Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 MARS 2014
Rreth
35.5% e bizneseve kosovare nuk besojnë në qeveri fare; 22.6% të tjerë besojnë
jo shumë. Thënë ndryshe, gjysma e bizneseve kosovare, rrjedhimisht gjysma e taksapaguesve
kryesorë kosovarë kanë relacione mosbesimi me institucionet publike
-1-
Përgjatë katër-pesë viteve të shkuara ekonomia
kosovare ka pasur një rritje ekonomike tejet simbolike. Ndonëse e njëjta është
trumpetuar si më e madhja në rajon e për më tepër si ndër të rrallat e Evropës,
ajo nuk ka arritur asnjëherë e në asnjë vit të akomodojë nevojat zhvillimore të
Kosovës. Thënë ndryshe, rritja ekonomike e Kosovës nuk ka gjeneruar vende të
reja pune mjaftueshëm.
Gjenerimi i vendeve të reja të punës, përndryshe, do
të duhej të ishte matësi kryesor i performancës së secilës qeveri e qeverisje.
Matës nuk do të duhej të konsiderohej asnjëherë përpjeka e tyre – që na shfaqet
rëndom nga paraqitjet publike të qeveritarëve; do të ishte njësoj sikurse
vlerësimi i një nxënësi jo në bazë të dijës së tij apo saj, por në bazë të
tendencës për të bërë diçka – çfarëdo qoftë ajo. Në raste të tilla e tëra çfarë
vlerësuesi mund të japë në kthim është simpati dhe mirënjohje për përpjekjen –
nëse e njëjta do të ishte e sinqertë gjithsesi. Në Kosovë, me shkallën e parregullsive
ekonomike e korruptive në rritje, shpreh bindjen e plotë për mossinqeritet në
përpjekje. Pra të tanët as nuk përpjekjen e as nuk arrijnë rezultate.
Për të rifreskuar memorien e të interesuarve, rritja
ekonomike e jona ka pasur luhatjet e veta gjithandej. Pas një hiper-zhvillimi
të pasluftës, e që ndërlidhej kryesisht me fluksin e madh të investimeve
private në shtëpi banimi si dhe me fluksin e madh të donacioneve ndërkombëtare
atëherë, vendi ishte futur gradualisht në një cikël rritjesh normale. Në vitin
2003 ne kishim shënuar rritjen ekonomike prej 5.4%, për të vazhduar me 2.6% në
vitin 2004, me 3.8% në vitin 2005, 6% në vitin 2006 e 6.3% në vitin 2007. Në
vitin e shpalljes së pavarësisë, pra 2008, Kosova kishte shënuar rritje
ekonomike prej plot 6.9% pra gati 7%. Ishte një numër impresiv.
Që nga atëherë e këndej, rritja ekonomike ishte
simbolike. E ndikuar pak nga kriza financiare ndërkombëtare dhe, siç
argumentojë unë, shumë nga politikat e asfaltit, politikat kundër-sektorit
privat dhe politikat popullsite të pagave artificiale që nuk mbështeten në
produktivitet por në akomodime votash, ajo u rrumbullakua në 2.9% në vitin
2009, në 3.9% në vitin 2010, 5% në vitin 2011, në 2.1% në vitin 2012 e 2.4%
këtë vit, pra vitin 2013. Dy vitet e fundit madje janë të vetmet që nga
përfundimi i luftës që në vazhdimësi nuk arrijnë 3%. Në asnjë periudhë më parë
ne nuk kishim dy vite radhazi me rritje kaq simbolike. Trendi nuk është fare i
mirë.
-2-
Lajmi i keq për të gjithë është se kjo rritje do të
mbetet e njëjtë përderisa sektori privat nuk gjeneron vende të reja të punës. Në
një ekstrapolim të thjeshtë të logjikës, do të ishte korrekte të thuhet se
sektori privat nuk do të gjenerojë asnjëherë vende të reja të punës përderisa
ballafaqohet me barrierat e listuara dhe komentuara në njërën prej shkrimeve të
kësaj kolumnë në shtator të vitit të shkuar, me titull “Çfarë i mundon
bizneset”. Asokohe kisha prezantuar se konkurrenca e padrejtë (e shkaktuar nga
evazioni dhe informaliteti), korrupsioni, krimi e hajnia, të kombinuara të
gjitha me mosfunksionim të gjyqësorit, sigurisë politike e burokracisë, ishin
shfaqur si pengesat kryesore të bizneseve kosovare përgjatë një anketimi me 600
sosh.
Në këtë kolumnë nuk do të flasë për barrierat e bizneseve
kosovare; është thënë mjaft kam përshtypjen, ndonëse në vend të adresimit të
tyre institucionet tona qenë dalldisur mbas një liste irrelevante të rangimit
biznesor në kontekstin kosovar, që në fund nuk përmbante asnjërën nga pengesat
në fjale. Në këtë kolumnë do të flas për relacionin biznese me institucione
publike dhe një dozë diskrepancë në këtë relacion që një analizë modeste e të
dhënave të anketës së Riinvest ka gjetur këto ditë.
-3-
Kjo diskrepancë fillon nga një trajtim i pabarabartë
i institucioneve publike drejt bizneseve, duke ngjirë kështu konkurrencën e pabarabartë;
si dhe nga një observim gjeneral drejt bizneseve nën thjerrëzën e gjeneruesit të
taksave dhe vetëm aq. Pra politikat tona publike nuk i shohin ende bizneset si
burime të vendeve të punës, por i shohin vetëm si burime të mjeteve të
financimit – pra taksave.
Për të kuptuar diskrepancën e qeverisë me biznese,
mjafton një zbërthim i trendit të rritjes së tyre në Kosovë. Përgjatë vitit të
shkuar – pra vitit 2013 – sipas anketës së Riinvestit, rreth 54% e bizneseve
kosovare kanë shënuar rënie; sa për të dëshmuar kështu një vit të rëndë
ekonomik mbarësisht. Kjo rëndesë gjithsesi se rikonfirmohet nga rritja e ulët
ekonomike e prodhuar në dy vitet e fundit, e që, siç thamë më parë, nuk kalonte
dot 2%. Numrat e anketës së njëjte tregojnë gjithashtu se rreth 25% e bizneseve
nuk kanë shënuar fare ndryshim, ndërkaq vetëm 21% e tyre kanë shënuar rritje.
Në një vështrim gjeneral, bëhet e qartë se mbi dy të tretat e bizneseve kanë
stagnuar ose janë tkurrur këtë vit.
E në vijë me diskrepancën e proklamuar më parë, të
dhënat tregonin se bizneset që treg kishin qeverinë dhe institucionet tjera
publike po performonin shumë më mirë. Për dallim nga trendi gjeneral rreth 38%
e bizneseve që bëjnë punë me qeveri kanë shënuar rritje, 33% nuk kanë pasur
ndonjë ndryshim. Thënë ndryshe, për të pasur një stabilitet biznesor duhesh të
kesh një tender. E është mu pasja e tenderit – në koekzistencë me nivelin enorm
të korrupsionit – që prodhon diskrepancën në treg. Pra kemi një përzierje
enorme të politikave publike në ciklin biznesor dhe nga këtu një përcaktim i
fatit të bizneseve mu nga këto politika.
-4-
Burimi i dytë i diskrepancës së relacionit
shtet-biznes ka kah të kundërt; pra fillon nga bizneset si reflektim i
politikave publike. Ky reflektim është bukur i rëndë. Për shembull rreth 35.5%
e bizneseve kosovare nuk besojnë në qeveri fare; 22.6% të tjerë besojnë jo
shumë. Thënë ndryshe, gjysma e bizneseve kosovare, rrjedhimisht gjysma e
taksapaguesve kryesorë kosovarë, kanë relacione mosbesimi me institucionet
publike.
Nivel besimi të njëjtë tregohet edhe në relacion me
pushtetet lokale. Për shembull, rreth 27.2% e bizneseve kosovare nuk besojnë
fare në komunat përkatëse, e rreth 25.3% besojnë jo shumë. Treguesi më i rëndë
i nivelit të besueshmërisë shfaqet në relacion me gjykatat. Rreth 40.7% e
bizneseve nuk besojnë fare në gjykatat kosovare; e për më tepër rreth 21% të
tjerë besojnë jo shumë. Një nivel alarmant mosbesimi si ky shpjegon gjithë
kureshtjen për vështirësitë e të bërit biznes në vend. Është anarki e plotë.
Pra nga relacioni i bizneseve me qeverinë qendrore,
me pushtetin lokal dhe me gjykatat, bëhet i qartë edhe jokohezioni shoqëror në
vend. Në vend të perceptimit miqësor, të gjithë jetojnë në një relacion bukur
armiqësor; në mosbesim, tendencë rezervimi dhe rrjedhimisht risku të lartë ekonomik – të gjitha të
rrumbullakuara në një performancë simbolike biznesore dhe në një rritje edhe më
simbolike ekonomike në vend.
Nivel krejt tjetër i besimit mund të gjendet në mes
bizneseve kosovare dhe blerësve, furnitorëve apo stafit të tyre; sikur të
njëjtit veprojnë në një treg krejtësisht paralel. Për shembull, mbi 82.9% e
bizneseve besojnë shumë në stafin e tyre; vetëm 1.2% nuk besojnë fare. Apo,
rreth 49% e bizneseve besojnë shumë në partnerët e tyre të parë – pra
furnitorët – derisa 30% besojnë deri diku; vetëm 4% nuk besojnë fare në ta.
Njëtrajtësisht, mbi 50.1% e bizneseve besojnë në blerësit e tyre shumë dhe
rreth 31.3% deri diku.
No comments:
Post a Comment