Sunday, 30 March 2014

ANA TJETËR E PREMTIMEVE TË KRYEMINISTRIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 MARS 2014

Numrat flasin; madje flasin shumë. E numrat e kësaj qeverie, pavarësisht superpremtimeve për të ardhmen, flasin keq shumë.

-1-

Mbërtheni veten, premtimet po vijnë; dhe është vetëm fillimi. Në kohë të lunatizmit elektoral ku secili jep përralla, ëndrra, e shfryrje imagjinatave tjera gjerë e gjatë – pa fije gajle e pa fije marre – them të zbresim ne të tjerët – të vdekshmit – në tokë e të merremi me gjykimin. Sepse vetëm gjykimi jonë i kthjellët dhe asgjë tjetër mund të vejë sitë e mund të shoshitë secilën çoroditje zgjedhore që për këmbim votash jep gjithçka – dhe asgjë sërish.

E kampion në këtë proces premtues sërish del të jetë kryeministri, i cili nga tepria e fjalëve të dhëna ka filluar ti devalvojë të mëparshmet. Sepse kur thotë se planifikon 400 milionë investime në një resor skijimi e nuk jep asnjë plan të vetëm, asnjë fletë të shkruar e asnjë informacion tjetër – sigurtë që vepron në termat e futkotizmit. Sepse kur promovon një stadion qindramilionësh por si fotografi jep “Etihadin” e Manchester Cityt, atëherë sigurte sërish se i jep flakë tragjedie një hajgareje publike. Mendime ad-hock me eufori parazgjedhore nuk donë shumë vlerësim.

Ta shtrojmë gjykimin tonë kështu. Një qeveri, dy mandate, asgjë për të shkuarën e shumë për të ardhmen; diçka nuk shkon. A nuk do të duhej të gjykonim një qeveri të dy mandatave jo në premisat e premtimeve të bëra, por në të shkuarën e dhënë? Sepse e shkuara është një produkt i prekshëm dhe me potencial ekstrapolues se çfarë në të vërtetë na pret në të ardhmen po patëm sërish ata; sepse e ardhmja premtuese mbi një të shkuar tmerruese është mashtrim i dytë. Jo se i ndalet dikujt e drejta për premtime; madje do të ishte bukur e çuditshme një kampanjë pa premtime; porse kredibiliteti i një fjale të dhënë karshi një pune të bërë është i pabarazueshëm – siç dhe, unë konsideroj, duhet të jetë refleksioni i premtimeve paraelektorale – shumica shkel e shko – të qeverisë së tanishme për një të ardhme të ndritshme kur të shkuarën dhe të tashmen e kanë bërë lëmsh.

-2-

Numrat flasin; madje flasin shumë. E numrat e kësaj qeverie, pavarësisht premtimeve për të ardhmen pra, flasin keq shumë. E as që dua të merrem me premtimet për liberalizim vizash për 15 muaj, për shtetësinë e gjysmuar e proceset tjera integruese të lëna në gjysmë – do të duhej një kolumnë e veçantë për të përmbledhur secilën nga to. Fjalën e kam për premtimet ekonomike të sotshme përballë të bërave të deritanishme në ekonomi; aty ku duket së është përqendruar fushata e tanishme e qeverisë së sotshme – kryeministrit me plot premtime.

Kur qeveria e tanishme kishte filluar fushatën – katër vjet më parë – kishte premtuar investime të jashtme; investime të jashtme shumë. Ditën e premtimit të bërë, Kosova merrte, si rrumbullakim vjetor, pak më shumë se 365 milionë euro investime të huaja direkte. Në këto katër vite qeverisje, kryeministri që premton sot miliona investime gjithandej, nuk ka arritur të sjellë as edhe një investitor të jashtëm serioz; as edhe një emër që vlen të përmendet e që e njeh dikush – sfidoj secilin të kujtoj vetëm një emër. Por jo vetëm aq, në katër vite qeversije, investimet e jashtme kanë rënë dukshëm çdo vit, për të përfunduar në vetëm 255 milionë euro vitin që shkoj. Pra kryeministri superpremtues, para se të japë fjalë gjerë e gjatë për një të ardhme të luluar po mbeti sërish ai, është mirë të arsyetojë rënien drasike prej 30% gjatë kohës së (dytë) tij.

Kur qeveria e tanishme kishte filluar fushatën – katër vjet më parë – kishte premtuar privatizim të denjë të PTK-së dhe investime të reja në Kosovën C. Përderisa nga PTK trembi “Deutsche Telekom” dhe provoj të kamufloj shitjen tek një grup anonim “Axos & Najafi” – pa adresë, pa përvojë dhe pa ide fare – në energjetikë arriti të ndërroj vetëm emrin e projektit; nga “Kosova C” në “Kosvoa e Re”. As “C” e as “e Re”, e tëra çfarë u bë në energjetikë ishte një falje skandaloze e distribucionit për një të dhjetën e pasurisë së asetit, tek një kompani turke; sërish për të cilën vetëm Kosova dinte. Përderisa varësia energjetike e vendit mbështetej në një termocentral më të vjetër se sa mosha mesatrare e kosovarëve; investimet në telekom jo që nuk u shtuan por u zvogëluan. PTK përfundimisht u shndërrua nga një aset me vlerë gati një miliardësh në një kompani mëhallash – e gjitha gjatë mandatit të tij.

Kur zvogëloi investimet e jashtme – sepse trembi gjithkë – kur largoj secilin investitor të mundshëm nga asetet publike – sepse trembi gjithkë – mbeti ai e ne vetëm me një autoudhë, të bërë për katër vjet, me kosto çoroditëse e trishtuese edhe për vendet më me nam për bërjen e superudhave nëpër Evropë.  Ta themi se nuk kishte ide për investime; nuk ja donte. Duhet të ketë bërë diçka më shumë tjetërkah.

-3-

Fare. Sektorit privat i dha rëndesë, korrupsion, burokraci e varësi të mëtutjeshme tregtare. Kur qeveria e tanishme kishte filluar fushatën – katër vjet më parë – Kosova kishte një bilanc tregtar të stër-rënduar. E paaftë për të prodhuar e krijuar diçka vet, ajo importonte plot 2.1 miliardë euro, ndërsa eksportonte vetëm 294 milionë; një bilanc negativ prej plot 1.8 miliardësh. I njëjti njëri, që katër vjet më parë, e edhe disa para saj, premtonte përkrahje për prodhimin vendor, për bizneset lokale, për ndërmarrësinë kosovare – e që bën të njëjtën gjë sërish tash sepse kush e di pse nuk e ka bërë për katër vite rresht – arriti që për një mandat të vetëm të rrisë bilancin negativ në plot 2.2 miliardë euro. Në katër vitet qeverisje ky kryeministër e kjo qeveri nuk ka arritur të rrisë eksportin as për një milion euro. Sot Kosova eksporton as sa ka eksportuar katër vite më parë – rrafsh 294 milionë euro; ndërkaq importon çdo vit plot 2.5 miliardë. Për të thyer më shumë zemrën e nacionalistëve eventual, katër vite më parë Serbia ishte partneri i tretë tregtar, sot është partneri i parë.

Kur qeveria e tanishme kishte filluar fushatën – katër vjet më parë – kishte premtuar tolerancë zero ndaj korrupsionit, hajnisë e keqpërdorimit të pasurisë publike. Në ditën e premtimit Kosova ishte renditur nga Transparancy International, organizata më me renome botërore që matë nivelin e korrupsionit nëpër botë, në vendin e 110. Katër vite më pas, sot kur Kryeministri ofron sinqeritet, ndershmëri dhe sërish luftë zero ndaj hajnisë – sepse kushedi pse nuk e ka bërë për katër vite më radhë – Kosova renditet në vendin e 111. Katër vite të çuara huq për shtet, katër vite parajsë për hajna e kriminelë. Bëni llogaritë vet.

Ta themi se nuk kishte ide për investime, për sektor privat, për tregti e për luftë kundër korrupsionit; nuk ja donte. Duhet të ketë bërë diçka më shumë tjetërkah.

-4-

Fare. Kur qeveria e tanishme kishte filluar fushatën – katër vjet më parë – kishte premtuar punë, punë shumë. Por punë dha pak, për mos të thënë fare. Katër vite më parë, Kosova kishte 695.000 të papunë; sot i ka 735.000 sosh. Punëson jo më shumë se 350.000 me pagën mesatare më të ulëtën në rajon. Si rezultat vendi mban plot 29% të poppullsisë në prag të varfërisë.

Për të rënduar jetën dhe më shumë, i njëjti kryeministër që superpremton sot sërish mirëqenie për të gjithë – sepse kushedi pse nuk e ka bërë për katër vite më radhë – kishte krijuar një ambient super-inflativ. Vitin e parë – pas ditës së premtimit për mirëqenie – Kosova kishte përjetuar normën rekorde të inflacionit në historinë moderne të saj, plot 8.3% brenda një viti. Vitin tjetër kosovarët ishin varfëruar për 3% më shumë; dhe 3% tjera një vit më pas – gati 15% në më tri vjet zhvlerësim për të gjithë.

E për ti dhënë vijë gjithë fotografisë ekonomike në vend – në katër vite ecjeje – në ditën e premtimit për zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik, premtim identik sikurse ky për të nesërmen – sepse kushedi pse nuk e ka bërë për katër vite më radhë – Kosova kishte një rritje ekonomike prej 4%. Sot, rritja ekonomike e Kosovës është vetëm 2.5%. Plot katër herë më pak se sa i duhet; plot dy herë më pak se sa kishim katër vite më parë.

Për të mos harruar, katër vite më parë borxhi ynë publik ishte zero, sot është plot 500 milionë; katër vite më parë ne ishim pa shëndetësi, pa edukim e pa gjykata – sot jemi njëjtë. Shërohemi jashtë, edukohemi për gazep e gjykohemi me mjerim. Në katër vite kjo qeveri e ky kryeministër nuk arritën asnjëherë të ndanin para për themelimin e fondit shëndetësor, një politikë prioritare për të gëzuar jetë. Hapi universitete gjithandej, por nuk arriti të mbaj serioz as edhe njërin nga. E për gjykata, përveç se futi frikë e tmerr për secilin që guxon të mendojë rreth tij e miqve të tij, krijoj nevojën për një sistem paralel – një lloj protektorati ndërkombëtar nën EULEX – sepse jemi, ai, ne dhe gjithë ky shtet të paaftë për të bërë drejtësi.

-5-

Ta themi se Kryeministri që sot premton shumë, në katër vite të shkuara nuk kishte ide për investime, për sektor privat, për tregti , për luftë kundër korrupsionit, për papunësi, për varfëri, për çmim, për rritje ekonomike, për shëndetësi, për edukim e për gjykata; nuk ja donte. Duhet të ketë bërë diçka më shumë tjetërkah – nëse mbetet diçka për tu bërë. Fare. Por premton superzhvillim, superinvesitme, superbiznese, supertregti, supersinqeritet, superpunësim, superrritje, supershëndetësi, superedukim e super gjykata – sepse kushedi pse nuk e ka bërë për katër vite më radhë.

Monday, 24 March 2014

KU ËSHTË OPOZITA?

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 21 MARS 2014

Në kohën kur partia në pushtet ka marrë hov me premtime e dhurata paraelektorale, partitë opozitare nuk duken të jenë askund.


-1-

Merreni tregimin kështu: një kryeministër i rrahur nga dy mandate, i rënduar me skandale që prekin atë dhe pothuajse secilin tjetër rreth tij, i ngjyrosur me afera kriminale të plaçkitjeve publike në emër të privatizimit, i njohur me regres enorm ekonomik, i ditur me imazh të tmerrshëm e trishtues ndaj të huajve, i ardhur me marrëveshje sakatuese me Serbinë, i goditur me ndarje të partisë – dhe çka jo tjetër – vazhdon të sillet e të bëhet sërish favorit për zgjedhjet e verës apo vjeshtës; varësisht se kur do ai ti mbajë ato.

Viziton shkolla, minatorë, nxënës e tifoz, premton paga, pensione, mëditje e para gjithandej, paralajmëron ushtri, stadium e rrugë plot, krijon zona ekonomike të lira e nënshkruan kontrata kolektive për sektorin privat – të gjitha në më pak se një muaj; pa llogaritur “xhokerët” tjerë që i mban nën mëngë, diçka si për shembull “nisja e autoudhës për në Shkup”. Të bëjnë të mendosh se është në opozitë. Në fakt, nuk është. Ky njeri ka konsumuar në formën më të zezë të mundshme dy mandate pushteti, por vazhdon të jetë në kërkim të tretit me më shumë energji, me më shumë blof e me më shumë improvizime populliste që megjithatë ndezin; ndezin si ato “fabrikat e kërpudhave”, “investitorët japonez” e “30 mijë vendet e punës” të premtuara në Mitrovicë nga një i paditur për të gjorët. Do të ndezin sa herë që ka dëshpërim – sepse në kërkim të shpëtimit e pasurimit të shpejtë, të shkretët e të gjorët janë në gjendje të pranojnë secilin premtim. U lulëzon të nesërmen si në film; ani pse e nesërmja me premtuesit naiv ka për ti zhytur ata e gjithë të tjerët pas tyre në më tepër regres, në më tepër hajni, në më tepër izolim e në më tepër serbizim.

Premtimet janë për tu dhënë, e popullizmat janë për tu bërë. Mbarë jo, korrekt aspak, mirë hiç, por bëhen nga të gjithë, potencialisht do ti bënin të gjithë. Kërkimi i votës megjithatë mbërthen popullizëm të përzier me ide; i mbari do të kishte më shumë ide, por gjithsesi të ngjyrë me popullizëm. Por kundërshtimi i popullzimit bëhet gjithnjë e më i vështirë; sidomos nëse nuk di të përdorësh argumente po aq populliste. T’i argumentosh dikujt se për pagat e marra në fund të katërvjetëshit është dashur të japin gjithë ekonominë, është vështirë; se për ushtrinë e nisur në fund të mandatit duhet të japin vendet e rezervuara e integritetin shtetëror, është poashtu vështirë; se për rrugën e Shkupit super të kushtueshme duhet të japin shëndetin, dijen e biznesin, është edhe më vështirë. Por e vështirja dhe e pamundura është mu punë e opozitës; sepse rrëzimi i një partie e grupi politik që menaxhon me shtet, me 1.6 miliardë buxhet – miliarda të tjera fonde, borxhe e kredi – me zaptim institucional, propagandë mediatike e parastrukturë kriminale nuk ka qenë asnjëherë lehtë; ka qenë gjithnjë vështirë. Po prandaj dhe ekziston Opozita; që të zgjidhë të pazgjidhshmen e vështirë.

-2-

“Legjenda” thotë se Kryeministri – që tani kërkon mandatin e tretë – ta ketë menduar mbarë e mirë ikjen pas këtyre zgjedhjeve. Sepse secili rreth tij e pranë tij kishte kuptuar se e bëra e gjertanishme – me gjithë të zezat e krijuara – nuk kishte gjasë për të gjetur amnisti tek kosovarët. I thonin se kriminaliteti pushtetar ishte i paamnistueshëm, se regresi ekonomik ishte i patjetërsueshëm, se disfata integruese e dialoguese ishte e pakamoflueshme, se ndarja partiake ishte e papërballueshme; sepse të gjitha do ti faturoheshin atij dhe pushtetit të tij.

Për më tepër, skandalet e pritura e në shpërthim e sipër për krime ekonomike prej EULEX-it që do ti marrin gjerë e gjatë udhëheqës më në zë partiak, bashkë me një disfatë tjetër nacionale rreth Tribunalit që do ti largojnë atij muskujt e tjerë të partisë, ata të vjetërit – ka kohë që kanë frikësuar e ç’orientuar secilin në rrethin e tij. Aq shumë i kanë ç’orientuar sa që ka kohë që tenderët qeveritarë janë bërë të parëndësishëm për ta. Kujtoj se ka pothuajse gjashtë muaj që prokurimi publik në vend është i paralizuar (për shkak të paralizimit të OSHP-së). Në momentin e parë që këta kanë humbur interesin për pare, mu në atë moment, duhet të ketë ndodhe diçka më e madhe, shumë më e madhe se sa tenderët që i donë këta aq shumë.

Kryeministri pra do ta kishte kuptuar shpejtë e lehtë nevojën për largim, sikur përballë të mos i shfaqej një komfort i pashpjegueshëm, i paarsyeshëm po u shpjegua, dhe i padurueshëm po u arsyetua e shpjegua, i opozitës – veçanërisht partisë më të madhe opozitare, pra LDK-së. Me të kuptuar komfortin dhe potencialin real të fitores së tretë të zgjedhjeve, kryeministri kishte ngritur apetitet në nivelin tjetër; shancën e tretë. Kishte secilin parametër të mundshëm në dorë për të dhënë premtime – kush mërzitej se çfarë prodhojnë ato, do të jetë gjithsesi hera e fundit që garon politikisht. Kishte përkrahjen pragmatike ndërkombëtare që e shohin atë të vetmin me energji për të kontrolluar secilin “defekt” të brendshëm në misionin e një stabiliteti rajonal (madje për nofkën “delivery guy” apo “djaloshi dorëzues” që Kryeministi jonë mbanë tek diplomatët, kanë dhënë kontribut edhe partitë opozitare që i kanë lejuar atij komfortin e përfundimit të punëve sa herë që është dashur). Pa llogaritur këtu nevojën për kthim borxhi që diplomatët ndërkombëtarë konsiderojnë që ja kanë atij pas raundeve negative me Serbinë që kanë prekur imazhin e tij brenda; Kryeministri kishte parë dhe nevojën për mbijetesë nëpërmjet pushtetit, aq kohë sa potencialisht i duhet për të dalë (e ikur) “i pastër” katër vite nga tash. Një kombinim në mes të komfortit opozitar, mundësive populliste dhe përkrahjeve të mikrodiplomatëve ndërkombëtar, jepte gjithsesi gjasa të mira suksesi.

-3-

Në polin tjetër politik, të opozitës, tek LDK-ja, duket se pritja është rezultat i një komforti të pranuar – gabimisht – nga rezultati i zgjedhjeve lokale, i kombinuar me mungesë totale të energjisë kreative për të kundërshtuar pozitën për secilën ide – në masën sa që opozitëbërja rrumbullakohet rreth disa paraqitjeve të vdekura të konferencave për shtyp; bashkë me një servilizëm të pashoq të individëve të ricikluar tash e sa vjet, të cilët – sipas “legjendës” – poshtërojnë veten në masën sa nëpër takime partiake pyesin liderin e partisë se “mos i narthin këmbët”.

LDK-ja duket se ka harruar disa premisa të rrjedhjes së zgjedhjeve, te cilat, po nuk u adresuan, do ta mbajnë sigurt partinë larg vendit të parë. Premisa e parë ka të bëjë me faktin se LDK duket se ka harruar se zgjedhjet lokale nuk e kanë vendosur atë si të parën; hiç se hiç si fituese të garantuar. Ende pa dalë në pah “xhokerët” e Kryeministrit, që megjithatë do të bëjnë nam popullist, PDK megjithatë kishte mbetur si e para në zgjedhjet lokale; me “xhokerët” popullist në lojë ajo do të amortizojë gjithsesi trendin e rënies që dukej në horizon tash e sa kohë. Amortizimi i rënies së PDK-së mund të befasojë lirshëm strategjinë e LDK-së e cila si duket është orientuar jo drejt rritjes së partisë, por drejt pritjes për rënie të kundërshtarit. Kjo rënie mund të jetë lehtësisht e pamjaftueshme për LDK-në.

Premisa e dytë ka të bëjë me faktin se LDK harron se po përballet me një oponencë tjetër, “Lëvizjen Vetëvendosje!” e cila me përkushtimin e saj për të dëshmuar duart e pastra në politikëbërje do ti godas ata – si oponencë reale të tyre – me aq forcë sa mundet nëpërmjet shpërfaqjes së të gjitha skandaleve komunale të 14 viteve të shkuara në Prishtinë, të bëra nga individë që i di e njeh i gjithë shehri, por që nuk janë amortizuar asnjëherë nga partia. Këto skandale dhe kjo goditje do të shpërthejnë pak para zgjedhjeve; dhe ato kanë për të prekur pozicionin e LDK-së dukshëm për aq kohë sa kjo e fundit nuk distancohet dhe nuk përjashton krimbërësit e vet. Përderisa pretendon se ka radhë të pastra – e që nuk i ka – do të marr vetëm veten në qafë. Goditje anti-kriminale LDK do të marrë edhe nga EULEX-i, që duket se më në fund po bën punën që është dashtë të bëj kaherë. Në LDK ka shumë ish-pushtetarë e individë të tjerë që kanë fjetur me krimin gjerë e gjatë; e të cilët në vend se të largohen nga partia janë mbajtur e kamufluar diku mes gjithë të tjerëve. Kostoja e kamuflimit do të paguhet megjithatë nga të gjithë – kurdo që antikrimi të shpërthejë.

Premisa e tretë ka të bëjë me mungesën totale të ideve nga kjo parti; mungesë kjo që mund të arsyetojë mosangazhimin e hershëm për alternativëdhënie nga LDK. Njerëzit e rendit të parë nuk duken askund me ofertë – oferta politike/qeverisëse mbetet në mirëbesim teorik të një mirësie njerëzore por nuk është askund në letër; është jo konkrete. E oponenca politike me mikrofon para dy-tri kamerave është kaherë oponencë pa takt e pa shije. Kjo parti tani për tani duket se nuk ka sy e shije për zgjidhje dhe zgjedhje. Shto kësaj dhe shterjen e individëve të po atij rendi të parë, të konsumuar e stërkonsumuar nga praktika qeverisëse që shembull s’ke pse i merr, dhe ke një pasqyre të përafërt të arsyeshmërisë së mosangazhimit eventual që shihet sot tek LDK. Secili që ka pritur fytyrë të re të LDK-së në zgjedhje nacionale do të dëshpërohet me prezencën e individëve të njëjtë e të topitur, të cilët përndryshe kanë bërë kryeministrin e tanishëm të duket super-zgjidhje kur ata vet ishin në pozitë.

Këta individë, servilë e jo servilë këmbësh, gjithsesi zaptues të partisë, preferojnë secilin tjetër t’iu vijë pas, por assesi të kanalizojnë energjitë e reja që ata t’u shkojnë pas. Madje, ato pak fytyra të reja që janë në parti, janë rrumbullakuar nga të vjetërit vetëm rreth mikrofonëve medial – dhe të rinjtë dalin vetëm atëherë kur të vjetrit nuk dinë e nuk kanë çfarë të thonë, përndryshe as që kanë ndonjë gjasë. Prepotenca politike e të tillëve do të shfaqë më shumë averzion e neveri se sa shenjë simpatie. Në fund të fundit secili mund të pres për ciklin tjetër – të gjeneratës së re – e cila, siç erdh në Prishtinë, Gjakovë e Pejë do të vjen edhe në qendër; herdokurdo.

Nëse LDK pret që gjithë fushatën ta bëjë pak para zgjedhjeve, rrezikon të humbas mu si humbi Prishtinën. Sepse përndjekja e ideve të “kujdestarëve të këmbëve” që frikësojnë secilin votues racional – në atë masë sa që kryeministrin më të keq të historisë sonë e shohin si alternativë të vetme të pjekur – do të dërgojë partinë në rënie të parikuperueshme, eventualisht (më së shumti) në një koalicion me vet “djallin” për të shpëtuar vetën; gjithsesi duke djegur partinë në më pak se katër vjet.

-4-

“Lëvizja Vetëvendosje!” në anën tjetër, mund të futet në zgjedhje nacionale e “hendikepuar” nga angazhimi në kryeqytet. Disa nga individët kryesor të saj as që do të marrin pjesë në garën nacionale, duke lënë qendrën kështu bukur të zbrazët. Plotësimi i saj do të varët tërësisht nga angazhimi i VV-së për t’u transformuar e hapur shumë. Pavarësisht hapjes ose jo, ky “hendikep’ i angazhimit në kryeqytet, kam përshtypjen, parandalon VV-në të aktivizohet në potencë të plotë në qendër.

Por përtej zgjerimit (në pushtet) që megjithatë shkakton cektësi (në njerëz), VV paralizon veten edhe me polarizimin apriori që bën në relacion me opozitën tjetër. Qëndrimi i përgjithshëm i VV-së se ajo nuk bën koalicione me asnjë parti përderisa ajo nuk del vet e para, e shpërfaq atë – në terme reale – para votuesve si alternativë me potencial të mirë por jo të mjaftueshëm për të rrëzuar këtë qeverisje. Pra polarizimi i VV-së (pavarësisht se a është i drejtë apo jo) e projekton atë me gjasa më të vogla për një fitore potenciale (ndonëse praktika e Prishtinës deri më tani ka rrënuar secilën logjikë parashikuese si kjo). Pavarësisht kësaj, në një rrethanë normale, votuesit natyrshëm do të shkonin tek alternativa më reale për ndryshim (siç kishte ndodhur me vet fitoren e tyre në Prishtinë madje), e që del të jetë partia në rend, pra LDK.

Thënë ndryshe, do të duhej një forcë enorme e futur në “Lëvizje” që ta bëjë atë të “lëvizë” e kështu të marrë pushtetin; pra të kalojë “rendin e LDK-së”. Natyrisht se ky rend i LDK-së (që nuk është i përjetshëm) mund të zëvendësohet pas këtyre zgjedhjeve me qeverisjen  pozitive që VV do të tregojë në Prishtinë – e them pozitive me shumë siguri meqë në VV janë aq të mençur sa të kuptojnë se gjasë si kjo e Prishtinës nuk mund të kenë sërish po e ngatërruan sot. Ky shembull i qeverisjes së mirë, bashkë me goditjet ndaj oponencës reale të tyre, LDK-së, mund ti vejë ata si alternativë kryesore qeverisëse pas katër viteve të ardhshme – në çdo rrethanë të mundshme. Në çdo rrethanë meqë, po doli e para PDK e shkoj vet, LDK nuk ka gjasa të ngrihet në këmbë për një kohë të gjatë; po doli e para PDK e shkoj me LDK, kjo e fundit (dhe e para) kanë më së shumti katër vjet në këtë martesë të brishtë.

Një relacion i tillë i forcave, kam përshtypjen, nuk jep energji e motiv shumë në VV për të treguar se cili është kandidati i ardhshëm për Kryeministër nga ta. Fakti se nuk dalin me një të tillë i bën ata të para-dorëzohen qysh tash për qeverisje, por jo për një garë afatgjate. Ata kanë secilin parakusht të triumfojnë eventualisht pas këtyre zgjedhjeve. Prandaj dhe kjo oponencë e tyre, në kohën që kryeministri kamuflon dështimet me popullizëm, nuk duket në pah tash – sikur prezervohet për më vonë, kur të marrin rend.

Pavarësisht të gjithave, tani për tani, duket se të gjithë në opozitë kanë lënë ti hapin letrat për në fund; prandaj dhe nuk janë – tash për tash – askund.



Monday, 17 March 2014

ATA NUK BESOJNË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 MARS 2014

Rreth 35.5% e bizneseve kosovare nuk besojnë në qeveri fare; 22.6% të tjerë besojnë jo shumë. Thënë ndryshe, gjysma e bizneseve kosovare, rrjedhimisht gjysma e taksapaguesve kryesorë kosovarë kanë relacione mosbesimi me institucionet publike


-1-

Përgjatë katër-pesë viteve të shkuara ekonomia kosovare ka pasur një rritje ekonomike tejet simbolike. Ndonëse e njëjta është trumpetuar si më e madhja në rajon e për më tepër si ndër të rrallat e Evropës, ajo nuk ka arritur asnjëherë e në asnjë vit të akomodojë nevojat zhvillimore të Kosovës. Thënë ndryshe, rritja ekonomike e Kosovës nuk ka gjeneruar vende të reja pune mjaftueshëm.

Gjenerimi i vendeve të reja të punës, përndryshe, do të duhej të ishte matësi kryesor i performancës së secilës qeveri e qeverisje. Matës nuk do të duhej të konsiderohej asnjëherë përpjeka e tyre – që na shfaqet rëndom nga paraqitjet publike të qeveritarëve; do të ishte njësoj sikurse vlerësimi i një nxënësi jo në bazë të dijës së tij apo saj, por në bazë të tendencës për të bërë diçka – çfarëdo qoftë ajo. Në raste të tilla e tëra çfarë vlerësuesi mund të japë në kthim është simpati dhe mirënjohje për përpjekjen – nëse e njëjta do të ishte e sinqertë gjithsesi. Në Kosovë, me shkallën e parregullsive ekonomike e korruptive në rritje, shpreh bindjen e plotë për mossinqeritet në përpjekje. Pra të tanët as nuk përpjekjen e as nuk arrijnë rezultate.

Për të rifreskuar memorien e të interesuarve, rritja ekonomike e jona ka pasur luhatjet e veta gjithandej. Pas një hiper-zhvillimi të pasluftës, e që ndërlidhej kryesisht me fluksin e madh të investimeve private në shtëpi banimi si dhe me fluksin e madh të donacioneve ndërkombëtare atëherë, vendi ishte futur gradualisht në një cikël rritjesh normale. Në vitin 2003 ne kishim shënuar rritjen ekonomike prej 5.4%, për të vazhduar me 2.6% në vitin 2004, me 3.8% në vitin 2005, 6% në vitin 2006 e 6.3% në vitin 2007. Në vitin e shpalljes së pavarësisë, pra 2008, Kosova kishte shënuar rritje ekonomike prej plot 6.9% pra gati 7%. Ishte një numër impresiv.

Që nga atëherë e këndej, rritja ekonomike ishte simbolike. E ndikuar pak nga kriza financiare ndërkombëtare dhe, siç argumentojë unë, shumë nga politikat e asfaltit, politikat kundër-sektorit privat dhe politikat popullsite të pagave artificiale që nuk mbështeten në produktivitet por në akomodime votash, ajo u rrumbullakua në 2.9% në vitin 2009, në 3.9% në vitin 2010, 5% në vitin 2011, në 2.1% në vitin 2012 e 2.4% këtë vit, pra vitin 2013. Dy vitet e fundit madje janë të vetmet që nga përfundimi i luftës që në vazhdimësi nuk arrijnë 3%. Në asnjë periudhë më parë ne nuk kishim dy vite radhazi me rritje kaq simbolike. Trendi nuk është fare i mirë.

-2-
                                                                                                                                          
Lajmi i keq për të gjithë është se kjo rritje do të mbetet e njëjtë përderisa sektori privat nuk gjeneron vende të reja të punës. Në një ekstrapolim të thjeshtë të logjikës, do të ishte korrekte të thuhet se sektori privat nuk do të gjenerojë asnjëherë vende të reja të punës përderisa ballafaqohet me barrierat e listuara dhe komentuara në njërën prej shkrimeve të kësaj kolumnë në shtator të vitit të shkuar, me titull “Çfarë i mundon bizneset”. Asokohe kisha prezantuar se konkurrenca e padrejtë (e shkaktuar nga evazioni dhe informaliteti), korrupsioni, krimi e hajnia, të kombinuara të gjitha me mosfunksionim të gjyqësorit, sigurisë politike e burokracisë, ishin shfaqur si pengesat kryesore të bizneseve kosovare përgjatë një anketimi me 600 sosh.

Në këtë kolumnë nuk do të flasë për barrierat e bizneseve kosovare; është thënë mjaft kam përshtypjen, ndonëse në vend të adresimit të tyre institucionet tona qenë dalldisur mbas një liste irrelevante të rangimit biznesor në kontekstin kosovar, që në fund nuk përmbante asnjërën nga pengesat në fjale. Në këtë kolumnë do të flas për relacionin biznese me institucione publike dhe një dozë diskrepancë në këtë relacion që një analizë modeste e të dhënave të anketës së Riinvest ka gjetur këto ditë.

-3-

Kjo diskrepancë fillon nga një trajtim i pabarabartë i institucioneve publike drejt bizneseve, duke ngjirë kështu konkurrencën e pabarabartë; si dhe nga një observim gjeneral drejt bizneseve nën thjerrëzën e gjeneruesit të taksave dhe vetëm aq. Pra politikat tona publike nuk i shohin ende bizneset si burime të vendeve të punës, por i shohin vetëm si burime të mjeteve të financimit – pra taksave.

Për të kuptuar diskrepancën e qeverisë me biznese, mjafton një zbërthim i trendit të rritjes së tyre në Kosovë. Përgjatë vitit të shkuar – pra vitit 2013 – sipas anketës së Riinvestit, rreth 54% e bizneseve kosovare kanë shënuar rënie; sa për të dëshmuar kështu një vit të rëndë ekonomik mbarësisht. Kjo rëndesë gjithsesi se rikonfirmohet nga rritja e ulët ekonomike e prodhuar në dy vitet e fundit, e që, siç thamë më parë, nuk kalonte dot 2%. Numrat e anketës së njëjte tregojnë gjithashtu se rreth 25% e bizneseve nuk kanë shënuar fare ndryshim, ndërkaq vetëm 21% e tyre kanë shënuar rritje. Në një vështrim gjeneral, bëhet e qartë se mbi dy të tretat e bizneseve kanë stagnuar ose janë tkurrur këtë vit.

E në vijë me diskrepancën e proklamuar më parë, të dhënat tregonin se bizneset që treg kishin qeverinë dhe institucionet tjera publike po performonin shumë më mirë. Për dallim nga trendi gjeneral rreth 38% e bizneseve që bëjnë punë me qeveri kanë shënuar rritje, 33% nuk kanë pasur ndonjë ndryshim. Thënë ndryshe, për të pasur një stabilitet biznesor duhesh të kesh një tender. E është mu pasja e tenderit – në koekzistencë me nivelin enorm të korrupsionit – që prodhon diskrepancën në treg. Pra kemi një përzierje enorme të politikave publike në ciklin biznesor dhe nga këtu një përcaktim i fatit të bizneseve mu nga këto politika.

-4-

Burimi i dytë i diskrepancës së relacionit shtet-biznes ka kah të kundërt; pra fillon nga bizneset si reflektim i politikave publike. Ky reflektim është bukur i rëndë. Për shembull rreth 35.5% e bizneseve kosovare nuk besojnë në qeveri fare; 22.6% të tjerë besojnë jo shumë. Thënë ndryshe, gjysma e bizneseve kosovare, rrjedhimisht gjysma e taksapaguesve kryesorë kosovarë, kanë relacione mosbesimi me institucionet publike.

Nivel besimi të njëjtë tregohet edhe në relacion me pushtetet lokale. Për shembull, rreth 27.2% e bizneseve kosovare nuk besojnë fare në komunat përkatëse, e rreth 25.3% besojnë jo shumë. Treguesi më i rëndë i nivelit të besueshmërisë shfaqet në relacion me gjykatat. Rreth 40.7% e bizneseve nuk besojnë fare në gjykatat kosovare; e për më tepër rreth 21% të tjerë besojnë jo shumë. Një nivel alarmant mosbesimi si ky shpjegon gjithë kureshtjen për vështirësitë e të bërit biznes në vend. Është anarki e plotë.

Pra nga relacioni i bizneseve me qeverinë qendrore, me pushtetin lokal dhe me gjykatat, bëhet i qartë edhe jokohezioni shoqëror në vend. Në vend të perceptimit miqësor, të gjithë jetojnë në një relacion bukur armiqësor; në mosbesim, tendencë rezervimi dhe rrjedhimisht          risku të lartë ekonomik – të gjitha të rrumbullakuara në një performancë simbolike biznesore dhe në një rritje edhe më simbolike ekonomike në vend.

Nivel krejt tjetër i besimit mund të gjendet në mes bizneseve kosovare dhe blerësve, furnitorëve apo stafit të tyre; sikur të njëjtit veprojnë në një treg krejtësisht paralel. Për shembull, mbi 82.9% e bizneseve besojnë shumë në stafin e tyre; vetëm 1.2% nuk besojnë fare. Apo, rreth 49% e bizneseve besojnë shumë në partnerët e tyre të parë – pra furnitorët – derisa 30% besojnë deri diku; vetëm 4% nuk besojnë fare në ta. Njëtrajtësisht, mbi 50.1% e bizneseve besojnë në blerësit e tyre shumë dhe rreth 31.3% deri diku.


Monday, 10 March 2014

MBI USHTRINË, FUTBOLLIN DHE OPTIMIZMIN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 7 MARS 2014

Në javën kur Kosova u përfaqësua ndërkombtarisht e kur krijoj ushtrinë, pat të tillë që megjithatë panë vetëm zi. Për të parën paradoksalisht argumentuan që duan shtet por nuk duan përfaqësuese - a thua çfarë mendojnë për pasaporta, ambasada e përfaqësime të tjera; ndërkaq për të dytën, edhe më paradoksalisht, u kapën për emër. Them se të dy lajmet, pas një kohe të gjatë, na vijnë si të mira. Luksin e përvetësimit dhe vullnetarizmin e dorëzimit nuk duhet ta ketë e ta bëjë askush; pavarësisht joplotnisë së lajmeve.

-1-

Do të ketë qenë një javë për tu mbajtur mend; nga ato të rrallat them unë – për të mirë gjithsesi. Si adhurues i flaktë i futbollit kam pritur për shumë kohë lojën e përfaqësues kosovare nën një frymë të pranimit ndërkombëtar; më ndryshe se sa ato përpjekjet tona për shpërthim të jashtëm. Mbaj mend ndeshjen e parë të përfaqësueses sonë me kombëtaren shqiptare menjëherë mbas lufte dhe gjithë shpresën për përfaqësim të shpejtë nëpër kualifikime. Nuk mbaj mend të kem besuar se do të kalojnë gati 15 vjet para se ky përfaqësim të ndodhë – dhe atë i paplotë, me fusnotë e më një frankejnshtajn ide. Gjithsesi më mirë diçka se hiç, gjithsesi me më shumë shpresë se nesër përfaqësimi do të jetë thjeshtë i plotë.

E do të kem pritur edhe më gjatë shndërrimin e TMK-së në FSK e përfundimisht në FAK; një forcë e armatosur për një shtet sovran. E as këtu nuk mbaj mend të kem besuar se do të kalojnë gati 15 vjet para se kjo forcë të ndodhë – dhe atë sërish e paplotë, pa strukturë të qartë, pa potencë serioze. Gjithsesi më mirë diçka se hiç, gjithsesi me më shumë shpresë se nesër forca do të jetë thjeshtë e plotë.

Natyrisht se në të dyja rastet pat të tillë që shohin zi. Për të parën paradoksalisht argumentuan që duan shtet por nuk duan përfaqësuese (a thua çfarë mendojnë për pasaporta, ambasada, ushtri e përfaqësime të tjera); ndërkaq për të dytën, edhe më paradoksalisht, u kapën për emër. E në gjithë këtë mes natyrisht që pat dallavergjinjë e mashtrues të tjerë që nuk lënë rend për gëzim. Pavarësisht të gjithëve, them se çështjet me interes shtetëror nuk duhet dhuruar për zaptim as politikanëve, as partiakëve e as militantëve – sepse janë përpjekje dhe arritje tonat. Luksin e përvetësimit dhe vullnetarizmin e dorëzimit nuk duhet ta ketë e ta bëjë askush.

-2-

Në javën kur për herë të parë u organizua një miqësore futbolli nën ombrellën e FIFA-s, unë isha me Kosovën; me përfaqësuesen e futbollit kosovar. Njëtrajtëshit do të jem edhe me përfaqësuesen e Kosovës të basketbollit, hendbollit, tenisit e ragbit – po u bë ndonjëherë. Sepse shtet pa përfaqësuese nuk ka; sepse përfaqësimi ndërkombëtar i ndihmon shtetit; sepse shteti nuk është punë fëmijësh, nuk është punë simbolizmi, nuk është as letër e lexim deklarate pavarësie nga kjo letër – shteti është mekanizëm me një mijë e një përbërje, një prej të cilave është edhe përfaqësimi ndërkombëtar në sport.

Sepse shteti i Kosovës nuk është zëvendësues i shqiptarizmit, është plotësues i tij. Sepse Kosova dhe përfaqësuesja e saj janë shqiptare, flasin shqip e frymojnë shqip; aso që thonë ndryshe i kemi me bollëk me kahje në veri. Kosovën dhe përfaqësuesen e saj sportive i kemi bërë me shumë mund, me shumë sakrificë e me shumë dert. Ato nuk meritojnë përbuzje; sidomos jo atëherë kur shpërfaqen gjysmake - do të plotësohen një ditë. Pra deri në stacionin tjetër të fatit të Kosovës - e përgjatë gjithë kohës sa mbetemi shtet në vete - do të përkrah përfaqësuesen tonë të futbollit dhe gjithë djemtë tanë që përfaqësojnë po këtë shtet; siç dhe do të përkrah përfaqësuesen e Shqipërisë dhe zgjedhjen e lirë të djemve tjerë tanë atje.

Të gjithë zërat përbuzës ndaj përfaqësueses sonë janë më tepër zëra që dëgjojnë rezonin e rrahjeve nacionaliste – jo të dëmshme – por të paarsyeshme gjithsesi. Sepse alternativa e  përfaqësues të Kosovës është mospasja e saj. E mospasja e saj do të thotë pikërisht shtet gjysmak; në të vërtetë do të thotë jo shtet. E nëse ata kërkojnë mospasjen si frymë e një ideali më madhor kombëtar, atëherë janë të paarsyeshëm. Sepse është fakt që jemi shtet i pavarur – dhe për gjithë kohën sa jemi shtet i pavarur duhet sillë si të tillë. Do të ishte absurde refuzimi i të drejtës ndërkombëtare për lojë; siç është – dorën në zemër – absurde (por jo në dorën tonë) luajtja me fusnotë e me njoftim paraprak të Serbisë. A është kjo gjendje e kënaqshme; assesi jo. Por a është progres loja ndërkombëtare – aq e kërkuar nëpër vite; gjithsesi se po.

-3-

Përdersia tema e përfaqësueses në futboll u amortizua e rrumbullakua vetëm rreth disave – të paktëve – kjo e “ushtrisë” ishte më ndarëse. Sepse në ditën e parë të lajmit të rëndësishëm, u shfaqën të gjithë në kërkim të fjalës “ushtri” – forcë e armatosur, për ta, nuk na qenka taman “ushtri”. Jo që i fajësoj sinqerisht. Kjo qeveri ka kohë që ofron zjgihdje gjysmake e çdoherë me nga një kleçkë në to; e ka bërë tanimë zakon të ofroj status-quo. Por megjithatë, për hir të korrektësisë dhe për secilin tjetër me interes, një kërkim i thjeshtë në internet të bën të kuptosh se termi “Forcë e Armatosur” (anglisht Armed Forces) është sot term standard nëpër botë; të njëjtin emërtim e përdorin edhe SHBA-të edhe Britania edhe pothuajse secili shtet tjetër modern.

Saktësisht, SHBA-të kanë United States Armed Forces (USAF) si forcë gjithëpërmbledhëse – forcë kjo që më pas përbëhet nga pesë kategori: nga US Army (ushtria), US Marine Corps (korpusi i marinsave), US Navy (marina detare), US Air Force (forcat ajrore) dhe US Coast Guard (rojet bregdetare). Njëtrajtësisht, Britania e Madhe ka British Armed Forces (BAF) si emërtim poashtu gjithëpërfshirës e i cili përbëhet nga katër grupe: Royal Navy (marina detare), Royal Marines (marinsat mbretërorë), British Army (ushtria) dhe Royal Air Force (forcat ajrore). Pra në të dyja rastet termi "Ushtri" përdoret si nënkategori e "Forcave të Armatosura".

Emri pra është problemi më i vogël - në të vërtetë as që është problem sepse është siç duhet - dikush mund të argumentojë më së shumti për mosfutjen e Republikës në të; dhe kjo padyshim është bërë për t’i shmangur konotacionit “FARK” dhe profecive të rivalëve politik të mëparshëm. Pra të njëjtit preferojnë heqjen e fjalës “Republikë” për sa kohë që prodhojnë diçka – sa për të thënë – vet. Por as ky fakt, dikush mund të argumentojë, se nuk duhet të jetë problematikë; sepse, dikush mund të argumentojë, edhe shtetet tjera heqin termin “Republikë” shpeshherë nga emërtimet e tilla. Problem është fuqizimi i FAK-ut, aq sa të sigurojë integritetin territorial të vendit - sidomos në Veri, të zëvendësojë sa më shpejtë KFOR-in, e të anëtarësohet përfundimisht në NATO. Këndej jemi larg shumë; e me zaptuesit e tanishëm do të mbesim larg edhe më shumë.