Monday, 23 June 2014

NJË TJETËR OPOZITË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 QERSHOR 2014

Një vlerësim pa dorëza ndaj rezultatit zgjedhor të LDK-së dhe VV-së

-1-

Në kohë Kampionati Botëror – dhe me gjithë energjinë shpërthyese të holandezëve e gjermanëve qysh në ditët e para – është bukur paradoksale trajtimi politik kosovar; sidomos kur ky trajtim është bërë aq i padurueshëm e aq bezdisës tash e sa kohë. Pas gjithë këtyre debateve, komplikimeve e paqartësive politike, do të duhej të meritonim më tepër qetësi; një trajtim më ndryshe – diçka si ky kampionati fantastik futbollistik.

Por para se të ftohet diskutimi politik e partiak, nëse ka për tu ftohur ndonjëherë gjithsesi, them të jap një vështrim pa dorëza mbi dy partitë e para opozitare, pra mbi LDK-në dhe VV-në. Do ta jap e bëj vlerësimin pa dorëza meqë për shkak të bashkë-kundërshtimit kundër-qeveritar të katër viteve të shkuara, ndjej veten me kredit të mjaftueshëm për të vlerësuar pa hile të dy grupacionet politike. Dhe dua ta bëj tani, sepse, pavarësisht se bashkimi eventual opozitar i bërë për të hequr një të keqe të madhe për një të keqe më të vogël mund të eklipsojë për pak gjendjen e tyre, them se vota e drejtë qytetarë megjithatë ka pasur një gjuhë të qartë – gjuhë jashtëzakonisht kritike ndaj opozitës.

Do të formojnë ose jo qeverinë, do të shkohet ose jo në zgjedhje të parakoshshme, do të formohet ose jo një qeveri teknike – kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka – për opozitën – se rezultati i marrë nga ta është katastrofal. Dhe kur të gjitha të qetësohen, kurdo që zgjedhjet të mbahen, ai ka për tu reflektuar sërish; në mos më keq tash pas eksperimentimit opozitar paszgjedhor (e jo para siç do të duhej të ishte rendi). Prandaj, nëse mendojnë të shmangin politikën e heqjes së një të keqeje të madhe me një më të vogël – gjithsesi të keqe – duhet të mendojnë zgjidhje të mirë.

Sepse zgjidhje e lënies së qeverisë në duar të dikujt që ka marrë vetëm 39.000 vota për Kryeministër, me një përzierje mishmashe të interesave ministrore e jo programore sa s’bëhet më, bashkë me një grumbull paqartësisë e defektesh stabilizuese – nuk është fare e mirë; larg prej së mirës. E përderisa nuk prodhojmë zgjidhje të mira, ky vend s’ka për të ecur kurrë para.


-2-

Rezultatet gati përfundimtare te zgjedhjeve, tregojnë qartë se edhe LDK edhe VV – me gjithë përkrahjen e shoqërisë civile, mediave, opinionistëve e secilit tjetër (përkrahje që asnjë parti tjetër opozitare nuk e ka pasur), janë rritur, por ama janë rritur proporcionalisht (e ndoshta edhe më pak) se sa janë rritur edhe votuesit e rinj në Kosovë. Do të ishte rënie pra, mbetja në stad të njëjtë të votave kur në katër vitet e shkuara janë shtuar plot 120.000 votues të rinj. Në këto zgjedhje, me plus 120.000 votues të rinj, edhe LDK edhe VV rriten me vetëm nga 5-6 mijë vota - për katër vjet; pra nga 1500 në vit, trend aspak i mirë.

Ç’është e vërteta, me fushatën e bërë nga PDK, duket se votuesit e rinj kanë zgjedhur megjithatë pozitën dhe shijen promovuese të saj; opozita si duket nuk ka kapur fare votuesin e  ri – dhe kjo bëhet edhe më shqetësuese për këto parti në të ardhmen. Sepse mosaftësia e komunikimit me votuesit e rinj nuk sjell qëndrueshmëri. Sepse rritja simbolike dhe e pavërejtshme në këto katër vjet, po të ekstrapolohet në vazhdimësi, i bie se të dy partitë – më këtë avaz – do të mbesin në rend të dytë edhe për plot 30 vjet. Pra është rezultat me të cilin asnjëra palë nuk guxon të mburret; sado që mund të kenë tendenca të ndonjë interpretimi pozitiv, nëse bash dëshirojnë të nxjerrin diçka pozitive - mish nga pleshti them unë.

Por përtej nevojës së tillë vlerësuese pavarësisht arsyeve, them se ka një tregim të përgjithshëm që rrumbullakohet rreth idesë se vota opozitare e kosovarëve është shpërndarë dukshëm tek këto dy parti si shenjë pakënaqësie ndaj të dyjave proporcionalisht.

-3-

Për LDK-në, është i pafalshëm mosdalja si e para në relacion me një parti të konsumuar nga dy mandate, e të rrahur me njëmijë e një skandale dhe të izoluar ndërkombëtarisht. Për LDK-në, moshapja e partisë, ndërprerja e reformës dhe rrumbullakimi tek disa figura të topitura partiake – që fitoren s’kanë për të sjellë kurrë – është gabim i pafalshëm. Ky gabim bëhet edhe më i rëndë kur përsëritet dy herë në më pak se gjashtë muaj; sikur LDK nuk deshi të marrë mësim nga zgjedhjet lokale. Kanë shpenzuar jashtëzakonisht shumë kohë, kanë humbur jashtëzakonisht shumë kredit, dhe kanë djegur jashtëzakonisht shumë reputacion e besim me kandidimin e individëve që megjithatë u refuzuan nga elektorati standard që LDK mund të aktivizojë. Pra nuk i donë as të vetët.

Nuk i donë sepse LDK ka kohë që ka qenë e kapur nga një grup individësh që nuk mërziten fort për rezultatin e partisë, sa mërziten për pozicionin e tyre individual në Parlament. Përderisa të njëjtit mbesin deputetë, kanë nga një shofer, një pagë të mirë e një ndikim evident në parti, gjithçka mbetet brenda kornizave të rregullsisë; edhe ky rezultat madje. Të njëjtit, që kanë humbur rresht tri palë zgjedhje (2007, 2010, 2014) janë ngufatësit kryesorë të partisë; dhe është mu për shkak të tyre pse reforma partiake ka ngecur tmerrësisht. Në të vërtetë, dhe këtë e them plot përgjegjësi, po të mos ishte kryetari i tanishëm i LDK-së që megjithatë provojë të freskojë partinë me fytyra të reja, këta ngufatës do ta shpinin LDK-në në numra një shifrorë. Është tjetër muhabet që reforma e nisur nga kryetari i tanishëm nuk vazhdoj deri në fund, pra u kompromisua me ngufatësit, dhe është tjetër muhabet që ky kompromis i faturohet tash – dhe me të drejtë – liderit të partisë. Si bartës i partisë është dashur t’i shkojë deri në fund reformës (radikale edhe atë) për të dëshmuar kështu frymën e re në LDK. Me reformë, LDK do të parandalonte riciklimin e figurave e individëve të cilët në vitin 2007 kishin dërguar partinë drejt e në greminë.

Them se LDK ka brumë shumë në vete. Ka individë të ri e të shkëlqyeshëm në ide, të cilët, për fatin e tyre të keq, nuk janë lejuar asnjëherë të marrin partinë në dorë. Në të vërtetë, kapësit e partisë gjithmonë kanë bërë thirrje për afrim të të rinjve, por jo duke i’u dhënë atyre timonin e partisë, por duke u dhënë ulëset e prapme dhe thirrjet na ndiqni neve. E puna e partisë nuk shkon me trashëgimi – sepse nuk është pronë private, është më shumë. Kapësve të sotshëm duhet thënë mirë shumë për punën e bërë deri më tani, mirë shumë për kontributin e dhënë deri më tani, mirë shumë për të gjithat. LDK nuk do të ishte kjo që është sot pa ju, e pa ju mesiguri nuk do të kishim as disa prej proceseve më të rëndësishme nacionale. Por cikli juaj ka mbaruar këtu, dhe me ju nuk shkohet në vitin 2018. Sepse është hera e tretë që i humbni zgjedhjet, dhe do t’i humbni sa herë që pretedentë do të jeni ju. Prandaj, si dhuratë për fund që këta mund t’i bëjnë partisë dhe gjithë Kosovës, është një tranzicion i lehtë por i mençur shumë tek gjenerata e re e LDK-së, e atyre që janë aty dhe të tjerëve që do të vijnë. Në muajtë në vijim, ky do të duhej të ishte misioni i tyre përfundimtar.

-4-

Për VV-në në anën tjetër, rezultati i tanishëm është larg prej të pritshmes. Katër vjet opozitëbërje superaktive, energji të pashtershme parlementare, organizim i mjaftueshëm partiak me individë tërësisht të pasur me dije e të pastër në vepra, kanë prodhuar hiçgjë; ama bash hiç (hiç nëse gjërat maten me vota në këtë jetë gjithsesi; me valutë morali mund të jetë tjetër muhabet). Dhe ky hiç buron nga tri gabime fatale të VV-së. Gabimi i parë, dhe më i rëndësishmi, është ngurtësimi ideologjik që VV i bën vetes. Përderisa kosovarët kanë nevojë për pragmatizëm, VV u jep citate të Hegelit e Aristotelit, u jep utopizëm filozofik pa fije nevoje; thuajse gara e tyre është mbizotërimi ideologjik i një shkolle të të menduarit. Një lloj vetëkënaqësie kjo pa kurrfarë efekti përfundimtar që prodhon ndryshim. Mos të harrojmë, rreth 87% e Kosovës refuzuan programin e tanishëm super të majtë e super ideologjik të VV-së; ndoshta do ta refuzonin shumë më pak qendrën e pragmatizmin. Sepse, kosovarët nuk duanë t’u merret pasuria – me progresivitet – në të vërtetë duan pasuri dhe dalje nga fukarallaku kush sa mundet e sa më shpejtë; kosovarët nuk duan kthim të shoqërizmit – me mosprivatizim – në të vërtetë janë ngirë nga kooperativat e nga shoqërorja, duan modernizmin e pronës private, pra duan privatizimin; dhe kosovarët nuk duan barazi për secilin, duan mundësi për secilin sa e kanë hakun të gjithë; janë ngirë me “puno një e merr të gjithë”.

Gabimi i dytë i VV-së është qëndrimi politik ndaj proceseve dhe akterëve kyç politike në Kosovë. Fakti që nuk promovon simbolet e Republikës por zgjedh një ide bashkimi – sado të mirë por sërish jashta agjendës së tanishme të kosovarëve – e bën VV-në të duket aspak pragmatike; sërish e bën të duket ideologjike. Ironizimi e refuzimi i e me simbolet e shtetit, me të njëjtat për të cilat kosovarët megjithatë shprehin pajtueshmëri e pëlqyeshmëri – sepse i kanë ndërtuar vetë dhe me ndihmesë të miqve ndërkombëtarë – nuk i bën hair aspak Lëvizjes. E kur jemi tek miqtë ndërkombëtarë, kosovarët sërish kërkojnë respektim të tyre në plotni; e kanë në gjak e kulturë e mendësi miqësinë; sidomos ndaj atyre që u kanë dhënë lirinë. Pesëmbëdhjetë vite janë pak për të harruar ku e si kemi qenë. Është e pakuptueshme ngrirja e relacioneve me përfaqësuesit e shtetit më mik të Kosovës, në Kosovë – pra ambasadën e SHBA-ve. VV duhet të pyes vetën se si ka lejuar që hajnat e matrapazët më të mëdhenj të Kosovës të ndërtojnë miqësi me miqtë më të mëdhenj të Kosovës? Do të ishte tërësisht e natyrshme që kjo miqësi të ndërtohej me njerëz të VV-së, për të cilët, dhe këtë e them me shumë përgjegjësi (sërish) askush nuk mund të ankohet për mungesë profesionalizmi apo mungesë vullneti të mirë. Janë burra e gra të ndershme sa nuk bëhet më.

Gabimi i tretë i VV-së është distancimi nga gjithçka që është bërë deri më tani në Kosovë; nga të gjithë – pa kuptuar kështu se gjithçka që është bërë deri më tani në Kosovë teknikisht është bërë nga të gjithë. Ky distancim e izolon VV-në në masën që për katër vite opozitëbërje e tëra çfarë arrin të bëjë është mobilizimi i bazës së vet; dhe asgjë më shumë. VV-së pra nuk i falet qëndrimi radikal ndaj gjithçkaje; e bën të duket të rrezikshme – edhe pse mund të mos jetë e tillë. Pavarësisht të gjithave, them se në VV, megjithatë, ka frymë të hapjes dhe animit nga qendra, pra ka frymë që promovon shartimin e ekstremeve në relacion me komunitetin ndërkombëtar në vend, me simbolizmin e Republikës dhe me ultra-majtizmin. Do të duhet që kjo frymë të mbizotërojë ideologjinë e mbjellë gabimisht aty dhe në fund metodën e shpërndarjes së ideve të tyre. VV në fund të fundit gjithnjë ka pranuar se evoluon; atëherë është koha për të ngjizë një evoluim të ri, edhe më të madh se ai paraprak.

-5-

Them se zgjidhja opozitare e Kosovës është një pragmatizëm në mesin e LDK-së dhe VV-së; pra LDK duhet të reformohet e të bëhet pak më shumë si Vetëvendosje, ndërkaq Vetëvendosje duhet të reformohet e të bëhet pak më shumë si LDK. Thënë ndryshe, LDK duhet të marrë në vete individë të rinj e pa barrë të konsumimit politik, pra njerëz të rinj me ide e vlera moderne – për t’u bërë pak më shumë si VV; ndërkaq VV duhet të shartojë ideologjitë utopike dhe sidomos ato jo-institcuionale, për t’u bërë pragmatike dhe institucionale sikurse LDK. Nëse të dy partitë vendosin të ndjekin idetë origjinale të tyre, pa nevojë për reflektim e ndryshim, le ta bëjnë. Ndoshta të gjithë janë gabim, votuesit, jovotuesit, të dëshpëruarit e ata me shpresë. Ndoshta vetëm këta kanë të drejtë. Ndoshta ky insistim do t’u shpaguhet një ditë. Por ama, nëse ndjenjë për pak se e kanë gabim atëherë le të ndryshojnë. Le të ndryshojnë sepse kosovarët – duke shpërndarë votën e tyre tek këto dy parti kryesisht – kërkojnë një mes normal të partive; as njërën e as tjetrën siç janë, por një mes të arsyeshëm e të mbarë.

Këto dy parti kanë dy zgjidhje, ose të provojnë e shpresojnë në edukimin dhe ndryshimin e percepcioneve të kosovarëve – të të gjithë kosovareve; ose të provojnë e shpresojnë në edukimin dhe ndryshimin e percepcioneve të vetes. Them ta bëjnë të dytën, meqë qytetarët megjithatë e dinë më mirë.


No comments: