Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 QERSHOR 2014
Një përmbledhje e zakonshme e një jave të jashtëzakonshme
Zgjedhjet
Do të ketë qenë hera e parë që
kosovarët dolën në numër kaq të madh; plot 750 mijë u tha. Opozita, siç ndodh
dhe rëndom, kur po kuptonte rezultatet e para zgjedhore, provonte ta shpërfaqte
daljen si të ulët – por nuk ishte. Në të vërtetë, numri rekord prej 750 mijësh
po u vë në relacion me votuesit nga regjistri civil – e që janë rreth 1.1
milion banorë – del të jetë rreth 68%; një normë jashtëzakonisht e lartë për
secilin vend demokratik. Tjetër çka që listat tona zgjedhore përmbajnë rreth
gjysmë milioni votues nga diaspora – ndonëse u certifikuan vetëm tre mijë për
votim; e përmban të vdekur, serb të larguar nga Kosova dhe çka jo tjetër – për
të dalë kështu në fund me një numër ridikuloz prej 1.7 milion votuesish, në 1.7
milion banorë.
Sido që të jetë, procesi qe i
qetë, i pastër dhe pa ndonjë ekses – në përmasën sa që në Skenderaj, në
paraqitjet televizive militantët mburreshin se kishin votuar – besoni ose jo –
vetëm një herë. Hallall. Raportimet për korrektësi nga partitë politike vetëm
se po i jepnin vulë një procesi që dukej si nata me ditën po u krahasua
jaka-jak me katër vjet më parë. Kishim ecur shumë në katër vjet sa i përket
respektimit të vullnetit të tjetrit; kjo vetvetiu na tregon se në çfarë halli e
derexhe kemi qenë katër vjet më parë dhe me çfarë kuti matim suksesin katër
vjet më pas.
Pra, një dalje e madhe, një
proces i mirë, një vlerësim korrekt – një numërim i qetë. Rezultatet domosdo do
të duhej të jepnin verdiktin më të qartë të mundshëm dhe ashtu u bë.
Rezultatet
Verdikti mund të ishte befasues
për shumë kë – jo për shkak të renditjes, por për shkak të një stagnimi enorm
të opozitës për katër vjet rresht; kjo ishte e papritur, gjithsesi me shumë
brumë për mendësinë dhe pritjet e votuesve. Në të vërtetë, votat e PDK-së dhe
NISMA-s që deri dje ishin në pushtet – në bashkësi – kishin shënuar rritje; ato
të LDK-së, VV-së e AAK-së që deri dje ishin në opozitë – në bashkësi – kishin
shënuar stagnim. Katër vjet opozitëbërje për hiçgjë?!
Pavarësisht ndarjes, konsumit e
degradimit partiak, PDK kishte arritur me shumë sukses të mbante përqindjen e
njëjtë me të katër viteve paraprake – merrte rreth 31% të votuesve. Në të vërtetë,
një llogaritje e shkëlqyer matematikore e Kryeministrit në ikje rreth
koalicioneve, kishte bërë amortizimin e – deri dje – bashkëpartiakëve, sot –
kundërshtarëve – të grupuar rreth NISMA-s. Shto kësaj dhe një fushatë briliante
përballë një pasiviteti enorm opozitar rreth fushatë-bërjes dhe ke një shpjegim
të përafërt prapa këtij numri.
Në anën tjetër, LDK me vetëm
179.000 votat e marra, jo më shumë se 7 mijë krahasuar me katër vite më parë;
dhe VV me 94.000 vota, jo më shumë se 6 mijë krahasuar me katër vjet më parë,
nuk arrinin të kapnin as normën natyrore të rritjes së popullsisë. Kujtoj se në
krahasim me katër vite më parë, sipas regjistrit të votuesve, në Kosovë ishin
shtuar rreth 150.000 votues të rinj. Me 7 respektivisht 6 mijë vota shtesë, dy
partitë kryesore opozitare si LDK e VV nuk kishin arritur të mbanin vetën në
stade konstante me rritjen e popullsisë; pra në terma relativ të dyja as që
kishin rritje. Për të komplikuar rezultatin opozitar dhe më shumë, deri dje
gjysmë pozitë gjysmë opozitë partia e AAK-së, kishte rënë nga 11% në 9.6%.
Natyrisht, se lajmi më i mirë i këtyre zgjedhjeve, ishte pensionimi nga
politika i hajgare-partisë së AKR-së, britmat, talljet e idetë banale të së
cilës nuk ndezën për të mirë.
Në proporcione të tilla
zgjedhore, gjithçka dukej e qartë; PDK si fituese do ti bënte një ofertë të
këndshme AAK-së, e cila nga presioni i rënies do të merrte çfarëdo që i jepej
me dy duar. LDK do të futej në rrugë të paqartë pas humbjes së dytë radhazi në
zgjedhje nacionale, e VV do të mbyllej diku për reflektim – enorm madje. Por
nuk ndodhi kështu.
Shah-Mat
Në një shkrim me argumente
boll, Veton Surroi mëngjesin e parë të pas-zgjedhjeve po i sugjeronte opozitës
bashkim. Ishte hera e parë – kam përshtypjen – që dikush në Kosovë filloi të
mendojë një ide kaq të pamundur në dukje, por kaq logjike në rrjedhje. Logjika
unifikuese prapa shkrimit të tij ishte e thjeshtë; votuesi kishte zgjedhur
opozitën, porse, dallimet e mëdha opozitare kishin bërë që kjo votë e
pakënaqësisë të ndahej në katër taborë opozitarë. Rrjedhimisht, pavarësisht
ndarjeve e çarjeve partiake, partitë mund të jetësonin zërin anti-pushtet të
qytetarëve nëse bashkoheshin.
Dhe kush do ta mendonte
bashkimin për një ditë?! Në diçka që filloj si takim i rastit, përfundojë
shpejtë – shumë shpejtë madje – në marrëveshje opozitare. Pra në një lëvizje të
shpejtë, të papritur, e gjithsesi të urtë (dhe të mençur) ata i dhanë së bashku
një shah-mat kryeministrit në momentin kur ai e priste atë më së paku! Për
hakmarrje individuale ose jo, për interes nacional ose jo, për pazare të pozitës
ose jo, kishte pak rëndësi; në fund u krijua një output i ri që largonte nga
skena idenë e vazhdimit të zaptimit.
Të zënë ngushtë, sikurse inatçorët
që thejnë e përplasin figurat e shahut pas humbjes, partia fituese (e
zgjedhjeve jo dhe shumicës parlamentare) provoj të lëshojë një ide – të re ne –
se marrëveshjet e koalicioneve paszgjedhore nuk ishin kushtetuese; pa e kuptuar
të shkretët e të mjerët se në dy mandatet e shkuara ata vet kishin mandatuar
kryeministrin me koalicione paszgjehdore e jo parazgjedhore. Të njëjtit pra, filluan
referimin në Nenin 95 të Kushtetutës. E Neni 95, Pika 1, thoshte: “Pas zgjedhjeve, Presidenti i
Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në
konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme
në Kuvend për të formuar Qeverinë.” Askund, asnjë fjalë, para ose pas
zgjedhore.
Pra,
mjafton të dish shkrim lexim në gjuhën shqipe – dhe jo shumë madje – për të
kuptuar se partia ose koalicioni “që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për
të formuar Qeverinë” është e mandatuar për të dhënë emrin e kandidatit për
Kryeministër. Pyetja që duhet bërë pra, është se a i ka partia fituese (e
zgjedhjeve) shumicën e nevojshme “në Kuvend për të formuar Qeverinë”?
Për më tepër, Neni 84, i cili përcakton kompentencat e Presidentes, e qartëosn në mjaftueshmër çështjen e shumicës. Pika 14 e këtij neni thotë se: “(presidentja) cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit”; më qartë se kaq nuk ka si të shkojë. Pra bëhet fjalë për koalicionin që përbën “shumicën e Kuvendit”; jo për partinë që fiton zgjedhjet, jo për të parin – domosdo të zgjedhjeve – por për “shumicën e Kuvendit”.
Status-quo
Partia
fituese e pa shumicë parlamentare, nuk do të bëhej e para që del në opozitë – përkundër
pra fitores. Raste të tilla ka gjithandej nëpër botë. Në fund të fundit,
logjika se vetëm partia fituese mund të nxjerr një vendim parlamentar – siç
është ai i formimit të Qeverisë – do të nënkuptonte se Parlamenti nuk mund të
nxjerrë asnjëherë vendime pa pëlqimin e partisë fituese. Absurde!
A
është marrëveshja opozitare moralisht në rregull? Kjo mund të jetë çështje
tjetër – por as Kushtetuta e as ligjshmëria nuk bëjnë përcaktime morale, bëjnë
përcaktime të rregullave; pra të gjërave siç janë dhe siç do të duhej të
rregulloheshin.
Është
shumë e qartë se intenca e partisë fituese pa shumicë parlamentare është
tendenca për rikuperim – dhe me ngurtësimin e situatës potencialisht nxjerrja e
një kompromisi të mesëm ose shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Sepse, pavarësisht
se si do ta interpretojë Kushtetuesja marrëveshjen opozitare nga tash e tutje,
një gjë mbetet e sigurt. Nëse opozita qëndron e bashkuar dhe e palëkundur deri
në fund, Hashim Thaçi dhe PDK nuk kanë asnjë gjasë të bëjnë qeverinë, sepse nuk
i kanë numrat dhe s'mund t'i kenë. Edhe sikur interpretimi kushtetues të ishte
në anën e PDK-së, e që nuk është, e tëra çfarë mund të arrihet në këtë fazë
është shkuarja në zgjedhje të parakohshme.
Qeveria e kompotit
Nuk ka asnjë dyshim se bashkimi opozitar derivoj nga një panik dhe nga një humbje enorme e opozitës. Kur humbën opozitarët, hoqën dorëzat e ringut dhe ranë të gjithë në përqafim të njëri tjetrit. Sepse në përqafim të njëri tjetrit secili lider opozitar arsyetonte humbjen e tyre dhe të partisë së tyre. Nuk ka gjendje më të rëndë për LDK-në se sa humbja për plot 5 pikë përqindje nga PDK; nuk ka gjendej më të rëndë për VV-në se sa stagnimi në numrat të njëjtë pas katër vitesh opozitëbërje; dhe nuk ka gjendje më të rëndë për AAK-në se sa rënia e vazhdueshme nacionale-komunë-nacionale. Prandaj të gjithë – nga paniku e dëshpërimi – u bënë bashkë; prodhuar një ide për qeveri kompoti e mishmashi. Natyrisht se prapa një ideje të tillë qëndron motivi i parandalimit të qeverisjes së deritanishme e cila u tregua të jetë regresive, shpërdoruese dhe zaptuese e gjithçkaje në Kosovë.
Nuk ka asnjë dyshim se qeveria
e kompotit – emergjencës apo shpresës siç e quajnë ata – është shumë e shëndoshë
dhe shumë më e duhur se sa qeveria e sjellje-pështjelljes dhe e vazhdimit të avazit
të vjetër. Pra në çdo rrethanë – siç edhe e kanë konsideruar shumica e votuesve
preferencialë ndaj opozitës – ka një gjendje ekuilibri më të mirë se sa gjendja
paraprake (e vazhdimit të avazit të vjetër pra), por që kjo gjendje e re
ekuilibri është sërish jo e mirë dhe jo e kënaqshme po u morr si e vetme. Sepse
përveç që është mishamashe, pa kredibilitet dhe në fund humbëse, është e paqëndrueshme,
e papërgjegjshme dhe e afatshkurtë – pra nuk është një zgjidhje afatgjate.
Kriza opozitare
Pavarësisht se si do të
përfundojë saga e zgjedhjeve, rizgjedhjeve dhe e kushtetutshmërisë, një gjë
mbetet e sigurt; opozita duhet të super-reflektojë në veten. Zgjidhja
afatshkurte që do të propozohet, nëpërmjet një qeverie kompoti, do të
parandalojë për pak regresin e Kosovës, por nuk do të jep progres – e ka të
pamundur për shkak të mënyrës joparimore që ndërtohet.
Pra opozita dhe partitë
opozitare – bashkë me liderët e tyre – duhet të kuptojnë qartë se ecja e
deritanishme e tyre dhe mënyra e të bërit opozitë është e paqëndrueshme dhe jo
fituese gjithsesi. Sepse me avazin e tanishëm të stagnimit ose progresivitetit
të lehtë të tyre, partia fituese e zgjedhjeve (e pa shumicë parlamentare) do të
mund të qëndrojë e para për shumë vjet. Sepse pa reflektim rrënjësor në
përbërjen partiake të disave dhe ideologjinë e të tjerëve, ky vend do të mbetet
me votë të shpërndarë opozitare dhe pa alternativë të mirë.
Në të vërtetë, me stilin dhe
politkëbërjen e tanishme ne do të mbesim në vazhdimësi duke kërkuar zgjidhje më
pak të këqija nga një grumbull i të këqijave; asnjëherë zgjidhje të kënaqshme e
të mençur siç dhe do të duhej të ishte.
No comments:
Post a Comment