Monday, 10 March 2014

MBI USHTRINË, FUTBOLLIN DHE OPTIMIZMIN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 7 MARS 2014

Në javën kur Kosova u përfaqësua ndërkombtarisht e kur krijoj ushtrinë, pat të tillë që megjithatë panë vetëm zi. Për të parën paradoksalisht argumentuan që duan shtet por nuk duan përfaqësuese - a thua çfarë mendojnë për pasaporta, ambasada e përfaqësime të tjera; ndërkaq për të dytën, edhe më paradoksalisht, u kapën për emër. Them se të dy lajmet, pas një kohe të gjatë, na vijnë si të mira. Luksin e përvetësimit dhe vullnetarizmin e dorëzimit nuk duhet ta ketë e ta bëjë askush; pavarësisht joplotnisë së lajmeve.

-1-

Do të ketë qenë një javë për tu mbajtur mend; nga ato të rrallat them unë – për të mirë gjithsesi. Si adhurues i flaktë i futbollit kam pritur për shumë kohë lojën e përfaqësues kosovare nën një frymë të pranimit ndërkombëtar; më ndryshe se sa ato përpjekjet tona për shpërthim të jashtëm. Mbaj mend ndeshjen e parë të përfaqësueses sonë me kombëtaren shqiptare menjëherë mbas lufte dhe gjithë shpresën për përfaqësim të shpejtë nëpër kualifikime. Nuk mbaj mend të kem besuar se do të kalojnë gati 15 vjet para se ky përfaqësim të ndodhë – dhe atë i paplotë, me fusnotë e më një frankejnshtajn ide. Gjithsesi më mirë diçka se hiç, gjithsesi me më shumë shpresë se nesër përfaqësimi do të jetë thjeshtë i plotë.

E do të kem pritur edhe më gjatë shndërrimin e TMK-së në FSK e përfundimisht në FAK; një forcë e armatosur për një shtet sovran. E as këtu nuk mbaj mend të kem besuar se do të kalojnë gati 15 vjet para se kjo forcë të ndodhë – dhe atë sërish e paplotë, pa strukturë të qartë, pa potencë serioze. Gjithsesi më mirë diçka se hiç, gjithsesi me më shumë shpresë se nesër forca do të jetë thjeshtë e plotë.

Natyrisht se në të dyja rastet pat të tillë që shohin zi. Për të parën paradoksalisht argumentuan që duan shtet por nuk duan përfaqësuese (a thua çfarë mendojnë për pasaporta, ambasada, ushtri e përfaqësime të tjera); ndërkaq për të dytën, edhe më paradoksalisht, u kapën për emër. E në gjithë këtë mes natyrisht që pat dallavergjinjë e mashtrues të tjerë që nuk lënë rend për gëzim. Pavarësisht të gjithëve, them se çështjet me interes shtetëror nuk duhet dhuruar për zaptim as politikanëve, as partiakëve e as militantëve – sepse janë përpjekje dhe arritje tonat. Luksin e përvetësimit dhe vullnetarizmin e dorëzimit nuk duhet ta ketë e ta bëjë askush.

-2-

Në javën kur për herë të parë u organizua një miqësore futbolli nën ombrellën e FIFA-s, unë isha me Kosovën; me përfaqësuesen e futbollit kosovar. Njëtrajtëshit do të jem edhe me përfaqësuesen e Kosovës të basketbollit, hendbollit, tenisit e ragbit – po u bë ndonjëherë. Sepse shtet pa përfaqësuese nuk ka; sepse përfaqësimi ndërkombëtar i ndihmon shtetit; sepse shteti nuk është punë fëmijësh, nuk është punë simbolizmi, nuk është as letër e lexim deklarate pavarësie nga kjo letër – shteti është mekanizëm me një mijë e një përbërje, një prej të cilave është edhe përfaqësimi ndërkombëtar në sport.

Sepse shteti i Kosovës nuk është zëvendësues i shqiptarizmit, është plotësues i tij. Sepse Kosova dhe përfaqësuesja e saj janë shqiptare, flasin shqip e frymojnë shqip; aso që thonë ndryshe i kemi me bollëk me kahje në veri. Kosovën dhe përfaqësuesen e saj sportive i kemi bërë me shumë mund, me shumë sakrificë e me shumë dert. Ato nuk meritojnë përbuzje; sidomos jo atëherë kur shpërfaqen gjysmake - do të plotësohen një ditë. Pra deri në stacionin tjetër të fatit të Kosovës - e përgjatë gjithë kohës sa mbetemi shtet në vete - do të përkrah përfaqësuesen tonë të futbollit dhe gjithë djemtë tanë që përfaqësojnë po këtë shtet; siç dhe do të përkrah përfaqësuesen e Shqipërisë dhe zgjedhjen e lirë të djemve tjerë tanë atje.

Të gjithë zërat përbuzës ndaj përfaqësueses sonë janë më tepër zëra që dëgjojnë rezonin e rrahjeve nacionaliste – jo të dëmshme – por të paarsyeshme gjithsesi. Sepse alternativa e  përfaqësues të Kosovës është mospasja e saj. E mospasja e saj do të thotë pikërisht shtet gjysmak; në të vërtetë do të thotë jo shtet. E nëse ata kërkojnë mospasjen si frymë e një ideali më madhor kombëtar, atëherë janë të paarsyeshëm. Sepse është fakt që jemi shtet i pavarur – dhe për gjithë kohën sa jemi shtet i pavarur duhet sillë si të tillë. Do të ishte absurde refuzimi i të drejtës ndërkombëtare për lojë; siç është – dorën në zemër – absurde (por jo në dorën tonë) luajtja me fusnotë e me njoftim paraprak të Serbisë. A është kjo gjendje e kënaqshme; assesi jo. Por a është progres loja ndërkombëtare – aq e kërkuar nëpër vite; gjithsesi se po.

-3-

Përdersia tema e përfaqësueses në futboll u amortizua e rrumbullakua vetëm rreth disave – të paktëve – kjo e “ushtrisë” ishte më ndarëse. Sepse në ditën e parë të lajmit të rëndësishëm, u shfaqën të gjithë në kërkim të fjalës “ushtri” – forcë e armatosur, për ta, nuk na qenka taman “ushtri”. Jo që i fajësoj sinqerisht. Kjo qeveri ka kohë që ofron zjgihdje gjysmake e çdoherë me nga një kleçkë në to; e ka bërë tanimë zakon të ofroj status-quo. Por megjithatë, për hir të korrektësisë dhe për secilin tjetër me interes, një kërkim i thjeshtë në internet të bën të kuptosh se termi “Forcë e Armatosur” (anglisht Armed Forces) është sot term standard nëpër botë; të njëjtin emërtim e përdorin edhe SHBA-të edhe Britania edhe pothuajse secili shtet tjetër modern.

Saktësisht, SHBA-të kanë United States Armed Forces (USAF) si forcë gjithëpërmbledhëse – forcë kjo që më pas përbëhet nga pesë kategori: nga US Army (ushtria), US Marine Corps (korpusi i marinsave), US Navy (marina detare), US Air Force (forcat ajrore) dhe US Coast Guard (rojet bregdetare). Njëtrajtësisht, Britania e Madhe ka British Armed Forces (BAF) si emërtim poashtu gjithëpërfshirës e i cili përbëhet nga katër grupe: Royal Navy (marina detare), Royal Marines (marinsat mbretërorë), British Army (ushtria) dhe Royal Air Force (forcat ajrore). Pra në të dyja rastet termi "Ushtri" përdoret si nënkategori e "Forcave të Armatosura".

Emri pra është problemi më i vogël - në të vërtetë as që është problem sepse është siç duhet - dikush mund të argumentojë më së shumti për mosfutjen e Republikës në të; dhe kjo padyshim është bërë për t’i shmangur konotacionit “FARK” dhe profecive të rivalëve politik të mëparshëm. Pra të njëjtit preferojnë heqjen e fjalës “Republikë” për sa kohë që prodhojnë diçka – sa për të thënë – vet. Por as ky fakt, dikush mund të argumentojë, se nuk duhet të jetë problematikë; sepse, dikush mund të argumentojë, edhe shtetet tjera heqin termin “Republikë” shpeshherë nga emërtimet e tilla. Problem është fuqizimi i FAK-ut, aq sa të sigurojë integritetin territorial të vendit - sidomos në Veri, të zëvendësojë sa më shpejtë KFOR-in, e të anëtarësohet përfundimisht në NATO. Këndej jemi larg shumë; e me zaptuesit e tanishëm do të mbesim larg edhe më shumë.

No comments: