Monday, 28 October 2013

MBI ZGJEDHËSIT DHE TË ZGJEDHURIT (3)

Letra nga limbo
25 Nëntor 2013

Çfarë mbetet prioritet i padiskutueshëm në këto zgjedhje, pavarësisht shlyerjeve, përçarjeve e dëshpërimeve, është që vendi të prodhojë institucione kredibile, të zgjedhura me votë të lirë e jo të vjedhur. Në rast të kundërt, nëse edhe këtë herë dëshmojmë se nuk kemi vullnet e mundësi të mbajmë as edhe zgjedhje të lira, nuk na duhen as zgjedhësit e as të zgjedhurit; do të jemi të destinuar për nënshtrim.


Përgjatë dy shkrimeve të shkuara provova që në frymën e diskutimeve publike e private gjithandej mbi zgjedhjet lokale në vend, të jap percepcionet e mia rreth fuqive politike dhe pritjeve potenciale për secilën prej sosh. Në dy shkrimet e shkuara provova të argumentojë rreth tri partive më të mëdha parlamentare në Kosovë, për PDK-në, LDK-në dhe VV-në; mbi testet, sukseset dhe pasojat potenciale për to. Në shkrimin e tretë dhe të fundit në këtë seri – këtë herë – do të provoj të argumentojë rreth partive të mbetura parlamentare – rreth AAK-së dhe AKR-së.

***

Po të mos ishin ato 100 ditët e përmendura dhe stërpërmendura (natyrisht vetëm) nga militantët dhe pjesëtarët e AAK-së, zor se ky grupacion mund të gjente shembuj serioz të të bëmave e që do të shpërfaqnin se bashku një alternativë jo-regjionale të qeverisjes. Në të vërtetë, përveç 100 ditëshit të stërpëmnedur brutalisht, AAK kishte edhe një mandat tjetër me z. Çekun në krye, dhe një gjysmë tjetri me z. Kosumi – pa hesapuar këtu disa mandate lokale përfshirë dhe ato në dy nga shtatë qendrat më të mëdha të Kosovës; pra Pejën dhe Gjakovën. E të gjitha këto mandate e gjysmë mandate - qendrore e lokale - së bashku japin fatkeqësisht një pasqyrë aspak të lakmueshme të alternativës potenciale. Në të vërtetë, nëse qeverisja e tillë është më së miri çfarë mund ata të bëjnë, më mirë të mos e bëjnë fare.

Por ja që grupacionet politike nuk mund ti mbash përgjegjës në pafundësi. Dikur përgjegjësia shpërfaqet si individuale dhe njëtrajtësisht individët penalizohen me margjinalizim. AAK vetëm pak muaj më parë kishte gjasën e dytë; sikur – dhe kjo jo me pak rëndësi – të mos vetëdigjeshin me performancën kamikazë të jokredibilitetit në opozitëbërje herë me afrime e herë me largime, për të marrë në fund asgjë hiç. Duhet thënë qartë se në kohën kur lirohej ish-kryeministri Haradinaj opozita kosovare ndodhej në një amulli orientuese dhe rrjedhimisht – në sy të votuesve – në bajatizëm e nevojë dëshpëruese për risi politike. Duhet ti ketë pasur mesiguri këshilltarët politik tepër të dobët ish-kryeministri për të mos kuptuar hendekun e krijuar për të menjëherë pas lirimit të tij. Ky hendek nuk është më askund. Në të vërtetë, AAK mund tani të mobilizojë (në rastin më të mirë) vetëm masat militante nëpër regjionet tradicionalisht të veta, sepse qëndrimi tashmë karakteristik për ta as me pozitë e as me opozitë domosdoshmërish ka irrituar gjithë ata votues jo-militantë; e të cilët përndryshe ndodhen ashtu kështu në një grumbull alternativash tjera të opozitës – nga më të ndryshmet.

Thënë ndryshe, në këto zgjedhje nuk shoh asnjë argument që shpërfaqë AAK-në në rritje, as efekti tashmë i hargjuar i kthimit të liderit; rrjedhimisht shoh AAK-në në defanzivë për të ruajtur – sidomos – dy qytetet e mëdha, atë të Pejës dhe atë të Gjakovës. Në të dy këto qytete AAK nuk ka konkurrencë pozitën qendrore, por ka opozitën. E të ndodhur në nevojë dëshpëruese për të shtyrë bërrylat fillimisht në opozitë, çdo humbje eventuale këtu do të thoshte rënie drastike dhe partisë – ndoshta deri në nisje për nën-prag nacional.

Në notë të veçantë, nuk arrij të kuptoj fushatën e tanishme të AAK-së e cila në njërën anë promovon vetën për rezultatet e qendrës, sidomos me fjalimet se ne po marrim qeverinë; e në anën tjetër jep premtime brutalisht qesharake, si ato se në çdo komunë e udhëhequr nga ta do të punësoj së paku një anëtarë të familjes. E kuptoj ndoshta naivitetin e këngëve të “motrave Bushi”, surlet e tupanët, apo dhe “shkrepjet me allti” në tubime kryesisht testosteronesh – sepse ashtu i han adrenalina – por nuk arrij të kuptojë e as konceptualizojë naivitetin e premtimeve në rend të parë të pamundura e më pas dhe të padrejta, absurde dhe të panevojshme. Premtimet si to, jo që nuk janë në vijë me konceptin e djathtë që e promovojnë ata (besa as me të majtin), por nuk janë bërë e nuk mund të bëhen në asnjë vend në botë, meqë nuk kanë logjikë. Puna nuk jepet me solidaritet, por me performancë e kredibilitet, me mundësi të kryerjes e me zotësi. Ka një dallim thelbësor mes punës dhe përkrahjes sociale; a thua as kaq dallim nuk mund të bëjnë?! Sinqerisht shpreh trishtim e dhimbje kur dikush tallet kaq publikisht me vetën dhe të tjerët. Alternativa serioze së paku ishte dashtë të ketë një lloj kredibiliteti e vetërespekti para se të imitojë punësimet në Kazakistan e Turkistan të AKR-së vetëm disa vite më parë; kur ndoshta “foret” edhe shiteshin ashtu. Gjithsesi se qëndrime si këto eklipsojnë dhe punën e mirë e idetë kreative të disa kandidatëve të AAK-së, sidomos të atij në Prishtinë. Të gjithë futen në fund në një thes.

***

E kur jemi tek AKR, grupacioni më joserioz politik në vend – rrjedhimisht më i paqëndrueshmi në histori të tij – nuk kam se si të mos shpreh refuzoj vazhdimin e premtimeve tallëse që në çdo fushatë lideri i saj bën, diçka për shembull si ai i faljes së 70 e disa hektarëve tokë nëse partia familjare e tij fiton. Kam përshtypjen se i njëjti ka vështirësi të bëjë dallimin mes biznesit privat dhe qeverisjes - siç edhe kishte ngatërruar vizitën në Nigeri kur si zëvendës-shef i qeverisë kishte nënshkruar marrëveshje për termocentrale në emër të biznesit të tij. Përderisa nuk gjykoj solidaritetin e tij, e që mund ta bëj dhe sot e besa edhe nesër pavarësisht se kush vjen, nëse bash dëshiron të solidarizojë me Prishtinën, them se daljet e tilla paraqesin edhe një herë  sa joserioze është kjo alternativë.

Në të vërtetë e njëjta për pjesën më të madhe të saj ka qenë edhe aksidentale; e ndërtuar kryesisht nga prurjet e shpejta e të aty për atyshme pak para zgjedhjeve. Në tri palë zgjedhje AKR kishte mbledhur njerëz të shoqërisë civile, biznesmenë e të painkuadruar të tjerë që rëndom dhe largoheshin me po atë shpejtësi që edhe futeshin. Mungesa e kurrizit partiak prodhonte dhe mungesë në qeverisje qendrore, diçka si për shembull rrëzimi i qeverisë për të futur veten në koalicion “frankenshtajn”, për të marrë punë  e mos bërë atë dhe në fund arsyetuar se nuk kanë pasur hapësirë për të bërë një gjë të tillë; pa harruar sërish votë kërkimin në emër të guximit e punës ani pse të njëjtën nuk kishin mundur ta bëjnë – çfarë paradoksi ofendues.

Politikat e shpërfaqura kështu nuk kanë se si mos të prodhojnë rënie; rënie dhe shumë rënie. Në të vërtetë, AKR mund të jetë lehtësisht pranë shuarjes menjëherë pas këtyre zgjedhjeve. Beteja e fundit e saj (përjashto një lagje të fundit në Prishtinë si Hajvalia) është vetëm Gjakova e mbetur, në të cilën kjo parti futet me kandidaten e saj më të fortë. Atje, megjtihatë, AKR ndodhet fillimisht në konkurrencë me LDK-në dhe VV-në për të marrë votat e “qytetit”, para se të futet në një garë balotazhi me “Doktor Palin”. Kjo konkurrencë opozitare mund të dëmtojë atë deri në parikuperim.

***

Nuk besoj të ketë patur zgjedhje lokale më interesante se këto në Kosovë ndonjëherë. Aq shumë është vënë në tall, e aq pak mund të dalë nga aty sa që çdo skenar është i mundur. Gjithsesi, për Kosovën me rëndësi ëhstë që gjërat të lëvizin, të ndryshojnë. Që status-quo-ja dhe komforti i qeverisjes qendrore të dridhet për të shtyrë kështu vendimmarrësit në më shumë përgjegjësi e në më shumë llogaridhënie – së paku për kohën e mbetur të kësaj qeverisje.

Çfarë mbetet prioritet i padiskutueshëm në këto zgjedhje, pavarësisht shlyerjeve, përçarjeve e dëshpërimeve, është që vendi të prodhojë institucione kredibile, të zgjedhura me votë të lirë e jo të vjedhur. Në rast të kundërt, nëse edhe këtë herë dëshmojmë se nuk kemi vullnet e mundësi të mbajmë as edhe zgjedhje të lira, nuk na duhen as zgjedhësit e as të zgjedhurit; do të jemi të destinuar për nënshtrim.



Monday, 21 October 2013

MBI ZGJEDHËSIT DHE TË ZGJEDHURIT (2)



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 18 TETOR 2013

Një vështrim pritjesh zgjedhore nga e prej LDK-së dhe VV-së

Javën që shkoi, në një përpjekje për të analizuar procesin zgjedhor lokal në Kosovë, provova të argumentojë mbi pritjet që partitë politike mund të kenë në zgjedhje lokale – gjithmonë si një test para nacional i zgjedhjeve të vitit në vijim. Në pjesën e parë të këtij shkrimi tre-pjesësh diskutova mbi tallin që secila parti e secila lëvizje politike ka vendosur në këto zgjedhje, se si rezultatet e këtyre zgjedhjeve mund të diktojnë aq shumë skenën politike të Kosovës sa që të determinojnë dhe ekzistencën ose jo, të disa prej akterëve – deri më sot – kryesorë.

Përderisa në pjesën e shkuar diskutova mbi sjelljen e PDK-së, si parti kryesore parlamentare në vend, në këtë të sotshmin dhe atë të javës së ardhme do të provoj të argumentojë mbi pritjet dhe rreziqet nga e për partitë opozitare (parlamentare). Sa për të rikujtuar, opozita kosovare futet në zgjedhje lokale me po aq kureshtje për vlerësimin e testin që zgjedhësit do tu bëjnë. LDK do të testojë oponencën e shfaqur në frymën e quajtur nga ta si institucionale – gjithsesi nga gjithë të tjerët si pasive; VV do të testojë protestën dhe rrugën si alternativë të keqqeverisjes për të parë se mos polarizimi i kërkuar nga ta ka prodhuar ndonjë efekt rritës në preferencat qytetare (ose jo); AAK do të testojë efektin “Haradinaj” pas kthimit spektakular dhe djegies pa-koalicion edhe më spektakulare; AKR në fund fare do të testojë flirtimin e rëndë me qeverinë, të bërë gjatë rrëzimit të saj (më 2010) dhe gjatë krijimit të saj (më 2011) - për të ofruar nga vetja ankesë për pamundësi (sa për të dëshmuar paaftësinë si vlerë) dhe asgjë më shumë.

***

Herën e fundit që LDK kishte dalë nga një proces zgjedhor, ishte viti 2010, kur pas rënies drastike të viteve 2007 e 2009 rritja ishte përkthyer si rilindje. Për një rilindje të dytë LDK ka nevojë edhe sot; kjo gjithsesi nëse udhëheqësit e saj pretendojnë primatin e fuqisë politike në vend – në të kundërtën çdo stagnim në numër e përqindje është sinjal i qartë nga kosovarët në relacion me ta. E për të marrë këtë primat, LDK ka zgjedhë në disa komuna kryesore një strategji bukur të çuditshme – riciklimin.

Shoh dy arsye prapa një strategjie të tillë - gjithmonë për mua të habitshme. E para, sepse në rast të humbjes eventuale të figurave në pretendim të përjetshëm për riciklim, qendra do të lirojë veten dhe kështu marrë frymë një herë e mirë. Në stilin e njëjtë të largimit nga qytetarët ishte fshirë edhe kandidati i tyre për Ferizaj gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme aty më 2012. E dyta, sepse në rast të fitores eventuale të të ricikluarve – të njëjtit do të akomodohen nëpër qeverisjet lokale për të liruar sërish qendrën drejt frymëmarrjes së lirë. Në një rast hipotetik dhe presupozues ndaj reformës, strategjia e tillë është me përfundim “të shumës zero”. E tëra natyrisht mban një rrezik permanent, të refuzimit qytetar ndaj qendrës. Jo të gjithë kanë kohë të presin.

Pavarësisht kësaj, janë dy komuna që i ofrojnë LDK-së betejën kryesore. E para është Prizreni, në të cilën kjo parti futet me një kandidat që e ka humbur atë një herë. E për të marrë “Jerusalemin” e kundërshtarit politik, LDK paradoksalisht nuk mund të shpresojë në fitoren vetanake, por në humbjen e kryetarit aktual; i cili përndryshe në çdo rrethanë normale e në çdo shtet normal nuk do të duhej as të konsideronte kandidimin përderisa është në proces gjyqësor – por ja që mund ta bëjë tek ne. Rol kryesor në Prizren gjithsesi do të kenë dhe komunitetet pakicë të cilat marrin një numër enorm të votave; për rikujtim, rreth 20% e votave të gjithmbarshme prizrenase i kanë takuar në vazhdimësi komunitetit minoritar turk dhe boshnjak. Duke parë afërsinë e tyre me PDK-në në nivel qendror është lehtësisht e pritshme se në rast të balotazhit të njëjtit mund ti japin një dorë ndihmese kryetarit aktual. LDK atje mund të shpresojë edhe në efektin e BD-së së Zafir Berishës - i cili vetëm disa vite më parë konsiderohej si arkitekt i fitores spektakulare të Mujës në Prizren.

Beteja e dytë ndodh në komunën me (potencialisht) konkurrencën më të ngushtë në vend, Gjilani, ku LDK futet në gjasa pothuajse të barabarta ndaj PDK-së dhe VV-së. Këtu numrat nga zgjedhjet e fundit parlamentare tregojnë për një shpërthim elektoral të VV-së e cila kishte zotëruar plot 9500 vota, përballë PDK-së me 11.000; LDK ndodhej e treta me vetëm 8900. Në fakt, LDK dhe VV në këtë komunë kanë problem balotazhin meqë secila mund të largojë tjetrën. E në rast të kalimit në balotazh secila mund të shpresojë në votat e tjetrës - një aleancë e çuditshme por gjithsesi e mundur marrë parasysh nevojën e tyre për neutralizuar përfundimisht pushtetin dy-mandatësh atje.

Në Prishtinë, si beteja e fundit por gjithsesi më e rëndësishmja për LDK-në, gjithçka do të varet nga diferenca në relacion me vendin e dytë. Në rast të një fitoreje pa balotazh, LDK merr konfirmimin prishtinas (së paku) për oponencën e deritanishme. Por ama, në rast të një balotazhi të ngushtë - dhe pavarësisht rezultatit të rundit të dytë - mesazhi do të ishte sa i qartë aq edhe i dhimbshëm për partinë kryesore opozitare. Një fitore lokale me trend rënës (në proporcion me matjet nacionale) nuk është ku me ditë se çfarë fitore për cilindo me pretendim të primatit qeverisës.

Në fund fare, për hir të diskutimit me probabilitet pothuajse “të një topi bore në ferr”, qendrat tjera si Mitrovica, Peja, Gjakova e Ferizaji janë dhe mund të mbesin bukur larg “rrjetit” të LDK-së edhe për katër vitet e ardhshme. Në tri komunat e para kjo parti madje në zgjedhjet e fundit as që ka qenë pretenduese e vendit të dytë; pa lëre më të parit. Gjithsesi se për ta, një ngritje e konsiderueshme në këto komuna, sa për të dhënë sinjalin e votimit nacional, do të ishte lajm i mjaftueshëm në një skenar të moderuar pritjesh.

***

Për Lëvizjen “Vetëvendosje!” këto janë zgjedhjet e para lokale (përjashto ato të jashtëzakonshmet të organizuara në Kaçanik dhe Ferizaj) dhe si të tilla përbëjnë një mundësi të re vlerësuese në tri fronte. I pari - dhe ky kam përshtypjen duhet për ta të jetë dhe më i rëndësishmi - përbën frontin e rikonsolidimit të të gjitha njësive lokale të lëvizjes; një lloj parapërgatitje ngrohëse për garën (e vërtetë) nacionale. Mobilizimi i përkrahësve militant të lëvizjes mund të marr një hov të rëndësishëm veçanërisht nëse rezultati përfundimtar nga këto zgjedhje është premtues për të ardhmen.

Fronti i dytë ka të bëjë me vlerësimin e brendshëm për një lloj hierarike partiake. Për një trup organizues që ka pretenduar në vazhdimësi interpretimin orientues vetëm ndaj “qytetarit” dhe vullnetit të tij e saj, nuk ka mundësi më të mirë matëse e vlerësuese për shumicën e akterëve partiak se sa interpretimi nëpërmjet zgjedhjeve dhe numrit të votave që ata potencialisht do të merrnin. Në këtë proces VV do të vendosë një peshore për përbërësit e saj.

Fronti i tretë, dhe jo më pak i rëndësishëm, ka të bëjë me natyrën e një rezultati final. E ky rezultat final nuk është domosdoshmërish marrje e udhëheqje e një komune; VV mund të dalë e kënaqur e thirret në sukses në rast të ngritjes më shumë se simbolike të numrit të gjithmbarshëm të votave që ajo merr. Kjo rritje potenciale, nëse ndodhë gjithsesi, do të konfirmonte ecjen polarizuese të lëvizjes gjatë oponencës në politikëbërje. Njëtrajtësisht, në rast të stagnimit, apo për më keq rënies, VV do të merr mesazh kristal të qartë se për qytetarët (në e për të cilët dhe thirren ata) oponenca radikale është e papranueshme. E nëse VV dëshiron të mendoj një trend më ndryshe se trendet e zakonshme debutuese si ato të AAK-së e AKR-së ku pas një eksplozimi fillestar vijonin rëniet graduale deri në rrezik për shuarje, atëherë e njëjta duhet të mendojë urgjentisht ndërrimin e kursit të anijes.

Përndryshe VV ka gjasa bukur të mira të marrë Gjilanin - ku, siç argumentova më parë, ajo mbanë vendin e dytë për nga përkrahja e gjithmbarshme nga zgjedhjet nacionale. Thënë të drejtën, në një vend ku praktikisht është provuar e testuar gjithsecili, do të ishte bukur interesante testimi e provimi edhe i VV-së nëpërmjet udhëheqjes së një komune. Në Prishtinë VV gjasë më të mirë mund ta ketë balotazhin. Them kështu meqë edhe nëse e arrin raundin e dytë, atëherë VV nuk mund të llogaritë në votat e përkrahësve të tjerë opozitarë të cilët megjithatë do të preferonin mos-rritjen e VV-së si marrëse e kërcënuese direkte e votave të tyre.

Zgjedhjet lokale, përveç tjerash, do të peshojnë edhe potencën kreative të VV-së përtej shablloneve të përgjithshme që polarizojnë e karakterizojnë Lëvizjen në relacion me temat si negociatat me Serbinë, privatizimin e ndërmarrjeve publike apo dhe shtetin social; në zgjedhje lokale këto fusha kanë shumë pak rëndësi. E deri më tani, përjashto Prishtinën, VV del me shumë më pak potencë se sa që zakonisht kemi mësuar ta shohim në debatet parlamentare apo temat e mëdha qendrore. Në të vërtetë, energjia e shfaqur nga VV zakonisht në Parlament - e që nuk e ka shfaqur asnjë grupacion tjetër politik asnjëherë më parë - e gjejmë shumë pak në nivel lokal. Ndoshta kjo sa për të konfirmuar dhe centralizimin e kualitetit politik e të ideve vetëm në qendër.

Monday, 14 October 2013

MBI ZGJEDHËSIT DHE TË ZGJEDHURIT (1)

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11 TETOR 2013

Për secilën parti politike, zgjedhjet lokale janë një lloj testi provues për fuqinë dhe pritjet e tyre në zgjedhjet e “mëdha”. Për PDK-në për shembull, zgjedhjet lokale testojnë durimin ndaj keq-qeverisjes, për LDK-në zgjedhjet do të testojnë oponencën (kryesisht pasive) të shfaqur në parlament, për VV-në ato testojnë revoltën dhe protestën e shfaqur në rrugë, për AAK-në testojnë efektin e shpërfaqur në vazhdimësi të kthimit të Haradinajt ndërkaq për AKR do të testojnë mbijetesën ose jo të saj pas flirtit politik për pushtet


Kur po futemi në çerekun e dytë të fushatë zgjedhore – me gjithë ofensivën promovuese, votëkërkuese e vetëlavdëruese – potencat, idetë e kreativitetet (ose jo) po bëhen gjithnjë e më të qarta; gjithsesi jo aq të qarta sa për të ditur kush ku po zë vend. Në të vërtetë, sallat e mbushura apo të thata, vizitat e shpeshta apo të mangëta, tupanat e surlet e zhurmshme apo jo, nuk janë treguar asnjëherë fuqinë reale të partive. Ato mund të tregojnë vetëm bazën militante që secila ka. E baza militante e partive politike megjithatë nuk përcakton asnjëherë fituesin apo humbësin. Fituesi apo humbësi, si çdo herë tjetër tashmë, përcaktohet nga “vota e mesit”, nga ata individë e grupe që megjithatë reflektojnë në nismat partiake e në të bëmat e tyre. Votat e këtij mesi përbëjnë votues që nuk marrin pjesë në tubime tupanxhinjësh, që nuk vrapojnë pas valleve të pakuptimta, e që ndërtojnë opinionin më ndryshe se nga ndjenja e adrenalinsës.

Vota e mesit, për pjesën më të madhe të kohës, mund edhe të qëndrojë (dhe ka qëndruar) indiferente; një lloj përgjigje ndaj paaftësisë qeverisëse për tu sjellë me edukatë dhe njëtrajtësisht një lloj përgjigje ndaj opozitës për tu sjellë bindshëm e denjësisht. Përderisa indiferenca e tyre mund të zgjasë deri në ditën e zgjedhjeve – gjithmonë pra si formë përgjigjeje e jo si formë pasiviteti angazhues – e njëjta mund dhe të ndizet në rast të një euforie pozitive që mund të kapë gjithkënd gjatë fushatës. Mesazhet, idetë dhe në fund vet sjelljet e premtuesve e garuesve mund të ndezin – nëse bëhen ndryshe nga klishetë zgjedhore – reagueshmërinë e “mesatarëve”. Pyetja megjithatë është se sa kanë potencë partitë e tanishme politike të zgjojnë këtë reagushmëri.

***

Për ti dhënë një ngjyrim analitik zgjedhjeve në Kosovë, them se duhet ndarë ato në tri pjesë. Pjesa e parë trajton konkurrueshmërinë në Prishtinë – si një njësi e veçantë nga të tjerat. Këtu, për dallim nga zgjedhjet paraprake, zgjedhësit kanë më shumë zgjedhje. Ndoshta sepse Prishtina përbën një hap bukur të rëndësishëm të ecjes politike për kandidatët e rinj, ndoshta për faktin se ajo në vete mban një fuqi enorme politike dhe ekonomike, apo ndoshta dhe për faktin se është kryeqytet dhe ku ka sasi ka edhe cilësi – pavarësisht të gjithave, Prishtina ka në vete një grup mjaft kualitativ të kandidatëve. Këtë luks e kanë fare pakë, ose asnjë komunë tjetër në Kosovë.

Pjesa e dytë trajton zgjedhjet në veriun e Kosovës. Dy vjet bisedime, mbi njëzet runde negociatash, një makineri e tërë e BE-së do të vihet në sprovë gjatë dhe pas zgjedhjeve të 3 Nëntorit. Kjo sepse ato na organizohen për herë të parë – siç thotë Qeveria e Kosovës – nën sistemin kosovar; apo për herë të parë – siç thotë Beogradi – nën mbikëqyrjen ndërkombëtare për të legjitimuar struktural deri më tani paralele. E vërteta e hidhur megjithatë është se komunat Veriore do të kenë një tretman paralel për të prodhuar gjoja institucione joparalele; bukur oksymonorike kjo punë. Gjithsesi se votimi pa stemën e Republikës, organizimi nën ombrellën e OSBE-së dhe në fund prodhimi i kryetarëve potencial që nuk njohin Republikën e Kosovës, është produkti më i paqartë – dhe një kohësisht barra më e rëndë për gjeneratat e ardhme – që Kryeministri i vendit lë për trashëgimi.

Pjesa e tretë trajton gjithë komunat tjera, përtej Prishtinës dhe Veriut. Përjashto dy apo tri qendra të mëdha ku dhe do të zhvillohen betejat kryesore për pushtet, komunat tjera në parim ofrojnë tallje. Secili kandidat me secilën parti nëpër këto pjesë futet pa ide, me plot fjalë dhe me premtime euforike që burojnë nga stadiumi i “Wembleyt” në Mitrovicë e deri tek “Parisi” në Lipjan. Pjesa më e dhimbshme e gjithë kësaj tallje është se të mbledhurit militantë aty brohorasin e çirren edhe kur të tjerët tallën me ta – një lloj komedie publike kjo punë. E se sa të varfër në mendje janë këta kandidatë shihet edhe prej prezencës së qendrave nga secila parti. Asnjëri prej tyre nuk do të kishte fuqi për të mbledhur njëzet a tridhjetë vetë pa ndihmën e kryetarëve partiak; dikur njeriu nuk e kupton se kush ku është duke garuar. Kujtoj se zgjedhjet komunale do të duhej të ishin mbi kapacitetet e fuqitë e pretendentëve për kryetarë e jo kryetarëve partiak.

***
Përderisa talljet do të thellohen në javët në vijim, meqë premtimet në një domino-efekt do të rrisin njëra tjetrën sa për ti mundur paraparaket, një gjë mbulon pritjet komunale. Janë zgjedhjet nacionale të cilat veçse janë në horizon.

Për secilën parti politike, zgjedhjet lokale janë një lloj testi provues për fuqinë dhe pritjet e tyre në zgjedhjet e “mëdha”. Për PDK-në për shembull, zgjedhjet lokale testojnë durimin ndaj keq-qeverisjes, për LDK-në zgjedhjet do të testojnë oponencën (kryesisht pasive) të shfaqur në parlament, për VV-në ato testojnë revoltën dhe protestën e shfaqur në rrugë, për AAK-në testojnë efektin e shpërfaqur në vazhdimësi të kthimit të Haradinajt ndërkaq për AKR do të testojnë mbijetesën ose jo të saj pas flirtit politik për pushtet. E betejat përcaktuese të gjithë këtyre testeve do të zhvillohen në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe eventualisht Pejë; në Mitrovicë e Ferizaj PDK është bukur e konsoliduar (siç edhe treguan zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë të fundit kohë më parë).

E meqë zgjedhjet lokale janë temë e diskutimeve tona nga puna e deri në familje – dhe më shumë; them se do të provojë që nëpërmjet këtij shkrimi dhe disave vijues të shpërfaq mendimet e mia mbi zgjedhjet në Kosovë. Do të provoj të argumentojë mbi pritjet e partive kryesore nga zgjedhjet bashkë me performancën e tyre në zgjedhje. Do të provoj të argumentoj mbi ngjyrimet politike që shfaqen në Kosovë, nga ato që të humbin shpresën për njëzet-tridhjetë vjet, deri tek ato që ta kthejnë atë në sekondë.

***

Për partinë më të madhe në vend, PDK-në, zgjedhjet lokale vijnë si një test para-nacional i punës së tyre të deritanishme, e që dorën në zemër ka qenë punë improvizuese, me shumë skandale, pa fije morali politik dhe për më tepër pa fije edukate bazike të disa prej promovuesve kyç të partisë. Mjafton të kujtosh seancat pakurrizore parlamentare, skandalet anti-institucionale jashta dhe brenda saj, sjelljet e përfaqësuesve komunal, të akuzuar, të dënuar e në arrati – dhe ke një pasqyrë të përafërt për brumin që kjo parti ka pasur në vete gjatë katër viteve të shkuara qeverisje qendrore dhe lokale. Të gjitha këto natyrisht se janë reflektuar në pritjet e njerëzve jo-militantë të cilët megjithatë reflektojnë. Pra - dhe këtë gjë kam përshtypje se PDK e din shumë mirë – nuk ka asnjë dilemë se partia është në rënie; dilema është se sa e madhe është kjo rënie dhe se sa kanë potencë e mundësi rikuperuese (nga rënia e tyre)  partitë opozitare.

PDK ka vendosur betejën e saj në defanzivë të komunave aktuale që zotëron, ndërkaq ka përdorur kartën e konsolidimit të partisë në komunat ku nuk ka shumicë. Thënë ndryshe, në Prizren dhe Gjilan – si dy qendra më të mëdha, PDK ka vendosur për vazhdimin e trajtës së tanishme të qeverisjes dhe këtë për dy arsye. E para, sepse në to strukturat lokale të partisë kishin kohë që po bënin një betejë të brendshme, e vetëm një figurë jo-ndryshuese do të zotëronte këto zëra me mjeshtëri; dhe e dyta sepse nëpërmjet vazhdimit e jo ndërrimit PDK paraqitet si e bindur se asgjë nuk ka shkuar mbrapshtë e keq në këto dy qendra – në të vërtetë ndryshimi i kandidatëve do të ishte një shenjë pishmani, rrjedhimisht pranim disfate për kohët e shkuara.

Për qendrat e pazotuara në anën tjetër, diçka si puna e Prishtinës për shembull, PDK ka deleguar figura që më tepër sjellin paqe në degët e përçara (në tri apo katër pjesë) se sa figura që kanë potencë për të bërë ndonjë ndryshim. Kandidimi i Çekut, ndër të tjerash, si një figurë që fillon mbrapshtazi karrierën politike (prej kryeministrit, në ministër e pretendent për kryetarë komune) është bërë më tepër “sa për sy e faqe” se sa ka një bindje serioze edhe brenda partisë. Kjo madje shihet qartazi me mungesën e plotë e entuziazmit dhe prezencës së PDK-së në Prishtinë.


Monday, 7 October 2013

KONTRABANDIMI SI VLERË E QEVERISJES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 4 TETOR 2013

Dikur në këtë vend mashtrimi megjithatë sankcionohet me stigmatizim shoqëror; sot mashtrimet parlamentare, të agjencive e të ngjashmet, deri tek krimet ordinere në rrugë – shfaqen si gjindshmëri. Ka diçka sinqerisht shumë defektoze me tolerancën e komfortin tonë shoqëror në këtë drejtim



Amerika këtë javë po kalonte në precedentin e dytë në më pak se njëzet vjet, të “mbylljes” së Qeverisë. I pari kishte ndodhur në vitin 1996 gjatë administratës së Presidentit Klinton. Ky i dyti po ndodhte pas mospajtimeve dhe mosgatishmërisë për lëvizje në Kongresin amerikan, ku votat republikane – në pasje të shumicës – po mbanin peng aprovimin e buxhetit të shtetit për vitin 2014; e i cili në SHBA fillon ekzekutimin nga 1 Tetori. Republikanët në vete mbajnë dy krah, republikanët e moderuar – siç e thërrasin veten - dhe krahun radikal, që u thonë “The Tea Party”. Përderisa kërkesa primare e “të moderuarve” ndërlidhet me diskutimet mbi deficitin buxhetor dhe përcaktimin e shkurtimeve relevante për të mos e rënduar atë më shumë, kërkesa e “radikalëve” ndërlidhet paradoksalisht me parandalimit e kujdesit shëndetësor, i shtyrë nga Presidenti Obama, aprovuar nga çdo nivel legjislativ deri më tani, e mbi të gjitha edhe i vulosur nga Gjykata Supreme Amerikane. Thënë ndryshe, krahu republikan “Tea Party” kërkon që të fusë si pjesë të pakos buxhetore edhe votimin kundër kujdesit shëndetësor të njohur si “Obama-Care” – i cili pritshëm dhe ka implikime financiare.

Për vet presidentin Obama, ndërlidhja e ligjit të buxhetit me ligjin shëndetësor – i cili përndryshe veçse ka filluar të funkcionalizohet qe sa vite – është tërësisht i papranueshëm, i paarsyeshëm dhe rrjedhimisht i panegociushëm. I panegociushëm, së paku tani për tani, është edhe qëndrimi Republikan. Rrjedhimisht, në mungesë të votave shumicë në Kongres – pra për shkak se Kongresi amerikan përbëhet nga shumica Republikane – SHBA-të sot nuk kanë të aprovuar një buxhet shtetëror, prandaj dhe “mbyllja” e qeverisë e cila përveç mbulimit të kostove të ushtrisë (dhe vet Kongresit bllokues – paradoksalisht) nuk ka të drejtë të marrë asnjë vendim me implikime financiare; rrjedhimisht nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrë. Sado e dhimbshme situata e tanishme, dhe mesiguri e zgjidhshme në më pak se dy javë, ajo në vete tregon dy anët e fotografisë amerikane; e para ngulmi paradoksal i një grupi të vogël radikalësh në mendime që qëllimisht kërkojnë mbylljen – dhe këtë e bëjnë nëpërmjet kondrabandimit të një kërkese shëndetësore në buxhet – dhe e dyta, fotografia e një diskutimi brilant e demokratik, i pavarur nga presionet  dhe i bazuar në bindjet dhe orientimet politike.

Kalo në krahun tjetër të botës, në Kosovën e vogël, dhe gjënë ekzaktësisht dy qëndrime të tilla në një temë diskutuese që po ndodhë mu këtë javë. Përderisa përmasat, pritjet dhe kualiteti i diskutimeve është me mijëra vjet drite larg tjetrës, prezenca e “kontrabandimit” dhe potencialisht “mbylljes” së qeverisë është mu aty. Kujtoj se, për dallim nga atje, tek ne ishte qeveria që në vitin 2011 kishte “kontrabanduar” me sukses nenin e privatizimit të PTK-së nëpërmjet ligjit të buxhetit. Ishte rasti i vetëm në rajon e më shumë, kur privatizimi i një aseti futej e kushtëzohej me funkcionalizimin e shtetëror – nëpërmjet mosvotimit të gjithë buxhetit.

Pavarësisht se asokohe rezonët dhe kurrizet nuk gjendeshin në Kuvend, dy vjet më vonë forcat kanë marrë ndryshim. Sot, kur pritej më së paku, partitë opozitare koordinojnë aktivitetet për të parandaluar njërin nga dëmet më të mëdha ekonomike për vendin; faljen e asetit më profitabil tek grupe anonime – gjithmonë në një stil “cosa-nostra” e plot tollovi. Ndonëse votat opozitare nuk mjaftojnë për të parandaluar procesin në plotni, ato mjaftojnë sa për të dërguar sinjale se qeveria e tanishme është po aq e “mbyllur” dhe jofunkcionale sa amerikanja – në të kundërtën, votat e shumicës do të jepnin përfundimin e aktit kontrabandues të PTK-së siç kanë pretenduar të bëjnë në vazhdimësi. Paaftësia e qeverisë për të shtyrë proceset e tilla, sidomos të një rëndësie – për ta – kaq madhore, nënkupton se Kosova në të vërtetë nuk ka qeveri të shumicës dhe se çdo zhbërje e këtij procesi është zhbërje edhe e fuqisë qeverisëse.

Pjesa e dytë e fotogarfisë natyrshëm ka të bëjë me kualitetin e diskutimeve parlamentare, të cilat nuk shtyhen nga bindje e orientime eko-politike por nga gërditje politike të çastit; gjithsesi që mundin çdo probabilitet matematikorë vënë kundrejt ekzistencës së tyre. Pra, do të ishte e tepërt dhe naive që një deputete që vjedh mëditjen (siç ishte kontrabandimi i deputetes Musliu në sallën parlamentare për të vjedhur mëditjen me nënshkrim rremë për prezencë) të prodhojë një politikë me çfarëdo interesi nacional. Çfarë është edhe më tragjike, rrena, hajnia, mashtrimi e kontrabandimi janë bërë pjesë integrale e këtij legjislativi; dhe ndonëse akti i tillë i mashtrimit ndodhë publikisht, nuk gjënë njeriu dot një reagim e një veprim për të zhbërë atë, mbajtur përgjegjës bërësin e dhënë mësimin për mosbërje nesër. Ky parlament, me parlamentarë të tillë, është denigrimi më i dhimbshëm që mund të marrë Kosova. Ndihem i turpëruar për përfaqësimin që më bëjnë mashtruesit e tillë sot.

***

Kontrabandimi si vlerë u promovua edhe në gjendjen “fantastike” (aspak) të Agjencisë së Statistikave të Kosovës – tashmë pjesë e zyrës së Kryeministrit – e cila sërish, në përpjekje për të ofruar fotografinë e gjoja një hiper-zhvillimi, cenon integritetin e vet, të njerëzve të saj (dhe e bën këtë pa fije marre e përgjegjësie) duke ofruar numra tagjiko-komik.

Pasi kishte ulur me mrekulli papunësinë nga 45% (sipas regjistrimit të popullsisë) në 35% vetëm një vit më parë, e njëjta agjenci prodhon një numër të ri prej 30% si të papunë, në një vend që nuk ka shtuar vende të reja të punës fare. Si e bën këtë?

Mjaftonte një përkthim i lehtë i përqindjeve “të kontrabanduara” të ASK-së për të kuptuar nivelin e manipulimit publik dhe keqinformimit të qëllimshme. Ky përkthim thoshte se Kosova ka 1.2 milion fuqi punëtore të moshës së punës; ka, besoni ose jo, vetëm 135.000 të papunë; ka rreth 300.000 të punësuar; dhe, për të besuar edhe më pak, ka plot 750.000 kosovarë jo aktiv. Thënë ndryshe, rreth 64% e fuqisë punëtore kosovare konsiderohej nga kjo agjenci si joaktiv – apo njerëz që nuk punojnë por që nuk duan punë.

Do të mjaftonte një inteligjencë mesatare për të kuptuar fatin tonë nëse vetëm 120.000 qenkan të papunë në Kosovë; e për më tepër do të mjaftonte vetëm një shikim online për të kuptuar shkallën e fuqisë joaktive nëpër botë. Për shembull, Iraku mban rekordin botëror për popullsi joaktive, rreth 57% pasuar nga Afganistani, me 56%. Kjo sepse femrat në vende si këto nuk lejohen dhe nuk duan të punojnë – prandaj dhe kjo përqindje e lartë. Kosova me plot 64% joaktivë then këto dy rekorde. Madje, po u krahasua me rajonin tonë (Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Bosnje) ku mesatarja është 35-40%, del se këta talentët tanë kanë prodhuar dyfishin e joaktivëve. E bëjnë këtë meqë vetëm duke fshirë nga llogaritja matematikore plot 750.000 kosovarë ata mund të përmbushin profecinë e vlerës së kontrabanduesve se këtu ka zhvillim. Për hir të korrektësisë, llogaritja e jo-aktivëve me vendet e rajonit, pra nëse Kosova ka jo-aktiv sa Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Bosnja, atëherë niveli i papunësisë del të jetë diku rreth 45%; aq sa edhe thoshte fillimisht regjistrimi.

Prodhimi i numrave si këto ësht ëpak i dëmshëm. Në fund të fundit ato nuk bindin askënd dhe gjithsesi se shëndërrohen në mjete të kthyera kundër vet thirrësve e promovuesve të tyre. Problemi qëndron megjithatë në vlerat e mbjella në e përgjatë institucioneve tona që gradualisht pjekën e shëndërrohen në kulturë pune. Dikur në këtë vend mashtrimi megjithatë sankcionohet me stigmatizim shoqëror; sot mashtrimet parlamentare, të agjencive e të ngjashmet, deri tek krimet ordinere në rrugë – shfaqen si gjindshmëri. Ka diçka sinqerisht shumë defektoze me tolerancën e komfortin tonë shoqëror në këtë drejtim. Këtë dhe çka-në nuk arrij ta kuptojë kurrë.