Letra nga limbo
KOHA DITORE, 27 QERSHOR 2014
Mbi futbollin si
biznes, sport e pasion
-1-
Kam dashur gjithmonë të shkruaj një kolumne për futboll, sepse e kam përjetuar futbollin po aq sa
shkrimin e edhe më shumë se sa profesionin tim, ekonominë. Nuk besoj se do të më
zihet për të madhe nga lexuesit provimi i devijimit nga rrjedha standarde e
shkrimeve të mëparshme; besoj se më lejohet një aksident si ky – një herë në
katër vjet fundja.
Sepse nuk do t’i falja vetes injorimin e një pasioni të ngjizur plot njëzet
vjet më parë; me dy golat e Massaro-s, një të Savicevic e një të Desailly – në
atë që dikur do të bëhej substanca e vikendeve të mija për njëzet vjet rresht, anën
kuq e zi të Milanos, Ac Milan. Tash kur kujtoj në retrospektivë vikendet me
“teletext” të RaiDuo-s, me përmbledhjet e “Laolas” në DSF, e – kur u bë mirë –
edhe transmetimet e drejtpërdrejta me komentime shqip, kuptoj edhe madhështinë që
futbolli ngjallë tek të tjerët.
Dhe këtë madhështi, nuk e dyshoj, futbolli arriti ta ngjallë edhe nëpërmjet
Kampionatit Botëror të sivjetmë, që përkundër devijimeve e diskutimeve
socio-ekonomike mbi arsyeshmërinë ose jo të shpenzimeve miliardëshe nga një
vend që ende ballafaqohet me varfëri, megjithatë jep një pasqyrë të këndshme
për vendin organizator, Brazilin. Sepse, siç dhe ndodh rëndom me ngjarje të
tilla, post-Kampionatit vendi do të vazhdojë të jetë atraktiv për turistë,
vizitorë e futbolldashës; stadiumet e ndërtuara do të shërbejnë si inpute të
shkëlqyeshme revitalizuaese për kampionatin lokal – sidomos kur futbolli është
më shumë se sport, pra është industri; ndërkaq imazhi i reflektuar nëpër botë
do të ekojë për një kohë të gjatë. Pra, padyshim se ka e do të ketë garë për
organizime kampionatesh nga supervende, sepse është një investim që ja vlen –
sepse kthehet, dhe kthehet mirë shumë madje.
-2-
Dhe ana më e këndshme e Kampionatit, këtë herë për ne – del të jetë
superperformanca e shqiptarëve atje. Fatkeqësisht jo me përfaqësueset
potenciale të Shqipërisë e Kosovës, por fatmirësisht – më mirë se sa hiç, me
shqiptarë të diasporës në reprezentacione evropiane. Përderisa Shqipëria e
Kosova të ndërtojnë suksesin e vendeve të regjionit, ne do të duhet të
mbështesim emocionet tona tek ato pak elemente individuale që si vend e komb i
dërgojmë nëpërmjet të tjerëve; të larguarve nga këtu, të strehuar atje.
E këtë javë Zvicrra foli shqip! Mbas shumë përpjekjesh të mundimshme e
të dhimbshme të shqiptarëve emigrantë nëpër Evropë, kualifikimi me gola
shqiptarësh ishte fotografia më e mirë që dikush për veti e për ne mund të
ndërtonte sot. Shqiptarët në diasporë - nëpërmjet Shaqirit me shokë - më në
fund i dhanë mirënjohje shtetit që u dha mundësi kur kishin nevojë, e
faqebardhësi atdheut prej nga ata e prindërit e tyre vijnë. Këta shqiptarë
përbëjnë forcën ambasadore më substanciale të mundshme që një vend mund ta
prodhojë jashtë.
Natyrisht se do të doja që në vend të Zvicrës të shija përfaqësuesen e
Kosovës apo e Shqipërisë; që këto dy përfaqësuese të kenë individualistë të
talentuar si këta, por ja që nuk i ka prandaj dhe përfaqësueset tona shikojnë
kampionatet nga komforti shtëpiak. Natyrisht se do të doja që këta individë të
talentuar të luanin për përfaqësueset tona – pa e ndarë mendjen për cilën, për
Kosovën apo për Shqipërinë – por ja që të njëjtit janë formuar, shkolluar e
mbështetur nga një vend tjetër që u dha mundësi, edukim e përfaqësim si të mos
ishin të huaj. Prandaj dhe kthimi i favorit merr kuptim, për më tepër kur me
këtë kthim emri Kosovë përmendej nëpër botë gjithandej.
Në Kosovë, ndërsa, paraqitjet e Zvicrës u pritën me plot entuziasëm. Zërat
kritikues e ultra-patetit po zhbëhen secilën ditë e më shumë. Do të shuhen
eventualisht të gjithë; për të kuptuar se paraqitjet e tilla janë veçse përfituese
për vendin tonë. Sepse, një, dërgojmë mesazh jashtë më ndryshe nga lajmet e
deritanishme të hajnive, therjeve e prerjeve në fyt; dhe se dy, sepse dërgojmë
mesazh brenda se ky vend ka brumë për sportistë profesionistë që arrijnë majat
e botës. Pra, nëse këta individë shqiptarë, me një sistem të sofistikuar
sportiv evropian, arrijnë të bëhen super-profesionist, atëherë e tëra çfarë
duhet ky vend të bëj për sportistët e tjerë që i ka këtu është ndërtimi i
strukturave të sofistikuara që brumin e futbollit kosovar e shndërrojnë në shpërthim
profesional. Ky vend i vogël i yni, duhet të shoh seriozisht futbollin si
industri dhe jo vetëm sport. Nga futbolli ky vend mund të sigurojë eksport
milionësh – siç dhe bëjnë vendet e rajonit, Koracia, Mali i Zi (i vogël), Serbia
e Bosnja.
-3-
Bosnja, ndërsa, përfaqëson një tregim tjetër – shumë të veçante madje – në këtë kampionat. Siç dhe u përshkrua me
mjeshtri nga gazetat perëndimore, ekipi boshnjak është i ndërtuar sot nga “fëmijët
e luftës”; pra nga individë që i kanë mbijetuar luftës si fëmijë, janë rritur
nëpër tranzicion si të rinj, e kanë shpërthyer si profesionistë kur janë
rritur. Të njëjtit sot dëshmojnë me shumë mjeshtëri e simpati, se si një vend –
nëpërmjet sportit – arrin të ngrihet mbi gërmadhat e neveritshme që i ka bërë
vet dikur, e të shtyhet jaka-jak një ditë me Argjentinën e Messit diku nëpër
botëror.
Bosnja mund të ketë njëmijë e një probleme politike e funksionale sot si
shtet – me Bosnjën politike mund të mburret rrallëkush; por rimëkëmbja e tillë
nëpërmjet sportit është shembull që vlen të ndiqet nga secili vend tjetër në
rajon; veçanërisht nga Kosova.
Do të doja shumë që një ditë “fëmijët e luftës” së Kosovës të bartin
himinin dhe flamurin e shtetit të tyre në Botëror, për të dëshmuar kështu se si
vend e si shtet kemi kaluar seciëln pengesë ekonomike, sportive e veçanërisht politike
– gjithsesi të gjitha të padrejta. Do të doja shumë që një ditë “fëmijët e luftës”
së Kosovës të simbolizojnë bërjen e shtetit, siç e kemi menduar gjithnjë.
-4-
Ky Kampionat do të mbahet në mend për shumëçka; në të Messi ka një gjasë
shtesë për të vulosur veten si më të mirin e të gjitha kohërave; brazilianët për
të mbajtur rekordin e fituesve të pakontestueshëm; gjermanët e holandezët për të
treguar se janë gjithmonë favorit – pavarësisht kohës, vendit apo klimës; e ekipet
si Belgjika apo Zvicra për të rrënuar bastet eventuale me superparaqitje.
Por them dhe ne ta mbajmë në mend si pasion për të dërguar Kosovën në një
shfaqje që e sheh gjithkush. Them të ndërtojmë një kulturë sportive që nga
arsimimi fillor, të zbulojmë talentë e të prodhojmë sportisë që do të na bëjnë
një ditë të ndihemi krenar; që na japin një imazh më ndryshe se sa barrikadat e
veriut, krimi institucional apo mafia e kanabisit.
No comments:
Post a Comment