Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 NËNTOR 2013
Një interpretim i gjuhës së zgjedhësve
Natën kur u
mbyllën kutitë zgjedhore, u hapën ato të dalldisjes. Fitore, fitore plako
gjithandej. Fitore shpallën të gjithë, të djathtë, të majtë, të mesëm, burra,
gra e fëmijë – të gjithë shpallën fitore, nga ata me 59.000 vota tek ata me
vetëm 59. Në të vërtete, natën kur u mbyllën kutitë zgjedhore rëndësi kishte
vetëm shpallja e fitores; sa më shpejt, sa më shumë, sa më bindshëm; e gjitha e
shoqëruar me një garë paradoksale buzëqeshjesh (natyrisht artificiale), nën
bindjen se kush qeshë më shumë del më bindës – thuajse kutitë nuk do të numëroheshin
asnjëherë.
-1-
Natën kur u
mbyllën kutitë zgjedhore, populli veçse kishte dhënë mendimin (vox populi). E
kishte bërë këtë me plot qytetërim, durim e vullnet; si asnjëherë më parë. E
sikur të mos ishin dy-trembëdhjetë huliganë të maskuar serb në Veri, dhe nja
dy-treqind vëzhgues të OSBE-së që premtojnë demokraci pa sakrifikuar as një
gram guximi, e nja dy-tremijë forca të sigurisë ndërkombëtare herë me ngjyra të
EULEX-it e herë me ato të KFOR-it që përballjen me dy-trembëdhjetë serb
nacionalist e përkthejnë rëndom në ikje – zgjedhjet do të ishin për mësysh. Në
të vërtetë, po mos të ishin nja dy-tre negociues që takohen po nuk kanë haber
për çfarë negociojnë, e që ndërtojnë procese që nuk mund ti mbrojnë as përballë
dy-trembëdhjetë vetëve nacionalistë, i gjithë vendi do të ishte për mësysh.
Legjenda
thotë, megjithatë, se nën frymën e konspiracionit, dalja e ulët e votuesve serb
në zgjedhje kishte alarmuar dy-tre negociatorët që po kuptonin se procesi për të
cilin kishin dhënë ku me ditë sa takime, kishte dështuar në tërësi dhe e vetmja
shpresë për një gjasë të dytë – nga ku të gjithë do ti bënin punët mbarë e mirë
– ishte një skandal me dy-trembëdhjetë të maskuar, rrjedhimisht një përsëritje
siç pritet.
-2-
Natën kur u
mbyllën kutitë zgjedhore, mbi 800 mijë kosovarë – kam përshtypjen si asnjëherë
tjetër – kishin dalë në votime; sa për të treguar kështu interesin e tyre për procesin
më testues të mundshëm në vend. E sikur KQZ të kishte pastruar listat në tre
vitet e fundit, gjatë së cilës kohë kishte bërë asgjë, përqindja e daljes nuk
do të rrumbullakohej rreth 48% (nën supozimin brutal se Kosova ka sa banorë aq
edhe votues), por në plot 68%; një dalje impresive them unë.
Në të
vërtetë, në këtë 800 mijësh bënin pjesë edhe serbët jo-veriorë, e të cilët për
dallim nga nacionalistët anti-shqiptarë në Veri, ka kohë që institucionalizojnë
me të tjerët dhe këtë herë, me poashtu rekord të ri personal, kishin dalë në
plot 60%. Për kënaqësinë e bashkëjetesës me çdo etni tjetër, të njëjtit madje
nuk kishin dëgjuar zërat rekomandues nga Beogradi për të përkrahur listën me
emrin provokues “Srpska”, por kishin ndarë votat në gjysmë – dhe për serbët
institucionalë me përvojë, duke prodhuar kështu shenja shprese për një vend të
përbashkët me kosovarët e tjerë.
-3-
Natën kur u mbyllën kutitë zgjedhore, kosovarët kishin dhënë përgjigje për secilën parti politike e për secilën filozofi partiake. E kishin bërë këtë me sharmë madje; duke prodhuar befasi të këndshme gjithandej – kishin treguar dituri kritike duke dënuar pushtetet aktuale në mbarë vendin, e më së shumti duke dënuar arrogancën politike të shfaqur ndaj tyre.
Për partinë
më të madhe në vend, pra PDK-në, cilësimi “më i madh” ishte shpërblimi “më i
madh” që ata realisht mund dhe të merrnin nga këto zgjedhje. Humbja e
diferencës në përqindje me vendin e dytë kishte pak rëndësi; përderisa ishin të
parët kjo kishte rëndësi. Natyrisht se humbja e Gjilanit, Vitisë, Suharekës
bashkë me deklasimin në Prishtinë – ndër të tjerash, përbënin një lajm jo të
këndshëm për ta; gjithsesi, lajmi më pak i këndshëm do të ishte ideja e rënies.
Sepse të njëjtit e dinë se po fillove një herë rënien përplasja është fare e
lehtë. Në të vërtetë, po të humbej dhe Prizreni – të cilën e mbajtën me plot
sukses – ngushtimi e turpërimi zgjedhorë do të ishte i vulosur; siç edhe u
vulos turpërimi në kryeqendër ku pas gjithë atyre investimeve në lista
asamblistësh – quasi modern – partia kishte thyer rekordin më të ulët të regjistruar
ndonjëherë. Sinjali është i qartë, përderisa prodhojnë anomali parlamentare të
“sjelljes e pështjelljes” e “gjuajtjes me këpucë takash”, rënia është e
garantuar.
Për partinë
(ende) të dytë në vend, pra për LDK-në, gjithçka do të ishte një ëndërr e
bukur, sikur militantë e rrahës-shpinash të mos rrisnin pritjet e fitores pa
balotazh në Prishtinë. Legjenda thotë se pritjet, këta militantë që rëndom
bëjnë rrafsh, i kishin në hiç më pak 60%. E për çdo kënd tjetër nga jashtë,
mandati i tretë nga kryetari i njëjtë, i gjashti nga partia e njëjtë, do të
duhej natyrshëm të prodhonte numra më të ulët se sa hera e shkuar – shto kësaj dhe
injorimin e bërë gjatë fushatës në kurriz të një angazhimi nacional, dhe ke një
pasqyrë të përafërt të arsyeshmërisë së numrave në fjalë. Gjithsesi se
diferenca në vota do të duhej të bënte komfortin e tyre; fituesi është fitues
pale edhe me një votë më shumë e lëre me nëntë mijë. Për anën e bardhë të tyre,
rritja popullore dhe marrja e dy qendrave të mëdha, pra e Gjilanit dhe Pejës, përbëjnë
thelbin e gjithë suksesit. Përballë këtij suksesi dhe përballë legjitimitetit të
fituar se mund të thirren si opozita e vetme në rritje në vend, LDK ka marrë
nga po të njëjtit votues sinjale të mjaftueshme se garda e vjetër e partisë, siç
është rasti i Prizrenit, duhet të harrohet. Për më tepër, LDK ka marrë sinjal të
qartë se pa një aktivizim hiper më të madh nga ta, do të mbesin për një kohë të
gjatë “të dytit”. Fitorja e vërtetë megjithatë kërkon punë tjetër.
Për partinë,
deri para natës kur u mbyllën kutitë zgjedhore, e tretë, pra Vetëvendosjen,
zgjedhjet do të mbahen mend si dita më e rëndë e mundshme. Një penalizim i
papritur qytetar ndaj gjithë atij aktiviteti parlamentar, rrugor e konferencash
që Lëvizja kishte bërë në këto tre vite, ishte më së paku çfarë të promovuesi e
saj prisnin. Sado që të njëjtit mundohen të arsyetojnë – dhe për këtë duken dorën
në zemër artificiale, çfarë nuk jemi mësuar ti shohim asnjëherë –
moskrahasueshmërinë e votës lokale me votë nacionale, është e qartë se rënia në
vetëm 8% është matës korrekt i fuqisë së tyre politike në vend. Edhe sikur të
kishte ndonjë ndërrim nuk do të ishte aq i lartë sa të kënaqte edhe për së paku
pritjet e tyre. Përkrahja e marrë sot u bën anëtarëve të Vetëvendosjes të qartë
papajtueshmërinë popullore – pra të atyre në të cilët këta thirren vetë – me mënyrat
e opozitëbërjes në vend; madje si për inat të tyre, populli zgjedh një
alternativë krejt të kundërt nga ta. Ky popull u bën të qartë të njëjtëve se
fjalimet e fundit zgjedhore se “ne jemi për shokë e shoqe, për publikën e jo
privaten”, kur të gjithë pretendojnë privaten pas ngopjes nga publikja e shoku
e shoqja, janë pretendime patetike, të pavlera dhe tanimë as popullsitë. Nëse Lëvizja
pretendon rritjen, e jo tkurrjen e mëtutjeshme në stil të njëjtë me plot parti
para saj që rëndom pas një rritje të parë merrnin teposhtëzen, atëherë e njëjta
duhet ti rishikojë disa nga parimet më fundamentale të saj – nga orientimi
filozofik e deri tek metoda e papëlqyer e rrugës (me votë e me pjesëmarrje). Në
vend të kësaj, e njëjta duhet të shikoj nga modeli i Prishtinës, ku kandidati i
saj bën një kërcim të shkëlqyeshëm, replikimi i së cilës në gjithë Kosovën do të
shndërronte VV-në në parti lidere në vend.
Për partinë,
tanimë të tretë në vend, pra AAK-në, humbja e 3 komunave nga gjithsejtë gjashtë,
përfshirë dy më të rëndësishmet, pra Pejën e Gjakovën, është tregues kristal i
qartë se flirtimi i bërë me pozitën pa fije kriteri e kurrizi do ta shndërrojë
eventualisht në një parti lagjesh. Madje, po mos të ishte rritja e votës popullore,
e cila ndodhë për shkak të mobilizimit të mirë nëpër degë para së gjithash, AAK
do të konsiderohej me të drejtë si humbësja më e madhe në këtë zgjedhje; jo se
edhe është shumë më ndryshe thënë të drejtën. Filozofitë e komfortit dhe arrogancës
së shfaqur në qeverisje lokale – të cilën madje e promovonte si shembull të
qendrores – bashkë me kiç e shundin e “motrave Bushi” e këngëve për “Doktor
Palin” japin me shumë meritë pozicionin e tanishëm të Aleancës.
Në fund
fare, për partinë e fundit, pra AKR-në, shpëtimi në Gjakovë është dhurata më e
mirë që lideri i saj me gjithë familje në parti – bashkë me plot parashutistë të
përkohshëm aty, mund të kenë marrë. Përndryshe turpërimin në të gjitha qytetet,
ama bash të gjitha qytetet, do të mund ta përcjellin me mbyllje. Tani që kanë
një komunë, është koha të testojnë gjithë ato premtime të bëra në sa vjet
ekzistencë; ani pse të njëjtat nuk i kishin bërë asnjëherë – të njëjtit njerëz –
në nivel qendror, kur mbanin plot ministri, plot borde e plot agjenci.
No comments:
Post a Comment