Letra nga limbo
KOHA DITORE, 21 MARS 2014
Në kohën kur partia në pushtet ka marrë hov me premtime e
dhurata paraelektorale, partitë opozitare nuk duken të jenë askund.
-1-
Merreni
tregimin kështu: një kryeministër i rrahur nga dy mandate, i rënduar me
skandale që prekin atë dhe pothuajse secilin tjetër rreth tij, i ngjyrosur me
afera kriminale të plaçkitjeve publike në emër të privatizimit, i njohur me regres
enorm ekonomik, i ditur me imazh të tmerrshëm e trishtues ndaj të huajve, i
ardhur me marrëveshje sakatuese me Serbinë, i goditur me ndarje të partisë –
dhe çka jo tjetër – vazhdon të sillet e të bëhet sërish favorit për zgjedhjet e
verës apo vjeshtës; varësisht se kur do ai ti mbajë ato.
Viziton
shkolla, minatorë, nxënës e tifoz, premton paga, pensione, mëditje e para gjithandej,
paralajmëron ushtri, stadium e rrugë plot, krijon zona ekonomike të lira e nënshkruan
kontrata kolektive për sektorin privat – të gjitha në më pak se një muaj; pa
llogaritur “xhokerët” tjerë që i mban nën mëngë, diçka si për shembull “nisja e
autoudhës për në Shkup”. Të bëjnë të mendosh se është në opozitë. Në fakt, nuk
është. Ky njeri ka konsumuar në formën më të zezë të mundshme dy mandate
pushteti, por vazhdon të jetë në kërkim të tretit me më shumë energji, me më
shumë blof e me më shumë improvizime populliste që megjithatë ndezin; ndezin si
ato “fabrikat e kërpudhave”, “investitorët japonez” e “30 mijë vendet e punës”
të premtuara në Mitrovicë nga një i paditur për të gjorët. Do të ndezin sa herë
që ka dëshpërim – sepse në kërkim të shpëtimit e pasurimit të shpejtë, të
shkretët e të gjorët janë në gjendje të pranojnë secilin premtim. U lulëzon të
nesërmen si në film; ani pse e nesërmja me premtuesit naiv ka për ti zhytur ata
e gjithë të tjerët pas tyre në më tepër regres, në më tepër hajni, në më tepër
izolim e në më tepër serbizim.
Premtimet
janë për tu dhënë, e popullizmat janë për tu bërë. Mbarë jo, korrekt aspak,
mirë hiç, por bëhen nga të gjithë, potencialisht do ti bënin të gjithë. Kërkimi
i votës megjithatë mbërthen popullizëm të përzier me ide; i mbari do të kishte
më shumë ide, por gjithsesi të ngjyrë me popullizëm. Por kundërshtimi i
popullzimit bëhet gjithnjë e më i vështirë; sidomos nëse nuk di të përdorësh
argumente po aq populliste. T’i argumentosh dikujt se për pagat e marra në fund
të katërvjetëshit është dashur të japin gjithë ekonominë, është vështirë; se
për ushtrinë e nisur në fund të mandatit duhet të japin vendet e rezervuara e
integritetin shtetëror, është poashtu vështirë; se për rrugën e Shkupit super
të kushtueshme duhet të japin shëndetin, dijen e biznesin, është edhe më
vështirë. Por e vështirja dhe e pamundura është mu punë e opozitës; sepse
rrëzimi i një partie e grupi politik që menaxhon me shtet, me 1.6 miliardë
buxhet – miliarda të tjera fonde, borxhe e kredi – me zaptim institucional,
propagandë mediatike e parastrukturë kriminale nuk ka qenë asnjëherë lehtë; ka
qenë gjithnjë vështirë. Po prandaj dhe ekziston Opozita; që të zgjidhë të
pazgjidhshmen e vështirë.
-2-
“Legjenda”
thotë se Kryeministri – që tani kërkon mandatin e tretë – ta ketë menduar mbarë
e mirë ikjen pas këtyre zgjedhjeve. Sepse secili rreth tij e pranë tij kishte
kuptuar se e bëra e gjertanishme – me gjithë të zezat e krijuara – nuk kishte
gjasë për të gjetur amnisti tek kosovarët. I thonin se kriminaliteti pushtetar
ishte i paamnistueshëm, se regresi ekonomik ishte i patjetërsueshëm, se disfata
integruese e dialoguese ishte e pakamoflueshme, se ndarja partiake ishte e
papërballueshme; sepse të gjitha do ti faturoheshin atij dhe pushtetit të tij.
Për më
tepër, skandalet e pritura e në shpërthim e sipër për krime ekonomike prej
EULEX-it që do ti marrin gjerë e gjatë udhëheqës më në zë partiak, bashkë me
një disfatë tjetër nacionale rreth Tribunalit që do ti largojnë atij muskujt e
tjerë të partisë, ata të vjetërit – ka kohë që kanë frikësuar e ç’orientuar
secilin në rrethin e tij. Aq shumë i kanë ç’orientuar sa që ka kohë që tenderët
qeveritarë janë bërë të parëndësishëm për ta. Kujtoj se ka pothuajse gjashtë
muaj që prokurimi publik në vend është i paralizuar (për shkak të paralizimit
të OSHP-së). Në momentin e parë që këta kanë humbur interesin për pare, mu në
atë moment, duhet të ketë ndodhe diçka më e madhe, shumë më e madhe se sa
tenderët që i donë këta aq shumë.
Kryeministri
pra do ta kishte kuptuar shpejtë e lehtë nevojën për largim, sikur përballë të
mos i shfaqej një komfort i pashpjegueshëm, i paarsyeshëm po u shpjegua, dhe i
padurueshëm po u arsyetua e shpjegua, i opozitës – veçanërisht partisë më të
madhe opozitare, pra LDK-së. Me të kuptuar komfortin dhe potencialin real të
fitores së tretë të zgjedhjeve, kryeministri kishte ngritur apetitet në nivelin
tjetër; shancën e tretë. Kishte secilin parametër të mundshëm në dorë për të
dhënë premtime – kush mërzitej se çfarë prodhojnë ato, do të jetë gjithsesi
hera e fundit që garon politikisht. Kishte përkrahjen pragmatike ndërkombëtare
që e shohin atë të vetmin me energji për të kontrolluar secilin “defekt” të
brendshëm në misionin e një stabiliteti rajonal (madje për nofkën “delivery
guy” apo “djaloshi dorëzues” që Kryeministi jonë mbanë tek diplomatët, kanë dhënë
kontribut edhe partitë opozitare që i kanë lejuar atij komfortin e përfundimit
të punëve sa herë që është dashur). Pa llogaritur këtu nevojën për kthim borxhi
që diplomatët ndërkombëtarë konsiderojnë që ja kanë atij pas raundeve negative
me Serbinë që kanë prekur imazhin e tij brenda; Kryeministri kishte parë dhe
nevojën për mbijetesë nëpërmjet pushtetit, aq kohë sa potencialisht i duhet për
të dalë (e ikur) “i pastër” katër vite nga tash. Një kombinim në mes të
komfortit opozitar, mundësive populliste dhe përkrahjeve të mikrodiplomatëve
ndërkombëtar, jepte gjithsesi gjasa të mira suksesi.
-3-
Në polin
tjetër politik, të opozitës, tek LDK-ja, duket se pritja është rezultat i një
komforti të pranuar – gabimisht – nga rezultati i zgjedhjeve lokale, i
kombinuar me mungesë totale të energjisë kreative për të kundërshtuar pozitën
për secilën ide – në masën sa që opozitëbërja rrumbullakohet rreth disa
paraqitjeve të vdekura të konferencave për shtyp; bashkë me një servilizëm të
pashoq të individëve të ricikluar tash e sa vjet, të cilët – sipas “legjendës”
– poshtërojnë veten në masën sa nëpër takime partiake pyesin liderin e partisë
se “mos i narthin këmbët”.
LDK-ja duket se ka harruar disa premisa të rrjedhjes së zgjedhjeve, te cilat, po nuk u adresuan, do ta mbajnë sigurt partinë larg vendit të parë. Premisa e parë ka të bëjë me faktin se LDK duket se ka harruar se zgjedhjet lokale nuk e kanë vendosur atë si të parën; hiç se hiç si fituese të garantuar. Ende pa dalë në pah “xhokerët” e Kryeministrit, që megjithatë do të bëjnë nam popullist, PDK megjithatë kishte mbetur si e para në zgjedhjet lokale; me “xhokerët” popullist në lojë ajo do të amortizojë gjithsesi trendin e rënies që dukej në horizon tash e sa kohë. Amortizimi i rënies së PDK-së mund të befasojë lirshëm strategjinë e LDK-së e cila si duket është orientuar jo drejt rritjes së partisë, por drejt pritjes për rënie të kundërshtarit. Kjo rënie mund të jetë lehtësisht e pamjaftueshme për LDK-në.
LDK-ja duket se ka harruar disa premisa të rrjedhjes së zgjedhjeve, te cilat, po nuk u adresuan, do ta mbajnë sigurt partinë larg vendit të parë. Premisa e parë ka të bëjë me faktin se LDK duket se ka harruar se zgjedhjet lokale nuk e kanë vendosur atë si të parën; hiç se hiç si fituese të garantuar. Ende pa dalë në pah “xhokerët” e Kryeministrit, që megjithatë do të bëjnë nam popullist, PDK megjithatë kishte mbetur si e para në zgjedhjet lokale; me “xhokerët” popullist në lojë ajo do të amortizojë gjithsesi trendin e rënies që dukej në horizon tash e sa kohë. Amortizimi i rënies së PDK-së mund të befasojë lirshëm strategjinë e LDK-së e cila si duket është orientuar jo drejt rritjes së partisë, por drejt pritjes për rënie të kundërshtarit. Kjo rënie mund të jetë lehtësisht e pamjaftueshme për LDK-në.
Premisa e
dytë ka të bëjë me faktin se LDK harron se po përballet me një oponencë tjetër,
“Lëvizjen Vetëvendosje!” e cila me përkushtimin e saj për të dëshmuar duart e
pastra në politikëbërje do ti godas ata – si oponencë reale të tyre – me aq
forcë sa mundet nëpërmjet shpërfaqjes së të gjitha skandaleve komunale të 14
viteve të shkuara në Prishtinë, të bëra nga individë që i di e njeh i gjithë
shehri, por që nuk janë amortizuar asnjëherë nga partia. Këto skandale dhe kjo
goditje do të shpërthejnë pak para zgjedhjeve; dhe ato kanë për të prekur
pozicionin e LDK-së dukshëm për aq kohë sa kjo e fundit nuk distancohet dhe nuk
përjashton krimbërësit e vet. Përderisa pretendon se ka radhë të pastra – e që
nuk i ka – do të marr vetëm veten në qafë. Goditje anti-kriminale LDK do të
marrë edhe nga EULEX-i, që duket se më në fund po bën punën që është dashtë të
bëj kaherë. Në LDK ka shumë ish-pushtetarë e individë të tjerë që kanë fjetur
me krimin gjerë e gjatë; e të cilët në vend se të largohen nga partia janë
mbajtur e kamufluar diku mes gjithë të tjerëve. Kostoja e kamuflimit do të
paguhet megjithatë nga të gjithë – kurdo që antikrimi të shpërthejë.
Premisa e
tretë ka të bëjë me mungesën totale të ideve nga kjo parti; mungesë kjo që mund
të arsyetojë mosangazhimin e hershëm për alternativëdhënie nga LDK. Njerëzit e
rendit të parë nuk duken askund me ofertë – oferta politike/qeverisëse mbetet në
mirëbesim teorik të një mirësie njerëzore por nuk është askund në letër; është
jo konkrete. E oponenca politike me mikrofon para dy-tri kamerave është kaherë
oponencë pa takt e pa shije. Kjo parti tani për tani duket se nuk ka sy e shije
për zgjidhje dhe zgjedhje. Shto kësaj dhe shterjen e individëve të po atij
rendi të parë, të konsumuar e stërkonsumuar nga praktika qeverisëse që shembull
s’ke pse i merr, dhe ke një pasqyre të përafërt të arsyeshmërisë së
mosangazhimit eventual që shihet sot tek LDK. Secili që ka pritur fytyrë të re
të LDK-së në zgjedhje nacionale do të dëshpërohet me prezencën e individëve të
njëjtë e të topitur, të cilët përndryshe kanë bërë kryeministrin e tanishëm të
duket super-zgjidhje kur ata vet ishin në pozitë.
Këta
individë, servilë e jo servilë këmbësh, gjithsesi zaptues të partisë,
preferojnë secilin tjetër t’iu vijë pas, por assesi të kanalizojnë energjitë e
reja që ata t’u shkojnë pas. Madje, ato pak fytyra të reja që janë në parti,
janë rrumbullakuar nga të vjetërit vetëm rreth mikrofonëve medial – dhe të
rinjtë dalin vetëm atëherë kur të vjetrit nuk dinë e nuk kanë çfarë të thonë,
përndryshe as që kanë ndonjë gjasë. Prepotenca politike e të tillëve do të
shfaqë më shumë averzion e neveri se sa shenjë simpatie. Në fund të fundit
secili mund të pres për ciklin tjetër – të gjeneratës së re – e cila, siç erdh
në Prishtinë, Gjakovë e Pejë do të vjen edhe në qendër; herdokurdo.
Nëse LDK
pret që gjithë fushatën ta bëjë pak para zgjedhjeve, rrezikon të humbas mu si
humbi Prishtinën. Sepse përndjekja e ideve të “kujdestarëve të këmbëve” që
frikësojnë secilin votues racional – në atë masë sa që kryeministrin më të keq
të historisë sonë e shohin si alternativë të vetme të pjekur – do të dërgojë
partinë në rënie të parikuperueshme, eventualisht (më së shumti) në një
koalicion me vet “djallin” për të shpëtuar vetën; gjithsesi duke djegur partinë
në më pak se katër vjet.
-4-
“Lëvizja Vetëvendosje!”
në anën tjetër, mund të futet në zgjedhje nacionale e “hendikepuar” nga
angazhimi në kryeqytet. Disa nga individët kryesor të saj as që do të marrin
pjesë në garën nacionale, duke lënë qendrën kështu bukur të zbrazët. Plotësimi
i saj do të varët tërësisht nga angazhimi i VV-së për t’u transformuar e hapur
shumë. Pavarësisht hapjes ose jo, ky “hendikep’ i angazhimit në kryeqytet, kam
përshtypjen, parandalon VV-në të aktivizohet në potencë të plotë në qendër.
Por përtej
zgjerimit (në pushtet) që megjithatë shkakton cektësi (në njerëz), VV paralizon
veten edhe me polarizimin apriori që bën në relacion me opozitën tjetër. Qëndrimi
i përgjithshëm i VV-së se ajo nuk bën koalicione me asnjë parti përderisa ajo
nuk del vet e para, e shpërfaq atë – në terme reale – para votuesve si
alternativë me potencial të mirë por jo të mjaftueshëm për të rrëzuar këtë
qeverisje. Pra polarizimi i VV-së (pavarësisht se a është i drejtë apo jo) e
projekton atë me gjasa më të vogla për një fitore potenciale (ndonëse praktika
e Prishtinës deri më tani ka rrënuar secilën logjikë parashikuese si kjo). Pavarësisht
kësaj, në një rrethanë normale, votuesit natyrshëm do të shkonin tek
alternativa më reale për ndryshim (siç kishte ndodhur me vet fitoren e tyre në
Prishtinë madje), e që del të jetë partia në rend, pra LDK.
Thënë
ndryshe, do të duhej një forcë enorme e futur në “Lëvizje” që ta bëjë atë të “lëvizë”
e kështu të marrë pushtetin; pra të kalojë “rendin e LDK-së”. Natyrisht se ky
rend i LDK-së (që nuk është i përjetshëm) mund të zëvendësohet pas këtyre
zgjedhjeve me qeverisjen pozitive që VV
do të tregojë në Prishtinë – e them pozitive me shumë siguri meqë në VV janë aq
të mençur sa të kuptojnë se gjasë si kjo e Prishtinës nuk mund të kenë sërish
po e ngatërruan sot. Ky shembull i qeverisjes së mirë, bashkë me goditjet ndaj
oponencës reale të tyre, LDK-së, mund ti vejë ata si alternativë kryesore
qeverisëse pas katër viteve të ardhshme – në çdo rrethanë të mundshme. Në çdo
rrethanë meqë, po doli e para PDK e shkoj vet, LDK nuk ka gjasa të ngrihet në
këmbë për një kohë të gjatë; po doli e para PDK e shkoj me LDK, kjo e fundit
(dhe e para) kanë më së shumti katër vjet në këtë martesë të brishtë.
Një relacion
i tillë i forcave, kam përshtypjen, nuk jep energji e motiv shumë në VV për të treguar
se cili është kandidati i ardhshëm për Kryeministër nga ta. Fakti se nuk dalin
me një të tillë i bën ata të para-dorëzohen qysh tash për qeverisje, por jo për
një garë afatgjate. Ata kanë secilin parakusht të triumfojnë eventualisht pas
këtyre zgjedhjeve. Prandaj dhe kjo oponencë e tyre, në kohën që kryeministri
kamuflon dështimet me popullizëm, nuk duket në pah tash – sikur prezervohet për
më vonë, kur të marrin rend.
Pavarësisht
të gjithave, tani për tani, duket se të gjithë në opozitë kanë lënë ti hapin
letrat për në fund; prandaj dhe nuk janë – tash për tash – askund.
No comments:
Post a Comment