Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 MARS 2014
Numrat flasin; madje flasin shumë. E numrat e kësaj qeverie,
pavarësisht superpremtimeve për të ardhmen, flasin keq shumë.
-1-
Mbërtheni veten, premtimet po
vijnë; dhe është vetëm fillimi. Në kohë të lunatizmit elektoral ku secili jep
përralla, ëndrra, e shfryrje imagjinatave tjera gjerë e gjatë – pa fije gajle e
pa fije marre – them të zbresim ne të tjerët – të vdekshmit – në tokë e të
merremi me gjykimin. Sepse vetëm gjykimi jonë i kthjellët dhe asgjë tjetër mund
të vejë sitë e mund të shoshitë secilën çoroditje zgjedhore që për këmbim
votash jep gjithçka – dhe asgjë sërish.
E kampion në këtë proces
premtues sërish del të jetë kryeministri, i cili nga tepria e fjalëve të dhëna
ka filluar ti devalvojë të mëparshmet. Sepse kur thotë se planifikon 400
milionë investime në një resor skijimi e nuk jep asnjë plan të vetëm, asnjë
fletë të shkruar e asnjë informacion tjetër – sigurtë që vepron në termat e
futkotizmit. Sepse kur promovon një stadion qindramilionësh por si fotografi
jep “Etihadin” e Manchester Cityt, atëherë sigurte sërish se i jep flakë
tragjedie një hajgareje publike. Mendime ad-hock me eufori parazgjedhore nuk
donë shumë vlerësim.
Ta shtrojmë gjykimin tonë
kështu. Një qeveri, dy mandate, asgjë për të shkuarën e shumë për të ardhmen;
diçka nuk shkon. A nuk do të duhej të gjykonim një qeveri të dy mandatave jo në
premisat e premtimeve të bëra, por në të shkuarën e dhënë? Sepse e shkuara
është një produkt i prekshëm dhe me potencial ekstrapolues se çfarë në të
vërtetë na pret në të ardhmen po patëm sërish ata; sepse e ardhmja premtuese
mbi një të shkuar tmerruese është mashtrim i dytë. Jo se i ndalet dikujt e
drejta për premtime; madje do të ishte bukur e çuditshme një kampanjë pa
premtime; porse kredibiliteti i një fjale të dhënë karshi një pune të bërë
është i pabarazueshëm – siç dhe, unë konsideroj, duhet të jetë refleksioni i
premtimeve paraelektorale – shumica shkel e shko – të qeverisë së tanishme për
një të ardhme të ndritshme kur të shkuarën dhe të tashmen e kanë bërë lëmsh.
-2-
Numrat flasin; madje flasin
shumë. E numrat e kësaj qeverie, pavarësisht premtimeve për të ardhmen pra,
flasin keq shumë. E as që dua të merrem me premtimet për liberalizim vizash për
15 muaj, për shtetësinë e gjysmuar e proceset tjera integruese të lëna në gjysmë
– do të duhej një kolumnë e veçantë për të përmbledhur secilën nga to. Fjalën e
kam për premtimet ekonomike të sotshme përballë të bërave të deritanishme në
ekonomi; aty ku duket së është përqendruar fushata e tanishme e qeverisë së
sotshme – kryeministrit me plot premtime.
Kur qeveria e tanishme kishte
filluar fushatën – katër vjet më parë – kishte premtuar investime të jashtme;
investime të jashtme shumë. Ditën e premtimit të bërë, Kosova merrte, si
rrumbullakim vjetor, pak më shumë se 365 milionë euro investime të huaja
direkte. Në këto katër vite qeverisje, kryeministri që premton sot miliona investime
gjithandej, nuk ka arritur të sjellë as edhe një investitor të jashtëm serioz;
as edhe një emër që vlen të përmendet e që e njeh dikush – sfidoj secilin të
kujtoj vetëm një emër. Por jo vetëm aq, në katër vite qeversije, investimet e
jashtme kanë rënë dukshëm çdo vit, për të përfunduar në vetëm 255 milionë euro
vitin që shkoj. Pra kryeministri superpremtues, para se të japë fjalë gjerë e
gjatë për një të ardhme të luluar po mbeti sërish ai, është mirë të arsyetojë rënien
drasike prej 30% gjatë kohës së (dytë) tij.
Kur qeveria e tanishme kishte
filluar fushatën – katër vjet më parë – kishte premtuar privatizim të denjë të
PTK-së dhe investime të reja në Kosovën C. Përderisa nga PTK trembi “Deutsche
Telekom” dhe provoj të kamufloj shitjen tek një grup anonim “Axos & Najafi”
– pa adresë, pa përvojë dhe pa ide fare – në energjetikë arriti të ndërroj vetëm
emrin e projektit; nga “Kosova C” në “Kosvoa e Re”. As “C” e as “e Re”, e tëra çfarë
u bë në energjetikë ishte një falje skandaloze e distribucionit për një të
dhjetën e pasurisë së asetit, tek një kompani turke; sërish për të cilën vetëm
Kosova dinte. Përderisa varësia energjetike e vendit mbështetej në një
termocentral më të vjetër se sa mosha mesatrare e kosovarëve; investimet në
telekom jo që nuk u shtuan por u zvogëluan. PTK përfundimisht u shndërrua nga
një aset me vlerë gati një miliardësh në një kompani mëhallash – e gjitha gjatë
mandatit të tij.
Kur zvogëloi investimet e
jashtme – sepse trembi gjithkë – kur largoj secilin investitor të mundshëm nga
asetet publike – sepse trembi gjithkë – mbeti ai e ne vetëm me një autoudhë, të
bërë për katër vjet, me kosto çoroditëse e trishtuese edhe për vendet më me nam
për bërjen e superudhave nëpër Evropë. Ta
themi se nuk kishte ide për investime; nuk ja donte. Duhet të ketë bërë diçka më
shumë tjetërkah.
-3-
Fare. Sektorit privat i dha rëndesë,
korrupsion, burokraci e varësi të mëtutjeshme tregtare. Kur qeveria e tanishme
kishte filluar fushatën – katër vjet më parë – Kosova kishte një bilanc tregtar
të stër-rënduar. E paaftë për të prodhuar e krijuar diçka vet, ajo importonte plot
2.1 miliardë euro, ndërsa eksportonte vetëm 294 milionë; një bilanc negativ
prej plot 1.8 miliardësh. I njëjti njëri, që katër vjet më parë, e edhe disa
para saj, premtonte përkrahje për prodhimin vendor, për bizneset lokale, për ndërmarrësinë
kosovare – e që bën të njëjtën gjë sërish tash sepse kush e di pse nuk e ka bërë
për katër vite rresht – arriti që për një mandat të vetëm të rrisë bilancin
negativ në plot 2.2 miliardë euro. Në katër vitet qeverisje ky kryeministër e
kjo qeveri nuk ka arritur të rrisë eksportin as për një milion euro. Sot Kosova
eksporton as sa ka eksportuar katër vite më parë – rrafsh 294 milionë euro; ndërkaq
importon çdo vit plot 2.5 miliardë. Për të thyer më shumë zemrën e nacionalistëve
eventual, katër vite më parë Serbia ishte partneri i tretë tregtar, sot është
partneri i parë.
Kur qeveria e tanishme kishte
filluar fushatën – katër vjet më parë – kishte premtuar tolerancë zero ndaj
korrupsionit, hajnisë e keqpërdorimit të pasurisë publike. Në ditën e premtimit
Kosova ishte renditur nga Transparancy International, organizata më me renome
botërore që matë nivelin e korrupsionit nëpër botë, në vendin e 110. Katër vite
më pas, sot kur Kryeministri ofron sinqeritet, ndershmëri dhe sërish luftë zero
ndaj hajnisë – sepse kushedi pse nuk e ka bërë për katër vite më radhë – Kosova
renditet në vendin e 111. Katër vite të çuara huq për shtet, katër vite parajsë
për hajna e kriminelë. Bëni llogaritë vet.
Ta themi se nuk kishte ide për
investime, për sektor privat, për tregti e për luftë kundër korrupsionit; nuk
ja donte. Duhet të ketë bërë diçka më shumë tjetërkah.
-4-
Fare. Kur qeveria e tanishme
kishte filluar fushatën – katër vjet më parë – kishte premtuar punë, punë shumë.
Por punë dha pak, për mos të thënë fare. Katër vite më parë, Kosova kishte 695.000
të papunë; sot i ka 735.000 sosh. Punëson jo më shumë se 350.000 me pagën
mesatare më të ulëtën në rajon. Si rezultat vendi mban plot 29% të poppullsisë
në prag të varfërisë.
Për të rënduar jetën dhe më
shumë, i njëjti kryeministër që superpremton sot sërish mirëqenie për të gjithë
– sepse kushedi pse nuk e ka bërë për katër vite më radhë – kishte krijuar një
ambient super-inflativ. Vitin e parë – pas ditës së premtimit për mirëqenie –
Kosova kishte përjetuar normën rekorde të inflacionit në historinë moderne të
saj, plot 8.3% brenda një viti. Vitin tjetër kosovarët ishin varfëruar për 3% më
shumë; dhe 3% tjera një vit më pas – gati 15% në më tri vjet zhvlerësim për të
gjithë.
E për ti dhënë vijë gjithë
fotografisë ekonomike në vend – në katër vite ecjeje – në ditën e premtimit për
zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik, premtim identik sikurse ky për të nesërmen –
sepse kushedi pse nuk e ka bërë për katër vite më radhë – Kosova kishte një
rritje ekonomike prej 4%. Sot, rritja ekonomike e Kosovës është vetëm 2.5%.
Plot katër herë më pak se sa i duhet; plot dy herë më pak se sa kishim katër
vite më parë.
Për të mos harruar, katër vite
më parë borxhi ynë publik ishte zero, sot është plot 500 milionë; katër vite më
parë ne ishim pa shëndetësi, pa edukim e pa gjykata – sot jemi njëjtë. Shërohemi
jashtë, edukohemi për gazep e gjykohemi me mjerim. Në katër vite kjo qeveri e
ky kryeministër nuk arritën asnjëherë të ndanin para për themelimin e fondit shëndetësor,
një politikë prioritare për të gëzuar jetë. Hapi universitete gjithandej, por
nuk arriti të mbaj serioz as edhe njërin nga. E për gjykata, përveç se futi frikë
e tmerr për secilin që guxon të mendojë rreth tij e miqve të tij, krijoj nevojën
për një sistem paralel – një lloj protektorati ndërkombëtar nën EULEX – sepse jemi,
ai, ne dhe gjithë ky shtet të paaftë për të bërë drejtësi.
-5-
Ta themi se Kryeministri që sot
premton shumë, në katër vite të shkuara nuk kishte ide për investime, për
sektor privat, për tregti , për luftë kundër korrupsionit, për papunësi, për
varfëri, për çmim, për rritje ekonomike, për shëndetësi, për edukim e për
gjykata; nuk ja donte. Duhet të ketë bërë diçka më shumë tjetërkah – nëse mbetet
diçka për tu bërë. Fare. Por premton superzhvillim, superinvesitme,
superbiznese, supertregti, supersinqeritet, superpunësim, superrritje, supershëndetësi,
superedukim e super gjykata – sepse kushedi pse nuk e ka bërë për katër vite më
radhë.
No comments:
Post a Comment