me plot kuptimin e fjalës. Por se, kur dërgon kaq shumë mospajtime në Kushtetuese, fillon të pyesësh veten se mos rastësisht jemi duke e shndërruar një trup verdikti - i cili do të duhej të merrej rrallë e për mall me gabimet kushtetuese (sepse gabimet kushtetuese duhej të ishin sipas kuptimplotshmërisë të rralla e për malla) – në një institucion administrativ e zëvendësues të të tanishmëve?! A nuk po i shndërrojmë  “të mençurit, protektorët, gjykuesit e dinjitarët profetikë” – në individ që bëjnë punën e Presidentit, Kuvendit, Kryeministrit e secilit tjetër në atë grumbull vendimmarrës që gabojnë gjithherë rëndë – prandaj dhe Kushtetuesja? Në fund të fundit, nëse ka kaq punë për pleqnarët, a nuk do të duhej të kishte më pak punë për të tjerët? Nëse të tjerët na dalin kaq të gabuar – dhe në vazhdimësi –  a nuk do të duhej të pakoheshin e largoheshin si të gabuar të gjithë? Ky gabim, ndër të tjerash, përbën mesazhim më joserioz që një grumbull liderësh mund të dërgojnë sot tek kosovarët. Kur ata dalin kaq jokushtetues e kaq shkelës të kushtetueses, me cfarë tagri kërkojnë kompliancë qytetare ndaj Kushtetutës, ligjeve e rregullave publikë?

Kushtetuesja nuk është bërë për të zëvendësuar e kryer punën e të tjerëve; punën e Presidentes kur nuk din mandatarin; punën e kryesueses së Kuvendit kur nuk ndjekë rendin; punën e partive që ngatërrojnë ulëset dhe vendin. Por, fatkeqësisht, po bëhet si e tillë. Sepse, në mungesë integriteti e guximi, në nevojë për të shtyrë e larguar përgjegjësinë nga vetja, të gjithë shohin nga pleqnarët.


-3-

Kështu, Kushtetuesja, pasi kishte rrëzuar dy Presidentë katër vjet më parë, mban në dorë sërish fuqinë e rrëzimit të gjithçkaje që vendi ka; të Qeverisë, Parlamentit dhe sërish Presidentit – varësisht se kush kundër kujt është sot. Sepse, fillimisht, këtë fuqi e kërkuan nga ta, dhe se, më pas, duket se të gjithë dalin të gabuar sa s’bëhet më.

Dhe ka një arsye të shëndoshë që politika kosovare ka nevojë për ndërmjetësues; është e mësuar ashtu; të ndërmjetësohet pra. Pothuajse për secilën ide që kërkohet pak përgjegjësi, integritet e në fund guxim – hiqet dorë – për të përfunduar pra në Kushtetuese. Dikur, fatkeqësisht madje, rolin e gjykatësve, pleqnarëve e kushtetues-interpretuesve e luanin diplomatë aventuristë ndërkombëtarë. Tash kur diplomatë ndërhyrës më nuk ka, këta politikëbërës drejtojnë gjithçka për në Kushtetuese. Pra kanë nevojë për udhëzim, pleqnim të ballafaqimeve nga më të ndryshmet.

Kushtetuta, pra, nuk është libër gjithëpërfshirës, manual i detajuar i bërjes së punëve të Presidentit, Kryevkuvendarit e Kryeministrit. Asnjë Kushtetutë në asnjë vend nuk ka brumë mjaftueshëm për të specifikuar e detajuar – le të themi – cili është grupi më i madh Parlamentar; ku duhet të ulen deputetët, apo a ka ose jo të drejtë kryesuesja të ndërrojë rendin e ditës. Disa gjëra pra mund të mos gjejnë asnjëherë përgjigje në Kushtetutë e Kushtetuese, sepse nuk janë të predispuara për të gjetur zgjidhje atje – nuk janë shkruar asnjëherë atje. Në rastin më të shëndoshë të mundshëm, një Kushtetuese as nuk do të merrej me zgjidhjen e problemeve politike e administrative – e bën rendi dhe logjika e rrjedhave politike. Nëse dikush mund të ngre pyetje për një procedurë parlamentare në Kushtetuese, e gjitha çfarë kjo trupë mund të bëjë është të tregojë se a thotë apo jo diçka për këtë procedurë “libri me kore të forta”. Nëse jo, përgjigja Kushtetuese është jo gjykuese e rrjedhave të ardhshme – për çfarë kërkohet qartësim nga politikëbërësit. Kështu kërkuesit e pleqnimit mbesin sërish në rrugë pa udhë; siç ishte edhe rasti i mandatarit të dytë që i’u la në diskrecion të Presidentes.

-4-

Është e pamundur të dihet përfundimi i sagës së tanishme. Sepse sa më shumë procese marrin jetë, aq më e komplikuar del të jetë vetë jeta politike në vend. Dhe ka diçka që nuk shkon për pjesën më të madhe të ngjarjeve në vend; e që sërish përfundojë në Kushtetuta. E para, dhe më e rëndësishmja, është se ky “libër me kore të forta” nuk është shkruar asnjëherë në shqip; është përkthyer në shqip. E si mjet i imponuar e jo i buruar nga rrjedha logjike dhe vullneti nacional – pra si kompromis i pavarësisë – ky libër mban me vete një sërë defektesh që duhet herë do kurdo korrigjuar se s’bëhet ndryshe. Pjesë e këtyre ndryshimeve le të jetë – në formë kristal të qartë të shkruar – edhe i gjithë procesi i zgjedhjes, koalicioneve e grupeve zgjedhore – le t’ua bëjmë të qartë shqiptarëve secilin detaj.

E dyta,  praktika e pleqnimit – si formë zgjidhje e udhëzimi – duhet të rrallohet sa më shpejtë. Jo se duhet parandaluar dikujt mendim-kërkimin e pleqnarëve kushtetues; në asnjë formë e asnjëherë. Ka e do të ketë – nëse ndërtojmë njëmend demokraci – nevoja për interpretime kushtetuese; në të kundërtën ta quajmë diktaturë. Do të doja natyrisht, që këto interpretime kushtetuese të mos kenë objekt Qeverinë – që del të jetë shkelësi më i rëndë i “librit me kore të forta”, por të kenë relacione tjera; të vendimeve gjyqësore, të të drejtave bazike të njeriut, të relacioneve pra të natyrave jopolitike e pritjeve për udhëzim se nga duhet shkuar Presidenti, Kryekuvendari e kryesuesi i një seance konstituive.

Kështu siç ndodhë tani, ky vend do të mbetet vazhdueshëm në kërkim të një supremacie vendimmarrëse, që ndanë shapin prej sheqerit, e që jep udhë mençurie e diktati për secilin politikë bërës. Ky vend, për dallim nga rrjedha e tanishme, ka nevojë për liderë e udhëheqës politik që dinë çfarë kërkojnë e çfarë të bëjnë kur marrin ulësen e parisë.





No comments: